Sonja Barjamaj është një emër që sjell në mendje forcën, pasionin dhe përkushtimin për sportin e karatesë, një rrugëtim që ka nisur që në fëmijëri dhe e ka kthyer atë në një ikonë të sportit kombëtar. Pasioni i saj për këtë disiplinë filloi që në moshën 6-vjeçare, ku ajo, e frymëzuar nga heronjtë e filmave vizatimorë si “Dragon Ball”, e ndjeu fuqishëm dëshirën për të mësuar artet marciale. Ishte dashuria për këtë sport që e udhëhoqi drejt një rruge të gjatë e të suksesshme, duke u bërë kampione kombëtare për 17 vite rradhazi dhe duke mbajtur titullin e parë vajzë shqiptare që përfaqësoi Shqipërinë në një kampionat europian në këtë sport.
Gjatë këtyre viteve, Sonja ka garuar në kompeticione të nivelit të lartë në Ballkan, në arenën mbarëkombëtare dhe ndërkombëtare, duke e shënuar emrin e saj si një atlete që nuk njeh kufij dhe që shkon përtej çdo limiti. Rrugëtimi i saj si garuese është një testament i vendosmërisë, sakrificës dhe përpjekjes për të arritur lartësi të reja. E ndërsa po përfundon masterin, Sonja është e gatshme të nisë kapitullin e ri të ëndrrës së saj – krijimin e një ekipi të dedikuar për artet marciale. Ajo ëndërron të krijojë një palestër që të përmbushë nevojat dhe dëshirat e çdo individi, ku të ndahen zona të ndryshme për disiplina si crossfit, aerobi, zumba dhe shumë të tjera.
Por karateja nuk është i vetmi pasion i saj. Muzika është një tjetër dimension që ajo ka zbuluar dhe zhvilluar me përkushtim, pasioni që erdhi pas karatesë dhe që e plotëson energjinë e saj të pashtershme. Sonja ka gjetur një tjetër liri dhe shprehje përmes muzikës, ku ritmi dhe miximi janë kthyer në një mënyrë të veçantë të komunikimit për të. Sot, ajo është një DJ e afirmuar, duke performuar në klubet dhe lounge-t më të njohura në Shqipëri. Sezoni i verës e gjen në një udhëtim muzikor përtej kufijve, me datat e rezervuara në Maqedoni, Mal të Zi dhe Kosovë, duke ndarë pasionin e saj muzikor me adhurues të zhanreve të ndryshme.
Pjesëmarrja në festivale të njohura si Colour Day Festival, Tregraf dhe Solar i ka dhënë asaj mundësinë të lidhet me audiencën dhe të përcjellë energjinë e saj unike. Me sy drejt së ardhmes, Sonja synon të ndërtojë një koncept organizimesh muzikore që të sjellë një frymë të re për të rinjtë shqiptarë, duke eksploruar stile dhe zhanre të ndryshme për të frymëzuar një audiencë më të gjerë.
Sonja Barjamaj është më shumë se një atlete dhe një DJ; ajo është një inspirim për të rinjtë që ndjekin pasionet e tyre dhe nuk dorëzohen përballë vështirësive. Me një synim të qartë për të sjellë ndryshim në sport dhe në muzikë, ajo është në rrugën për t’u bërë një udhëheqëse e së ardhmes./E.Ç