Politika nuk i njeh më shqiptarët!

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Ben Andoni

Luksi i një pjese jo të vogël të politikës sonë dhe mënyra sesi ulin armët e sherrit, kur flitet për rrogat, janë tregues të argumentimit tonë.

Kur dëgjon ligjërimin e fundit të z. Berisha për rishikimin e Reformës në Drejtësi, ngritjet e pensioneve dhe rrogave, kupton se ai dhe forca e tij politike nuk e njohin më Shqipërinë. Kur dëgjon podcast-et e Ramës me personazhe realisht interesantë, që jo pak herë kthehen në monologë, nga ajo që flitet për Shqipërinë kupton se megjithëse artikulohen gjëra të drejta, ato janë shumë larg Shqipërisë së vërtetë. Ka hapësira të tëra urbane në Shqipëri, që megjithëse janë më të pakta sot demografikisht, as nuk e njohin dhe as nuk u intereson më se cili i përfaqëson në parlament! Sistemi në fakt “i lehtëson” politikanët, sepse ata nuk janë më produkte të zgjedhura të zonave, por të emërtuar nga liderët e partive. Ndaj, direktivat gjeneraliste nga kryetarët e partive, më së shumti as nuk përcillen tek ata. Shqiptari i thjeshtë nuk ka më “nevojë” për deputetin e tij, ashtu si ky i fundit nuk i duhet asfare shqiptari i thjeshtë.

Kuptohet, veç muajve të fundit, kur duhet të kërkojnë me ngulm votën. Ashtu si Shqipëria, këtë po e vuajnë sot një pjesë e madhe e vendeve, njerëzit e të cilëve tashmë nuk u besojnë më politikanëve të tyre. Më shumë akoma, SHBA dhe Mbretëria e Bashkuar, dy aleatët tanë të mëdhenj perëndimorë, gjenden njësoj në këtë qerthull të paimagjinueshëm të demokracisë së sotme. Për publikun, liderët politikë në SHBA dhe në Mbretërinë e Bashkuar janë njerëz që kanë miliona në bankë (ish-kryeministri britanik Rishi Sunak dhe presidenti Tramp, që po vjen në pushtet janë shembuj të qartë), histori pune të shumëllojshme, mbështetur sigurisht me diploma universitare pothuajse në gjithçka. Fatkeqësisht, asnjë nga ata që drejtojnë sot në politikë nuk shfaq asnjë lloj empatie, ndjeshmërie apo përballje reale me ndershmërinë. Në Mbretërinë e Bashkuar, media ua ka përplasur shpesh drejtuesve të tyre këtë lloj jete. Shumica e politikanëve, jo vetëm në Shqipëri por ngado, nuk mund t’i kuptojnë njerëzit e zakonshëm, sepse nuk u është dashur ose u duhet që të përballen me vështirësitë ku përballemi ne, njerëzit “normalë”.

E sërish, njësoj si në Shqipëri, ndërsa shumica e njerëzve mbeten përballë problematikave të vështira ditore; më të ngeshmit në rrjete sociale duke u marrë me njëri-tjetrin; klasa qeverisëse, që i mban në fuqi politikanët për të ruajtur dhe zgjeruar politikat që u interesojnë atyre, largohet me pasurinë dhe burimet. Luksi i një pjese jo të vogël të politikës sonë dhe mënyra sesi ulin armët e sherrit, kur flitet për rrogat, janë tregues të argumentimit tonë.

Provat më thelbësore janë diku tjetër: Dikur Partia Socialiste i akuzonte kundërshtarët e tyre demokratë se në qeverisjen e tyre 5% e popullsisë kishin dorë në pasuritë më të mëdha të vendit; paradoksalisht, sot, ky numër është rrudhur më tej, duke i bërë socialistët shumë larg proklamimit të së majtës së tyre. Por, jo vetëm në ekonomi, disniveli me politikanët është i madh.

Tashmë, demokracia dhe liria janë në kërcënim global me të dhënat në Indekset e Lirisë dhe Prosperitetit, që tregojnë një rënie të vazhdueshme të lirisë politike, e cila nuk ndalet prej vitit 2012. Në kuptimin teorik, ose në demonstrimet e vazhdueshme të politikës, ata (politikanët) duhet të jenë dhe mëtojnë se janë me popullin, por në fakt “të jesh një politikan i mirë do të thotë të marrësh vendime të mira në emër të të tjerëve. Pra, aftësia për të kuptuar se si ata e përjetojnë botën dhe që ka rëndësi sesi qytetarët ndihen. Por, duke pasur parasysh se politikanët janë sipas definicionit të fuqishëm dhe kanë më shumë gjasa të vijnë nga statuse më të larta, ata mund të kenë nevojë të bëjnë shumë më tepër përpjekje për këtë kuptim”, – shprehet Emma Oterski në artikullin “Why politicians may find it hard to understand ordinary voters” (Pse politikanët mund ta kenë të vështirë të kuptojnë votuesin e zakonshëm). E, ndërsa udhëheqësit politikë duken se nuk kuptojnë se çfarë po ndodh me qytetarët e zakonshëm, për këta të fundit, gjërat janë më të qarta, sepse shpesh pasojat e politikës u bien direkt e mbi kurriz. Hulumtimet, që i dedikohen njohjes sociale, lidhur me atë sesa arrijmë t’i kuptojmë njerëzit e tjerë, kanë nxjerrë se posedimi i fuqisë dhe statusit nga një individ ndikon në aftësinë për të interpretuar të tjerët dhe për ta kuptuar jetën e tyre. Në këtë kohë, publiku po vuan atë që në kohët më të vështira (Diktaturë dhe Lufta e Ftohtë) u bë baza e mbijetesës: Empatia dhe miqësia, buzëqeshja dhe mbi të gjitha dashamirësia.

Lexo edhe :  MOMENTI I SOTËM POLITIK DHE BOTKUPTIMOR

“Në kohët më të rrezikshme, ata që shpëtojnë dhe mbijetojnë në përgjithësi njohin njerëz, te të cilët mund të kenë besim. Pasja e miqve të vjetër është politika e instancës së fundit në kushtet e një rreziku të madh. Dhe të bësh miq të rinj është hapi i parë drejt ndryshimit”, – shkruan Timothy Snyder në librin e tij “mbi Tiraninë (sythi i dymbëdhjetë), që po i referohemi në këtë shkrim. Një vëzhgim interesant, që përfshinte Mbretërinë e Bashkuar, bënte me dije se politikanët priren të vijnë nga një nënseksion i ngushtë i shoqërisë dhe kjo i bën që të kenë një status më të lartë se ata që përfaqësojnë. Ky status mund të jetë një pengesë për ndjeshmërinë, referohej në një nga mediat e tyre.

Këtë kaos të funksionimit, ne e shohim sot në informalitetin dhe mënyrën sesi bëhen fushatat qeverisëse, e para për të përcaktuar prioritete, që shkojnë më shumë me interesa politike, sesa interesa të vendit dhe e dyta në paqartësinë se ku duhet të drejtohen realisht për t’i dhënë zhvillim vendit. Ndaj nuk është habi që Shqipëria mbahet ende me remitancat. Në deklarimin e fundit nga Banka e Shqipërisë: Ndërsa nëse u referohemi shifrave zyrtare, për periudhën janar-shtator të këtij viti, të ardhurat nga emigrantët arritën nivelin e 772 milionë Eurove, kundrejt 677 milionë Eurove që rezultonin në 9- mujorin e vitit 2023. A lexohen këto në Shqipëri?

Në kohë zgjedhjesh, sfida është gjetiu: ku do gjenden votuesit?! Kurse për qeverinë, si do tregojë që mandati i saj ishte i arrirë dhe meriton një votëbesim të ri. Po, por nëse ajo i përfaqëson shqiptarët. “Qeveria më e fortë është pikërisht ajo, pjesë e së cilës e ndjen veten çdo njeri”, – shprehej një ideologët e demokracisë amerikane Tomas Xheferson. Dhe, në këtë postulat kupton sesa pak i njeh politika… shqiptarët e sotëm./   S.M

Të fundit

Muaji i shenjtë i Ramazanit/ Ushqyesit më të nevojshëm gjatë agjërimit

Çdo vit, besimtarët mbajnë agjërim që nga agimi deri në perëndim të diellit për 29 ose 30 ditë, një...

Aktivitetet sizmike boshatisin rrugët e destinacioneve turistike në Greqi

Aktiviteti sizmik në Detin Egje ka boshatisur rrugët e destinacioneve turistike më të njohura të Greqisë, pasi shqetësimet për një tërmet të madh të...

Aksident në Laprakë/ Pas përplasjes me një automjet, ambulanca përmbyset në mes të rrugës

Mbrëmjen e djeshme, një aksident ka ndodhur në Laprakë, në zonën e njohur si “Kupola”, ku një ambulancë është përplasur me një automjet. Burime bëjnë...

33 mijë euro shishen e verës? Rama i përgjigjet komentuesve:Shpifja është e ndaluar në…

33 mijë euro shishen e verës? Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur dhe një komentuesi i cili i referohet një deklarate të Arben Ahmetajt në zyrën e...

‘Nuk jam tiktokist’, Rama tregon pse ka zgjedhur komunikimin ‘Sy m’sy’

Kryeministri Edi Rama deklaron pse ka vendosur të ketë komunikime të shpeshta me shqiptarët qoftë dhe ata në rrjete sociale "Puna ime nuk është punë krahu është...

Lajme të tjera

Web TV