Autoritetet në Korenë e Jugut ndalin përpjekjet për arrestimin e Presidentit Yoon

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Autoritetet e Koresë së Jugut thanë të premten se pezulluan përpjekjet për të arrestuar Presidentin Yoon Suk Yeol, i shkarkuar më parë nga parlamenti, pas një ballafaqimi të tensionuar, që zgjati rreth gjashtë orë, ndërmjet autoriteteve dhe forcave të sigurisë besnike ndaj presidentit.

Ekipi i përbashkët i forcave të rendit, që po përpiqej të arrestonte Presidentin Yoon, tha përmes një deklarate se ishte “e pamundur nga aspekti praktik” të vazhdohej me zbatimin e urdhër-arrestit të konfirmuar nga gjykata, duke patur parasysh rezistencën dhe sigurinë për forcaat e rendit, në vendin e ngjarjes.

Rreth 100 hetues dhe detektivë, të mbështetur nga 3,000 policë për menaxhimin e turmave, të vendosur jashtë rezidencës së presidentit në qendër të Seulit, shkuan për të arrestuar Presidentin Yoon në orët e hershme të mëngjesit. Operacioni ishte pjesë e hetimit të presidentit nën akuzat për rebelim dhe abuzim detyre.

Pas disa përplasjeve të vogla që ndodhën përreth kompleksit, ekipi i angazhuar për arrestimin e tij iu afrua deri në 200 metra rezidencës së zotit Yoon, por aty hasi në një barrikadë me 200 ushtarë dhe personel të armatosur sigurie që i pamundësoi hetuesve futjen në rezidencë, sipas Zyrës për Hetimin e Korrupsionit, që po udhëheq këtë hetim të përbashkët.

Ndonëse asnjëri nga pjesëtarët e sigurimit që mbrojnë zotin Yoon nuk nxori armët, Zyra për Hetimin e Korrupsionit iu referua “rrezikut të dukshëm” për shkak të pranisë së një numri të madh njerëzish brenda një hapësire të mbyllur.

Ekipi i përbashkët hetues tha se do të shqyrtojë hapat e ardhshëm rreth fletë-arrestit, i cili skadon të hënën.

Ngjarjet e të premtes ndodhën në vazhdën e një muaji të trazuar politik që filloi me 3 dhjetor, kur Presidenti Yoon, një ish prokuror konservator, shpalli gjendjen e jashtëzakonshme. Shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme u shfuqizua shpejt nga ligjvënësit, të cilët më vonë votuan për të shkarkuar zotin Yoon dhe pezulluan kompetencat dhe detyrat e tij presidenciale, por vendimi përfundimtar për shkarkimin e tij tani është në duart e Gjykatës Kushtetuese e vendit.

Krahas kësaj, zoti Yoon po hetohet për rebelim dhe abuzim të detyrës që lidhet me shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme.

Lexo edhe :  Diaspora shpreh shqetësim për skadimin e dokumenteve, thirrje për ndërhyrjen e qeverisë

Zoti Yoon injoroi tre kërkesa për t’u paraqitur tek autoritetet për intervistë si pjesë e hetimeve, duke detyruar një gjykatë në Seul të lëshojë fletë-arrest për të në fillim të kësaj jave.

Shërbimi i Sigurimit Presidencial që i ofron mbrojtje zotit Yoon, vazhdimisht ka bllokuar hetuesit që të hyjnë në zyrën presidenciale, apo në rezidencën zyrtare për bastisje të autorizuara nga gjykata, duke iu referuar arsyeve të sigurisë dhe atyre ushtarake. Gjatë operacionit të së premtes, këtij shërbimi iu bashkua një njësit ushtarak që besohet se është pjesë e Komandës për Mbrojtjen e Kryeqytetit, sipas agjencisë koreane të lajmeve, Yonhap. Sipas Ministrisë për Mbrojtjen Kombëtare, pjesëtarët e këtij njësiti ushtarak janë nën komandën e Shërbimit të Sigurimit Presidencial, jo të ushtrisë.

Prokurorët paralajmëruan se çdo përpjekje për të penguar zbatimin e urdhër-arrestit të miratuar nga gjykata, do të përbënte vepër penale, ndonëse nuk ka shenja se policia ka bërë përpjekje për të arrestuar pjesëtarët e njësive që mbronin zotin Yoon të premten.

Ekipi ligjor i zotit Yoon thotë se hetimi mbi akuzat për rebelim është i jashtëligjshëm. Ky ekip këmbëngul që Zyra për Hetimin e Korrupsionit nuk ka mandat për të hetuar akuza të tilla.

Avokatët e zotit Yoon thanë përmes një deklarate të premten se përpjekja për të zbatuar urdhër-arrestin është e jashtëligjshme dhe u zotuan se do të kërkojnë veprim gjyqësor për ta bllokuar atë.

Nëse zoti Yoon do të ndalohej, autoritetet do të kishin 48 orë në dispozicion për të vendosur nëse do të kërkonin mbajtjen e tij nën arrest, apo nëse do ta lironin. Kjo do të ishte hera e parë që një president në detyrë në Korenë e Jugut ndalohej nga policia.

Ndërkohë, një turmë përkrahësish të zotit Yoon u mblodhën para rezidencës së tij. Disa prej tyre u zotuan ta mbrojnë atë dhe bën thirrje për arrestimin e udhëheqësve të opozitës. /VOA

Të fundit

Emigracioni problem global, dhjetëra mijëra gjermanë shkojnë për të punuar jashtë vendit

Ora tetë e mëngjesit. Somaeh Metzger troket në derën e zonjës Pennig-Chaussy dhe hyn brenda. “Mirëmëngjes, si jeni?” thotë...

”Bild”: Shqipëria, në krye të destinacioneve për vitin 2025

Tabloidi gjerman “Bild” i ka bërë Shqipërisë një superpromovim ndërkombëtar mediatik. “Bild” e rendit Shqipërinë në krye të listës së destinacioneve për të udhëtuar gjatë...

Masakra në ditën e Vitit të Ri/ Biden takohet me familjarët e 14 viktimave në New Orleans

Presidenti Joe Biden u takua të hënën me familjet e viktimave, mori pjesë në një shërbesë lutjesh dhe u ndal në një memorial të...

Shpendët e ngordhur në Vlorë/ Analizat pozitive, të infektuar nga gripi i shpendëve

Tre ditë më parë, plazhi i Vlorës u mbush me shpendë të ngordhura. Gazetari Enrik Mehmeti raporton se ka dalë rezultati i analizave të marra...

Mblidhet bordi i ERE, pritet të shqyrtohet çmimi i ri i energjisë për konsumatorët

Ditën e sotme, Bordi i Entit Rregullator të Energjisë, do të zhvillojë mbledhjen ku pritet të diskutohet se çmimi i ri i energjisë elektrike,...

Lajme të tjera

Web TV