Miliarderi Elon Musk ka hapur një front ‘beteje’ edhe me Kanadanë, pasi iu përgjigj deklaratës së Justin Trudeau, i cili hodhi poshtë kategorikisht axhendën e promovuar nga Donald Trump, për ta bërë vendin e tij shtetin e 51-të të SHBA-ve.
Sipas mediave të huaja, në deklaratën e qartë të Justin Trudeau, se Kanadaja nuk do të bëhet pjesë e SHBA-së, Elon Musk përdori argumenta duke dashur të denigrojë vetë kryeministrin kanadez.
“Vajzë, ti nuk je më guvernator i Kanadasë, kështu që nuk ka rëndësi se çfarë thua,” i është përgjigjur Musk në postimin e tij në ‘X’ Trudeaut, duke dashur ta barazojë atë me një guvernator të një shteti amerikan dhe të minimizojë fjalët e tij, teksa ky i fundit njoftoi dorëheqjen nga kryeministria.
Justin Trudeau theksoi ndër të tjera se “nuk ka as më të voglën mundësi që Kanadaja të bëhet pjesë e Shteteve të Bashkuara. Punëtorët dhe komunitetet në të dyja vendet tona përfitojnë nga të qenit partneri më i madh tregtar dhe i sigurisë i njëri-tjetrit”.
Përgjigja e Elon Musk vjen pas sfidave të shumta të Donald Trump, i cili menjëherë pasi shpalli dorëheqjen Trudeau, përsëriti komentin se Kanadaja u bë shteti i 51-të, ndërsa më pas publikoi hartat ku kufijtë e dy vendeve janë zhdukur./E.T