Nevojat e shoqërisë dhe deontologjia e “Big Brother”

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

NGA GËZIM TUSHI 

U bënë tashmë disa vite që shoqëria shqiptare jeton nën ethet sociale e spektakolare të promovimit të edicioneve të vazhduara të “Big Brother”. Opinioni publik për këtë eveniment, sinkretik e kompleks, social, psikologjik dhe etiko-moral, në përgjithësi nuk ka qenë indiferent. Madje, janë të shumtë qytetarët që kanë shfaqur sensibilitet social dhe atraksion mediatik, të vëmendshëm për ndjekjen hap pas hapi të evolucionit të ngjarjeve, që zhvillohen në këtë “shtëpi të famshme”.

Në emër të ndjekjes së lojës për qëllime argëtimi apo vëzhgimi, kjo “shtëpi” është vënë në të njëjtën kohë, nën “panoptikonin” e medias, interesimin e zgjeruar të publikut, të cilët me sa duket, e kanë të nevojshme praninë e një mundësie të tillë, që ndihmon për të kuptuar më mirë, në kohë reale, me koherencë gati “ideologjike” format e sotme të jetuarit, format e ndërtimit të lidhjeve sociale dhe konstruktivitetin apo destruktivitetin në marrëdhëniet ndërpersonale midis njerëzve. Një aliazh socio-mediatik që ka brenda vetes, “anën e ndritur” dhe atë të “errët”, që lidhet me pasqyrimin e fenomeneve të jetës së sotme. Duke filluar nga vlerat e komunikimit human, durimit në trysnisë sociale të jetës në hapësira të kufizuara eksperimentale, deri në shfaqjet e bujshme të banalitetit social. Është e vërtetë që ky spektakël socio-mediatik, është një nga ngjarjet me rëndësi me efekte sociale, ndikime kulturore dhe edukative, për ndërtimin dhe rishikimin e parimeve themelore komunikative të jetës urbane postmoderne.

Por përtej shikueshmërisë, audiencës televizive, gjykimeve kontroversale të publikut, paradigmat, vlerat sociale të ravijëzuara nga “jeta e përditshme” në këtë shtëpi, janë dikotomike. Herë pozitive, me impakt të shëndetshëm, herë me skarcitet të bollshëm dhe “lëndë morale” bruto. Pyetja është nëse kjo është lojë që formatohet e tillë, ngaqë aktorët e dinë që janë para kamerave, apo është analoge me të vërtetën reale? Gjithnjë për spektakle të tilla, sociologët shtrojnë pyetjen: çfarë do të ndodhte dhe si do ishte sjellja e banorëve, nëse nuk do të ishte televizioni? Dhe akoma më tej, a duhet besuar se televizioni dhe prania non stop e kamerave është përgjegjës për fenomenologjinë e sjelljes së projektuar në këtë spektakël social? Dhe më në fund, shikuesit duhet ta shikojnë atë si eksperiment social apo si “tele–realitet”. Natyrisht, nuk kam asnjë dyshim që banorët e kanë të qartë praninë e kamerave “vigjilente dhe inteligjente”, që jeta e tyre në këtë shtëpi është nën vëzhgim të vazhduar dhe observim të pandërprerë të gjithë gamës së sjelljeve, nga ato me natyrë sociale dhe deri tek ato që kanë të bëjnë me intimitetin ndërpersonal.

Nuk besoj se ata nuk e kanë dhe ndjejnë “presionin” e kamerave, apo të mos besojnë që veprimet e tyre nuk janë të pavarura nga vëzhgimi mediatik. Banorët e dinë që janë në të njëjtën kohë nën panotikonin e televizionit dhe vëzhgimin e publikut, të gjithë shtresave, llojeve dhe individëve. Nga ata që në mënyrë racionale presin një deontologji konstruktive, ndikuese në reformimin e disa parimeve dhe traditave të sjelljes sociale, deri tek “njeriu pervers”, i cili në mënyrë frenetike është i vendosur para ekranit dhe mezi po pret ndonjë skenë liçencioze apo ekzagjerim të intimitetit. Është e natyrshme që në këtë eksperiment social dhe argëtues të jenë të pranishme sjellje devijante apo anomali të komportimit social, të ndërtuara nën presionin e kamerave, pritmërive të publikut dhe konkurrencës për të siguruar fitoren e dëshiruar. Por ka rëndësi të kuptojmë, se përtej ekscentrizmit apo neurotizmit shpesh ekstrem, por në thelb fals e spektakolar, fshihet një e vërtetë ontologjikisht e kuptueshme për kohën dhe shoqërinë tonë.

Është mbase një mesazh social i “pakoduar”, ndoshta dhe i paqëllimtë i organizatorëve. Por ngjarjet që ndodhin në shtëpi janë një reflektim i jetës së vërtetë empirike, por pa spektakularitetin e skenave dhe skemave të BBV, që sidoqoftë, tregojnë se tani të gjithë jetojmë në një shoqëri të hapur, në të cilën për njerëzit, lidhjet dhe marrëdhëniet e tyre nuk ka “qoshe të fshehta”, që mund të na ndihmojnë të “arratisemi” nga poterja, pështjellimi, nervozizmi, tronditjet ekzistenciale, konfuzioni social. Kjo është arsyeja pse unë mendoj, se në esencë trajtat e konflikteve që zhvillohen në ambientet e BBV, qoftë me veten apo me natyrë ndërpersonale janë tregues sintetikë, për natyrën e vërtetë të njeriut postmodern. Nëse ka një vlerë që duhet evidentuar jashtë habitatit të mbyllur të shtëpisë së BBV, është evidentimi i nevojës që ka njeriu i kohës sonë, për të dëshmuar dhe afirmuar veten në shoqëri, si mënyrë e zakonshme për të qenë ekzistues në jetën dhe realitetin social. Kjo është arsyeja, pse ka shumë shpesh ngjarje që tregojnë përpjekjen e secilit banor për autencitet. Sepse BBV në fenomenologjinë e shfaqjeve të saj, është një “valle sociale”, që luhet nga banorët e saj.

Tensionet janë të natyrshme të jenë kreshendo, sepse askush nga banorët nuk mund të jetë jashtë kësaj “valleje”, si shprehje e raporteve të determinuara me veten, unin e tij egocentrik, por edhe me “tjetrin” dhe të “tjerët” konkurrentë të përbashkët të “valles sociale” që po luhet në këtë “shtëpi të famshme”. Nga ana tjetër, është fare e natyrshme, që “njeriu i shtëpisë” i ndodhur para kamerave të “ftohta” dhe i ngjeshur pranë konkurrentëve të “nxehtë” e ka humbur lirinë e brendshme ekzistencialisht të pavarur dhe jeton i determinuar nga rrethanat të jetojë në varësi jo aq shumë organikisht jetësore se sa sipas simulakrës spektakolare. Është një gjendje sociale sinkretike, e cila sociologjikisht dhe psikologjikisht e bën atë të vërtitet, midis nevojës për simulime eksentrike për hatër të lojës dhe formave të shfaqjes të artificeve spektakolare (simulacra, sipas Jean Boudrillard). Unë mendoj se publiku ka nevojë të kuptojë se në spektaklin e “Big Brother”-it është e vështirë të bësh dallimin midis realitetit të vërtetë të sjelljes dhe komportimit social, në raport me teatralitetin, që i shërben kthimit të relacioneve interpersonale dhe realitetit të jetës së vërtetë, në një lloj hiperrealitet televiziv spektakolar. Kjo është arsyeja pse ky eksperiment social është kaq shumë atraktiv dhe shoqërisht i ndjekur nga individë e shtresa sociale, duke e bërë atë me siguri eventin më të ndjekur mediatik e televiziv.

Pavarësisht se përzgjedhja e banorëve, sipas mendimit tim, nuk është aq shumë analoge dhe e përshtatur me strukturën e realitetin e vërtetë të shoqërisë. Por sidoqoftë, banorët e BBV janë të mjaftueshëm për të realizuar qëllimet që organizatorët dhe “Vëllai i Madh” i kanë vendosur në deontologjinë e këtij spektakli. Duke gjykuar që eksperimenti socio-mediatik të jetë sa më utilitar dhe pragmatik, i përshtatshëm për performancën individuale të lojtarëve dhe individët jashtë shtëpisë, por edhe për tërë shoqërinë, e cila në këtë rast, shfaqet më së shumti si “shoqëri e masave”, që në mënyrë të unifikuar përjeton të njëjtat ngjarje dhe emocione në kohë reale. Me mundësi për të gjykuar individualisht dhe në nxjerrjen e mësimeve sociale për shoqërinë. Por, pikërisht kjo lidhje e kërkuar dhe e supozuar në deontologjinë e BBV, më duket se është “pikë e dobët”, që ose nuk kuptohet, ose nënvleftësohet nga organizatorët, “Vëllai i Madh” dhe banorët si interpret të lojës.

Situatat në vështrim sociologjik shpesh janë ndoshta ambiguide, sepse banorët janë në dilemën midis kërkesës imperative për të realizuar statusin e tyre si qenie individuale, të përveçme, por duke mos llogaritur anën tjetër, atë të ndikimit social. Kuptohet gjërat mund të lehtësohen si përgjegjësi sociale, apo si kërkesë mbase e tepërt për misionin social të BBV, sepse kjo dikotomi e kërkuar midis sjelljes individuale dhe raporteve e interferencave sociale të lojës, është e bazuar në individë që më shumë se statusin e qytetarit, kanë statusin e përkohshëm si banorë të saj. Sidoqoftë, nevoja in extremis e banorëve për të qenë vetja, qoftë si performancë e lojës organike, apo si manierë e sforcuar interpretative për të përmbushur synimet vetjake, nuk mund të nëpërkëmbë synimin social, nevojën që ka shoqëria për paradigma, modele se si mund të ndërtohet “ekuacioni” njerëzor në kushte gare e konkurrence midis individit, grupeve komunitare dhe shoqërisë në tërësi.

Lexo edhe :  Politikanët e korruptuar nën ankthin e “Eskaliburit” të SPAK!

Nga bisedat informale, por edhe informacioni reagues në rrjetet sociale, shfaqet një shqetësim që ka të bëjë me gjuhën dhe fjalorin që përdorin banorët. Duket se ky është objekt mbase kryesor i gjykimeve të publikut, qoftë i atyre që janë apriori kritizerë apo atyre që shfaqen si realistë. Padyshim, edhe unë mendoj se gjuha komunikative e përdorur nga banorët nuk është thjesht element formal apo mjet për hatër dhe efektet e spektakularitetit në lojën brenda “shtëpisë”, apo jetën sociale të shoqërisë. Përkundrazi, në një spektakël publik dhe mediatik, që ka një audiencë të gjerë është element qendror, instrumenti “kyç” me të cilin BBV dhe interpretët e saj përdorin gjuhën përmes të cilit japin mesazhe individuale, por që janë ndikuese, me efekt social në jetën publike. Filozofikisht kjo gjuhë siç do thoshte filozofi Martin Heidegger, është jo vetëm “shtëpia e qenies” me funksione të rëndësishme ontologjike dhe etike, por dhe fenomenologjike e formale. Për fat deri tani kësaj shtëpie nuk i kanë munguar banorë me gjuhë të ekuilibruar, sjellje gjuhësore të kulturuar, si mjet themelor për t’u afirmuar apo individualizuar brenda ambiente të lojës, por edhe duke ndikuar pozitivisht indirekt në jetën qytetare, e cila ka nevojë për modele qytetëruese dhe komportime të kulturuara interpersonale.

Unë besoj se deontologjia e “Big Brodher” duhet të llogarisë dyanshmërinë e ndikimit individual, që lidhet me personalitetin, kulturën, performancën interpersonale dhe lojën spektakolare të banorëve si të njerëz, të cilët duke qenë të “vëzhguar”, të “shikuar”, janë nën gjykimin e opinionit publik përmes panoptikonit televiziv. Shoqëria, më saktë ndjekësit e BBV janë midis lojës aktive të banorëve dhe “lëndës”, që qarkullon dhe rrjedh pa pushim në këtë areal social të vëzhguar ditë e natë dhe me rrezikun e sigurimit të kushteve të “Vëllait të Madh”, që aplikon kërkesa për norma etike, disiplinore, ndëshkimore për ata që i thyejnë ato. Këtu, pikërisht këtu, në këtë vijë të hollë ndarëse, janë të kondensuara vlerat për spektatorin televiziv, i cili në mënyrë pasive ndjek “panoptikonin vëzhgues televiziv”, duke qenë në të njëjtën kohë “aktor i jashtëm”, aktiv dhe gjykues për këtë “lëndë televizive”, që nuk është qëllim në vetvete, as thjesht spektakël i zakonshëm për kalim kohe, por një eveniment që ka synime rrezatuese etike, sociale, edukative me ndikim ndoshta më “strategjik”, në ndryshimet që duhet të reflektohen në jetën urbane, duke influencuar për të lëvizur, ndryshuar disa stereotipa të sjelljes në shoqëri, moduleve të traditave, zakoneve për t’i injektuar ato si parametra individuale dhe paradigma sociale, duke ndikuar direkt apo indirekt për ndryshime të dobishme, të domosdoshme.

Edhe pse nga pikëpamja spektakolare mund të duken si sjellje ekscentrike apo veprime arriviste e ikonoklaste për “kufirin e vjetër” të normave të trashëguara. Jetojmë në kushtet e një shoqërie postmoderne, është kohë që ka nevojë për spektakle të tilla transparente, sikurse është BBV, që është realiste dhe në të njëjtën kohë “hiperealiste”, ku jeta reale përzihet dhe shfaqet në lojën ndikuese të banorëve, influenca dhe ndikimi i të cilëve nuk mund të zvogëlohet, ca më pak të nihilizohet si dukuri periferike dhe pa peshë interferuese në kornizat e jetës sociale të shoqërisë shqiptare. Në fund të fundit, spektakli ka në mënyrë evidente, qëllimet e veta komplekse, humane, etike, spektakolare, shembullzuese në jetën e përditshme. Por nga ana tjetër, problemi duhet parë edhe në raport me konceptet, vlerat dhe paradigmat konceptuale, etike dhe estetike kontekstuale, si një raport dinamik i vërtetë, por edhe në koherencë me nivelin aktual dhe nevojat imperative të shoqërisë për të ndryshuar brenda vetes, por me rregulla sociale. Kjo është arsyeja pse njerëzit nuk e kanë qejf lojën pa rregulla, thjesht si qëllim në vetvete të banorëve, që shpesh kryejnë veprime për qëllime të personalizuara, apo nga që e dinë se janë nën panoptikonin e televizionit dhe përmes tij, edhe të vëmendjes së përqendruar të opinionit publik.

Qytetari e kupton, mbase më mirë se banorët filozofinë qendrore të këtij realiteti, që bazohet në faktin se marrëdhëniet, lidhjet, konjukturat brenda “Shtëpisë”, janë së pari marrëdhënie interesash dhe objektivi final. Dhuna verbale, fjalori banal jashtë standardit etik, egërsia e hapur apo e fshehtë, reagimi intrigave zinxhir për njëri-tjetrin, janë shfaqje të ndikimeve që në këtë shtëpi vijnë më së shumti nga natyra neurotike dhe mungesa e mekanizmave adekuatë të zgjidhjes humane të tyre. Këtë luciditet etik, pa mohuar garën dhe konkurrencën e presin qytetarët, si investim kryesor në arealin e këtij spektakli aq shumë tërheqës dhe me audiencë statistikisht të zmadhuar. Aftësia e organizatorëve dhe përgjegjësia e “Vëllait të Madh” është të sigurojë më shumë harmoni, konstruktivitet të anës spektakolare. Sepse në fund të fundit, ‘BBV’ është një nga komponentët e formës që ka marrë jeta sociale, e formatuar edhe si “shoqëri e spektaklit”, me mesazhet që i duhen dhënë publikut, shoqërisë, në mos për të korrigjuar, të paktën për të reflektuar mbi gjendjen neurotike dhe antinomitë e jetës sociale. Dhe ky mision social nuk është pak, madje është një nga komponentët deontologjikë, që pritet si kontribut etik dhe informacion i spektakolarizuar. Është një dukuri sociale me të cilën duhet të mësohemi. Sociologët për këto lloje eksperimentesh sociale, thonë se në shoqërinë e spektakolarizuar, ka një raport të ri midis jetës reale dhe pasqyrimit në mënyrë virale, endemike në median televizive.

Sipas tyre, përmes këtyre ngjarjeve endemike të shoqërisë, të shfaqura me intensitet në ekran, kemi një proces, i cili sipas tyre ka krijuar gjendjen e “tretjes së televizionit në jetë dhe të jetës në televizion” dhe akoma më tej, një proces i kalimit të ndryshuar nga mënyra si zhvillohen ngjarjet dhe situatat në realitetin e vërtetë, në ndryshimin e tij duke e pasqyruar mediatikisht si një epifenomen social në formën e hiperealitetit mediatik. Prandaj, në aksione të tilla socio-mediatike sikurse është BBV, duhet kujdes. BBV është një është mundësi që lënda televizive, ngjarjet në këtë shtëpi, mund të shërbejnë dhe po shërbejnë për të bërë diskutime qytetare, individuale e publike. Madje, shpesh me intensitet aksiologjik, duke i gjykuar ngjarjet në mënyrë analitike, duke bërë vëzhgime për shkaqet dhe pasojat e sjelljeve në këtë areal mediatik, të shprehura përmes miratimit apo kritikës, analizave të shkakut të përkohshëm, kalimtar dhe pasojave të kufizuara të tipologjisë së sjelljes së secilit banor, duke gjykuar edhe për qëllimet dhe mjetet që përdorin banorët, qoftë si qëllim në vetvete apo si mjet për të arritur suksesin e fitores. Personalisht e kam vlerësuar faktin, që me ca kujdes më shumë nga organizatorët, është e mundur, në një masë të caktuar që BBV të ketë rolin e “agjentit të jashtëm” me efekt në ndryshimet e sjelljes sociale.

Qoftë edhe për kaq, dobia utilitare dhe synimet etike janë të mirëpritur nga shoqëria. Por, me kushtin që “Vëllai i Madh” dhe banorët e BBV, të kuptojnë se kanë mbi supe një barrë sociale, sepse largësia e tyre nga shoqëria është minimale dhe efektet sociale janë të drejtpërdrejta, të menjëhershme, strategjike, sepse “shtëpia është e hapur” në televizion. Dhe ai ka efekte të gjëra sociale sepse “televizioni na sheh, televizioni na tëhuajëson, televizioni na manipulon, televizioni na informon”. Jean Baudrillard, “Simularka dhe simulim”, f. 67. Ai është një agjent i madh me ndikim në fuqishëm në jetën e shoqërisë. Kujtoni eksperimentin amerikan me “Familjen Loud”, për të cilin do flasim një herë tjetër…

/Gazeta Panorama

Të fundit

Balluku për uljen e çmimit të energjisë: Nuk do të ketë më fatura afrofe

Pas miratimit të vendimit të ERE, kryeministri Edi Rama dhe zv. Kryeministrja Belinda Balluku zyrtarizuan uljen e çmimit të...

Zgjedhjet/ Berisha: Më 11 maj do të shënojmë fitoren më të thellë

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha zhvilloi këtë të enjte një takim me degën në Berat. Gjatë fjalës së tij, ai krahasoi situatën aktuale të...

Analisti Plator Nesturi emërohet Prefekt i Vlorës!

Diplomati dhe analisti Plator Nesturi është emëruar Prefekt i Vlorës. Ai zëvendëson në këtë post Vangjel Tavon, i cili mori drejtimin e Bashkisë së Himarës. Nesturi...

Meta në burg, Berisha zbulon arsyen e fortë përse nuk e ka takuar ende ish-presidentin

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha tha në një studio televizive tha se arsyeja e vetme pse nuk ka shkuar të takojë Ilir Metën...

Kush do e fitojë edicionin e katër të Big Brother VIP? Astrologet parashikojnë….

Të ftuara në “Pardon My French” kanë qenë Ira Mestani dhe Gerta Hoxha, të cilat menaxhojnë faqen astrologjike “Binjakët”. Ato këtë herë kanë folur...

Lajme të tjera

Web TV