Jep dorëheqjen prokurori i posaçëm i SHBA Jack Smith

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Prokurori i Posaçëm Jack Smith, i cili udhëhoqi çështjet federale kundër zotit Donald Trump me akuzat për përpjekje për të përmbysur humbjen e tij në zgjedhjet e vitit 2020 dhe keqpërdorim të dokumenteve të fshehta, ka dhënë dorëheqjen, ndërsa presidenti i zgjedhur republikan përgatitet të kthehet në Shtëpinë e Bardhë.

Prokurori Smith dha dorëheqjen të premten nga Departamenti i Drejtësisë, sipas një dokumenti drejtuar gjykatëses së qarkut të SHBA Aileen Cannon, duke i kërkuar asaj të hiqte një urdhër që ajo lëshoi për bllokimin e publikimit të raportit të tij përfundimtar.

Njoftimi për dorëheqjen e z. Smith u bë me një shënim në dosje, ku thuhej se Prokurori i Posaçëm kishte përfunduar punën e tij, kishte dorëzuar raportin e tij përfundimtar më 7 janar dhe është “ndarë” nga Departamenti i Drejtësisë me 10 janar.

Një ish-prokuror për krimet e luftës, z. Smith ngriti dy nga katër çështjet penale me të cilat z. Trump u përball pas largimit nga detyra. Çështja e dokumenteve të fshehta, u pushua në muajin korrik nga një gjykatëse që ishte emëruar nga vetë zoti Trump kur ai ishte president. Gjykata e Lartë e SHBA-së me tre gjyqtarë të emëruar nga zoti Trump, gjeti se ish-presidentët kanë imunitet të gjerë nga ndjekja penale për akte zyrtare.

Pasi zoti Trump mposhti nënpresidenten demokrate Kamala Harris në zgjedhjet e 5 nëntorit, prokurori Smith hoqi dorë nga të dyja rastet, duke iu referuar një praktike të hershme të Departamentit të Drejtësisë, sipas së cilës, presidentët që janë duke ushtruar detyrën, nuk mund të jenë subjekt i hetimeve federale.

Largimi i prokurorit Smith është një tjetër dëshmi e rënies së çështjeve penale kundër zotit Trump, të cilat mund të përfundojnë pa asnjë pasojë ligjore për presidentin e ardhshëm dhe në kohën kur u ngritën nxitën një reagim që ndihmoi në rikthimin e tij politik.

Lexo edhe :  Trump e nis me shkarkime, pushon nga puna mijëra punonjës të Shtëpisë së Bardhë

Dorëheqja e prokurorit Smith nga Departamenti i Drejtësisë, ishte e pritshme. Zoti Trump, i cili e ka quajtur shpesh Smithin “të çmendur” kishte thënë se do ta pushonte menjëherë pasi të merrte detyrën më 20 janar dhe ka sugjeruar se ai mund të ndëshkojë zotin Smith dhe të tjerët që e hetuan atë, pasi të kthehet në detyrë.

Donald Trump në vitin 2023 u përball me ndjekje penale, së pari në Nju Jork, ku u akuzua për përpjekjen për të fshehur një pagesë të heshtur një aktore filamsh për të rritur gjatë fushatës së tij presidenciale të vitit 2016. Ai u akuzua po ashtu për mbajtje të paligjshme të dokumenteve të fshehta pas largimit nga detyra dhe për përpjekje për të përmbysur humbjen e tij të vitit 2020, një fushatë që shkaktoi sulmin e 6 janarit 2021 në Kapitol. Prokurorët në Gjeorgji akuzuan gjithashtu zotin Trump për përpjekjet e tij për të përmbysur humbjen e tij në atë shtet.

Zoti Trump mohoi çfarëdo keqbërjeje dhe sulmoi prokuroritë për përpjkeje politikisht të motivuara për të dëmtuar fushatën e tij. Ai mblodhi miliona kontribute nga paraqitjet në gjykatë dhe i përdori rastet për të çuar përpara një rrëfim të fuqishëm se struktura politike ishte rreshtuar kundër tij dhe mbështetësve të tij.

Departamenti i Drejtësisë mohoi vlerësimet e tilla duke thënë se rastet drejtoheshin nga prokurorë të karrierës që vepronin pa ndikime politike.

Të fundit

Kushte atmosferike relativisht të qëndrueshme, parashikimi i motit për ditën e sotme

Shërbimi Meteorologjik Ushtarak njoftoi se ditën e hënë vendi ynë parashikohet të ndikohet nga kushte atmosferike relativisht të qëndrueshme. Sipas...

Monedhat e huaja në rënie, ja me sa lekë blihen e shiten valutat kryesore

Sot, më datë 27 janar 2025 në tregun valutor, euro blihet me 98 lekë dhe shitet me 98.7 lekë. Dollari amerikan blihet me 93.2 lekë...

Një javë në Shtëpinë e Bardhë: A po e ndryshon Trumpi kursin e politikës amerikane?

Të shtunën në mbrëmje, ndërsa aeroplani i tij u nis nga Las Vegas për në Majami, presidenti i SHBA-së, Donald Trump u nis për...

27 janar 1901/ Xhuzepe Verdi, miti botëror i operës italiane

 Nga Leonard Veizi Jetoi vetëm një vit në shekullin e XX. Por mbeti i shquar në shekullin e tij paraardhës. Dhe prej atëherë e sot...

Ekonomia e Kosovës: Shumë premtime, pak përparime

Valona Tela & Nadije Ahmeti Kur ka prezantuar programin e Qeverisë së tij në maj të vitit 2021, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë,...

Lajme të tjera

Web TV