Reshjet e shiut të shoqëruara me shkarkime atmosferike kanë prekur sot Qarkun Gjirokastër, me intensitet deri në mesatar. Sipas informacioneve nga Prefekti i Qarkut Gjirokastër, ndërprerjet e energjisë elektrike të shkaktuara nga moti i keq janë rikuperuar në disa zona, përfshirë njësitë administrative Pogon dhe Dropull i Sipërm (Bashkia Dropull), Zagori (Bashkia Libohovë) si dhe Lunxhëri dhe Picar (Bashkia Gjirokastër).
Ndërkohë, vijon mungesa e energjisë në njësinë administrative Kurvelesh (Bashkia Tepelenë) dhe në lagjen “Kala” të qytetit të Tepelenës.
Sipas raportimeve nga strukturat vendore të Mbrojtjes Civile dhe Drejtoria Vendore e Policisë Gjirokastër, deri tani nuk janë evidentuar situata problematike.
Rrugët kombëtare dhe rurale mbeten të kalueshme, ndërsa furnizimi me ujë të pijshëm dhe energji elektrike është i qëndrueshëm në shumicën e zonave.