Santorini po teston këto ditë çadrat prej pecikllazi, që këtë verë duket se do të rrethojnë shezlonget në plazh, për të krijuar distancën maksimale të sigurisë mes pushuesve.
Ishulli i famshëm grek ka nisur punën, duke provuar kabinat prej pecikllazi, duke shfrytëzuar ditët me diell. Të njëjtat sugjerime duket se po testohen edhe në Spanjë e Itali.
Bizneset në ishull gjithashtu po adoptojnë nga kjo javë, të gjitha masat e higjienës personale, duke pritur me padurim nisjen e sezonit veror.
Zakonisht pushimet në Santorini nisin që prej muajit prill por prej 23 marsit, e gjithë Greqia u vendos në karantinë, si pjesa tjetër e botës ndërsa sezoni turistik për këtë verë do të nisë më 1 korrik. Santorini është një destinacion popullor për turistë nga mbarë botë.
Në 2018, 2 milionë vizitorë pushuan në ishull, i preferuar kryesisht nga çiftet e sapo martuara, që e konsiderojnë si vendin perfekt për të kaluar muajin e mjaltit.
Nëse vitin e shkuar në këtë periudhë, 70% e shërbimit hotelier ishte prenotuar për të gjithë verën deri në tetor, këtë vit prenotimet mezi arrijnë në 30%.
Edhe pse Greqia është një nga vendet me normën më të ulët të infeksionit në Evropë, me 2678 raste të konfirmuara dhe 148 viktima nga Covid-19, sërish sipas sondazheve, grekët i tremben një vale të dytë, këtë herë nga jashtë.
Më shumë se 93% e të anketuarve mes 23-28 prill, thotë se janë në favor të kontrolleve të rrepta në aeroporte dhe kufijtë e vendit ndërsa 74% mendojnë se turistët e huaj duhet të lejohen të vizitojnë Greqinë, vetëm nëse janë të pajisur me një certifikatë se janë imunë ndaj koronavirusit.