Kisha Orthodokse Autoqefale e Shqipërisë, më 16 mars, do të zgjedhë kryepeshkopit të ri, pas ndarjes nga jeta të Anastas Janullatos.
“Sinodi i Shenjtë i Kishës Orthodokse Autoqefale të Shqipërisë bën me dije se zgjedhja e Kryepiskopit të ri të Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, i cili do të pasojë Kryepiskopin e ndjerë Anastasin, do të mbahet të Dielën e Dytë të Kreshmës më 16 mars 2025, në Qendrën Sinodike, pas Liturgjisë Hyjnore. Procesi i zgjedhjes do të ndjekë dispozitat e Statutit të Kishës Orthodokse Autoqefale të Shqipërisë”, njofton Sinodi i Shenjtë.
Më 30 janar, me mijëra besimtarë ortodoksë, drejtues të kishave nga e gjithë bota, përfaqësues të lartë të shtetit shqiptar dhe atij grek, i dhanë në Tiranë lamtumirën e fundit kryepeshkopit Anastas Janullatos, i cili u nda nga jeta në moshën 95-vjeçare më 25 janar 2025 në spitalin ‘Ungjëllizimi’ në Athinë.
Lidhja e Janullatosit me Shqipërinë
Anastas Janullatos u caktua në 1991 nga Patriarku Ekumenik Eksark, Patriarkal në Shqipëri dhe u fronëzua në krye të Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare më 2 gusht 1992, kur ishte në moshën 63-vjeçare. Përmes vështirësive të shumta ai ringriti dhe riorganizoi Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, e cila si edhe fetë e tjera ishte e ndaluar nga regjimi komunist në vend. Krahas ringjalljes së më tepër se 400 famullive, u themelua edhe Akademia Teologjike “Ngjallja e Krishtit” në Durrës si dy lice kishtarë ku u shkolluan mbi 150 klerikë./ S,M