Nga 54 mijë-67 mijë lekë paguhen shqiptarët në bujqësi, industri e shërbime, larg pagës mesatare
Bujqësia, industria, shërbimet e ndërtimi ndonëse janë sektorët më me peshë në ekonominë shqiptare, po vuajnë mungesën më të lartë të punonjësve dhe pagat më të ulëta.
Me 2,3 % ra punësimi në sektorin e bujqësisë, me 0,9 % në sektorin e shërbimeve dhe me 2,4 % në sektorin e industrisë. Pavarësisht se punësojnë rreth gjysmën e popullsisë, ndikojnë më së shumti në rritjen ekonomike të vendit por dhe po marrin zhvillimin më të madh si pasojë e turizmit.
Eksperti i ekonomisë, Violdi Danaj thotë: “Shqipëria nuk ka një industri që të karakterizohet por dhe fasoneria është goditur rëndë nga eksportet. Shfrytëzimi vazhdon i punonjësve. Dëmtimi i eksporteve ka sjellë mungesën e nevojës për punonjës apo për të investuar. Fokus kryesor shërbimet dhe turizmi duhet të ecnin paralel por s’ka ndodhur si mungesë e një strategjie të mirëfilltë. Duke qenë se është një sektor që nuk kontrollohet nga institucionet nuk ngjallë interes për të rritur produktivitetin dhe bujqësia ka nevojë të rrisë produktivitetin.”
Bujqësia mban të punësuar rreth 40% të popullsisë shqiptare, por një fermer e bujk paguhet më pak nga të gjithë me 54 mijë e 400 lekë përfshirë kontributet shoqërore dhe shëndetësore. Ndërsa një punonjës i industrisë, shërbimeve dhe ndërtimit merr rreth 67 mijë lekë pagë bruto në fund të muajit.
Pagat sipas ekspertëve po i detyrojnë të rinjtë të largohen nga këta sektor dhe të emigrojnë.
“Janë sektorët më informal ku kjo gjë bën që paga e deklaruar të mos jetë realja. Janë sektorët që marzhin e fitimit e kanë shumë të lartë por pagat i kanë të ulëta.
Këtu është informaliteti dhe qeveria është e vetëdijshme që s’janë të deklaruara 100%. Shërbimet kanë paga të ulëta por duke shfrytëzuar punëmarrësin dëmton veten dhe gjithë zinxhirin”, shprehet Danaj
Por si mund të motivohet fuqia punëtore në vendin tonë?
“Leku është gjëja kryesor që i bën të rinjtë që të qëndrojnë. E dyta stabiliteti dhe siguria në punë dhe kushtet e punës”, shton eksperti.
Këta faktor sipas ekspertëve i detyrojnë shqiptarët të largohen nga vendi. Rreth 40% e fuqisë punëtore në Shqipëri ka emigruar jashtë vendit sipas raportit të vitit 2024 të Organizatës Ndërkombëtare të Migracionit (IOM)./k.k