Armët e prodhimit amerikan janë duke u përdorur vazhdimisht në fushëbetejat e Ukrainës, pavarësisht se Shtetet e Bashkuara e kishin pezulluar përkohësisht furnizimin e Kievit me armë.
Furnizimi me municione dhe armë rifilloi më 12 mars, pasi ishte pezulluar për gati një javë. Pezullimi ndodhi si rrjedhojë e një përplasjeje në Zyrën Ovale mes presidentit amerikan, Donald Trump dhe atij ukrainas, Volodymyr Zelensky, më 28 shkurt.
Gazetari i Radios Evropa e Lirë, Maryan Kushnir, u takua me trupa në vijën e frontit në rajonin lindor, Donjeck, në fillim të marsit.
Ai i gjeti ata duke e përdorur obusin amerikan, Paladin, dhe automjetet luftarake Bradley, si dhe obusin M777, i cili prodhohet në Shtetet e Bashkuara dhe në Mbretërinë e Bashkuar.
Këto armë përdoreshin vazhdimisht. “Trupat ukrainase kanë hapur zjarr intensiv pranë [qytetit të] Kurahovit”, tha Kushnir, duke qëndruar pranë një M777-shi.
“Sapo kanë qëlluar më shumë se 20 predha dhe zjarri nuk është ndalur. Kjo lloj artilerie mbërriti në vitin 2022 nga Shtetet e Bashkuara. Ka shumë armë të tilla në vijën e frontit dhe ato përdoren gjerësisht, ashtu si edhe predhat me kalibër të NATO-s. Zjarri nuk ndalet kurrë, siç mund ta shihni”, tha ai.
Ushtarët që i intervistoi Kushnir thanë se besojnë që pezullimi i ndihmës ushtarake ka pasur pak ndikim deri tani.
“Për sa di unë, ne po prodhojmë predha tani, kështu që nuk mendoj se do të kemi probleme me furnizimin”, i tha Kushnirit një ushtar i paidentifikuar. “Dhe do t’i kemi ende këto armë. Nëse ndodh diçka në të ardhmen, mund t’i riparojmë. Ato po riparohen dhe po rikthehen në gjendje pune që t’i përdorim sërish”.
“Nuk është vetëm Amerika që po na ndihmon”, tha një ushtar tjetër i paidentifikuar. “Ne do të rezistojmë dhe kjo situatë do të përfundojë”.
Sipas Institutit Kiel për Ekonominë Botërore, me bazë në Gjermani, Shtetet e Bashkuara ofruan 67 miliardë dollarë ndihmë ushtarake nga fillimi i pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia në shkurt 2022 deri në dhjetor 2024.
Evropa ofroi 65 miliardë dollarë në të njëjtën periudhë. Fedir Venislavsky, i cili është anëtar i Komitetit të Mbrojtjes në Parlamentin ukrainas, vlerësoi në fillim të marsit se furnizimi i Ukrainës me armë do të mjaftojë vetëm për gjashtë muaj pa ndihmën ushtarake të SHBA-së./k.k