Drejtuesi politik i Partisë Socialiste në Qarkun e Vlorës, Bledi Çuçi, zhvilloi një takim me strukturat socialiste në Bashkinë e Himarës, bashkë me kandidatët Damian Gjiknuri dhe Vullnet Sinaj. Në kuadër të ndarjes së brendshme të fushatës elektorale, kandidati Gjiknuri është caktuar përgjegjës për zonën e Himarës ndërsa kandidati Sinaj për pjesën e Horë- Vranishtit, që shtrihet gjeografikisht në zonën e Lumit të Vlores.
Në fjalën e tij, Bledi Çuçi u ndal tek procesi zgjedhor në kushtet e sistemit të ri me lista të hapura dhe tek domosdoshmëria për maksimalizimin e rezultatit për Partinë Socialiste “Fushata elektorale, për herë të parë po bëhet përmes një sistemi të ri; 12 kandidatët që janë në listë të hapur do të bëjnë garë të hapur, ku çdo kandidat do të garojë për të marrë edhe një votë më shumë se kandidati tjetër. Është e rëndësishme që të zhvillohet një gare e drejtë dhe e barabartë për fitoren e kandidatëve të Partisë Socialiste. Objektivi kryesor në këto zgjedhje është ajo e maksimalizimit të votave për Partinë Socialiste, për Edi Ramën.
Vëmendje e veçantë duhet t’i kushtohet procesit të ri që ka nisur, me adresimin e votës së diasporës”, pohoi Drejtuesi politik i PS, Bledi Çuçi
Kandidati Damian Gjiknuri në fjalën e tij theksoi se, “Në këto zgjedhje shumë të rëndësishme, vota duhet të shkojë vetëm për Partinë Socialiste. Ne kemi mundësi dhe duhet të mbajmë atë rezultat të lartë që e kemi krijuar ndër vite. Në Himarë ka shumë punë dhe investime që duhen bërë, për të ecur përpara drejt zhvillimit të mëtejshëm, ashtu siç Himara e meriton, vetëm me Partinë Socialiste”.
Kandidati Vullnet Sinaj pohoi se, “Të 12 kandidatët e Partisë Socialiste janë lojtarë të një ekipi, për fitoren e Partisë Socialiste, për fitoren e mandatit të katërt që do të jetë mandati i cili do ta çojë Shqipërinë në Bashkimin Europian”./K.K