1 Maji i heshtur i shqiptarëve të zhurmshëm

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Leonard Veizi

Në 1 maj ka zhurmë e potere. Jo…, jo për të drejta, as për ndonjë marshim sindikal me pankarta të shkruara me dorë, por për diçka shumë më të shenjtë: tavolinat.

-Ja shyqyr që u mblodhëm në një trapezë se po na shkonte goja lëng. Dollibash, urdhër.

Qytetet shqiptare e sidomos kryeqytet në 1 Maj karakterizohet nga një zhurmë makinash që shtyhen në rrugë të ngushta, në drejtim të tavernave periferike që kanë bërë marketingun me “mish nga ferma vendase”, por që e kanë të freskët nga frigoriferi i portit.

– Hape rrugën mor debil, se na u zunë të gjitha tavolinat!

Boria të çan veshët.

– Kot nuk e prenotove online! Do na mbarojë dhe mishi! Nuk shtyhet rakia vetë me xaxiq.

Mos u bëni merak djema, mish për mishngrënësit ka sa të duash. U shkarkua vapori i radhës nga Brazili, mish për të gjithë: edhe për ata që mbajnë dietë me proteinë të pastër, edhe për vegjetarianët që bëjnë përjashtim një herë në vit “se është festë”, madje edhe për veganët që pinë ujë nga bajamet por nuk i rezistojnë një kokë qengji të pjekur.

Yxhym.

Dikur, në komunizëm, 1 Maji ishte festë e shenjtë. Jo thjesht për të pushuar – pushimi ishte luks borgjez dhe produkt i dekadencës perëndimore. Ishte ditë parade. Me fëmijë që mbanin tullumbace të kuqe në një dorë dhe pankarta në tjetrën, me flamuj të Partisë së Punës që valëviteshin krahas kokave të katër krerëve të bolshevizmit. Pankartat ishin prej letre që i dilte boja nga shiu, por ishin plot ngjyra ideologjike. Në krye të kolonës vinin ndërmarrjet e ushqimit social dhe ato të industrisë së lehtë përpunuese. Pas tyre vinte tabori i rëndë – punëtorët e metalurgjisë, me çizmet që rëndonin sa vetë prodhimi vjetor i qymyrit.

– Mirupafshim, industri e rëndë.

Për 1 Maj nuk punohej… sepse të gjithë ishin shumë të zënë duke nderuar punën. Mbi supe mbanin portretet e udhëheqësve, që herë për herë, në ndonjë kthesë rruge, përfundonin në tokë dhe shkeleshin nga këpucët kineze të kooperativistëve. Trupi bëhej mavi nga pesha.

– Më mirë të punonim turni i tretë në fonderi, mor jahu.

Kjo psherëtimë mund të dëgjohej andej nga rreshti i tretë. Se ata të rreshtit të parë ishin të dënuar të buzëqeshnin, dhe sikur t’u kishte ndodhur gjëma. Nuk kish vend për buzë të varura. Festonin punëtorët, baza e sistemit socialist. Sa për fshatarët, ata mund të bënin sehir në një ditë të tillë. Të mblidheshin te televizori i Vartës së Kulturës dhe të ndiqnin marshimin me bandën e ushtrisë por dhe duke bërë tifo pa detyrim, por me orientim.

Lexo edhe :  Është koha e përgjegjësisë dhe meritës në administratë...

Ironike, apo jo?

Ndërkohë, në botën kapitaliste, 1 Maji ishte dhe mbetet ditë kërkesash sociale. Greva, demonstrata, pankarta që thërrasin “Stop shfrytëzimit!”, sindikalistë që nuk i shtrijnë këmbët në kolltukët e pushtetit, por në sheshe. Një ditë proteste – jo pikniku.

Por le të vijmë në Shqipërinë moderne – vendin që nuk është më as komunizëm, as kapitalizëm, por një fushë grilash e vetëkënaqësisë kolektive.

E kemi arritur kulmin e evolucionit të 1 Majit: heshtje kolektive dhe një status në Facebook, – pas orë 11.00 të paradites kur të ka dalë gjumi – ku dikush, me gjithë frymën e një revolucionari të lodhur nga trafiku, shkruan:

Shyqyr që është pushim, do hamë ndonjë kofshë pule apo kokë qingji andej nga lokalet e Lundrës apo të Bërzhitës. Edhe deri në Prezë na e mban xhepi”

Nuk ka më parulla, s’ka më flamuj, s’ka më “Rroftë klasa punëtore!” – vetëm “Happy 1 Maj” me emoji grilash, kriklla birre ku shkuma është gati në të derdhur, dhe selfie me hashtage patriotike: #shqiptarëmeqejf #jetaduhetjetuar #1majpushim #porcionidytëfalas.

-Pse paska dhe falas?

Po pive dy birra të tretën e ke nga lokali, edhe pse mbizotëron shkumua.

1 Maji është ditë pushimi. Çka nënkupton se është ditë feste. Se ku ke parë ti që qeveria të të japi një ditë pushimi që ti pastaj të dalësh me mexhlis e të shash qeverinë

-Jazëk të qoftë. Bukëshkalë.

Askush nuk flet për punëtorin – përveç kamerierëve dhe atyre që punojnë pas banakut, të cilët as që mund të pushojnë dot, sepse gjithë “punëtorët” kanë zbarkuar në lokal për të festuar që s’po punojnë. Dhe as ai s’guxon të protestojë – se tipikisht është vetëpunësuar ose në rastin më të keq i punësuar në të zezë.

-Dashke dhe siguracione ti… kopuk.

E ta lumsha moj demokraci.

1 Maji në Shqipëri është një simbiozë brilante: dita ku njeriu për njeriun është ujk – si në kapitalizëm – por festa mbetet e komunizmit. Një ngërç ekzistencial që e zgjidhim si gjithmonë: me mish në hell dhe heshtje në shpirt.

Dhe me këtë gërshetim grotesk, vazhdojmë të marshojmë përpara… drejt lokalit të radhës dhe me ftesën punare në majë të gjuhës.

-Hajd ta pish i gastare rakie se kina festë sot. Ofro io.

S’të mora vesh asnjë llaf mor djalë. E paske nisur me të mëdha që në mëngjes sot. Le që e ke me hak. Ditë feste është. Dita e klasës sonë punëtore.

Të na rrojë 1 Maji more shokë.

 

Të fundit

Vatër e re zjarri në Kukës, digjen 2 hektarë sipërfaqe në fshatin Mamëz

Paraprakisht janë rreth 2 hektarë sipërfaqe pyjore e përfshirë, por nxitur nga era, zjarri po zgjeron vatrën. Terreni malor...

Në kujtim të viktimave të Srebrenicës, mijëra pjesëmarrës nisin Marshin e Paqes

Në Bosnje e Hercegovinë nisi të martën Marshi i përvitshëm i Paqes, në kujtim të viktimave të gjenocidit në Srebrenicë. Gjatë tri ditëve të ardhshme,...

1937- Traktati i Saadabad, pasqyra e marrëdhënieve rajonale dhe pjesëmarrësit kryesorë

Në vitin 1937, një iniciativë e rëndësishme diplomatike mori formë në Lindjen e Mesme, duke lidhur katër shtete të rëndësishme të rajonit: Turqinë, Iranin,...

Temperatura mbi 40°C, mbyllet Akropoli në Athinë

Akropoli i Athinës, një nga atraksionet më të vizituara turistike në Greqi, do të mbyllet për publikun gjatë orëve më të nxehta të ditës...

Aksident i rëndë në aksin Lezhë-Shkodër, humb jetën një turist i huaj

Një aksident me pasojë vdekjen ka ndodhur paraditen e sotme në aksin rrugor Lezhë-Shkodër, pranë kryqëzimit të fshatit Gjadër. Viktima është një turist i huaj,...

Lajme të tjera

Web TV