Edhe pse “Mission: Impossible” po i afrohet fundit, Tom Cruise ka premtuar se nuk do ta braktisë kinemanë. Në premierën e filmit The Final Reckoning në New York, ai tha për The Hollywood Reporter: “Nuk do të ndalem kurrë. Aksion, dramë, komedi – dua t’i bëj të gjitha. Jam i emocionuar.”
Filmi i tetë dhe i fundit i sagës që nisi në vitin 1996 u prezantua në Cannes dhe më pas pati premierën amerikane të dielën mbrëma. Cruise e konfirmoi:
“Është finalja! Nuk quhet kot ‘finale’.”
Dy vjet më parë, ai shprehej se donte të ndiqte shembullin e Harrison Ford dhe të luante deri në të 80-at, por tani shton me të qeshur:
“Në fakt, do të bëj filma deri në të 100-at.”
Reflektimi i tij mbi 30 vjet në kinematografi është plot mirënjohje:
“Çdo film ka qenë një përvojë e jashtëzakonshme. Ndihem me fat që bëj atë që dua.”
I pyetur për ritualet para skenave të rrezikshme, aktori u përgjigj me humor:
“Kam shumë rituale që më mbajnë gjallë – varet nga ajo që po bëj. Janë të ndërlikuara dhe interesante.”
Përveç Cruise, në film marrin pjesë edhe Hayley Atwell, Simon Pegg, Pom Klementieff dhe të tjerë, ndërsa regjinë e mban sërish Christopher McQuarrie, i cili vlerësoi bashkëpunimin me Cruise:
“Është i përkushtuar, i hapur, mësues dhe student i shkëlqyer.”/E.Ç