Presidenti Ilir Meta ka zhvilluar sot një videokonferencë me përfaqësuesit e “Europa Nostra”. Në takimin online ishin prezentë zv/presidenti ekzekutiv, Guy Clausse, sekretarja e Përgjithshme, Sneska Quaedvlieg-Michailovic dhe anëtari i bordit, Profesor Paolo Vitti.
Ata kanë diskutuar rreth temës më të përfolur për momentin në vend, atë të shembjes së godinës së Teatrit Kombëtar.
Kreu i shtetit falënderoi “Europa Nostra” për mbështetjen që i ka dhënë “Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit” në mbrojtje të këtij kompleksi dhe gjithë zonës historike të Tiranës.
Meta theksoi se shembja e Teatrit është çështje kushtetuese, e trashëgimisë historike dhe identitetit kombëtar. Në këtë kontekst u ra dakord për domosdoshmërinë e nisjes së një hetimi ndërkombëtar mbi këtë çështje dhe informimin e mëtejshëm të niveleve më të larta europiane.
“Evropa nuk është vetëm euro, por edhe kulturë, solidaritet, humanizëm dhe identitet. Teatri Kombëtar ishte dëshmori i parë i Bulevardit ‘Dëshmorët e Kombit’, por demokracia dhe kultura europiane do fitojë”, tha anëtari i bordit të “Europa Nostra”, Profesor Paolo Vitti.
“Nga sot më konsideroni edhe mua anëtarin më të ri të ‘Europa Nostra’”, tha Presidenti Meta.