Vrasja e biznesmenëve/Nga zhdukja e Remzi Hoxhës, tek ekzekutimi i Artan Santos

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Në 29 vite sistem demokratik, biznesi shpesh është goditur, jo vetëm nga “humbjet ekonomike”, por humbjet e jetëve. Kush janë disa nga biznesmenët e njohur të vrarë në vendin tonë

Krimi ka goditur frikshëm bizneset në vendin tonë, ku që pas ndryshimit të sistemit gjatë këtyre tri dekadave, janë ekzekutuar qindra biznesmenë.

Vrasjet e biznesmenëve gjithmonë janë cilësuar të bujshme nga policia, për vetë faktin se janë shoqëruar me shumë zhurmë, por shumica prej tyre janë ende të pazbardhura nga autoritetet. Motivet e ekzekutimit të biznesmenëve janë nga më të ndryshemet, ku pistat më kryesore në të cilat policia ka hetuar ka qenë konkurrenca, gjobëvëniet, pengamrrjet apo edhe grabitjet.

Gazeta “Fjala” do të radhisë vrasjet më të bujshme të biznesmenëve që kanë tronditur vendin tonë gjatë tri dekadave të fundit. Në dekadën e parë, pas ndryshimit të sistemit vendi ynë u trondit nga shumë ngjarje kriminale. Gazetarët e asaj kohe do të raportonin e do të shkruanin për ngjarje të padëgjuarara më parë.

Dy ngjarjet e para të rënda, që do trondisnin opinionin publik në vitet ’94-’95 do të ishin vrasja e biznesmenit të mobilieve, Abaz Ulliri, dhe zhdukja e mistershme e biznesmenit nga Tetova, Remzi Hoxha. Suksesi që kishte në biznesin e tij në Nikël të Krujës iu pre në mes Abaz Ullirit, i cili vra në maj të vitit 1994.

Vrasja e tij pati një bujë të madhe, për vetë faktin se fillimisht ekzekutimi i tij u cilësua si aksident, por më vonë u zbulua se ishte një vrasje. Një vit më vonë u mor peng Remzi Hoxha, i cili kishte ardhur në vendin tonë për t’u marrë me biznes. Edhe sot e kësaj dite ende nuk dihet çfarë është bërë me të.

Më 21 tetor të vitit 1995, në rrugën “Siri Kodra” në Tiranë, Remzi Hoxha takohet me tre persona, të cilët u prezantuan si punonjës të SHIK-ut dhe zhduket. Pas trazirave të vitit të mbrapshtë ‘97, në vendin tonë do të ekzekutoheshin disa biznesmenë, shumica e tyre gjatë grabitjeve.

Por, ekzekutimet më të bujshme do të jenë ato të vitit 1998, ku do të vritej italiani Stefano Rossi dhe do të zhdukej pa lënë asnjë gjurmë Koço Dado. Ndërkohë, që vrasja më e bujshme e atyre viteve do të ishte ekzekutimi i presidentit të “FK Tomorrit”, Ardian Çobo, i cili do të vritej në një atentat mafioz në kafenenë e stadiumit “Selman Stërmasi”.

BIZNESMENËT E VRARË NË VITET 1990-2005

Abaz Ulliri, biznesmeni i mobilieve, u vra në maj të vitit ‘94 duke u kthyer nga Maqedonia. Fillimisht kjo ngjarje u raportua si aksident, por familjarët e hedhin poshtë këtë version, ku kanë pretenduar se biznesmeni është ekzekutuar. Abaz Ulliri gjeti vdekjen gjatë kthimit nga Maqedonia në një rrugë në afësi të Dibrës.

Në atë kohë ai cilësohej si një nga biznesmenët më të fuqishëm në vend, i ndihmuar edhe nga një kredi gjermane prej rreth 400 mijë markash. Në atë kohë, zyrtarisht, Policia e Shtetit tha se ngjarja ishte rrjedhojë e një aksidenti. Por fakti që makina ishte shkatërruar pothuajse plotësisht dhe shoferi nuk kishte pësuar gjë, u shoqërua me dyshime se gjithçka ishte një stisje. Megjithatë, prokuroria dhe policia hetuan edhe për këtë pistë, por edhe pse kanë kaluar 25 vite nga kjo ngjarje, ende mbetet e pazbardhur.

Zhdukja e Remzi Hoxhës

Remzi Hoxha, biznesmeni tetovar, ishte në ambientet e biznesit të tij, kur tre persona u paraqitën në biznesin e tij, dhe i kërkuan që të hipte në makinë me ta, pasi kishin diçka për të sqaruar. Ishte ora rreth 13:30 e mesditës, kur Hoxha u pa për herë të fundit. Ai hipi në automjetin me targa TR 2449 C, dhe që nga ai moment Remzi Hoxha nuk është parë më.

Familjarët që e kërkuan menjëherë mësuan të vetmen të vërtetë: që atë e kishin marrë punonjës të Shërbimit Informativ Kombëtar, por se ku ishte ai, nuk morën ndonjë përgjigje. Edhe sot e kësaj dite në disa dalje publike, djali i biznesmenit ka kërkuar që të paktën shteti të gjejë eshtrat e babait të tij. Dosja e zhdukjes së Remzi Hoxhës është hetuar të paktën tri herë nga prokuroria, por në asnjë rast, kjo ngjarje nuk është zbardhur dhe është e mbuluar me shumë mister.

Vrasja e italianit Stefano Rossi

Biznesmeni nga Italia, që hapi një fabrikë këpucësh në vitin ‘95, do të ekzekutohej në vitin ’98, në një pritë nga një bandë grabitësish. Më 27 janar të vitit 1998, i riu italian do të ekzekutohej nga një breshëri kallashnikovi. 24-vjeçari ditën kur u ekzekutua ishte duke çuar rrogat e punonjëseve në fabrikën që ai kish hapur në zonën e Kombinatit, ku prodhonte këpucë. Një grup djemsh i dolën përpara dhe i kërkuan të ndalonte. Por, thirrjes Rossi iu përgjigj me shtimin e gazit.

Njerëzit e pritës hapën zjarr ndaj italianit, duke e lënë të vdekur në vend. Hetimet nxorën se autorë ishin vëllezërit Adullaj, që njiheshin si “të fortët e Yzberishtit”. Ata e kishin ndjekur Rossi-n në momentin që kishte tërhequr 20 milionë lireta në Bankën Italo-Shqiptare dhe i ishin vënë nga pas. Kjo është cilësuar si goditja më e madhe që u është bërë investitorëve të huaj që kanë operuar në Shqipëri. Lotëve të të fejuarës së tij, Danila, dhe të kolegëve, iu shtuan edhe ato të punëtorëve shqiptarë, të cilët e respektonin shumë atë. Një biznesmen i ri që premtonte dhe ëndërronte shumë, por që iu këput jeta në mes.

Ekzekutimi i Koço Dados

Në qershor të vitit 1998 biznesmeni i Koço Dado, njëkohësisht edhe kryetarit të Shoqatës së Biznesmenëve Shqiptarë, u mor peng nga disa persona. Biznesmeni i kafesë u mor peng pranë ish- ambasadës polake mbrëmjen e 8 qershorit. Që nga ajo ditë Dado nuk është bërë i gjallë, duke shkëputur çdo lloj komunikimi me familjen. Një kasetë e gjetur në pragun e derës së shtëpisë, më 25 qershor të po atij viti, vetëm sa shtoi hamendjet se çfarë i kishin bërë Dados, por asnjëherë hetuesit nuk mundën të zbardhnin arsyet.

I lidhur kokë e këmbë, i ulur në një krevat dhe me sy të zëna me natriban, Dado ka thënë disa fjalë mes të cilave një ishte shumë më e rëndësishme: “Mbahem prej 17 ditësh për 1 milion dollarë. Do të isha liruar, nëse nuk do të bëhej publike në polici dhe në gazeta”. Ky ishte edhe kontakti i fundit i të afërmve me Dadon. Për të gjithë, ai rezulton i humbur dhe për fatin e tij nuk dihet gjë.

Ekzekutimi i presidentit të klubit Tomori

E shtuna e 13 majit të vitit 2000 mbahet mend mirë nga gazetarët e kronikës së zezë, por edhe vetë policinë, pasi një ngjarje e rëndë do të ishte kryelajmi i asaj dite. Në kafenenë e stadiumit “Selman Stërmasi” në Tiranë do të ekzekutohej në një atentat mafioz Ardian Çobo, ish-presidenti i Klubit të Futbollit të “Tomorrit”.

Në këtë ngjarje humbi jetën edhe arbitri Luan Zylfo, i cili po pinte kafe me presidentin, pas përfundimit të ndeshjes Partizani-Tomorri. Çobo njihej si person me precedentë. Hetimet e ngjarjes hodhën versionin se gjithçka ishte një hakmarrje nga një miku i tij, të cilit Çobo i kishte marrë të fejuarën. Dhe fundi ishte me të vërtetë tragjik.

Vrasja e pronarit të karburanteve

Kryeqyteti do të tronditej nga një atentat mafioz marsin e vitit 2000, ku në rrugën “Mihal Grameno” do të ekzekutohej biznesmeni i hidrokarbureve Agim Xhixha, i cili ishte duke shkuar për në shtëpi. Ishte ora rreth 22:00 kur dy persona i zunë pritë biznesmenit dhe qëlluan me breshëri ndaj tij, duke e lënë të vdekur në vend. Pas hetimeve, prokuroria dhe policia nuk mundën ta zbardhin ngjarjen dhe më pas dosja u depozitua për në polici, si e pezulluar. Por, versioni më i mundshëm që mbeti, ishte ai, sipas të cilit, Xhixha u vra për shkak të aktivitetit të tij.

Vrasja e prodhuesit të këpucëve

Biznesmeni Riza Çeço, një nga pronarët e firmës së këpucëve “Miral”, do të ekzekutohej në dhjetor të vitit 2001 nga dy persona, të clët pasi e qëlluan 5 herë me pistoletë, u larguan nga vendi i ngjarjes me një motor. Plagët e marra në trup, nuk i dhanë mundësi të mbijetonte. Edhe pse disa kalimtarë u munduan t´i jepnin ndihmë, gjithçka ishte e kotë. Ai dha shpirt në vendngjarje.

Ngjarja u shoqërua me një reagim të madh të të afërmve, por edhe të botës së biznesit. Disa tregtarë u shprehën se ndiheshin të pasigurt nga të tilla ngjarje. Por, fatkeqësisht, edhe këtë radhë hetimet nuk e zbardhën historinë. Dhe si përfundim, edhe kjo dosje u arkivua në polici me mbishkrimin e pezulluar.

Vrasja e biznesmenit të hekurit

Florian Vila nuk mundi ta hapte dot portën e vilës së tij, në orën 21:30 të 9 prillit të vitit në vazhdim. Dy persona, të veshur me uniformën e policisë, hapën zjarr ndaj bosit të hekurit, duke e lënë të vdekur në makinë. Një ngjarje që, përveç dhembjes për vrasjen e një biznesmeni, u përdor nga politika e të dy krahëve. Menjëherë opozita shpejtoi ta cilësonte krim shtetëror nga njerëz që kishin interesa në tregtinë e hekurit.

Ndërsa Ministria e Rendit që, nga ana e saj, nuk e përjashtonte pistën e konkurrencës, dalëngadalë nisi të ravijëzojë edhe pistën e problemeve personale, që ai kishte pasur brenda familjes. Nga kjo betejë lindi edhe një tjetër. Ajo mes prokurorisë dhe policisë, sidomos pas arrestimit të Petrit Lleshit, një të riu nga Laknasi, të dënuar në mungesë për një vrasje, por që, sipas policisë së Tiranës, ishte autor edhe i vrasjes së Florian Vilës.

Lexo edhe :  Nga minimumi jetik 200 euro te paga mesatare 1200 euro, Berisha: Paratë janë....

Por, prokuroria e Tiranës e kundërshtoi hapur këtë version, duke paraqitur si argument mungesën e provave. Dhe kështu, një nga ngjarjet më të rënda të kohëve të fundit vazhdon të mbetet mes sherreve dhe debateve mes prokurorisë dhe policisë, si dhe pakënaqësisë të të afërmve të Vilës, por më kryesorja e pazbardhur.

Vrasja e Mirit të Xhikes

Disa minuta pas fitores së Shqipërisë ndaj Rusisë, vendi do të tronditej nga një ngjarje kriminale, ku Fatmir Rama, i njohur si “Miri i Xhikes” do të ekzekutohej në ambientet e kompleksit të tij. Bosi 33-vjeçar ishte ekzekutuar teksa shikonte ndeshjen së bashku me disa miq. Viktimë mbetën edhe Taçi i Majes dhe një kamerier, por ngjarja i kishte kuotat e larta të bujës, falë faktit se Miri i Xhikes më shumë se një biznesmen ishte një mik i politikanëve të majtë. Kishte shërbyer ky fakt që në KPD-në e famshme të vitit 2001, Kryeministri Fatos Nano t’i siluronte disa kolegë të partisë së vet se kishin miqësi me njerëz si Miri i Xhikes.

Ekzekutimi i presidentit të Vllaznisë

Pa dyshim që Myftar Çela ishte një nga biznesmenët më të fuqishëm në veri të Shqipërisë. Me një kapital të madh dhe me një talent në fushën e biznesit, Çela arriti të bëhej një nga ata që quhen me plot gojën bosë kapitalistë. Shtoi kësaj edhe faktin se për dhjetë vjet ai ishte president i Vllaznisë, me të cilën fitoi tri kampionate. Por, data 14 e këtij muaji, do të ishte për të dita e fundit e jetës. Ai ekzekutohet në qytetin Tuz, të Malit të Zi, nga ish-ortaku i tij, Bajram Mulaj. Një vrasje që cilësohet si një goditje për biznesin shqiptar, por edhe për sportin në përgjithësi.

Vrasja e Vajdin Lamajt

Një sasi e konsiderueshme tritoli, e vendosur në ashensorin e pallatit ku banonte, i mori jetën Vajdin Lamajt. Eksplozivi ishte vënë në ashensorin e pallatit, ku ndodhet edhe pasticeri “Venecia” dhe ku kishte shtëpinë Lamaj, prapa stadiumit “Qemal Stafa”. Fill pas atentatit, policia deklaroi se Lamaj ishte ndjekur ditën e atentatit nga tre persona, emrat e të cilëve ende nuk u bënë të ditur.

Sapo Lamaj dhe Arsi janë ngjitur në ashensor, ndërmjet katit të pestë dhe katit të gjashtë ka ndodhur shpërthimi i lëndës eksplozive, duke i lënë të dy personat të vdekur në vend. Sasia e eksplozivit ka qenë e madhe dhe bëhej fjalë për një eksploziv të cilësisë së lartë. Dy viktimat do të ngjiteshin në katin e tetë, ku kishte shtëpinë Lamaj.

Ashensori në momentin e shpërthimit ka qenë në ngjitje dhe mendohet që shpërthimi të jetë realizuar me telekomandim nga distanca. Gjatë shpërthimit është shkatërruar totalisht ashensori, por nuk është dëmtuar asnjë nga katet e pallatit.

Ekzekutimet e biznesmenëve të mësipërm janë cilësuar si vrasje e tipit mafioz, për shkak se autorët kanë ditur mirë ta organizojnë eliminimin, për të mos lënë në vendin e ngjarjes asnjë gjurmë të tyre. Larje hesapesh, konkurrenca apo konflikte, ishin disa nga motivet dyshuese që fillimisht policia hetoi fill pas këtyre ngjarjeve të ndodhura në kohë dhe vende të ndryshme.

Shumica e këtyre ngjarjeve janë ende pa autor dhe të pazbardhura nga prokuroria. Këto dosje janë hapur disa herë nga policia dhe prokuroria, por sërish hetuesit nuk kanë mundur t’i zbardhin ato. Sipas informacioneve, më shumë se një herë, për shkak edhe të kërkesave të familjarëve, janë hetuar vrasjet e Florian Vilës, Ledjo Bejlerit, Edmond Malollarit, Vajdin Lames, apo Agim Reçit, por ende dhe sot këto ngjarje janë pa autor.

Vrasjet gjatë dekadës së fundit

Në dekadën e fundit krimi dhe biznesi janë bërë një dhe bashkëjetojnë ngushtë me njëri-tjetrin. Shumë persona që gjatë viteve të trazicionit janë marrë me punë të pista janë katapultuar në fushën e biznesit.

Gjatë këtyre viteve titujt e gazetave, televizioneve dhe portaleve kanë pasur shpesh si tituj kryesorë “ekzekutohet në një atentat mafioz biznesmeni”. Personat e ekzekutuar në shumicën e rasteve, edhe pse janë quajtur “biznesmen”, njihen si persona me precedentë në trafikun e drogës, të qenieve njerëzore apo trafiqet e tjera.

Edhe gjatë viteve të trazicionit ka pasur vrasje të biznesmenëve, por në vitet e fundit gazetarët e kronikës së zezë kanë etiketuar si biznesmenë persona që janë të njohur në botën e nëndheshme të krimit të organizuar. Këta persona janë bërë njësh me biznesin, ku pastrojnë paratë e pista kryesisht në fushën e ndërtimeve. Gjatë kësaj dekade lajm si lajm i parë janë raportuar mjaft ngjarje kriminale, ku më e bujshmja mund të cilësohet ajo e vrasjes së bankerit Artan Santo në ish-Bllok, e cila është një nga zonat më populluara të kryeqytetit.

Vrasja e Santos

Rreth 6 vite më parë një ngjarje e rëndë do të trondiste kryeqytetin. Drejtori i bankës “Credins”, Artan Santo, është qëlluar nga dy persona të maskuar me motor, në mes të ish-zonës së Bllokut dhe si pasojë ndërroi jetë menjëherë. Biznesmeni i njohur 54-vjeçar, ka qenë duke shkuar në punë teksa papritur dy persona kanë qëlluar drejt tij, dhe u larguan menjëherë nga vendi i ngjarjes, duke humbur gjurmët. Vrasja e Santos ishte e mirorganizuar. Autorët kanë qenë të maskuar për të mos u identifikuar nga kamerat e shumta të sigurisë në këtë zonë. Ata kanë kryer ekzekutimin dhe janë larguar pa asnjë gjurmë.

Vrasja e biznesmenit të ndërtimit në Durrës

Një atentat mafioz do të trondiste qytetin bregdetar të Durrësit shtatorin e vitit 2013. Plarent Cani, i njohur si biznesmen në fushën e ndërtimit, do të ekzekutohej me katër plumba pistolete. 40-vjeçari ndërroi jetë në vend. Ai njihej si person me precedentë në trafikun e drogës, ku rezultonte i dënuar në Itali. Prishja e pazareve të drogës ishte pista kryesore, ku dhe prokuroria përqendroi hetimet në atë kohë.

Vrasja e biznesmenit të kromit

Shtatorin e vitit 2013 do të ekzekutohej një tjetër biznesmen, këtë herë në fushën e kromit. Ishte ora rreth 12:00, kur do të ekzekutohej në një atentat mafioz, 40-vjeçari Qerim Marku, i cili njihej si një nga të fortët e Bulqizës. Nga të shtënat mbeti i plagosur edhe një kalimtar i rastit, i identifikuar si S. Ismaili. Në momentin e atentatit viktima ishte duke kaluar në afërsi të një servisi makinash, kur u qëllua nga të paktën dy persona të maskuar.

Vrasja e Memli Begallës

Më 14 shkurt 2018, qëllohet për vdekje 64-vjeçari Memli Begalla, në zonën e ish-Bllokut në Tiranë, në hyrje të pallatit ku banonte. Për këtë ngjarje janë arrestuar Denis Demiri dhe Ardian Serezi. Vrasja e Memli Begallës dyshohet të jetë kryer për shkak të borxheve të pashlyera që viktima kishte ndaj personave të tretë dhe mendohet se bëhet fjalë për shuma deri në 90 mijë euro.

Vrasja e Devi Kasmit

Disa ditë më vonë, më 16 shkurt 2018, Devi Kasmi, 41-vjeç dhe me precedentë penalë u vra me pesë plumba pranë godinës së SHISH, në Tiranë. Dy persona me motor i bënë atentat poshtë shtëpisë së tij. Pak ditë më vonë u arrestua greku Efthymiou Efthymious, i cili akuzohet si vrasësi me pagesë i Kasmit. Edhe pse 41-vjeçari ishte një biznesmen i njohur në kryeqytet, ai rezultonte si një person me precedentë penalë në fushën e narkotikëve.

Vrajsa e Arjan Ferracakut

Shtatorin e vitit 2018, persona të paidentifikuar ende qëlluan për vdekje 30- vjeçarin Arjan Ferracaku, i njohur si biznesmen i disa aktiviteteve në Shkodër. Në kohën kur është qëlluar, i riu po kalëronte bashkë me dy të afërm në një livadh te hidrovori i fshatit Dobraç, në periferi të qytetit. Më 14 nëntor 2018, po në Shkodër, vritet edhe një i afërm i Arjan Ferracakut, tregtari i peshkut. Fatos Ferracaku, 40 vjeç. Ngjarja ndodhi në lagjen “Partizani”, në afërsi të zonës së njohur si ‘Markata’. Vrasja e biznesmenit dyshohet për shkak të përplasjes mes grupeve kriminale.

Ekzekutimi me snajper i biznesmenit nga Rrësheni

Një atentat mafioz do të trondiste mesditën e 7 janarit të këtij viti qytezën e Rrëshenit dhe mbarë vendin. Në qendër të qytetit u ekzekutua me snajper, me një plumb të vetëm në zemër ish-bashkëpronari i televizionit “Media Plus” në Lezhë, Kastriot Reçi, 47 vjeç. Reçi është qëlluar me snajper nga tarraca e një pallati në momentin kur sapo ka dalë nga lokali në pronësi të tij, për të hipur në makinë. Atentati mafioz ndodhi shumë pranë komisariatit të policisë. Hetimet për ekzekutimin e tij u përqendruan te pista e hakmarrjes.

Ekzekutimi i dy biznesmenëve një javë më parë

Një javë më parë, një ngjarje e rëndë do të shënohej në Laç, ku dy biznesmenë do të ekzekutoheshin në një hotel, në aksin Mamurras-Kurbin. Viktimë e këtij atentati mbetën Paulin Gjergji dhe Bujar Lika. Gjergji, i cili njihej edhe me mbiemrin Marku, ishte pronar i disa lokaleve të njohura dhe i ish-kazinosë “Vegaz” në ish-Bllok. Ai zotëron disa kompani, si “Antoni New-York”, “Intertronic” apo “Petro Gaz Albania-n”. Hetuesit konfirmuan faktin se janë duke hetuar edhe lidhjet e tij të biznesit me Maltën, si dhe disa konflikte për një pronë në një nga zonat e njohura në Tiranë.

Viktima tjetër, Bujar Hasani (Lika), është mik i biznesmenit Ervis Martinaj dhe është një kontingjent i njohur për policinë, pasi më herët ka qenë i përfshirë në ngjarjen në Linzë, ku mbeti i vrarë Enton Nikaj. Ai kishte në pronësi lokalin “Dea Cafe” në ish-Bllok. E kaluara e tij dhe përplasjet me grupet kriminale, janë gjithashtu një pistë që po hetohen, me qëllim zbardhjen e atentatit të mirorganizuar. E.M /Fjala.al

Të fundit

Ja si do të jetë moti në këtë fund dhjetori, dhe si pritet të nisë 2025

Nga dita e hënë deri ditën e enjte moti parashikohet i qëndrueshëm dhe i kthjellët, ndërsa vranësirat të pakta...

Broja titullar për herë të parë, Everton mposhtet në shtëpi nga Nottingham Forest

Everton është mposhtur me rezultatin 0 me 2 nga Nottinham Forest. Ndeshja pati vlerë për javën e 19-të të Premier Ligë dhe Broja u...

Mjekët paralajmërojnë për meningjitin, ja kur duhet të vaksinohen fëmijët

Edhe pse Shqipëria nuk e ka në kalendarin e detyrueshëm vaksinën ndaj meningitit, prindërit u kërkojnë mjekëve pediatër nëpër qendra shëndetësore informacion ku mund...

Ilir Meta prej dy muajsh në burg, deputetët e PL-së ‘e djegin’ në festën e fundvitit

Anëtarët e Partisë së Lirisë imitojnë aleatet e tyre te PD-se, duke kënduar dhe kërcyer për festat e fundvitit, duke i thurur lavde kryetarit...

Drejtori i Policisë Proda mesazh nga Kakavija për shërbimet kufitare

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda, ju ka kërkuar nga Kakavija të gjitha shërbimeve të Policisë Kufitare angazhim maksimal...

Lajme të tjera

Web TV