ASNN – Ishin të parat Lojëra Olimpike në histori që u anuluan në kohë lufte dhe natyrshëm, nuk do të mund të jenë e njëjta gjë edhe vitin që vjen, kur shpresohet se do të mund të organizohen. Madje Olimpiada “Tokio 2020” do të jetë më e thjeshtuar në vitin 2021, ka deklaruar të mërkurën kreu i Komitetit Organizativ të Lojërave Olimpike, Toshiro Muto.
Lojërat e 32-ta Olimpike, të parashikuara të nisnin në korrik të këtij viti, janë shtyrë për një vit, për shkak të epidemisë së “Covid-19”, që shpërtheu në shkallë globale. Kreu ekzekutiv i “Tokio 2020”, Muto, ka shtuar se Lojërat Olimpike nuk do të kenë më atë shkëlqim të madh. Organizatorët thonë se janë duke punuar në më tepër se 200 ide për të thjeshtuar Lojërat Olimpike dhe për të zvogëluar kostot.
Zyrtari japonez, ka thënë gjithashtu se nuk përjashtohet mundësia që të reduktohet numri i tifozëve, ndonëse orari i garave mbetet i pandryshuar. Ndërkohë, Joshiro Mori, President i Komitetit Organizator të “Tokio 2020”, nuk ka pranuar të diskutojë mundësinë e anulimit të Lojërave. “Nuk është e drejtë të spekulohet bazuar në skenar hipotetik”, – ka thënë Mori, i cituar nga mediat vendase.
Në prill të këtij viti, Kryeministri i Japonisë, Shinzo Abe, ka thënë se do të jetë e vështirë të organizohen Lojërat Olimpike nëse shteti aziatik nuk arrin ta vërë në kontroll virusin “Covid-19”.
AL.Ko/fjala.al