Një 26-vjeçar ka rënë në prangat e policisë, pasi kishte kundërshtuar dhe goditur një efektiv në momentin kur ishte kërkuar për t’u ndaluar nga ky i fundit.
Në njoftimin e policisë bëhet me dije së në orën 05:00 të mëngjesit është arrestuar Emilton Pjetri. Gjatë shoqërimit për në Komisariatin Nr. 6, ky shtetas ka shfaqur sjellje agresive dhe të dhunshme dhe ka goditur muret e Komisariatit.
Njoftimi i policisë:
Tiranë
Kundërshtoi dhe goditi punonjësit e Policisë në detyrë, vihet në pranga 26-vjeçari.
Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 6, pas njoftimit të marrë nga punonjësit e Policisë Rrugore dhe shërbimet e Rendit, se një drejtues mjeti nuk i ishte bindur urdhrit të ligjshëm për të ndaluar dhe i kishte kundërshtuar dhe goditur për shkak të detyrës, bënë kapjen dhe arrestimin në flagrancë të shtetasit E. P., 26 vjeç, banues në Tiranë.
Arrestimi i këtij shtetasi u bë pasi, rreth orës 05:00 të mengjesit , në rrugën “Mikel Maruli”, rrepunonjësit e Policisë së Qarkullimit Rrugor, së bashku me shërbimet e Komisariatit Nr. 6, në momentin e ndalimit të mjetit pas ndjekjes nga ana e tyre, pasi e kishin konstatuar në shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, ky shtetas i ka kanosur dhe goditur për shkak të detyrës punonjësit e Policisë. Gjatë shoqërimit për në Komisariatin Nr. 6, ky shtetas ka shfaqur sjellje agresive dhe të dhunshme dhe ka goditur muret e Komisariatit.
Në cilësinë e provës materiale sekuestrua mjeti me të cilin ky shtetas po qarkullonte.
Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë, për veprat penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”, “Kundërshtimi me dhunë i punonjësit të policisë së rendit publik” ,“Goditja për shkak të detyrës”, “Kanosja për shkak të detyrës” dhe “Shkatërrimi i pronës”.ka.ta/Fjala.al/