Ish-petagagu Edmond Panariti ka reaguar lidhur me protestën e maturantëve. Përmes një postimi në rrjetin e tij social Facebook, Panariti tregon edhe arsyet pse mësuesit duhet të jenë në krah të maturantëve.
Sipas tij ata duhen mbështetur sepse testi dhe testimi i “standartizuar” vulgar i maturantëve në fakt i godet dhe i ofendon rëndë edhe ata!
Ndër të tjera ai thekson se “E gjitha kjo kërkon me ditë të tëra punë dhe impenjim por që shpërblen mundin dhe plotëson pritshmëritë e mësuesve për përvetësimin nga nxënësit të njohurive”.
Postimi i plotë
Përse mësuesit duhet të jenë të gjithë përkrah maturantëve në protestë? Sepse testi dhe testimi i “standartizuar” vulgar i maturantëve në fakt i godet dhe i ofendon rëndë edhe ata!
Sepse ky “test” u dërgon të gjithë mësuesve një mesazh të fortë dhe të qartë.
Mesazhi është ky :”Vlerësimi i cilësisë dhe i efektshmërisë të mësimdhënies tuaj as që ka lidhje fare, se sa mirë (ose jo) Ju, u mësoni maturantëve letërsinë klasike dhe moderne.
Sepse mësuesve të lëndës së letërsisë në shkollat e mesme, në varësi të aftësive dhe të njohurive paraprake të nxënësve u duhen javë të tëra për ti ndihmuar dhe drejtuar ata për tu futur dhe përvetësuar veprën letrare!
I gjithë ky proçes shoqërohet me një periudhë diskutimesh dhe reflektimi për të “gërmuar” edhe më thellë në vepër, përpara se ajo të finalizohet me një paraqitje, prezantim, projekt apo një “ese”, ose vështrim kritik.
E gjitha kjo kërkon me ditë të tëra punë dhe impenjim por që shpërblen mundin dhe plotëson pritshmëritë e mësuesve për përvetësimin nga nxënësit të njohurive.
Prandaj ata, madje edhe më shumë se maturantët, duhet të ndihen të fyer që e gjithë puna dhe mundi i maturantëve asgjësohet nga një test vulgar paragrafesh të shkëputur pa lidhje i cili poshtëron misionin e tyre fisnik./Bl.Ba/Fjala.al