“Dimri po shkon! Sot, fillon pranvera!”

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Kardinal Mikel Koliqi, kleriku shqiptar para të cilit u përkul me respekt Papa Gjon Pali i Dytë

Nga Luljeta Progni

Nuk ishte parë kurrë më parë në 2 mijë vjet që një Papë të përkulej para një kardinali. Ndodhi më 26 nëntor 1994 kur Papa Gjon Pali i Dytë, u përkul para kardinalit të parë shqiptar, Mikel Koliqi. Ishte ceremonia e marrjes së titullit kardinal në Vatikan. Kleriku shqiptar i moshuar, i sëmurë dhe shumë i vuajtur, kishte vështirësi të qëndronte në këmbë.

Atëherë Papa Gjon Pali bëri gjestin e pazkontë dhe u përkul para tij. Jo vetëm sepse kardinali ishte i moshuar dhe i sëmurë, por se ishte legjendë e gjallë e mbijetesës ndaj diktaturës komuniste. Të gjitha mediat e botës shkruan për këtë ceremoni e në të gjitha u shaq fotografia magjike e Papës tek i përkulej kardinalit. Ishte një ndër momentet më emocionuese për klerin katolik shqiptar e mbarë Shqipërinë.

Jeta e kardinalit kishte qenë plot vuajtje. Më 3 shkurt 1945, Mikel Koliqi u arrestua i akuzuar se kishte dëgjuar radio të huaja. U dënua me dy vite burg. Në atë kohë, i vëllai, Ernest Koliqi ishte në Itali, mjaft aktiv në veprimtarinë politike ku flitej edhe për Shqipërinë dhe rrezikun që i kishte ardhur nga diktatura komuniste. Kleriku Mikel Koliqi u lirua në vitin 1946 dhe vetëm pak muaj më pas u arrestua sërish për t’u dënuar me 5 vite burg. U lirua pasi kreu dënimin dhe pa kaluar shumë muaj u arrestua përsëri në vitin 1951 për t’u dërguar në kampet e punës në Gradishtë, Kuç, Gjazë, Beden, Orman, Savër, Ballsh e Zejmen. Kardinal Mikeq Koliqi kreu 21 vite burg e internim, deri në vitin 1986 kur u lirua për shkak të moshës.

Dita e kthimit në Shkodër kishte qenë kaq e vështirë! E ka rrëfyer mbesa e Kardinalit, Nina Simoni:

“Në vitin 1986 fitoi lirinë!

Shkuam ta takonim me mamanë. Pyeti: Kush janë zonjat?

Nuk na njohu. Mamanë time e la çupë e gjeti me thinja. Mua më la fëmijë, më gjeti grua!

-E pyeta, – thotë Nina, – kur ishte ndjerë më keq.

– Ditën kur mora lajmin se isha i lirë. Isha i internuar në Ballsh. Hipa në tren. Drejt Shkodrës. Ku do të shkoja? Pa shtëpi. Pa katandi. Nëna kishte vdekur. Një motër ishte mbytur në pus.

-Rrija para Degës së Brendshme. Vetëm. Në pritje. Gjithë ditën. Më në fund erdhi djali i motrës, Margaritës: Albert Kurti.

-Gruaja e Albertit, Rexhina dhe dy fëmijët e pritën si shenjt” ,-ka rrëfyer Nina Simoni në biseda me rrethin e saj familjar. Ky rrëfim është bërë publik nga dhëndri i saj, publicisti Mitro Çela.

blankNjë moment mjaft interesant në këtë rrëfim është biseda e Ninës me dajën e saj, për ndonjë ditë të mirë a kujtim të bukur gjatë 21 viteve të dënimit gjatë diktaturës:

“Ke ndonjë kujtim të mirë nga internimi? -e pyeta kardinalin.

-Po. Natën vonë. Radio Tirana jepte muzikë klasike. Mbi një shtyllë ishte autoparlanti. Bëheshim pesë. Në errësirë. Unë. Shtylla. Autoparlanti. Kufjet. Muzika. Çudi! Muzika ishte e zgjedhur: Simfoni! Muzika më mbajti gjallë!

-Kufje? – më thotë hetuesi. -Pse mban kufje?

-Nuk dëgjoj mirë!

-Nuk e ha sapunin për djathë. Me kufje lidhesh me vëllain, Ernestin, në Itali!

Fantazi gardiani!”, ka rrëfyer Nina Simoni, mbesa e kardinal Mikel Koliqit.

Kardinal Koliqi është një nga figurat më të ndritura të Kishës Katolike shqiptare, njeriu që u bë simboli i gjakut të martirëve, derdhur nga diktatura komuniste në Shqipëri.

Lexo edhe :  Rama në ceremoninë e ndarjes së çmimit “Charlemagne” për Ursula von der Leyen

Ishte vitit 1991 kur imzot Klaudio Maria Çeli, ish-kryetari Këshillit Papnor të Komunikimeve Shoqërore, erdhi si përfaqësues i Selisë së Shenjtë, e në atë udhëtim në vendin tonë e pati njohur e takuar në Shkodër dom Mikel Koliqin. Ka momente mjaft interesante në atë takim të cilat i ka rrëfyer imzot Klaudio Maria Çeli dhe i gjejmë në materialet e Radio Vatikanit.

Ishte takimi i parë i përfaqësuesve të Vatikanit me klerin katolik shqiptar, pak javë pasi Shqipëria kishte dalë nga diktatura komuniste.

Ja si e kujtoi imzot Çeli, meshën e kremtuar në Katedralen e Shkodrës, më 21 mars 1991:

blank“Sapo e kishim filluar meshën, kur hyri në Kishë monsinjor Koliqi. Ishte vikari i përgjithshëm, që kishte shpëtuar gjallë nga persekutimi: fizikisht i shkatërruar, por tmerrsisht i gjallë e i fuqishëm në shpirt.

Hyri në Kishë i mbajtur për krahësh nga dy të rinj. Figurë interesante, emocionuese. Madje fjala interesante nuk mjafton për të shprehur atë që ndjemë të gjithë atë çast, sepse ishte një pamje e papërshkrueshme. Më tha: “Unë nuk dal ma prej shtëpie, por kur më thanë se ju jeni këtu, e ndjeva për detyrë të isha i pranishëm, në një çast kaq të pritur, kur përfaqësuesi i Papës asht mes nesh!”

Fillova homelinë. E kujtoj akoma, sepse më delte nga zemra, pa pasur nevojë fare për përgatitje. E, meqë ishte data 21 mars, shqiptova fjalët: “Dimri po shkon! Sot fillon pranvera!”.

Mikel Koliqi lindi në Shkodër më 29 shtator 1902. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, për t’i vijuar studimet në Milano të Italisë, ku edhe u diplomua në degën e inxhinierisë mekanike, në Politeknikumin e Milanos.

Ishte në moshë të pjekur, kur ndjeu thirrjen për rrugën meshtarake, thirrje që e kurorëzoi duke u shuguruar meshtar më 30 maj 1931. U kthye menjëherë në atdhe dhe nisi shërbimin, më parë si ndihmës-famullitar e pastaj si famullitar i katedrales së Shkodrës.

U shqua edhe për veprimtarinë e tij muzikore e publicistike. Muzikoi melodramat e para në historinë e muzikës shqiptare, në bashkëpunim të ngushtë me Dom Ndré Zadejën. Qe kryeredaktori i revistës “Kumbona e së Dielës”. Gjatë regjimit komunist u burgos tri herë dhe u dënua me 40 vjet heqje lirie.

Papa Shën Gjon Pali II e emëroi prelat nderi (monsinjor) në janar 1992, e takoi personalisht gjatë vizitës së tij në Shkodër, më 25 prill 1993 dhe e krijoi kardinal më 26 nëntor 1994 në Vatikan.

Menjëherë pas fillimit të proceseve demokratike të Shqipërisë, kardinali Mikel Koliqi u nderua së pari me titullin “Pishtari i demokracisë”, më pas me titullin “Nënë Tereza” dhe, vetëm pak ditë para vdekjes, me titullin më të lartë “Nderi i Kombit”. Vdiq në Shkodër, më 28 janar 1997.

U përpoqëm të përmbledhim në pak rreshta një jetë të veçantë siç qe ajo e dom Mikel Koliqit, që shtrihet në gjithë hapësirën e shekullit të kaluar, një jetë e jashtëzakonshme për Fe e Atdhe që mbeti hallkë e pashkëputur nga tmerri i persekutimit ateist të komunizmit.

E jeta dhe veprimtaria e kardinalit Mikel Koliqi qe e është për të gjithë shqiptarët shembull e testament shpirtëror e kombëtar, pra mbetet një udhërrëfyes për të gjithë ne, se si duhet punuar të bashkuar e në mirëkuptim për një të ardhme më të mirë për popullin e vendin, me një përkushtim e përvujtëri, duke kërkuar e përvetësuar gjithmonë vlerat e vërteta e të shëndosha, njerëzore, shoqërore e shpirtërore, kulturore e kombëtare.

Shënim: Të dhënat për jetën dhe veprën e kardinal Mikel Koliqit janë marrë nga Radio Vatikani/Kujto.al

Të fundit

Fati i Berishës në duart e treshes së “hekurt” të GJKKO

Dosja “Partizani” është një nga çështjet më të bujshme të drejtësisë shqiptare, me jehonë politike dhe publike të jashtëzakonshme....

Pagat e jugut “boshatisin” Tiranën nga kamarierët

Zhvendosja e rinisë dhe jo vetëm nga kryeqyteti për të punuar në jug të vendit gjatë sezonit veror po hap shkakton probleme për baret...

Tronditëse/ Momenti kur 19-vjeçarja heq rripin e sigurimit dhe bie nga parashuta (VIDEO)

Momenti që çoi në vdekjen tragjike të 19-vjeçares serbe Tijana Radonic, kur ajo ia hoqi rripin e parashutës dhe ra nga një lartësi prej...

Lajmet për ndarje nga Elgit Doda, Klea Huta thyen heshtjen!

Në një kohë kur titujt bombastikë shpërndahen me shpejtësi të frikshme dhe lajmet pa burim bëhen ‘të vërteta’ brenda disa orëve, rrjetet sociale u...

69.917 aplikime për subvencione në bujqësi/ Nis verifikimi i deklarimeve, kush përfiton

69.917 aplikime janë regjistruar në e-Albania nga fermerët apo Shoqëri të Bashkëpunimit Bujësor për të përfituar nga fondet e vëna në dispozicion për financimin...

Lajme të tjera

Web TV