Procedurat e reja të inspektimit teknik në rrugë, edhe për mjetet që kanë kaluar kolaudimin. Si vlerësohet me sy “teknikisht” një automjet nga punonjësit e policisë dhe inspektorë të Drejtorisë së Përgjithshme të Trasportit Rrugor. Në verifikim mjetet e transportit
Nga 1 korriku çdo automjet që qarkullon në rrugët e vendit, me përjashtim të autoveturave personale, mund të jetë subjekt i kontrollit teknik në rrugë. Mjetet do të përzgjidhen rastësisht për kontroll, ose kur ekziston dyshimi se mjeti paraqet rrezik për sigurinë rrugore, ose për mjedisin.
Ky fakt do të varet nga defektet që konstatohen me sy, në ecje e sipër, nga policia rrugore, e cila do të zbatojë një udhëzim të përbashkët të ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj, dhe ministres së Transporteve, Belinda Balluku.
Udhëzimi është botuar në fletoren zyrtare dhe ka për objekt përmirësimin e sigurisë rrugore dhe pakësimin e ndotjes së ambientit. Në të përcaktohen kërkesat minimale të procedurave të inspektimit teknik në rrugë, në lidhje me përshtatshmërinë teknike të mjeteve rrugore të transportit të mallrave dhe njerëzve, që qarkullojnë në territorin e Shqipërisë.
Mjetet që do të verifikohen
Udhëzimi do të zbatohet për mjetet rrugore me motor, me një shpejtësi të projektuar më shumë se 25 km/orë, të kategorive: a) mjete të projektuara dhe të ndërtuara, kryesisht për transportin e njerëzve dhe të bagazheve të tyre, me më shumë se nëntë ndenjëse, b) mjete të projektuara dhe të ndërtuara kryesisht për transportin e mallrave dhe që kanë një peshë maksimale me ngarkesë më të madhe se 3,5 tonë; c) rimorkiot e projektuara dhe të ndërtuara për transportin e mallrave ose të njerëzve, si dhe për akomodimin e njerëzve, me një masë maksimale më të madhe se 3,5 tonë dhe d) traktorë me rrota të kategorisë T5, përdorimi i të cilëve bëhet kryesisht në rrugë publike, për qëllime të transportit rrugor të mallrave, me një shpejtësi maksimale të projektuar me më shumë se 40 km/orë.
Objekti i kontrollit
Në udhëzim cilësohet se një kontroll teknik më i detajuar në rrugë të kryhet duke përdorur njësi të lëvizshme kontrolli, ose një objekt i posaçëm kontrolli në rrugë, ose në një qendër kontrolli teknik, kjo e fundit, siç referohet në legjislacionin përkatës. Sipas udhëzimit, kontrolli më i detajuar duhet të kryhet në një qendër kontrolli ose në një objekt të posaçëm kontrolli në rrugë, ai duhet të kryhet sa më shpejt që të jetë e mundur në një nga qendrat ose objektet praktikisht më të afërta. “Njësitë e lëvizshme të kontrollit dhe objektet e posaçme të kontrollit në rrugë duhet të përfshijnë pajisjet e përshtatshme për kryerjen e një kontrolli teknik më të detajuar në rrugë, duke përfshirë pajisjet e nevojshme për të vlerësuar gjendjen e frenave dhe efikasitetin e tyre, drejtimin, suspensionin dhe ndikimin e zhurmave në mjedis të mjetit sipas kërkesave. Aty ku njësitë e lëvizshme të kontrollit ose objektet e posaçme të kontrollit në rrugë nuk përfshijnë pajisjet e kërkuara për të kontrolluar një element të treguar në një kontroll fillestar, mjeti duhet të drejtohet në një qendër kontrolli ose në një objekt ku mund të kryhet një kontroll më i detajuar i atij elementi.” – thuhet në udhëzimin e botuar në fletoren zyrtare.
Përzgjedhja e mjeteve për kontroll teknik fillestar në rrugë
Kur identifikohen mjete që do t’i nënshtrohen një kontrolli teknik fillestar në rrugë, inspektorët mund të përzgjedhin si prioritet mjetet e operuara nga ndërmarrjet me profil të lartë rreziku, siç referohet në nenin 6, (i cili përfshin automjetet 8+1 e lart, dhe automjetet e tonazheve të larta), do të operohet nga autoriteti kompetent. Mjetet, gjithashtu, mund të përzgjidhen rastësisht për kontroll ose kur ekziston dyshimi se mjeti paraqet rrezik për sigurinë rrugore ose për mjedisin.
Si do të funksionojë sistemi i kontrollit teknik në rrugë
Sistemi i kontrollit teknik në rrugë do të përfshijë kontrollet teknike fillestare në rrugë, siç referohet në nenin 10, pika 1 dhe kontrolle teknike më të detajuara në rrugë, siç referohet në nenin 10, pika 2.
Në nenin 10, pika 1 thuhet se:
Autoriteti kompetent garanton që mjetet e përzgjedhura në përputhje me nenin 9,(kur identifikohen mjete që do t’i nënshtrohen një kontrolli teknik fillestar në rrugë, inspektorët mund të përzgjedhin si prioritet mjetet e operuara nga ndërmarrjet me profil të lartë rreziku) i nënshtrohen një inspektimi teknik fillestar në rrugë. Në çdo kontroll teknik fillestar në rrugë të një mjeti, inspektori:
- a) do të kontrollojë certifikatën e fundit të kontrollit teknik dhe raportin e kontrollit teknik në rrugë, kjo e fundit kur është në dispozicion, të mbajtura në bord ose dëshmi elektronike.
- b) do të kryejë një vlerësim vizual të gjendjes teknike të mjetit;
- c) mund të kryejë një vlerësim vizual të sigurimit të ngarkesës së mjetit.
- d) mund të kryejë kontrolle teknike me çfarëdo metode që konsiderohet e përshtatshme. Kontrollet të tilla teknike mund të kryhen në mënyrë që të arsyetohet një vendim për t’i kryer mjetit një kontroll më të detajuar në rrugë, ose që të kërkohet që defektet të korrigjohen pa vonesë. Inspektori verifikon nëse ndonjë mangësi e treguar në raportin e mëparshëm të kontrollit teknik në rrugë është korrigjuar.
Në nenin 10, pika 2 thuhet: Në bazë të rezultatit të kontrollit teknik fillestar, inspektori vendos nëse mjeti ose rimorkioja e tij duhet t’i nënshtrohen një kontrolli teknik më të detajuar.
Raporti i kontrollit dhe bazat e të dhënave mbi kontrollet teknike në rrugë
- Për çdo kontroll teknik fillestar të kryer në rrugë, mblidhet informacioni i mëposhtëm nga autoriteti kompetent:
- a) vendi i regjistrimit të mjetit;
- b) kategoria e mjetit;
- c) rezultati i kontrollit teknik fillestar në rrugë.
- Me përfundimin e një kontrolli më të detajuar, inspektori harton një raport. Autoriteti kompetent i jep drejtuesit të mjetit një kopje të raportit të kontrollit.
- Inspektori do t’i komunikojë autoritetit kompetent rezultatet e kontrollit teknik më të detajuar në rrugë, brenda një kohe të arsyeshme pas këtij kontrolli. Autoriteti kompetent do ta mbajë informacionin në përputhje me legjislacionin në fuqi për mbrojtjen e të dhënave, për jo më pak se 36 muaj nga data e marrjes së tij.
Shtesë detaje
Objekt i kontrolleve
Mjete të projektuara dhe të ndërtuara kryesisht për transportin e mallrave dhe që kanë një peshë maksimale me ngarkesë më të madhe se 3,5 tonë
Si do funksionojë
Njësitë e lëvizshme të kontrollit dhe objektet e posaçme të kontrollit në rrugë duhet të përfshijnë pajisjet e përshtatshme për kryerjen e një kontrolli teknik
Mënyra e përzgjedhjes
Mjetet mund të përzgjidhen rastësisht për kontroll, ose kur ekziston dyshimi nga kontaktet vizuale, se mjeti paraqet rrezik për sigurinë rrugore ose për mjedisin.
la.mi/Fjala.al