Partia e drejtuar nga presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, ka rifituar zgjedhjet e së dielës; pjesëmarrje e ulët dhe pas bojkotit të një pjese të opozitës. ODIHR kritika në raportin paraprak të misionit vëzhgues. Faktori politik shqiptar i Preshevës futet me listë të bashkuar në zgjedhje . Flasin për gazetën “Fjala”, ish-ministrat e Jashtëm Kastriot Islami dhe Aldo Bumçi
Nga Blerina Gjoka
Serbia shkoi të dielën drejt zgjedhjeve parlamentare mes një debati të fortë politik dhe bojkotit të një pjese të madhe të opozitës së vendit. Këto zgjedhje i dhanë një mandat të ri Aleksandër Vuçiçit, partia e të cilit ka 8 vite në pushtet dhe ai ka qenë kryeministër e më pas president i vendit ballkanik. Pjesëmarrja ishte e ulët dhe zhgënjimi ishte i madh, sipas Zërit të Amerikës. Kritikat e para ndërkombëtare për dominimin e zgjedhjeve vetëm nga partia e Vuçiçit erdhën nga raporti paraprak i vëzhguesve të ODIHR-it. Disa parti opozitare i bojkotuan zgjedhjet, duke e akuzuar Vuçiçin për një stil qeverisës gjithnjë e më autokratik dhe për kufizime në lirinë e zgjedhjes. Vuçiç nuk kandidoi për një vend në parlament, por ai e mbizotëroi fushatën e partisë së tij me posterë ku shkruhej “Aleksandër Vuçiç – për fëmijët tanë”. Të hënën ai shpalli fitoren, edhe pse nuk pritej ndonjë surprizë. Ai u tha mbështetësve të tij se Partia e tij Progresive Serbe fitoi mbi 60% të votave, ose rreth 190 vende në parlamentin serb me 250 vende gjithsej. Zëri i Amerikës shkruan se “Rezultatet fillestare jozyrtare tregojnë se Serbia do të ketë një asamble unike, me praktikisht asnjë kundër dhe vetëm tri ose katër parti nga 21 që kandidonin. Socialistët, aleatë të zotit Vuçiç, pritet të marrin 10% në vendin e dytë në votime”. Megjithëse shifrat raportuan për pjesëmarrje të 56 për qind të votuesve, ajo ishte më e ulët se në zgjedhjet e mëparshme. Po ashtu, Zëri i Amerikës kujton se Vuçiçi e ka kërkuar mandatin për të vijuar negociatat për Kosovën, njohjen e së cilës Serbia nuk e ka pranuar. “Serbia nuk ka pranuar të njohë pavarësinë e Kosovës dhe ka mbështetjen e Rusisë dhe Kinës në këtë mosmarrëveshje”- shkruan VOA. Ndërkohë në Uashington, më 27 qershor, do të mbahet një samit Kosovë-Serbi, i ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara.
Kritikat
Vëzhguesit ndërkombëtarë shprehën shqetësim për dominimin e zgjedhjeve nga partia në pushtet, si dhe nga mungesa e diversitetit në media që kufizuan mundësitë e votuesve për të zgjedhur. Vëzhguesit e OSBE/ODIHR-it bënë të ditura të hënën gjetjet e raportit të tyre paraprak, ku thuhet se zgjedhjet ishin të organizuara në mënyrë efikase, me gjithë kushtet e vështira të pandemisë. Megjithatë, “…votuesit ishin të keqinformuar dhe të irrituar nga mungesa e qasjes në media të opozitës. Dominimi i partisë në pushtet rrezikon neutralitetin e institucioneve të vendit dhe kërkohet dialog për të tejkaluar ndasitë e thella politike dhe për të mbrojtur pluralizmin”, tha Urszula Gacek, kryetare e misionit të posaçëm të ODIHR-it, për vlerësimin e zgjedhjeve. Kjo fitore e re e Vuçiçit shihet me dyshim jo vetëm nga opozita atje, por dhe nga analistët e politikës. Profesori i së drejtës ndërkombëtare në Universitetin Evropian, me seli në Beograd, Sllobodan Zeçeviç, i tha agjencisë së lajmeve Reuters që “nëse marrim parasysh numrin e votave (të fituara nga partia e Vuçiçit) … ne po shkojmë drejt sistemit të Koresë së Veriut apo të Kinës”.
Faktori politik shqiptar
Partitë politike shqiptare të Luginës së Preshevës u bashkuan në një listë të quajtur “Alternativa Demokratike Shqiptare” në zgjedhjet e fundit në Serbi. Kryetari i Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi, ka deklaruar se kjo listë arriti të sigurojë 4 mandate deputetësh në parlamentin e ri të Serbisë, duke e cilësuar këtë një arritje të madhe. Qeveria e Tiranës kishte një ndikim konkret për këtë bashkim. “Kemi siguruar 4 mandate. Jemi të gëzuar tepër, pasi kemi mundur të bëjmë unifikimin. Duke arritur një sukses që ka qenë teorikisht i mundur. Ne menduam se do të arrinim 3, por jemi drejt mandatit të 4-t. Ky është sukses, pasi kemi mundur që përmes 4 deputetëve të jemi në mesin e 5 partive kryesore të parlamentit të Serbisë” – tha Arifi. Ai bëri të ditur se Republika e Kosovës dhe Republika e Shqipërisë kanë bërë të mundur të ndodhë ky unifikim. Po ashtu, Serbia për herë të parë që nga përfundimi i luftës, zhvilloi votime dhe në komunat serbe në Kosovë, ku misioni i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë grumbulloi votat për t’i dërguar në Serbi për numërim.
Aldo Bumçi: Zgjedhjet, fasadë për të legjitimuar pushtetin autoritar të Vuçiçit
Zgjedhjet e fundit në Serbi janë një tregues i asaj që parashikohej në raportin e fundit të Freedom House, se në shumë vende të Evropës Lindore, përfshirë dhe Serbinë e Shqipërinë, demokracia është në rënie të lirë. Ish-ministri i Jashtëm, në vitin 2013, Aldo Bumçi, i tha gazetës “Fjala” se zgjedhjet po tregojnë një situatë të përkeqësimit të qëndrueshëm të demokracisë në Serbi.
“Siç e tregoi dhe raporti i Freedom House, në shumë vende të Evropës Lindore, përfshirë Serbinë e Shqipërinë kemi rënie në treguesit e demokracisë , hapa pas të ndjeshëm në këtë aspekt. Në këtë raport flitet për regjime hibride, me praktika të theksuara autoritare. Edhe zgjedhjet në Serbi janë një tregues i situatës së përkeqësimit të qëndrueshëm të demokracisë.”- shprehet Bumçi. Sipas tij, kjo vlen dhe për Shqipërinë. “I vetmi ndryshim është se në Serbi opozita ka treguar përçarje, ka treguar një dobësi edhe më të madhe . Vuçiç ka arritur të dominojë dhe kjo e bën konkurrimin jo real. Nuk kemi një konkurrim real, po pozicion dominues dhe kështu zgjedhjet kthehen në fasadë për të legjitimuar pushtetin, i cili ka shfaqur praktika të theksuara autoritare”, – thekson ai. Bumçi shton se “kjo gjë ka shumë vite që po ndodh, nuk është një ngjarje, është një përkeqësim i qëndrueshëm”.
Lidhur me rolin e shqiptarëve të Preshevës në këto zgjedhje Bumçi shprehet se ata nuk kanë fituar ndonjë gjë të madhe, për sa kohë politikat qeverisëse të Vuçiçit kanë qenë kundër popullsisë shqiptare atje. “Nuk dua të komentoj vendimin e partive politike shqiptare për të hyrë në zgjedhje, pasi janë sovrane. Ato kanë qenë vazhdimisht tejet kritike për qeverisjen e Vuçiçit, për rolin e kësaj qeverisjeje, për shkombëtarizimin që po i bën Luginës me heqjen e mijëra qytetarëve nga listat e gjendjes civile dhe mungesën e perspektivës në atë zonë. Nuk mendoj që patjetër pjesëmarrja politike është një nga hapat e ngritjes së zërit”. Sipas tij, qeveria shqiptare nuk i ka mbrojtur interesat shqiptarë në Serbi. “Edhe nëse marrin 4 deputetë, nuk do të arrijnë t’i ndryshojnë vendimet e qeverisë së Vuçiçit, aq më tepër kur Tirana nuk ka e ka ngritur zërin për asgjë, as për shpopullimin e Luginës dhe për asnjë nga qëndrimet dhe politikat e qeverisë serbe kundër shqiptarëve atje. Duhet të kishim pasur një qëndrim krejt tjetër për shqiptarët e Luginës, por qeveria shqiptare i kanë dhënë legjitimitet Vuçiçit. Ne flasim për marrëveshje me Serbinë, kur nuk kemi marrë akoma as njohjen e diplomave për shtetasit serbë me kombësi shqiptare.” – shprehet Bumçi.
Kastriot Islami: Vuçiç “kopjon” mikun e tij Rama për të rikthyer monizmin në Serbi
Zoti Islami, si i vlerësoni zgjedhjet në Serbi, ku një pjesë e opozitës s’mori pjesë, ndërkohë që ndërkombëtarët po ngrenë alarmin për rënie të demokracisë? A po legjitimohet një regjim autoritar në vendin fqinj?
Këto zgjedhje mund të përmblidheshin në këtë mënyrë:
-Qeveria, pra Vuçiç dhe Daçiç, siguruan 210 mandate nga 250, pra 84% të mandateve të Kuvendit, duke kontrolluar në mënyrë pothuajse “moniste” kuvendin e Serbisë dhe, për rrjedhojë, edhe qeverinë serbe…
-Opozita, për shkak se e vlerësoi të pamundur të pengonte manipulimin e zgjedhjeve, duke mos pranuar ndërkohë të kthehej në një opozitë fasadë, nuk mori pjesë në zgjedhjet moniste…
-Në rajonin e dominuar nga shqiptarët, partitë politike shqiptare, ndonëse të “bashkuara” vendosën të merrnin pjesë në zgjedhje, arritën të siguronin vetëm 4 mandate… dhe duket kanë humbur drejtimin e pushtetit vendor…
-Pjesëmarrja në zgjedhje ishte shumë e ulët, madje më e ulët se në zgjedhjet e mëparshme…
Nga këto fakte të pakundërshtueshme arrihet në përfundimin se demokracia në Serbi ka pësuar regres… Dhe pluralizmi ka marrë një goditje të rëndë, për të mos thënë që vendi ndodhet në rrethanat e monizmit… E vetmja shenjë shprese është “alarmi i ngritur nga ndërkombëtarët…” Kjo është edhe e vetmja mundësi që të shmanget rikthimi i plotë në monizën dhe që në vendin fqinj të mos legjitimohet një regjim i korruptuar dhe autoritar. Duket se modeli monist i vendosur në Shqipëri nga Edi Rama, konkretisht në pushtetin vendor me zaptimin e 61 bashkive dhe konkurrimin me vetëm 1 kandidat në gjysmën e tyre, me sa duket, është pasuar/kopjuar edhe nga “miku” i tij i ngushtë Vuçiç?!
Faktori politik i Luginës së Preshevës vendosi të hyjë në zgjedhje, duke fituar 4 vende në parlament… A eshtë ky tregues për një rritje të faktorizimit të komunitetit shqiptar në Serbi…?
Nuk dëshëroj aspak të luaj rol paternalist, sepse faktori shqiptar, pavarësisht se gjendet në një situatë shumë të vështirë, i zotëron të gjitha kapacitetet njerëzore dhe informacionet për një vendimmarrje inteligjente dhe efikase…Duket se dilema e partive shqiptare në Luginën e Preshevës, edhe për shkak të presioneve nga jashtë, ka qenë shumë e madhe… Kjo vështirësi është rritur, sepse këto zgjedhje janë zhvilluar pa opozitën, e cila i ka vlerësuar ato të parafabrikuara e të manipuluara… Marrja pjesë në zgjedhje të “dyshimta”, për sa i përket cilësisë, dhe sigurimi i vetëm katër mandateve në një parlament që dominohet tërësisht nga dy parti ekstreme, nuk e di se sa efikase do të ishin për të zgjidhur në të ardhmen kërkesat e komunitetit shqiptar…? Ndoshta një arsye e “fortë” për këtë pjesëmarrje ka qenë takimi i 27 qershorit në Shtëpinë e Bardhë, me shpresën se duke u bërë “konstruktivë” mund të kishin një shans që në këtë takim të trajtoheshin edhe kërkesat e tyre?! Kurse humbja eventuale e bashkisë së dominuar nga shqiptarët përbën një shenjë jo të mirë në disa drejtime: i) forcohet bindja se ekziston një përcarje e madhe e partive shqiptare; ii) humbje e forcës se faktorit shqiptar në sytë e komunitetit ndërkombëtar dhe iii) legjitimim i zgjedhjeve tashmë të parafabrikuara nga Vuccicc… Këto do ta vinin në një pozitë më të dobët faktorin shqiptar në Serbi, për të kërkuar të drejtat e tyre, sepse mazhoranca “moniste” do të mund të deklaronte në rastin më të mirë se “kërkesat e shqiptarëve do të plotësoheshin propocionalisht me përfaqësimin e tyre…”, ndërkohë që e vërteta është krejtësisht ndryshe…
/En.Br./Fjala.al