Dy persona kanë humbur jetën si pasojë e koronavirusit.
“Një 70 vjeçar nga Shkodra dhe një 54 vjeçar nga Tirana, të konfirmuar me Covid19, me disa sëmundje bashkëshoqëruese, kanë ndërruar jetë në spitalin infektiv, megjithë kujdesin e mjekëve dhe terapinë intensive”, bën të ditur ministria e Shëndetësisë.
Ndërkohë numri i rasteve vazhdon të mbetet i lartë ku në total gjatë 24 orëve të fundit në vendin tonë kanë rezultuar pozitivë 72 persona.
“Vijon të ketë shtrime në spitalin infektiv ku aktualisht po trajtohen 77 pacientë, 15 prej tyre janë në terapi intensive, ndërsa 2 janë të intubuar.
Lajmi i mirë është se në 24 orët e fundit janë shëruar 38 qytetarë, duke e çuar në 1384 numrin e të shëruarve që nga fillimi i epidemisë.
Ndërkohë kanë vijuar testimet në Laboratorin e Virologjisë në ISHP dhe gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 374 testime për të dyshuar të prekur me Covid19, nga të cilat janë konfirmuar 72 raste pozitive.
Shpërndarja gjeografike e rasteve është si vijon: 19 të prekur në Tiranë, 9 në Krujë, nga 8 raste në Shkodër, Durrës, Pukë, nga 4 raste në Sarandë dhe Vlorë, nga 3 raste në Fier, Lushnje, 2 në Lezhë, dhe nga 1 rast në Korçë, Elbasan, Has, Kavajë.
Në vendin tonë aktualisht janë 963 persona aktivë me COVID19, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Durrës”, sqaron ministria e Shëndetësisë.
/Fjala.al/Ke.Ba