Për sulmuesin e skuadrës së Luftëtarit, Gresild Likën, rrëzimi i ekipit të tij nga Superliga ndodhi për një sërë faktorësh. Lojtari nga Tirana ka përmendur disa nga më kryesorët, duke e vënë theksin te largimi i emrave më me eksperiencë të klubit gjirokastrit, siç janë Rrapo, Fili, Paiteris, ndërsa përmendi edhe dëmtimet e Demos dhe Açkës. Ai nuk ka harruar të përmendë edhe ndryshimin e trajnerëve, si dhe ndikimin që pati kjo gjë te gjendja e ekipit.
Nga Katerina Tafa
Në një intervistë për gazetën “Fjala” sulmuesi ka thënë ndër të tjera se rrëzimi tashmë matematikisht i këtij klubi nga elita e futbollit shqiptar është një dështim.
“Luftëtari është ekip legjendar në Shqipëri dhe, sigurisht, që rënia në një kategori më poshtë është dështim nga ana jonë, pasi nuk arritëm të përmbushnim objektivat.“ – u shpreh ai.
Në vijim lojtari që arriti të spikasë këtë sezon te skuadra bluzi shtoi se karantina ishte, po ashtu, një faktor ndikues në rezultatet e kësaj skuadre.
“Para karantinës jo vetëm unë, por i gjithë ekipi po kalonte një formë mjaft të mirë dhe kishim ardhur në pozita deri diku të mira. Megjithatë, pas karantinës gjërat në ekip nuk shkuan aspak siç duhet.” – tha Lika.
Ndërsa ka folur për të ardhmen te skuadra e Luftëtarit, futbollisti ka thënë se ende nuk dihet se ç’do të ndodhë, dhe ka shtuar se ky vendim u takon drejtuesve të klubit.
“Unë kam një kontratë me ekipin dhe, madje, gjej rastin ta falënderoj, sepse ishte ky ekip që më besoi të luaj në Superligë dhe do të respektoj kontratën. Në qoftë se ka oferta rrugës, ai vendim më pas u takon drejtuesve të Luftëtarit dhe menaxherit tim.” – vijoi Gresild Lika.
Si ishte ky sezon për Gresild Likën, pasi konsideroheni si një nga emrat më të mirë të këtij Luftëtari, por jo vetëm?
Mendoj se në aspektin personal kam bërë një kampionat të kënaqshëm, por në aspektin e ekipit dolëm nga objektivat dhe nuk qëndruam dot në Superligë.
Sa mendoni që ndikoi pezullimi i kampionatit nga karantina, pasi pikërisht pak para ndalimit ju ishit duke treguar një formë shumë të mirë?
Para karantinës jo vetëm unë, por i gjithë ekipi po kalonte një formë mjaft të mirë dhe kishim ardhur në pozita deri diku të mira. Megjithatë, pas karantinës gjërat në ekip nuk shkuan aspak siç duhet.
A nuk mendoni se do të kishit qenë në një nivel akoma më të mirë, po të kishit qenë pjesë e ndonjë ekipi tjetër, ku të kishit pasur më shumë mbështetje në lojën tuaj?
Për mua nuk ka rëndësi se në çfarë ekipi luaj. Unë kudo që të jem, në çfarëdo lloj ekipi apo kategorie, do të jap gjithmonë maksimumin tim.
Si cilësohet ky sezon që po mbyllet për Likën, çfarë mendoni se duhet të kishit bërë më mirë dhe çfarë ju pëlqeu te vetja?
Personalisht nuk jam asnjëherë i kënaqur me veten time, dua gjithmonë të përmirësohem. Madje, edhe kur shënoj gola, sërish dua të ruaj vazhdimësinë dhe të mos kem ulje të nivelit tim.
Po për ekipin, a mund të cilësohet si dështim rrugëtimi i këtij sezoni i Luftëtarit në Superligë?
Luftëtari është ekip legjendar në Shqipëri dhe, sigurisht, që rënia në një kategori më poshtë është dështim nga ana jonë, pasi nuk arritëm të përmbushnim objektivat.
4 ndeshjet e fundit, duke filluar me Tiranën, Partizanin, Teutën dhe në fund Flamurtarin, që ishte më keq se ju në renditje, e kthyen Luftëtarin në një “tabelë qitjeje”, pra në një mundësi për të shënuar sa më shumë gola. Si e shpjegoni këtë gjë?
Në ekipin tonë pothuajse është larguar gjysma e ekipit. Lojtarët që kemi mbetur jemi të gjithë djem të rinj, pa eksperiencë. Mospasja e eksperiencës mendoj se ka ndikuar në pësimin e kaq shumë golave.
Ku qëndron problemi, sipas jush, pra çfarë ndikoi në formën e skuadrës?
Për mendimin tim, edhe ndryshimi i trajnerëve ka pasur ndikimin e vet, ashtu si edhe ikja e disa lojtarëve me eksperiencë, si Rrapo, Fili, Paiteris, dëmtimi i Demos e Açkës, që ishin shtylla e ekipit.
Cilat janë planet e klubit për të ardhmen, pra, si planifikohet që më 2021 Luftëtari të rikthehet sërish në elitën e futbollit shqiptar?
Luftëtarit vetëm nga emri që ka, nuk i shkon kategoria më poshtë elitës, prandaj shpresoj që sezonin tjetër do të luftoj për ngjitjen në Superligë dhe do të jetë ekipi kryesor që do ta arrijë këtë objektiv.
A do ketë të prekur nga ky rrëzim, pra a pritet të ketë largime nga skuadra e klubi, si mendoni?
Këto janë pyetje që i di presidenti dhe drejtuesit e klubit, nuk mund të jap një përgjigje për këtë çështje.
Po ju vetë, a e shihni veten pjesë të Luftëtarit në të ardhmen, apo ndoshta së shpejti do t’ju shohim në ndonjë nga ekipet aktuale të Superligës?
Unë kam një kontratë me ekipin dhe, madje, gjej rastin ta falënderoj, sepse ishte ky ekip që më besoi të luaj në Superligë dhe do të respektoj kontratën. Në qoftë se ka oferta rrugës, ai vendim më pas u takon drejtuesve të Luftëtarit dhe menaxherit tim.
A nuk mendoni se është më mirë që të kaloni në një kampionat më të fortë se ky i yni, dhe a keni aktualisht bisedime me ndonjë ekip?
Sigurisht që ëndrra e çdo lojtari është që të luajë në ligat e Evropës, por të ardhmen time e vendos klubi i Luftëtarit.
Nëse ende jo, ku do të donit të luanit, pra cili është ekipi dhe kampionati që mendoni se ju përshtatet më shumë dhe pse?
Dihet që dëshira është ta provoj veten jashtë shtetit, por, për momentin, jam i fokusuar vetëm te Luftëtari. Pastaj të shikojmë në fund të sezonit se çfarë do të ndodhë.
Diçka të fundit që do donit ta shtonit?
Dua të falënderoj familjen time që ka qenë mbështetja ime kryesore gjatë gjithë kësaj kohe dhe karriere si futbollist, shoqërinë time, si dhe menaxherin tim që më ka qëndruar pranë në çdo kategori dhe në çdo arritje timen.
/En.Br./Fjala.al