Leonard Veizi posaçërisht për “FJALA”: Kush e bën ligjin…?

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

https://youtu.be/ctz7JhVsOA8
Kush po na e bëka ligjin ne shqiptarëve? Se Reforma në Drejtësi ende s’ka përfunduar dhe shkarkimet e gjyqtarëve që nuk justifikojnë pasuritë po vazhdon. Po edhe ingranazhet e institucioneve të tjera të drejtësisë nuk janë vënë plotësisht në punë. Pra, jemi një shtet gjysmak në këtë drejtim.

Ndërkohë dikush vendos se si bëhet ligji në Shqipëri

Në vitet ‘70 filmi italian “La polizia ringrazia”, por i ardhur në shqipe me titullin “Kush bën ligjin”, bëri të shqyheshin dyert e kinemave në të gjithë vendin. Aq shumë u pëlqye ky film, prodhim i vitit 1972, sa pati zëra që thoshin se ia vlente të jetoje në Italinë e kriminalizuar,  ku mund të qëlloje këdo nga maja e motorit. Gangot e Tiranës në ato kohë mbanin vetëm ndonjë dorezë hekuri me vete, dhe pushkën e zinin me dorë kur u binte radha e qitjes me distancë 100 metra, në fund të zborit. Por u qante zemra të dukeshin si truprojat e mafiozëve italianë që bënin ekzekutime në mes të rrugës apo poshtë urave, pa iu dridhur dora aspak.

Në ato vite, te ne ligjin e bënte Partia, dhe po të të gjenin nëpër xhepa ndonjë biçak, e shihje veten te 7 dritaret. Dhe veç nenit që të dënonte për vagabondazh, mundësia ishte që të të fusnin dhe në hullitë e politikës, ku neni për agjitacion e propagandë, të rraste nja 8 vjet brenda.

Mësuar me këtë psikozë na bënte fort habi fakti kur shihnim se si në Italinë fqinje ligjin e bënte o më i forti, o më i pasuri, ose vetë ca nga ata të policisë që nuk dihej me kë ishin, me shtetin apo me mafiozët. Kjo të ngazëllente pa masë, sidomos kur nuk e kishe mbi kurriz.

Sot është Shqipëria vendi që nuk dihet kush e bën ligjin.

“Plasi përsëri pushka këtej nga ne”, – më raporton gruaja sa hyj në derën e shtëpisë.

E pyes në e kishte njohur gjë krismën e armës, në ishte ndonjë mauzer nga ata të gjermanëve që u prodhuan për Luftën e Parë Botërore, ndonjë pushkë model “56” që na e bënë peshqesh sovjetikët apo ndonjë kallashnikov, por model kinez. “Tallu ti, tallu, po këtu nuk po merret vesh më se kush vritet” – ma ktheu ajo.

Mirë e ka. Pse bëhet shaka me të tilla lajme. Sidomos kur plumbat mund të të thyejnë xhamat e shtëpisë, dhe pastaj do të thonë se ishte “plumb qorr” ai që të prishi pikturën që e kishe varur në murin e dhomës së gjumit.

Mirëpo lajmi është më i shpejtë se era, i kisha marrë vesh të gjitha ç’kishin ndodhur, pa raportin manual të gruas. Madje, kisha parë dhe videot që qarkullonin në rrjetet sociale. Se G4 punonte për mrekulli. Mbase këto kohë na vjen dhe G5 që të mbledhim mendjen. Shpejtësi skëterre.

Herë-herë Tirana duket si Palermoja e viteve ‘70.

Një statistikë thoshte se pas karantine, për 60 ditë janë bërë 15 vrasje. Bukuri. Se statistikat kanë vlerë të madhe. Në bazë të tyre merren dhe masat. Por kështu të hyn dhe frika. Kë të kesh frikë më shumë kur del në rrugë, Covid-in apo Banditin.

Një gazetar fort i njohur kronike në një emision fort të ndjekur televiziv thoshte se bandat po riformësohen. Demek po ikin nga qarkullimi kapot e vjetër dhe po vijnë të rinjtë, me energji të reja. Por si po vijnë? Me “grusht shteti” natyrisht, duke vrarë nëpër rrugë kapot dhe mbështetësit e së vjetrës. Që territoret janë ndarë, kjo nuk diskutohet dhe që të kalosh përmes tyre të duhet vizë me tri vija të kuqe. Por që për mbrojtjen e territoreve të influencës bien më shumë dëshmorë se për mbrojtjen e kufijve të atdheut, kjo është një gjë e pathënë më parë.

Në këto raste të vjen keq dhe për shtetin që ka rënë në këtë farë derexheje.

Një gazetare tjetër, edhe kjo e rubrikës së kronikës së zezë, në po të njëjtin emision, thoshte se kapobandat kur futen në burg shkojnë si ujqër, por kur dalin pas disa vitesh, dalin si lepuj. Kjo nënkuptonte se shteti, sado i lodhur të jetë, është aq i zoti sa të t’i fusë këmbët në një këpucë e të të duket prifti gomar.

Ja që shteti ekzistoka. Ky qenka një lajm i mirë. D.m.th. edhe kapot dinë si ta ulin hundën kur rrinë vetëm në një qeli 2 x 2 dhe fillojnë e thellohen në mendime. Sidomos kur koha e qëndrimit për meditim budist i kalon të 20 vitet.

Lexo edhe :  14 vite nga liberalizimi i vizave me BE/ Basha: Misioni i radhës, heqja e vizave me SHBA

Mirëpo edhe kjo punë na paska ca kleçka. Se punë pa yçkla nuk ka. U gjendet dermani të gjithave. Dhe gazetarja vazhdoi me ekspozenë e saj, duke folur mbi rastet kur gjykatat në mënyrë krejt abuzive lirojnë të dënuarit me rrezikshmëri të lartë.

Po si na ndodhka kjo mor jahu se s’po kuptojmë gjë? Dhe pas kësaj vjen pyetja tjetër naive: Po pse nuk i bëjnë të plota vitet aq sa ka vendosur gjykata?

Ama pyetje…

Për sjellje të mirë, thotë. Por mirë mor djem, për sjellje të mirë të japin një fletë lavdërimi, ja dhe ndonjë teneqe si punë dekorate. Por, po qe se ke bërë ca burra të hanë dhe, e të dalësh nga burgu pa të hyrë një gjemb në këmbë, duket ca si e përpjetë kjo punë.

Ore, çfarë po ndodh kështu, në këtë shtet?

Që burgu është për burra, kjo dihet, por që burgu qenka bërë si shkolla e lartë, këtë e kisha me pikëpyetje.

Dhe gazetarja na jep ca shpjegime të tjera: se ç’qenka një gjyqtare andej nga Kruja që i priska shpata dhe na paska gjetur ca metoda të cilat na i zbusin dënimet. Brenda kuadrit ligjor, kuptohet. Se ligji është si Maliqi, varet kë godet dhe si e godet. Dhe të gjitha dosjet me peshë të rëndë ia plaskan asaj mbi tavolinë. Dhe s’thotë gjë ajo. Merr e u jep zgjidhje të gjithave tak-fak. Fjala vjen dënimin e përjetshëm na e ktheka në 25 vite. Për sjellje të mirë gjatë jetës sociale në burg, kur një kriminel i dikurshëm shtrohet në punë të lajë pjatat e kuzhinës, dyshemenë e katit të parë e të pastrojë haletë me detergjentë të holluar, por dhe të ndihmojë shokët kur kanë nevojë, e meriton dhe një bonus që ia shkurton ndjeshëm vitet e qelisë.

Ky është marifet juridik, jo të gjithë e kuptojnë.

Pra, një herë ta shkurtojnë dënimin me një të tretën, po qe se e pranon fajin dhe kur të kapin me presh në duar. Një herë tjetër shkurtimi i viteve vjen për sjellje të mirë dhe meditim kronik mbi veprat e filozofisë antike. E kaq duhet dhe e sheh veten te 15-katëshi duke marrë taksi për të shkuar në shtëpi.

Por qershia mbi tortë e gjithë kësaj qenka një vendim, ndër më humanët ndodhur në histori, që pas shkarkimit të tonelatave me bukë në Etiopinë, atje ku njerëzit vdisnin nga uria. Kjo ndodh kur i dënuari ka prindërit sëmurë e s’ka kush u bën hyzmet. Atëherë lirohet tjetri nga burgu, i gjendet një punë modeste, me qëllim që me pagën e marrë nga puna e ndershme të sigurojë ilaçet e mamasë te farmacia e lagjes, sepse kjo e fundit nuk jep më veresie. Domosdo, se shteti e ka më të lehtë të të lirojë nga burgu djalin kriminel, se sa të të japë ilaçet falas, dhe djali për krimet që ka bërë duhet të bëjë ditët një më një, sipas vendimit të prerë. Mirëpo na dalin gjykata mbi gjykatat.

Kush po na e bën ligjin atëherë…?

Shtet jo shaka. As SPAK-u, as Vetingu, as Reforma për Drejtësi, as OFL-ja, as… more po as auditi financiar nuk kaloka andej nga Kruja. Autonomi brenda suzerenitetit shtetëror. Ja kështu i rregullojmë punët ne shqiptarët.

Këtë s’ma rrok mendja fare, në fakt.

Dhe punët vazhdojnë të shkasin si mbi dhjamë.

Kapot vrasin njëri-tjetrin dhe kur ndonjë i pafajshëm u futet pa dashur në rrezen e zjarrit, nuk është më faji i tyre. Policia rrethon vendin e krimit me shirita të verdhë dhe ambulancat mbledhin  kufomat për në morg.

Kush po na e bëka ligjin kështu?

Media flet për arrestime të bujshme që do të ndodhin. Mirëpo nuk po ndodhin. Edhe një ish-kryeprokuror që nuk dihet nga është fshehur tashmë, kështu thoshte kur ishte në krye të detyrës. “Do ta shihni ju në shtator, do ta zë peshkun e madh e do ta nxjerr në breg”.

Mirëpo peshku i madh lundron në ujëra të thella. Zor se e kapin varkat me rrjeta gjysmë të çara

Dhe kjo gjyqtarja e Krujës shin në lëmenjtë e shtetit. Ndërsa “shteti” rri si gallof dhe e vështron.

Po këtë, ka burrë që e ha?

Mirëpo ende s’po e marrim vesh, kush po na e bën ligjin? Dini gjë?

/En.Br./Fjala.al

 

Të fundit

Koha kur Parashqevia nisej në Korçë për koncert, por përfundonte maleve në zbor

E shkëputur nga Shqipëria dhe publiku që e duartrokiti për vite me radhë, këngëtarja Parashqevi Simaku është rikthyer në vëmendjen e...

Spahiu: Nëse SHBA s’heq Non-Gratën, demokratët do bëhen kundër Trump apo kundër Berishës?

Në 'Frontline Interview' me Marsela Karapançon, juristi Kreshnik Spahiu ngriti pyetjen se çdo ndodh me demokratët dhe militantët nëse Trump dhe SHBA nuk heqin non gratën...

Si prodhohej municioni dikur? Fabrika e re pritet të jetë gati brenda vitit 2027

Fabrika e municionit në Kosovë pritet të ndërtohet dhe të fillojë prodhimin brenda vitit 2027. Kjo konfirmohet nga Ministria e Mbrojtjes të cilët thonë se...

Rama takim me stafin civil e ushtarak shqiptar në NATO, kryeministri nuk kursen batutat

Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një takim me stafin ushtarak dhe atë civil shqiptar në zyrat e NATO-s në Bruksel. Teksa vlerësoi kontributin e gjithsecilit,...

“Dush i ftohtë” për qeveritarët skocezë, u ndalohet përdorimi i Whatsapp

Skocia ndërmori vendimin drastik duke ndaluar përdorimin e aplikacioneve të mesazheve virtuale duke përfshirë edhe WhatsApp. Ky kufizim do të jetë për ministrat dhe...

Lajme të tjera

Web TV