Drejtësia e re/ Gjykata e Lartë zgjidh një nyje, Kushtetuesja pret vjeshtën

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Gjykata e Lartë zgjedh Sokol Sadushajn si nënkryetar. Votimi unanim dhe largimi “përfundimtar” i Dvoranit. Stoku prej 35 mijë dosjesh në Gjykatën e Lartë, mbetet problem. Gjykata Kushtetuese, ende larg formësimit

Nga Elvis Myrta

Pas largimit të Ardian Dvoranit nga posti i drejtuesit të Gjykatës së Lartë, dje është zgjedhur zëvendësuesi i tij. Me shtatë vota pro, në unanimitet të plotë, anëtarët e Gjykatës së Lartë, të zgjedhur dhe të komanduar, vendosën të zgjedhin nënkryetar të Gjykatës së Lartë Sokol Sadushin, i cili do të ushtrojë edhe kompetencat e kryetarit. “Pas procesit të verifikimit të përmbushjes së kritereve ligjore për kandidaturën e paraqitur, në prani të 3 gjyqtarëve dhe të 4 ndihmësmagjistratëve të komanduar dhe me të drejtë vote, mbledhja e përgjithshme vijoi me kryerjen e procedurës së votimit,” shkruhet në njoftimin zyrtar të Gjykatës së Lartë. Pas 13 vjet përvoje profesionale si gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese, Sadushi është zgjedhur në postin drejtues. Më shumë se një procedurë, kjo i jep mundësi frymëmarrjeje institucionit elitë të gjyqësorit për të marrë në shqyrtim mbi 35 mijë çështje të cilat mbeten pezull.

Gjykata e Lartë përbëhet nga 19 gjyqtarë, por aktualisht ka 3 anëtarë, Sokol Sadushin, Ervin Pupen e Ilir Pandën. Ndërsa duhet të plotësohet edhe me 16 gjyqtarë të tjerë. Sistemi i drejtësisë së re duket se po formësohet, por ngërçi ende mbetet, pavarësisht disa lëvizjeve të kohëve të fundit, të cilat zunë fill pas shkarkimit nga KLGJ-ja të Ardian Dvoranit. Emri i Dvoranit nuk ka qarkulluar vetëm në klauzola juridike, por mbi të gjitha ato politike, pas përplasjes së tij të hapur me kreun e shtetit, Ilir Meta, në lidhje me kandidaturat për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese.

Shkarkimi i Dvoranit

Këshilli i Lartë Gjyqësor pesë ditë më parë zbardhi vendimin për ish-kreun e KED, Ardian Dvoranit, duke dhënë argumentet se përse atij i ka mbaruar mandati dhe tani duhet të emërohet në një Gjykatë Apeli. Argumenti i parë që dha KLGJ-ja është se me emërimin e 3 anëtarëve nga radhët e juristëve të spikatur, automatikisht Dvoranit i mbaron e drejta e qëndrimit në detyrë, duke qenë se atij i ka mbaruar mandati prej vitesh.

“Referuar procedurave të organizuara për ngritjen në detyrë në Gjykatën e Lartë, nga radhët e juristëve të spikatur, duke qenë se plotësimi i pozicionit të lirë që ju mbanit është përfshirë në tri procedurat e para, finalizimi i tyre përmes emërimit dhe fillimit të detyrës së tre gjyqtarëve të rinj, bën që pasardhësi juaj të konsiderohet i emëruar.” – thuhet në argumentin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë.

Më tej, duke iu referuar po Dvoranit, saktësohet se: “Këshilli i Lartë Gjyqësor vlerësoi se asnjë nga gjyqtarët e rinj të Gjykatës së Lartë nuk ju zëvendëson nominalisht, pasi secili prej tyre është emëruar për një mandat të plotë kushtetues 9-vjeçar. Por, nga ana tjetër, emërimi dhe fillimi i ushtrimit të detyrës nga tre gjyqtarët e rinj, në situatën e mospasjes edhe të një pozicioni tjetër të lirë të mëvonshëm në këtë gjykatë, që duhet të plotësohet nga radhët e juristëve të spikatur, pa asnjë mëdyshje ka çuar në përfundimin e detyrimit tuaj për qëndrimin në detyrë”, thuhet në vendim.

Një tjetër pikë që ka përplasur anëtarët në mbledhje, por dhe që u ngrit si çështje nga Dvorani është ajo nëse KLGJ-ja ka kompetencë apo jo në shqyrtimin e kësaj çështjeje. Sipas argumentimit të parashtruar nga KLGJ-ja, ajo ka të drejtë ta marrë këtë vendim.

“Këshilli i Lartë Gjyqësor vlerësoi se është në kompetencën e tij trajtimi i çdo situate në lidhje me pavarësinë, përgjegjshmërinë dhe mbarëvajtjen e pushtetit gjyqësor, përfshirë dhe të Gjykatës së Lartë, sikundër edhe me zhvillimin e karrierës së gjyqtarëve edhe të kësaj gjykate, duke pasur juridiksion të plotë për çështje të kësaj natyre. Mbi këtë bazë, Këshilli i Lartë Gjyqësor, pasi vuri në diskutim, duke marrë edhe qëndrimin tuaj, arriti në përfundimin se, pas emërimit dhe fillimit të ushtrimit të detyrës të tre gjyqtarëve të rinj të Gjykatës së Lartë, për ju ka mbaruar detyrimi kushtetues për të qëndruar në detyrën e gjyqtarit në këtë gjykatë”, theksohet më tej.

Stoku me 35 mijë dosje në Gjykatën e Lartë

Aktualisht në Gjykatën e Lartë janë më shumë se 35 mijë dosje, të cilat prej më shumë se 4 vitesh presin që të rishqyrtohen në këtë gjykatë. Edhe pse me një numër minimal gjyqtarësh, Gjykata e Lartë pas emërimit të tre anëtarëve të saj të rinj, ka rinisur vlerësimin fillestar të rekurseve. Mësohet se Gjykata e Lartë ka nisur nga puna, duke shqyrtuar çështje emergjente që lidhen me kompetencën apo edhe me kërkesat për pezullimin e ekzekutimit të vednimeve.

Lexo edhe :  ‘Berisha nuk jeton dot pa Metën'/Çupi: Burgosja e ka dëmtuar më shumë se arresti shtëpiak

Gjithashtu, prioritet do t’u jepet edhe kërkesave për pezullimin e ekzekutimit të vendimeve dhe shqyrtimin e rekurseve të çështjeve të themelit. Burime për “Fjalën” bëjnë me dije se deri tani gjyqtarët Sokol Sadushi, Ervin Pupe dhe Ilir Panda që prej nisjes së punës së tyre në këtë gjykatë deri tani kanë shpallur rreth 40 vendime në Dhomën e Këshillimit. Shifër kjo shumë e vogël në krahasim me dosjet që presin për t’u shqyrtuar.

Numri minimal i gjyqtarëve në këtë gjykatë nuk garanton ritëm të lartë, pa llogaritur këtu që numri i dosjeve shtohet, për shkak edhe të rekurseve të reja. Shqyrtimi i dosjeve në themel ka ngecur pasi, trupa e gjyqësore duhet të ketë së paku 5 anëtarë, ndërkohë që Gjykata e Lartë ka vetëm 3 anëtarë. Në momentin kur kjo gjykatë të ketë 5 anëtarë, atëherë do të niset me gjykimin e këtyre dosjeve të cilat kanë ngecur që prej vitit 2016.

Ngërçi në Gjykatën Kushtetuese

Teksa ringritja e Gjykatës Kushtetuese do ta fuste presidentin dhe qeverinë në një “luftë të ftohtë” procedurale, plotësimi i saj me 9 anëtarë duket se do të marrë edhe ca kohë. Aktualisht, “Gardiani i Kushtetutës dhe ligjshmërisë” në vend, ka vetëm 4 anëtarë, Vitore Tusha, Elsa Toska, Fiona Papajorgji dhe Marsida Xhaferllari, të zgjedhur nga Kuvendi dhe presidenti, ndërsa Këshilli i Emërimeve në Drejtësi është duke ndjekur procedurën për përzgjedhjen edhe të tre anëtarëve të tjerë. Por procesi përzgjedhjes, edhe për shkak të gjendjes së jashtëzakonshme nga COVID-19 ngeci prej muajsh.

Burime të gazetës “Fjala” thanë se aktualisht, KED ka zgjedhur relatorët që do të drejtojnë mbledhjet për vlerësimin e kandidatëve për 3 vende vakante. Ndërkohë janë administruar vetëdeklarimet e 16 kandidatëve dhe janë miratuar rregulloret për vlerësimin dhe pikëzimin.

Megjithatë, një tjetër problem që duket se do ta bëjë edhe këtë raund të vështirë për përzgjedhjen e anëtarëve të rinj, është mungesa e kandidatëve. Edhe më “optimistët” nuk japin afate të shpejta për plotësimin e të paktën gjashtë anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, dhe mendohet se fundi i vjeshtës së këtij viti mund ta çojë vendin në një Gjykatë Kushtetuese funksionale. Nga vështrimi i bërë listave të kandidatëve për 3 vendet, ato përsëriten, të njëjtët kandidatë kanë shprehur interes për të dy apo edhe tri vendet vakante, ndërsa një pjesë e tyre janë përjashtuar më herët, në garën e parë nga KED.

Ngritja e Kushtetueses është kërkuar dhe kërkohet me ngulm edhe nga ndërkombëtarët, por ata do të duhet të presin ngritjen e Gjykatës së Lartë, për një Kushtetuese të plotësuar me 9 anëtarë. Tre anëtarët e fundit duhet të zgjidhen nga Gjykata e Lartë, që aktualisht është me 3 anëtarë dhe procesi i përzgjedhjes së kandidatëve të tjerë është duke marr kohë në Këshillin e Lartë Gjyqësor.

Duket se ringritja e dy gjykatave më të larta në vend, manifeston kaosin që shkakton mungesa e tyre, ndërsa proceset gjyqësore që presin të trajtohen në këto gjykata janë të shumta. G

jashtë anëtarë në Kushtetuese do të ishin të mjaftueshëm për marrjen në shqyrtim të ankimeve dhe dosjeve të nxehta, ku dy prej tyre janë ligjshmëria për zgjedhjet lokale të 30 qershorit, apo edhe çështja e Teatrit Kombëtar. Megjithatë, që ky proces për 3 anëtarët e tjerë të përfundojë me sukses, do t’i duhet shumë fat dhe konsensus politik. Kandidatët duhet të kalojnë çdo filtër dhe konsensus politik për të shmangur lojërat me lista. Kur flitet për “konsesus politik”, kjo lidhet pikërisht me ngërçin që u shfaq disa muaj më parë në lidhje me betimin para kreut të shtetit.

Tashmë, pas filtrit të vetingut dhe karrierës profesionale, kandidatët duhet të gëzojnë edhe “mbështetjen” politike që lidhet me betimin para presidentit të Republikës, pasi vetëm në këtë mënyrë juridikisht ata kanë të drejtë të konsiderohen anëtarë të Gjykatës Kushtetuese.

Kandidatët për zëvëndësimin e Fatos Lulos, vakancë e Kuvendit
1. Ardita Buna Alsula
2. Ded Kasneci
3. Klodian Rado
4. Regleta Panajoti

  1. Shaqir Hasanaj
    6. Vjosa Bodo Mujo

Kandidatët për zëvedësimin e Besnik Imerajt, vakancë e presidentit

1.Dedë Kasneci
2. Envi Hicka
3. Prelë Martini
4. Shaqir Hasanaj
5. Vasil Bendo
6. Vjosa Bodo Mujo

Kandidatët për zëvendësimin e Besnik Muçit, vakancë e presidentit
1. Altin Binaj
2. Artan Spahiu
3. Dedë Kasneci
4. Eugen Papandile
5. Gentian Mete
6. Sergjio Mazreku
7. Sinan Tafaj
8. Sonila Bejtja
9. Shaqir Hasanaj
10. Zhaklina Peto

/En.Br./Fjala.al

Të fundit

“Do nxjerr fotot”/ Berisha akuza Peleshin: Trego pse ia thyen këmbën truprojës tënd!

Kreu i PD Sali Berisha ka hedhur akuza të forta ndaj kreut të grupit parlamentar të PS, Niko Peleshi,...

“Pëllumbeshë, te Erioni do shkosh dhe ti”/ Berisha sherr me Spiropalin në Kuvend

Kryetari i PD, Sali Berisha kërkonte me ngul, fjalën në Kuvend edhe pasi i mbaroi radha e tij. Ky moment krijoi debate mes tij...

E rëndë/ 15-vjeçarja dërgohet pa shenja jete në spital, ja për çfarë dyshohet

Gjirokastër-Dërgohet pa shenja jete në spital një 15-vjeçare, dyshohet së është vetëvarur. Mbasditen e sotme, në spitalin e Gjirokastrës është dërguar një 15-vjeçare pa shenje...

Arrestimi i Veliajt/ Basha: Fundi i pandëshkueshmërisë është fundi i tranzicionit

Kryetari i Demokratëve Euroatlantikë, Lulzim Basha, ka reaguar sot (10 Shkurt) për lajmin e arrestimit të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Në një postim në...

Spiropali i ndërpret fjalën Berishës: Soros nuk është për procedurë

Debatet vijuan që në nisjen e seancës së sotme plenare, teksa fjalën i pari e mori kreu i PD-së Berisha. Por fillimisht Spiropali ia...

Lajme të tjera

Web TV