Ngjarjet më të rëndësishme të vitit 2019 në vendet e rajonit

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Viti që po lëmë pas në vendet e rajonit kaloi me mbajtje të zgjedhjeve, të rregullta presidenciale në Maqedoninë e Veriut, të parakohshme parlamentare në Kosovë dhe të bashkive në Shqipëri, me vendime të rëndësishme lidhur me integrimin e vendeve të rajonit në Bashkimin Evropian (BE) dhe NATO, por edhe me ngjarje interesante nga bota e kulturës dhe sportit, të cilat Anadolu Agency (AA) i sjell në mënyrë kronologjike.

Maqedoni e Veriut

6 shkurt – Në selinë e NATO-s në Bruksel u nënshkrua Protokolli për pranimin e Maqedonisë së Veriut në Aleancë. Protokolli u nënshkrua nga përfaqësuesit e përhershëm të 29 vendeve anëtare të NATO-s dhe ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Nikolla Dimitrov.

21 prill / 5 maj – Kandidati për president i mbështetur nga Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë së Veriut (LSDM) dhe dhjetëra parti të tjera, aktualisht president, Stevo Pendarovski, arriti që në raundin e dytë të fitojë zgjedhjet e gjashta presidenciale që nga pavarësia e vendit.

7 maj – Për herë të parë në historinë e Maqedonisë së Veriut, Papa Françesku vizitoi Shkupin gjatë të cilës takoi presidentin e atëhershëm, Gjorge Ivanov, kryeministrin Zoran Zaev ndërsa në meshën e mbajtur në sheshin “Maqedonia” dërgoi mesazhe të paqes dhe bashkëjetesës.

4 tetor – Sekretari i Shtetit i SHBA-ve, Mike Pompeo vizitoi Maqedoninë e Veriut, ku në qytetin e Ohrit takoi zyrtarët e shtetit. Gjatë vizitës, Pompeo bëri të ditur se ishte sekretari i parë amerikan që viziton vendin që nga viti 2001 dhe përshëndeti angazhimin e vendit për integrimet në Bashkimin Evropian (BE) dhe NATO.

17 tetor / 18 tetor – Edhe pse më herët liderët e vendeve të BE-së deklaruan se pritet që Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria të marrin datë për fillimin e bisedimeve të pranimit me BE-në, Këshilli i Çështjeve të Përgjithshme të BE-së, i cili përbëhet nga kryediplomatët e vendeve anëtare, në një takim dy-ditor në Luksemburg mori vendim kundër fillimit të bisedimeve të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë për shkak të kundërshtimit të Francës.

19 tetor – Pas vendimit për mosfillimin e bisedimeve për anëtarësim në BE për Maqedoninë e Veriut, kryeministri Zoran Zaev në adresimin e tij para publikut propozoi mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, pas së cilës presidenti Stevo Pendarovski inicoi takim me liderët e partive politike parlamentare të vendit, duke u pajtuar për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme më 12 prill të vitit 2020.

10 nëntor – Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, zhvilluan një takim rajonal në Ohër, iniciativën e ashtuquajtur “mini-Schengen”, për të diskutuar përmirësimin e bashkëpunimit rajonal, respektivisht për të eliminuar të gjitha pengesat për lëvizjen e lirë të njerëzve, mallrave dhe kapitalit. Në takim të pranishëm ishin edhe përfaqësues nga Bosnjë e Hercegovina dhe Mali i Zi, të cilët u thirrën për t’iu bashkangjitur iniciativës.

20 nëntor – Në fushën e sportit, kombëtarja e Maqedonisë së Veriut në futboll, si pjesë e Ligës së Kombeve të UEFA-s, arriti të renditet në krye të tabelës në Grupin 4, duke hapur rrugën për kualifikim në Kampionatin Evropian 2020.

Shqipëri

10 janar-Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, nuk dekretoi propozimin e kryeministrit Edi Rama për ministrin e ri për Evropën dhe Punët e Jashtme, sepse sipas tij, Gent Cakaj “nuk i plotësonte kushtet, nuk krijon besueshmëri dhe nuk ofron garancitë e nevojshme për ushtrimin me objektivitet dhe në lartësinë e kërkuar të detyrës së ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme”. Pas këtij vendimi, filloi një përplasje mes institucioneve, ndërsa pas emërimit të Ramës në këtë post, ky i fundit i delegoi Cakajt kompetencat e drejtimit të këtij institucioni.

16 shkurt – Fillojnë në Tiranë protestat antiqeveritare të partive opozitare në Shqipërisë, Partisë Demokratike (PD), Lëvizjes Socialiste për Integrim (LSI) dhe partive të tjera, që vazhduan për disa muaj, në kryeqytet dhe qytete të tjera të vendit, ndërsa u përfshirë nga tensionet dhe përplasjet mes policisë dhe protestuesve. Kërkesa e partive opozitare ishte për krijimin e nje qeverie tranzitore dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.

20 shkurt – Partia kryesore e opozitës, Partia Demokratike e Shqipërisë (PD), zyrtarizoi me vendim të Këshillit Kombëtar të PD-së djegien (dorëzimin) e mandateve të deputetëve, vendim që u pasua edhe nga parti të tjera opozitare.

22 mars – Shqipëria zhvilloi ndeshjen e parë përballë Turqisë në kuadër të fazës eliminatore të “EURO 2020”, ndeshje e cila përfundoi me rezultatin 2:0 në favor të kombëtares së Turqisë.

23 mars – Pas humbjes që pësoi kombëtarja e Shqipërisë në përballjen me Turqinë, Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF), vendosi ndërprerjen e bashkëpunimit me trajnerin e ekipit kombëtar, Christian Panucci.

1 prill – Shqipëria shënoi 10-vjetorin e anëtarësimit të saj në NATO. Me rastin e këtij përvjetori, para dhe pas kësaj date në vend u organizuan ceremoni të ndryshme zyrtare.

17 prill – Edoardo Reja u prezantua zyrtarisht si trajner i kombëtares së Shqipërisë në futboll, duke zëvendësuar ish-trajnerin Christian Panucci.

9 maj – Në Tiranë u mbajt Samiti i radhës i Procesit Bërdo-Brijuni, ku morëm pjesë liderët e vendeve të Ballkanit, ndërsa synimi i tij ishte që të përçojë një mesazh politik lidhur me aspiratën e vendeve të rajonit për t’u integruar në Bashkimin Evropian (BE).

2 qershor – Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, realizoi një vizitë zyrtare në Shqipëri, ku takua me drejtuesit e lartë të vendit.

10 qershor – Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, zyrtarizoi shfuqizimin e dekretit për zgjedhjet vendore në Shqipëri, që ishin caktuar të mbaheshin më 30 qershor.

27 qershor – Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, dekretoi një datë të re për organizmin e zgjedhjeve vendore, duke caktuar 13 tetorin, që nuk u mbështet nga partia në pushtet, Partia Socialiste e Shqipërisë (PS) e drejtuar nga kryeministri Edi Rama. Ky dekret nuk u zbatua as nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).

30 qershor – Në Shqipëri u mbajtën zgjedhjet vendore për kryetarët e 61 bashkive dhe anëtarët e këshillave bashkiakë, të cilat u zhvilluan sipas dekretit të parë të presidentit të vendit, Ilir Meta, i cili u anulua më 10 qershor, të cilat u fituan nga Partia Socialiste e Shqipërisë. Në zgjedhje mori pjesë partia në pushtet, Partia Socialiste e Shqipërisë (PS), e drejtuar nga kryeministri Edi Rama, së bashku me disa parti aleate të sa, ndërsa, partitë kryesore opozitare, Partia Demokratike (PD) dhe Partia Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI), bojkotuan zgjedhjet vendore. Pjesë e procesit zgjedhor ishin disa parti të tjera opozitare parlamentare dhe joparlamentare.

8 korrik – Kuvendi i Shqipërisë miratoi ngritjen e komisionit hetimor mbi kërkesën e Partisë Socialiste për shkarkimin e presidentit të vendit, Ilir Meta, me arsyetimin se dekreti për anulimin e zgjedhjeve vendore ishte në kundërshtim të hapur me parimet kushtetuese.

15 korrik – Nën kujdesin e Ambasadës së Turqisë në Tiranë u mbajt marshimi përkujtimor mbi përvjetorin e tretë të tentativës për grusht shteti nga organizata terroriste FETO, me pjesëmarrjen e përfaqësuese të institucioneve turke, përfaqësuesve të institucioneve të Shqipërisë, të organizatave të shoqërisë civile, të veteranëve të 15 Korrikut, familjarëve të dëshmorëve dhe qindra qytetarëve.

21 shtator – Kryeqyteti i Shqipërisë, Tirana, dhe qytete të tjera të vendit u goditën nga një tërmet i fuqishëm i cili shkaktoi qindra të lënduar dhe dëme materiale.

17 nëntor – Inaugurohet stadiumi i ri në Tiranë, i cili mban emrin “Air Albania” të kompanisë shqiptare të fluturimeve, me ndeshjen e fundit të Shqipërisë përballë Francës në fazën eliminatore për Kampionatin Evropian “Euro 2020”, ndeshje që përfundoi me rezultatin 0-2 në favor të Kombëtares së Francës.

26 nëntor – Një tërmeti i fuqishëm goditi Shqipërinë, i cili përveçse 51 persona të vdekur dhe qindra të plagosur, shkaktoi edhe dëme të konsiderueshme materiale. Si pasojë e tërmetit janë shkatërruar dhe dëmtuar pallate, shtëpi, monumente kulturore, shkolla, objekte të institucioneve, ndërsa vendi u godit edhe nga disa tërmete të tjera.

Lexo edhe :  Për të hequr qafe erën e keqe të gojës, zbatoni këto truke të thjeshta

5 dhjetor – Kuvendi i Shqipërisë zgjedh në detyrën e prokurorit të ri të Përgjithshëm të vendit, Olsian Çela. Kryeprokurori i ri që zëvendëson kryeprokuroren e përkohshme Arta Marku është zgjedhur për një mandat 7–vjeçar, pa të drejtë riemërimi.

Kosovë

14 janar – Të gjitha institucionet arsimore në Kosovë të të gjitha niveleve hynë në grevë të përgjithshme duke kërkuar që të ngritet koeficienti për paga për 30 për qind, grevë e cila vazhdoi për tre javë dhe u ndërpre pasi u pajtuan për një marrëveshje “shumë afër kërkesave” me autoritetet përkatëse.

2 shkurt – Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, liron nga detyra ministrin e Bujqësisë, Nenad Rikallo, vendim i marrë pasi Partia Socialdemokrate e Kosovës (PSD) i kishte vënë qeverisë pesë kushte për t’u bërë pjesë e votimit të buxhetit të qeverisë, njëra ndër të cilat ishte dhe shkarkimi i ministrit nga komuniteti serb, Rikallo.

14 shkurt – Pas një takimi midis Delegacionit Shtetëror për Dialogun me presidentin Hashim Thaçi, kryeparlamentarin Kadri Veseli dhe kryeministrin Ramush Haradinaj, u finalizua Platforma për Dialogun me Serbinë, e cila sipas palëve paraqet “unifikimin e qëndrimit të institucioneve dhe Delegacionit Shtetëror në raport me pozicionin e Kosovës në dialogun për njohje me Serbinë”.

28 mars – Me 69 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi i Kosovës votoi projekt-ligjin që ndalon të gjithë lojërat e fatit në territorin e Kosovës, vendim i cili kaloi disa ditë pasi u kryen vrasje në kazino në Suharekë dhe në Lipjan.

4 prill – Ministri i Mbrojtjes i Turqisë, Hulusi Akar, qëndroi për vizitë në Kosovë, ku u prit në takim nga homologu i tij kosovar, Rrustem Berisha. Në kuadër të vizitës së tij në Kosovë, dy vendet nënshkruan marrëveshje në fushën e mbrojtjes me interes të përbashkët të bashkëpunimit.

9 prill – Kryeministri Ramush Haradinaj shkarkon ministrin e Administratës së Pushtetit Lokal nga komuniteti serb, Ivan Teodosijeviç, vendim i cili sipas kryeministrit, u mor pasi “Teodosijeviç kishte shprehur gjuhë të urrejtjes dhe ka fyer viktimat e Reçakut”.

15 prill – Kuvendi i Kosovës votoi me shumicë për formimin e një komisioni të veçantë, “i cili do të ndërmarrë hapa të mëtutjeshëm deri në krijimin e një Tribunali Ndërkombëtar që do t’i gjykojë krimet serbe në Kosovë”, ide e cila sipas kryeparlamentarit Kadri Veseli, është në nderin dhe dinjitetin e Kosovës.

20 prill – Kthehen nga Siria në Kosovë 110 shtetas të Kosovës, shumica e të cilëve gra dhe fëmijë, task-forca për kthimin e të cilëve sipas ministrit të Drejtësisë, Abelard Tahiri, është udhëhequr me ndihmën e SHBA-ve dhe shteteve tjera aleate kundër terrorizmit.

23 Prill – Me rastin e shënimit të Ditës së Komunitetit Turk në Kosovë, kryeministri Ramush Haradinaj priti në takim ministri i Punëve të Jashtme i Turqisë, Faruk Kaymakcı, ndërsa pas takimit deklaroi se “populli turk i Kosovës është urë lidhëse shumë e fuqishme me Turqinë”.

19 maj – Në katër komunat me shumicë serbe (Mitrovicë Veriore, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan) mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme, pasi kryetarët e katër komunave dhanë dorëheqje për shkak të tarifës 100 për qind të vendosur nga Qeveria e Kosovës për mallrat serbe. Pas përfundimit të procesit zgjedhjet i fituan të njëjtët ish-krerë të komunave.

28 maj – Policia e Kosovës bastisi 12 lokacione, kryesisht në veri të Kosovës ndërsa arrestoi 19 pjesëtarë të Policisë së Kosovës, të dyshuar për përfshirje në vepra penale si “pjesëmarrje ose organizim i grupit kriminal”, “kontrabandim me mallra”, “keqpërdorim i pozitës zyrtare”, “dhënie e ryshfetit” dhe “tregti e ndaluar”. Të arrestuarit e dyshuar ishin 11 të komunitetit serb dhe nga katër të komunitetit shqiptar dhe boshnjak.

11 qershor – Ish presidenti amerikan, Bill Clinton dhe ish-sekretarja e Shtetit, Madeline Albright, qëndruan në Kosovë me rastin e shënimit të 20-vjetorit të çlirimit të vendit. Presidenti Hashim Thaçi ndau medaljen “Urdhri i Lirisë” për ish-presidentin Clinton.

27 qershor – Gjykatës Kushtetuese e Kosovës vendosi në favor të lëndës së parashtruar nga dy partitë opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Lëvizja Vetëvendosje (LVV), me të cilën kontestohej si “jo kushtetues Ligji për Delegacionin e Kosovës në bisedimet me Serbinë”.

2 korrik – Fillojnë në Fushë Kosovë punimet për rehabilitimin e fazës së parë të linjës së dhjetë hekurudhore Prishtinë-Hani i Elezit që lidh Kosovën me Maqedoninë Veriore, e cila do të modernizojë 67 kilometra rrugë hekurudhore Prishtinë-Hani i Elezit dhe 13 stacione treni, shpejtësia e të cilave do të arrijë deri në 100 kilometra në orë.

19 korrik – Kryeministri Kosovës, Ramush Haradinaj dha dorëheqje për shkak se, siç paralajmëroi në konferencën për media pas seancës qeveritare, “është i ftuar nga Gjykata Speciale në Hagë si i dyshuar” dhe se atje nuk dëshiron të paraqitet si “përfaqësues” i popullit të Kosovës.

22 gusht – Me votat e 88 deputetëve të Kuvendit të Kosovës u shpërnda Legjislatura e gjashtë e Kuvendit të Kosovës, seancë e cila u thirr me kërkesë të 98 deputetëve.

26 gusht – Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në bazë të përgjegjësive të tij kushtetuese dhe ligjore, shpalli 6 tetorin si datë për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

6 tetor – Mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në gjithë territorin e Kosovës, në të cilat parti fituese del Lëvizja Vetëvendosje (LV), e pasuar me një diferencë të ngushtë nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK).

17 tetor – Në Prishtinë protestohet para Ambasadës së Suedisë kundër dhënies së Çmimit Nobel shkrimtarit austriak Peter Handke, mbështetësit të Slobodan Millosheviçit. Protesta u përcjell me disa fotografi të masakrave gjatë luftës së vitit 1999 në vend, të urdhëruara nga Millosheviç në Kosovë.

24 tetor – Prokuroria Themelore në Prizren pranoi ekspertizën nga Zvicra për vdekjen e aktivistit Astrit Deharit dhe deklaroi se “një hetim i ri është i nevojshëm për t’i qartësuar rrethanat e vdekjes së Astrit Deharit”.

12 nëntor – Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi takon në Paris presidentin serb Aleksandar Vuçiç në kuadër të Forumit të Paqes së Parisit, forum i cili ishte inicuar nga presidenti i Francës, Emmanuel Macron, për të bërë bashkë protagonistë të qeverive e të qeverisjes nga e tërë bota dhe për të diskutuar ruajtjen dhe forcimin e paqes në botë.

26 nëntor – Me urdhër të presidentit të Kosovës, njësitë e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) u nisën në Shqipëri për të ndihmuar në zonat e dëmtuara nga tërmeti. Më vonë gjatë ditës edhe njësite të tjera të kërkim-shpëtimit u nisën nga Kosova në Shqipëri, e gjithashtu një numër i lartë qytetarësh filluan menjëherë mobilizimin për të ndihmuar të prekurit e tërmetit.

2 dhjetor – Prokuroria Speciale e Kosovës ngre aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamenti Special kundër gjashtë personave për disa vepra penale lidhur me vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanoviç.

3 dhjetor – Në rezultatet e publikuara nga Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD), Kosova renditet në vendin e 76 nga gjithsej 78 vendet pjesëmarrëse në testin e Programit për Vlerësimin Ndërkombëtar të Nxënësve (PISA). Sipas rezultateve të OECD-it, në lexim, matematikë dhe shkencë Kosova renditet në vendin e tretë nga fundi, duke lënë prapa vetëm Republikën Domenikane dhe Filipinet.

5 dhjetor – Gjykata Themelore në Prishtinë dënoi me dy vite heqje lirie ish-ministrin e Qeverisë së Kosovës, Ivan Todosijeviç, nën akuzat për “nxitje të urrejtjes, përçarje ose mos-durim kombëtar, racor, fetar apo etnik”, që kishte të bëjë me deklarimin e tij që quajti masakrën e Reçakut si trillim dhe shqiptarët si terroristë.

10 dhjetor – Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, i përgjigjet thirrjes nga Gjykata Speciale në Hagë ku shkoi dhe u intervistua, duke e quajtur këtë si “moment vendimtar për të rikonfirmuar pastërtinë e luftës së popullit tonë, luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”./AA

Të fundit

Trump “hakmerret”!Morën pjesë në çështjet penale kundër tij,presidenti i pushon nga puna

Presidentit Donald Trump ka shkarkuar disa zyrtarë të Departamentit të Drejtësisë që drejtuan hetimet për çështjet penale kundër tij. Një...

Mos i gënjeni kurë këto shenja të horoskopit, sepse hakmarrja e tyre mund t’iu lëndojë

Ka disa shenja të horoskopit që kanë instinkt veçanërisht të fortë që i mbron nga gënjeshtrat dhe surprizat e pakëndshme. Qoftë çështje miqësie apo biznesi,...

Pesë mënyrat si ta mbani zemrën tuaj të shëndetshme ndërsa plakeni

Sëmundjet e zemrës janë ndër shkaqet kryesore të vdekjeve, por mjekët thonë se disa zakone të shëndetshme mund të bëjnë një ndryshim të madh. Këto...

Nga pasaporta tek simbolet! Si do të funksionojë shteti bektashi

Gazetari Ferdinant Samarxhi zbuloi në “Top Story” detajet në lidhje me krijimin e një shteti bektashi. Ai foli për mënyrën se si do të funksionojë...

Përplasjet me Berishën, vjen përgjigjja e Ballës:Gjarprin e kam kapur që i vogël në ferra

Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla, i kthen një përgjigje epike Berishës pas akuzave të shumta drejtuar atij. Pyetjes së moderators së...

Lajme të tjera

Web TV