Seanca gjyqësore ndaj Arbër Çekajt është shtyrë sërish duke rrezikuar të shndërrohet në një telenovelë.
Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) ka shtyrë seancën për shkak të mungesës së avokatëve.
Arbër Çekaj u arrestua në maj të 2018-tës në Gjermani pas kapjes së 613 kg kokainë që vinin nga Kolumbia
Prokuroria ka kërkuar 21 vite burg për pronarin e “Arbri Garden”. Vetë Çekaj në një reagim publik shpërndarë nga avokati shprehet se nuk ka lidhje me drogën, por prej vitesh ka nisur një punë të ligjshme me frutat duke pasur edhe fitime të cilat i zgjeruan aktivitetin.
Ai ka hedhur akuza të forta ndaj prokurorisë shqiptare duke thënë se droga u zbulua nga italianët të cilët montuan kamera në kontejner për dorëzim të kontrolluar por hetuesit shqiptarë e ndalën operacionin duke mos kapur trafikantët e vërtetë dhe duke krijuar një grup kriminal imagjinar.
Si i kaloi nën hundë drejtësisë shqiptare dhe asaj ekuadoriane Arbër Çekaj
Në shkurtin e vitit 2018, në portin e Durrësit do të kapej një sasi prej 613 kilogramësh kokainë e fshehur në një kontejner bananeje e cila vinte nga Amerika Latine. Kjo ishte sasia më e madhe e drogës e kapur ndonjëherë nga policia shqiptare.
Njeriu kyç i kësaj historie ishte Arbër Çekaj. Ai tashmë po gjykohet nga drejtësia shqiptare. Por emri i tij ishte shfaqur së pari në radarin e zbatimit të ligjit në vitin 2015, kur ai u akuzua në Ekuador për fshehjen e 37 kilogramëve kokainë – edhe kjo dërgesë synonte Shqipërinë.
Kontrabanda e drogës e vendosur në enë frigoriferike është një strategji që favorizon shumë trafikantët vitet e fundit.
Vetëm disa javë pasi ishte lëshuar urdhër-arresti për arrestimin e tij në Ekuador në vitin 2015, kompania e Arbër Çekajt arriti të thithë 100,000 euro fonde bujqësore nga BE për një depo frigoriferike që më vonë do të përdorej për të fshehur drogën.
Çekaj vijonte të udhëtonte midis Ekuardorit dhe Shqipërisë, duke kryer rreth 137 dërgesa të tjera të bananeve përgjatë të njëjtës rrugë dhe duke përdorur të njëjtën firmë, e cila ishte regjistruar në emrin e tij.
Në asnjë prej këtyre dërgesave nuk është vërtetuar ende se Çekaj ka transportuar drogë.
Nga ana e tij, Arbër Çekaj i cili tashmë ndodhet pas hekurave ka deklaruar në gjyq se
është i pafajshëm për të gjitha akuzat e ngritura nga ana e prokurorisë shqiptare.
Megjithatë, OCCRP dhe gazetarët investigativë ekuadorianë duke përdorur dokumentet e gjykatës kanë arritur të nxjerrin në pah dështimin e dy vendeve, Shqipërisë dhe Ekuadorit; se si këto dy shtete nuk arritën të bien në gjurmët e Arbër Çekajt.
Ai u vendos në shënjestër të drejtësisë vetëm pas një kontrolli rutinë në një nga dhjetëra dërgesat e bananeve që ai kishte bërë së fundmi nga Kolumbia në Shqipëri.
Ish-drejtori i përgjithshëm i policisë Ahmet Prençi, thotë se gjetjet e këtij hetimi zbuluan dështime serioze nga ana e autoriteteve si në Tiranë ashtu edhe në Quito.
“Çekaj duhej të mbahej nën vëzhgim nga ana e policisë për çdo lëvizje që ai kryente”, shprehet Prençi.
Një oficer policie kundër narkotikëve në Ekuador, i cili foli në kushte anonimati pasi nuk ishte i autorizuar të fliste për mediat, fajësoi administratën e vendit të tij duke e konsideruar si”të mjerueshme dhe tejet të dobët “.
Si dështoi Ekuadori të kapë Arbër Çekajn
Më 4 prill 2015, Çekaj udhëtonte përgjatë një rruge të ndotur në La Rosita, një fshat i vogël në rajonin jug-perëndimor të Guayas që prodhon banane. Ai e bënte shpesh atë rrugë gjatë tetë muajve të fundit për të takuar furnizuesin e tij kryesor të bananeve, Banana World Green. Në këtë udhëtim ai shoqërohej edhe nga një grua, e cila më vonë u identifikua nga prokurorët e Ekuadorit si “Sara”. Sipas dëshmisë së dhënë në gjyq njëri prej punonjësve të plantacionit të bananeve, thekson se Çekaj doli herët në mëngjes dhe kërkoi të inspektojë cilësinë e bananeve që po paketoheshin. Ndërkaq punëtori kishte parë që gruaja shtonte katër kuti banane në kontejnerin që ishte gati për eksport.
Kur punonjësi e pyeti se çfarë po ndodhte, Çekaj i tha që të mos shqetësohej për këtë.
Një tjetër nga punonjësit e plantacionit përmendi faktin se si gruaja u ofroi punonjësve nga 100 dollarë për të blerë pije joalkoolike dhe sanduiçë. Një gjest që habiti jo pak punonjësit.
Një nga punonjësit e plantacionit kishte hequr mënjanë një nga kutitë e dyshimta nga kontejneri dhe zbuloi se ato ishin mbushur me kokainë. Ata lajmëruan pronarin i cili më pas njoftoi policinë. Policia gjeti edhe 28 kilogramë kokainë shtesë të fshehur brenda tre kutive bananeje në kamion dhe arrestoi shoferin, i cili më vonë u la i lirë.Por Çekaj, i cili kishte qenë duke ndjekur kamionin u largua nga vendi i ngjarjes. Në kohën kur prokurorët e thirrën për ta pyetur ai tashmë kishte fluturuar për në Shqipëri.
Çekaj ishte thirrur të paraqitej në gjykatën e Ekuadorit më 25 qershor të 2015, për t’u përballur me akuzat për trafik droge. Por, ai nuk u paraqit dhe më pas u dha urdhër për arrestimin e tij.
“Diçka e keqe më ka ndodhur, ata më kanë bërë diçka të keqe. Kështu që nuk di çfarë të bëj, “i shkruante Çekaj një shoku në Skype menjëherë pas konfiskimit të drogës, sipas informacionit të gjetur në kompjuterin e tij, pasi u arrestua në 2018. Shoku i tij, i identifikuar si Anodire, u përgjigj: “Unë e di që je i pafajshëm”.
Në dhjetorin e vitit 2015, policia shqiptare kaloi në prokurori informacione për konfiskimin e drogës në Ekuador. Ata filluan ta hetojnë Çekajn, por përparuan pak sepse nuk morën kurrë informacionin kryesor që kishin kërkuar nga autoritetet në Amerikën e Jugut.
Biznes si zakonisht
Pavarësisht se ishte arratisur prej drejtësisë ekuadoriane dhe në Shqipëri ndodhej nën hetim, biznesi i Çekajt po lulëzonte. Ndërsa ai duket se ka vazhduar të udhëtojë lirshëm midis dy vendeve.
Kompania e Çekajt “Arbi Garden” bëri 137 dërgesa banane, me një total prej gati 3000 tonë, nga Ekuadori në Shqipëri.
E gjitha ndodhi në mes të prillit 2015, kur ndaj tij ishte hapur një hetim për trafik droge në Ekuador, dhe majit të vitit 2018, kur ai u arrestua në Gjermani.
Kompania bëri edhe 91 dërgesa bananeje nga Kolumbia në Shqipëri, dhe një firmë në pronësi të babait të Çekajt bëri edhe 17 të tjera. Në një intervistë me Planin V, një oficer ekuadorian kundër narkotikëve foli hapur për dështimin e autoriteteve për të gjetur dhe kapur Çekajn.
Ai fajësoi sundimin dhe zbatimin e dobët të ligjit në Ekuador, duke vënë në dukje se nuk ka as ndonjë skanues për të kontrolluar dërgesat në portet e Ekuadorit.
“Në vendin tonë është shumë e lehtë” të kalosh kufijtë në mënyrë të paligjshme, shpjegoi ai. “Deri më tani këtë vit kemi kapur rreth 60 tonë drogë, të cilat të gjitha kanë kaluar në Ekuador nga Kolumbia në mënyrë të paligjshme”
Prokurori ekuadorian Patricio Toledo, i cili hetoi dhe paditi Çekajn në 2015, fajësoi “burokracinë” dhe mungesën e bashkëpunimit nga policia për dështimin e zyrës së tij.
Ish-drejtori i policisë së shtetit Ahmet Prençi, dhe më vonë drejtor i hetimeve tatimore deri në vitin 2015, tha se provat e zbuluara nga hetimi i përbashkët tregojnë dështimin në masë të zbatimit të ligjit ndaj trafikut të drogës.
“Nuk ka vullnet politik për të luftuar krimin. Ne kemi nevojë për të kapur bosët e drogës dhe t’i ndëshkojmë ata”./ Fjala.al