INTERVISTA EKSKLUZIVE/ Agim Baçi: Lexuesit nuk ia kanë për borxh shkrimtarëve të paaftë dhe mediokër. Veprat e tyre e kanë vendin te “koshi i mbeturinave”
Nga Leonard Veizi
Fjala për të duket se është arma më e fortë. Ose ndoshta ky është një perceptim i gabuar dhe fare naiv. Por po të bësh një bilanc e të nxjerrësh një derivat, apo të mbledhësh a të pjesëtosh ato që kanë të bëjnë me të, sërish do të marrësh një emërues të përbashkët: Fjalën. I qetë, argumentues dhe i shumëlexuar, me të mund të qëndrosh orë të tëra e të të duket si një makineri e palodhshme teksa të rrëfen gjithçka di mbi librat dhe letërsinë. Prej “Epit të Gilgameshit”, Homerit më pas, e deri tek burrat me peshë dhe kalamajtë letrarë të ditëve të sotme, janë skeduar në mendjen e tij për të formuar një pazëll të plotë mbi jetën 4000-vjeçare të letërsisë botërore.Mos duket e tepruar kjo? Se besoj…
…Atij mund t’i biesh në qafë të të lexojë një dorëshkrim 300 faqësh, – të shkruar me stilolaps 20 lekësh ku germat duken si “këmbët e pulës”, – se të ka shkuar në mendje të çosh për botim kryeveprën e radhës, të paparë ndonjëherë, e për ta vërtetuar katërëcipërisht të duhet si mendje paraprake. Dhe ai nuk të thotë kurrë jo, kur vjen puna për të lexuar vepra letrare. Por si ka mbaruar dhe faqen e fundit të letrës format A4 nuk ka frikë, as drojë a turp, e as të ndihet i kompleksuar, teksa të vërtetën ta përplas në sy. Nëse ajo që ka lexuar vlen ta thotë me kokën lart mendimin e tij, por aspak me superlativa që të besosh se ia kalove Balzakut, Dostovejskit apo vetë Shekspirit të madhërishëm. Dhe po me vështrimin drejt, në rastin më ekstrem, të thotë troç se nuk vlen, dhe këtë s’e luajnë as “topat e Isarit”. Por jo pa ta argumentuar, dhe në rastin aspak më oportun, sërish të uron suksese për radhën e ardhshme.
Elegant në atë që shkruan e thotë, Agim Baçin e gjen jo rrallë në media ku e ftojnë për të dhënë mendimin e tij rreth letërsisë shqiptare. Dhe në një nga edicionet e radhës ai bëri më të pabërën e mundshme, mori një kosh mbeturinash, të larë e të pastruar për merak dhe aspak jo higjenik, dhe vendosi aty të gjithë ata libra që në optikën e tij letrare jo vetëm që nuk mund të rekomandohen për lexim, por madje të prishin shijen e leximit. Dhe mos kujtoni se janë të shumtë ata që e marrin një guxim të tillë. Por ai është i përveçëm në atë që thotë e bën. Për më tej Agim Baçi, shkrimtar, gazetar e kritik i letërsisë, për Fjala.al thotë:
Ju jeni shkrimtar që keni marrë dhe rolin e kritikut. Rëndom në media transmetohet se kritika (e kam fjalën kritika letrare, pasi për artet vizuale, teatrin, etj…) nuk funksionon. Në fakt cili është raporti i sotëm i prodhimeve artistike në përballje me kritikën?
Ne trashëguam në fillim të viteve ’90 një shkollë marksiste të këndvështrimit të arteve, ku teksti gjykohej në lidhje më shumë me rrethanat sesa me vlerat e përhershme njerëzore. Formalistët rusë nga njëra anë apo ajo që njihet si “Shkolla e Frankfurtit” nga ana tjetër, kanë edukuar teoricienët e asaj kohe, duke e parë artin dhe kritikën ndaj tij si një debat të jashtëm, vetëm shoqëror, dhe jo për të parë nga vetja, nga individualiteti i çdokujt që “e konsumon” artin, si një qenie e veçantë në botë. Ky këndvështrim vijoi edhe pas vitit 1990 pasi ata emra kishin ende kanalet e komunikimit mediatik dhe të shpjegimit të letërsisë në universitete. Mirëpo, të tilla këndvështrime, pa shpjegime që ta lidhnin letërsinë si me të përhershmen e bëjnë kuptueshmërinë ndaj arteve të përkohshëm, e për pasojë jo shumë të dobishëm, pasi përkohshmëria nuk ka një truall ku mund të mbështetesh për ide të qarta. Ndaj, mund të themi se, kritika ende nuk ka fituar autoritetin për të qenë orientuese serioze e lexuesit. Por nuk jam aq edhe me ata që thonë se nuk ka kritikë, pasi kur shprehen në këtë mënyrë duket sikur kanë në mendje atë lloj angazhimi shtetëror për të debatuar mbi librat.
Gjithsesi, për ne është e rëndësishme që letërsia të ecë me ritmin e duhur, pasi kritika është pasojë, ndërkohë që shkak mbetet gjithmonë letërsia. Dhe për të parë në sy jo vetëm letërsinë, por edhe shkollat e ndryshme të kritikës, duhet të njihemi me disa nga teoricienët që kanë lënë gjurmë në leximet e letërsisë, sidomos në kohët e sotme moderne.
P.sh: ka libra teorikë si “Hyrje në teorinë e letërsisë: Çfarë është letërsia” i Terry Eagleton, apo libra të autorëve Thomas A. Schmitz (“Teoria modern letrare dhe tekstet antike”), apo libri i tri bashkautorëve, Selman Selden, Peter Ëiddoëson, Peter Brooker (“Një udhëzues për lexuesin në teorinë letrare bashkëkohore”) apo edhe “Enciklopedia e teorisë bashkëkohore letrare” e autores Irena R. Makary që shtrojnë shumë nga rrugët e komunikimit letrar. Me mjaft interes janë edhe libri i Todorovit “Letërsia dhe teoricienët e saj”, dhe i autorit Antoine Compagnon “Letërsia, teoria dhe kuptimi i përbashkët”. Këtyre emrave mund t’u shtohen edhe shumë teoricienë të tjerë që e shohin një vepër letrare nga ana shkencore dhe filozofike, por edhe politike.
Ndërkohë, ka edhe ndërmjetës më të lehtë të leximeve, si Harold Bloom “Si dhe përse lexojmë”, apo shkrimtarët Milan Kundera me “Teoria e romanit” dhe “Testamente të tradhtuara” dhe Italo Calvino me “Leksionet amerikane” apo “Përse duhet të lexohen klasikët”. Këto ndërmjetësi, të cilët këshillojnë të shohim në një roman edhe zërin e lojës, zërin e ëndrrës, zërin e mendimit dhe zërin e kohës. Por këto lexime kanë nevojë që kritiku më së pari t’i ketë lëvruar këto “zëra” në leximet e tij dhe të gjejë një shteg për t’i praktikuar në tekstocentrikën e tij – pra në përqendrimin e tekstit letrar.
Ndaj, kur unë personalisht shkruaj për një libër, roman apo poezi, përpiqem që ta lidh me atë që besoj se vjen nga e përhershmja dhe që nuk shpërfill të përtejshmen. Unë nuk pretendoj të them gjëra përfundimtare kur shkruaj, e as nuk synoj të hedh mendimet e të tjerëve poshtë. Shumësia e leximeve është edhe mrekullia e letërsisë, ndaj dhe kur dua që të kem këndvështrime teorike mbi një vepër, mundohem të jem “me një këmbë” në kënaqësinë e lexuesit që transmeton ndjesitë e tij tek të tjerët. Ndaj nuk i kam synim shpjegimet thjesht shkencore. As lexuesit vetë nuk besoj se kanë nevojë për shumë shpjegime shkencore kur dëshirojnë të gjejnë arsyet e leximit të një vepre letrare. Për pasojë, unë mendoj se kritiku duhet të gjejë arsyet e leximit apo mosleximit të një vepre dhe të jetë sa më i qartë në këtë ftesë që u bën lexuesve.
Keni marrë pjesë në shumë juri letrare. Në çfarë kuotash është sot letërsia shqiptare?
Duket sikur është një privilegj pjesëmarrja në disa juri, por në fakt është një përgjegjësi e madhe. Në mungesë të qartë të një debati letrar, si para ashtu edhe pas dhënies së çmimeve, më shumë sesa gjykim letrar, ka një gjykim jashtëletrar për ata që kanë votuar për përzgjedhjen. Megjithatë, më shumë sesa debatet, më intereson ajo që kam hasur në leximet e shumë librave, të botuar dhe të pabotuar: në shumë romane gjen një fabul të mirë, një fillim të mirë rrëfimi. Por më pas nis të vihet re pafuqia për ta zotëruar strukturën klasike të një romani, ku historia dhe personazheve u mungon një ndërthurje jo vetëm logjike, por edhe estetike. Kjo nënkupton se, në shumicën e shtëpive botuese mungon politika redaksionale, ku autorët të ftohen në një debat paraprak, që ai të arrijë të përmirësojë ato gjëra të cilat ose i ka lënë në gjysmë, ose nuk ka arritur t’i konturojë si duhet. Unë ua them shpesh autorëve, që romani është i tyre për aq kohë sa nuk e kanë botuar. Në momentin kur e botojnë atë, libri është i lexuesit. Çdo shpjegim i autorëve për veprat e tyre nënkupton paplotësinë e librit. Për më tepër, nuk më duket aspak etike që për veprën të replikojnë vetë autorët. Këtu duhet shtyrë debate për librat, e sidomos për të rinjtë, që vetë ata të maten mirë përpara se të dalin në publik me veprat e tyre. Ndoshta një kombinim më i mirë i shtëpive botuese me kritikën, me universitetet, do të sillte një rrugë të mirë debate. Sepse unë ndaj bindjen se çdo autor ndihet më keq kur për të heshtin, sesa kur e kritikojnë.
Guximi juaj si pjesë e kritikës ka arritur deri atje sa të seleksiononi librat në të lexueshëm dhe të palexueshëm. Madje të palexueshmit publikisht, dhe në mënyrë simbolike, i keni futur në një kosh mbeturinash. Cili është etaloni juaj për formuar këtë klasifikim?
Unë mendoj se lexuesit nuk ia kanë borxh të paaftëve dhe mediokrëve që të humbin kohën dhe të prishin shijet e tyre në lexime. Për një vepër që personalisht e kam menduar si të tillë, “për në kosh”, është ndonjëherë gjuha krejt banale që përbën dallimin e parë. Më pas, është mungesa e plotë e lidhjes së ngjarjeve, e kapërcimeve aspak logjike. Në poezi kjo dallohet edhe më lehtë, pasi vargjet i dallon lehtësisht nga mediokriteti. Por romanet janë disi më të vështirë, pasi shpreson se do të gjesh një zgjidhje që do të jetë mes lojës, aventurës, befasisë dhe parashikimit. E në fakt nuk gjen asgjë që të të bëjë të mendohesh, aq më pak të mendosh: këtë duket sikur e kam menduar edhe unë. Sepse veprat e vërteta lidhin një marrëveshje të natyrshme me lexuesin, ngaqë shkojnë drejt njerëzores, drejt asaj që na lidh me përhershmërinë. Pra, një vepër nuk duhet thjesht të jetë shkruar mirë, por edhe të ketë një lidhje me lojën, ëndrrën, kohën (të humburën apo të shpresuarën) e sidomos me zërin e brendshëm të njeriut. Kur nuk i ka këto, por për arsye të ndryshme është shitur – pra ka shumë lexues – atëherë është e nevojshme që për atë vepër të flasësh, qoftë edhe me kosh.
Ju jeni partizan i frazës së tregimtarit Danillo Kish se, “Lexues të mirë ka më pak se shkrimtarë të mirë”. Ku është sot lexuesi shqiptar?
Procesi i leximit ndoshta ka pësuar një ndryshim më të madh se autorët pas vitit ’90 në Shqipëri. Shkak për këtë është bërë mundësia e leximit në të njëjtën kohë me bashkëkohësit nëpër botë, leximi në disa gjuhë, duke bërë të mundur që të nxiten lexime që e kapërcejnë jo vetëm këtushmërinë, por edhe tanishmërinë. Unë, gjatë viteve të fundit, duke komunikuar me shumë të rinj, kam pasur kënaqësinë të shoh ndryshimin e tyre të madh nga bota e pafundme e pyetjeve të tyre që nuk janë ideologjike, apo të përkohshme, por që lidhen me pyetjet e përhershme. Lexuesi i sotëm sheh më shumë nga vetja, nga ndriçimi i vetvetes, për të gjetur një shteg shpjegimesh që më pas do të mund t’ua thotë edhe të tjerëve. Pra, lexuesit e mirë janë jo vetëm një presion pozitiv për shkrimtarët, që të jenë më kërkues, por edhe ndaj kritikës, duke i detyruar që të gjejnë shpjegime tërheqëse dhe të logjikshme për lexuesit. Shkrimtarët nga ana e tyre e kanë në mendje një lexues me të cilin do të dëshironin të debatonin veprën e tyre. Nëse nuk e kanë menduar ende një lexues të tillë (sidomos shkrimtarët e rinj) duhet ta rimendojnë një hap të tillë.
Kam një pyetje që po ua bëj të gjithë njerëzve të letrave. Gjuha Shqipe gati 50 vjet pas ratifikimit të Kongresit të Drejtshkrimit, a ka nevojë për një rishikim të ri?
Gjuha e folur, pra gjuha e gjallë, është gjithnjë në betejë me fjalorët. Por Kongresi i Drejtshkrimit, me sa kam lexuar dëshmitë e asaj kohe dhe ata që kanë qenë krejt kundër, nuk ishte thjesht për të shmangur gegnishten ku duket se “fjala ka më shumë peshë e ngjyrime”, por edhe për të futur në përditshmërinë e komunikimit gjuhën revolucionare dhe shpjegimin e fjalëve sipas koncepteve ideologjike. Diktaturat i japin shumë rëndësi gjuhës, sepse përmes saj kërkojnë të ndikojnë në mënyrën e të menduarit. Ndërkohë, ne sot shijojmë krijime në gegnisht që jo vetëm i tresim lehtësisht, por edhe i shijojmë artistikisht. P.sh, Martin Camajn as mund ta mendosh në toskërisht. Gjithsesi, unë nuk dua ta besoj se e shkruara në dialekt të kthehet në qëllim. Gjithçka është më bukur kur vjen në mënyrë të brendshme, ashtu siç duhet të gurgullojë vetë gjuha poetike. Ndërkohë, gjuhëtarët duhet të rishikojnë fjalorët jo vetëm për të parë atë që gegnishtja e ka rifituar në të përditshmen, por edhe për të pastruar fjalorët nga çdo shpjegim ideologjik.
Në çdo vend të botës fjalorët rishikohen, pasi evidentohet edhe beteja mes gjuhës së gjallë, gjuhës së folur, dhe “gjuhës stok”, që nuk e përballon apo e mban dot peshën e komunikimit.
Leonard Veizi/ Fjala.al/