Lëvizja Socialiste për Integrim ka mbledhur këtë të shtunë Konventën për qarkun e Tiranës, ku e pranishme është dhe kryetarja, Monika Kryemadhi.
Në fjalimin e saj Kryemadhi tha se kjo dekadë e re për shqiptarët do të jetë një mision i madh dhe i pakthyeshëm.
“Startimi në këtë dekadë të re është një mision i madh dhe i pakthyeshëm. Është një mision që nuk e ndal dot asnjë, autokrat, burokrat i korruptuar, oligark, kriminel, trafikant a kushdo qoftë, pasi përballë nuk ka as një, as dy, as pesë e as dhjetë, por shumicën absolute të shqiptarëve, që janë ngritur në këmbë për të rifituar Shqipërinë që po përpiqen t’ua grabisin”, deklaroi Kryemadhi.
Pjesë nga fjala e Kryemadhit në Konventën e LSI:
Sot rifillojmë aksionin politik të Lëvizjes Socialiste për Integrim pasi është mbyllur një vit i gjatë dhe i zymtë për shqiptarët, që kulmoi me fatkeqësinë natyrore të 26 Nëntorit, ndërkohë që varfëria ekonomike u thellua më tej, dhe BE tha një tjetër “JO” për hapjen e negociatave.
Ne sot kemi takimin e parë politik organizativ për 2020. Ne të gjithë sa jemi, këtu jemi të bindur e kemi besim se Shqipëria dhe shqiptarët meritojnë më shumë se çfarë ju është premtuar, e shumë herë më tepër se çfarë ju është ofruar në realitet. Ne po lëmë pas një vit të vështirë, i cili do të lërë plagë në shpirtin e shqiptarëve.
Viti 2019 do të shënohet si viti që 120.000 shqiptarët e braktisën vendin e tyre për tu garantuar shkollim, shëndetësi, siguri dhe ekonomi për fëmijët e tyre, qe nuk i gjetën dot këtu në Shqipëri, e më keq akoma, nuk patën besimin se mund t’i gjenin ndonjëherë. Po t’i hedhim një sy kalendarit të tranzicionit shqiptar do të shikojmë që Shqipëria është përballur me dy momente tragjike: në 1991 dhe në 2019.
Këto dy periudha i bashkon e përbashkëta e zbrazjes së Shqipërisë nga të rinjtë dhe të rejat e saj, nga filizat e rinj më të mirë të cilët do të ishin kontribuuesit kryesorë të ndërtimit të një vendi për të cilin do të ishin krenarë. Një vend ndërtuar mbi demokracinë, ku sundon e ligji i barabartë për të gjithë, ku secili ka mundësi të barabarta për arsimim, për punësim e biznes, ku shteti i garanton çdo qytetari sigurinë e shëndetit, ushqimit dhe të jetës.
Këto dy periudha ngjajnë tashmë si dy pika uji: Në 1991 e gjithë Shqipëria, rinia shkollore e universitare, ajo punëtore e intelektuale, u larguan drejt BE në emigracion për tu rikthyer me besimin “Ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Evropa”, pasi përmbysi një sistem të kalbur që ju kishte hequr të drejtën e lirisë, të besimit, të fjalës, të të jetuarit, të shkolluarit, të punësimit, një sistem i mori jetën mijëra shqiptarëve sepse besonin në Zot, pse besonin në liri, pse besonin në vlerat humane, pse besonin tek liria dhe demokracia.
Në 1991 shqiptarët u larguan me besimin për tu kthyer më pas, në një Shqipëri të lirë, demokratike e Evropiane. Sot, pas gati 30 vitesh, kemi përsëri një Shqipëri që i largohen filizat, por tashmë me trishtimin se përsëri vendi ka një parlament monist, se është kthyer censura dhe hequr e drejta e fjalës, se është kthyer shtetëzimi dhe grabitja e pronave private në përfitim të Partisë Shtet dhe bandave të saj kriminale.
Në eksodin e sotëm, ai që ishte dikur “Blloku i udhëheqjes” është zëvendësuar me Grupimin e Rilindjes, që janë pjesë apo përfaqësues të bandave kriminale që blejnë pushtetin me paratë e pista, që më pas pushteti tu shërbejë vetëm atyre. 2019 si viti i fatkeqësisë natyrore që goditi Shqipërinë është edhe një nga vitet më të errëta keq-qeverisëse që kemi kaluar: Shpopullimi solli dhimbjen në familjen shqiptare, dëmtimin e saj, por edhe plakjen të menjëhershme të popullsisë./Fjala.al