Në qytetin e të vdekurve, atje ku mbretëron babëzia e “tokës së premtuar”

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Leonard Veizi

Ajo është toka e premtuar. Eldorado. Mos e kërkoni në asnjë vend tjetër. Atje me siguri gjendet dhe paqja e përjetshme aq shumë e dëshiruar, larg luftës së përditshme dhe terrorit. Ndoshta, një gjë të tillë nuk e ka vërtetuar kush. Por gjithsesi, të gjithë ne e mendojmë se atje duhet të jetë, në fakt. Hipotetike apo jo, të paktën në pamje të parë, ajo është bota ku në sipërfaqe mbretëron qetësia,… edhe pse krejtësisht vajtuese.

 …Në të vërtetë, tek qyteti i të vdekurve nuk ka aq qetësi sa mund të mendohet. Kortezhet me makina funerali, e autobusë që transportojnë përcjellës veshur me rroba të errëta e syze të zeza, janë të përditshëm. Punëtorët e bashkisë çdo mëngjes nisin hapjen e varreve të reja dhe ata të mirëmbajtjes sillen rrotull për të sistemuar gjithçka që njerëzit hedhin përtokë në pakujdesinë e tyre të zakonshme. Por janë aty edhe ata që rregullojnë varre të porositura me mermer vezullues, ca të tjerë që gdhendin epitafe në vargje, e sidomos luleshitësit i gjen ngado.

Pra varrezat janë një qytet më vete, që bëjnë jetën e tyre urbane me vajte ardhje, vizita, dhe fqinjë të rinj që shtohen përditë si të shtruarit me viroza në spitale.

Jemi në varrezat e Sharrës.

Varreza është masive dhe veç “pushtimit” që i ka bërë fushës së njohur prej kohës kur ka filluar historinë e saj të mirëpresë të pajetët, ka hipur mbi kodër dhe e ka kaptuar atë. Bashkia e Tiranës është e detyruar të blejë toka të reja në vazhdimësi, dhe ato vazhdimisht “zaptohen” po nga varre të reja. Me gjasa, kjo “lojë” as që ka ndërmend të mbarojë ndonjëherë.

“Toka i takon atij që e punon…”

Dacibaoja me ngjyra të kuqe i ardhur nga koha e reformës agrare, duket se ka një vlerë të përjetshme. Njeriu i babëzitur, përveçse kërkon gjatë gjithë jetës së tij një copë tokë, të cilën i duhet të punojë, ta mbjellë, të marrë të mirat prej saj dhe të mbijetojë, po një copë toke e merr dhe me vete kur shkon në botën tjetër, me një egoizëm të paparë, por këtë herë për ta bërë atë krejt të papunueshme.

Varrezat e Sharës

Kohët e fundit, brenda pak muajve doja të saktësoja, më ka qëlluar të shkoj disa herë në Varrezat e Sharrës. Jemi qenie të gjalla që vdesim. Dhe vdekja duhet respektuar, gjithsesi. Nuk qahem as për cilësinë e objektit, sepse varrezat e Tiranës, si të Sharrës dhe të Tufinës, janë rregulluara, me rrugë të shtruara të pastruara dhe e sistemuara në tërësinë e tyre.

Por sa herë gjendem në tek parcela e fundit, atje ku normalisht hapen varret e reja, shoh me habi se si kloni që mund të tregojë hamendësisht vijën fundore të qytetit fosforik, lëviz në mënyrë të vrullshme duke zgjeruar hapësirën e saj, si ushtarët që merrnin terrenet me “luftës rrufe” të Adolfit.

-Sa varre hapni në ditë? – pyes një nga punëtorët i cili ishte futur të paktën 1,5 metra nën dhė, e po gërmonte tokën e fortë.

Të jeni të bindur, i kam thënë paraprakisht dhe “puna e mbarë”, përpara se ta pyesja. Por ky detaj nuk është se ka vlerë për këtë shkrim. Ai le kazmën, mendohet në një pauzë të vetme dhe më thotë qartë dhe shkoqur.

-Minimalja 9. Por mesatarisht hapim 12 varre në ditë. Ka dhe raste kur shkojnë 14-15.

Bukur fort.

Dhe nis nga llogaria. Në ndihmë më vjen kalkulatori i telefonit të dorës.

12 varre në ditë, shumëzim për 30 ditë që ka muaji, e barabartë me 360. Dhe po t’i shumëzojmë me 365 ditët e vitit, (meqenëse kjo punë nuk ka asnjë ditë pushim për djall, madje as për Pashkët e Bajram dhe as për Vitin e Ri) na del shifra 4380. Po t’i shtojmë dhe po kaq Varrezave të Tufinës, që marrin gjysmën tjetër të vdekjeve në Tiranë, kemi saktësisht 8.760. Por meqenëse kjo punë nuk varret nga shkenca ekzakte mund të themi se bëhen rreth 9000 varre të reja gjatë një viti.

Lexo edhe :  Sulltan Nevruzi, uron Basha: Zoti e bëftë dritë për zemrat dhe shtëpitë e shqiptarëve

Woowww… po goxha shumë qenkan.

Po ta thellojmë edhe më shumë llogarinë i bie që në 10 vjeçarin e fundit, kur Tirana pretendohet se ka shkuar në kuotën e 1 milion banorëve, kjo do të thotë që dy varrezat e mëdha t’i kemi të shtuara me të paktën 90 mijë varre të reja.

Fiu,… fiu,…

Tmerr i vërtetë.

Domethënë, ose në një farë mënyre, këtu vdekja qenka shtruar këmbëkryq.

Epo… të gjithë do vdesim një ditë.

Në djall të vejë.

Sot, qytete të mëdha të Shqipërisë, si Vlora, Shkodra, Korça e Fieri i kanë a si kanë 90 mijë banorë. Pra Tirana në 10 vjeçarin e fundit veç prurjeve nga qytetet e tjera si njerëz të gjallë e krahë punë, është shtuar edhe me një qytet njerëzish të vdekur nën dhe, por me nga një pllakë mermeri sipër kur veç fotografisë kanë dhe datën e lindjes e atë të vdekje.

Por llogaria nuk mbaron me kaq.

Vazhdojmë më tej:

Një varr është rreth 3 metra katrorë. Ose të paktën 1.5 metra për nga gjerësia, sepse këtu nuk futen më rrugicat ndarëse, pasi në parcelat e reja ato nuk ekzistojnë, ndërsa tek të vjetrat janë zënë prej kohësh me varre të rinj. Me shtesën e 9000 varreve të rinj prej 1.5 metrash secili llogaritet një gjatësi prej 13,500 metrash linearë. Dhe po të llogarisim që një varr është rreth 3 metra katrorë, (pra 2 gjatësia dhe 1.5 gjerësia) kjo do të thotë që sipërfaqja e zënë për një vit do të jetë e barabartë me 27 mijë metra katrorë.

Dhe që të jemi brenda me të gjitha janë as më pak as më shumë por 2.7 hektarë tokë, nga një për secilën varrezë, që vihet në dispozicion të atyre që nuk janë më në këtë jetë.

“Ku po shkon kjo botë…”

Natyrisht, nuk ka vend për humor.

Nuk po i futem llogarisë se sa ton grurë, misër a patate do të prodhonin këto 3 hektarë tokë të një viti, që brenda 10 vjetësh bëhen 30 hektarë, dhe jarebi pas 100 vjetësh na u bëkan 300 hektarë. Këtë sipërfaqe do ta kishin zili edhe Kooperativat e Tipit të Lartë, por dhe vetë Ndërmarrjet Bujqësore.

Por çdo gjë e ka një kosto. Të vdekurit nuk mund të lihen zbuluar, e duan një copë toke, nga ajo që e kanë punuar për vite me radhë. Në fund të fundit u takon.

Po si i bëhet? Se me këtë shtrirje, Sharra do dalë në Kavajë më parë se Zona Industriale që ka ndalur pa vajtur në Vorë.

E që varret të mos marrin malet, sepse kodrat i kanë zënë tashmë, ndërhyrja më efikase do të ishte ajo intensifikimit të punës për ngritjen e varrezave murale. Kjo metodë, e aplikuar prej shumë kohësh në pjesën tjetër të botës, nuk do të hajë më tokë, por ajër. Dhe për tokë është keq, se ajër kemi sa të duash.

Varrezat murale në Sharrë

Ligji e përmban ngritjen e varrezave murale, por aplikimi nuk është se ka gjetur zbatim të plotë. Ngritja e tyre do të thoshte që qyteti i madh i varrezave të zvogëlohej ca që të mos kapi askënd paniku. Sepse për hir të së vërtetës, kur sheh masivitetin e madh të varreve në Sharrë a Tufinë, gjëja e parë që mendon çdo njeri është se në mos i ka mbushur ditët, po u mbush shpejt e shpejt, dhe për çdo rast eventual, duhet bërë një vend aty nën dhe se tek e fundit, një gur mbi kokë Bashkia ta vendos dhe pa para.

Por që të jem i sinqertë deri në fund, më duhet të them se e ardhmja e të vdekurve mund të mos jetë më nëpër varre e murale, por drejt një krematoriumi.

Ligji shqiptar nuk e përmban sot ngritjen e një krematoriumi, por kjo nuk do të thotë që nesër të mos e kemi në ligj një nen të shtuar. Dhe nëse po…

…”flakët e Ferrit” do na presin.

Leonard Veizi/Fjala.al/

Të fundit

Skema e re për vitet e punës/ Vështirësitë e pagesave me bankën për pensionet

Një pensionist që merr aktualisht 9.600 lekë pension mujor, me shtesën 5 për qind që do të aplikohet do...

“Të bashkojmë forcat”/ Rama: Procesi i integrimit në BE kërkon dije të reja

Kryeministri Edi Rama nga mbledhja e Këshillit Ekonomik Kombëtar që po mbahet këtë të enjte theksoi se procesi i integrimit në BE kërkon dije...

Instagram me ndryshime të reja, fillon të kufizojë “përmbajtjen politike”

Kompania Meta ka nisur të praktikojë një opsion të ri në Instagram dhe Treads, i cili është kufizimi i “përmbajtjes politike”. Firma njoftoi lançimin e...

Meta jep lajmin e mirë: Do rriten pagat për sektorin publik, ja kategoritë që përfitojnë

Qeveria pritet të miratojë gjatë javës së ardhshme detajet në lidhje me instrumentin e Garancisë Sovrane për sektorin e industrisë përpunuese fason. Kjo gjë...

Vënia në pranga dhe dorëheqja e Goros, OMONIA ngre pikëpyetjet për pronat në Himarë

Komuniteti grek në Shqipëri, OMONIA ka reguar pas arrestimit dhe dorëheqjes së kryebashkiakut në detyrë të Himarë, Jorgo Goro. Në deklaratën e tyre, thuhet se...

Lajme të tjera

Web TV