Nga Edlira Gjoni
Sepse është shtuar kultivimi dhe përdorimi i drogës. Sepse bashkë me të, qëndron lidhur papunësia, mungesa e të ardhurave, ulja e dërgesave nga jashtë, mungesa e një perspektive të afërt, por edhe mjedisi që do t’i frenonte deformimet që kanë ndodhur në shoqëri.
Rritja dhe përdorimi i lëndëve narkotike, shpërthyer që në vitin 2016, po jep pasoja që pakkush i kishte parashikuar. Shqipëria u gjelbërua e njerëzit mendonin se malli i çmendurisë ishte për ata përtej, për perëndimorët e shastisur, por ja që e keqja që mbollëm në kopshtin tonë, filloi të gjunjëzojë të parët ne vetë.
Me të dhe për të lidhet vrasja çnjerëzore e një gruaje familjare nga 3 adoleshentë. E tek ajo i kanë rrënjët edhe plot vrasje të tjera që i lënë shqiptarët pa varr nëpër botë.
Përveç saj dhe arsyeve ekonomike, që e bëjnë Shqipërinë e përtej bulevardit më të mjerë se tekstet e Migjenit, ka edhe arsye më të thella e të komplikuara sesa ekonomiket: gjendja psiko-sociale e njerëzve që jetojnë në vendin që kemi toksikuar.
Mungon puna, por mungon edhe kultura. Pra, nuk ka ushqim stomaku, por nuk ka as truri, as shpirti. Librat nuk i njeh kush, media promovon modele silikoni e të fortësh, teatri e kinemaja janë fjalë të huaja, të rinjtë jetojnë për “Instagram” dhe për celular e në këto kushte, kur truri nuk vihet në punë e shpirti është i vakët, pasojat shihen te kufomat që varrosen përditë me ikje nga kjo jetë në mënyra nga më të çuditshmet.
Vjen edhe një arsye e katërt, edhe pse mund të duket utopike: Veç vakësisë ekonomike, kulturore e mendore, kemi edhe një shkëputje nga besimi, që është baza e ushqimit shpirtëror. As kishë, as xhami nuk shohin më si primare në jetën e tyre shumë njerëz që janë bombarduar me modele të gabuara jetese e pasurie e që qysh në moshën 16 vjeç e ndiejnë nevojën t’i japin jetës kuptim përmes hashashit. Pa modele, pa ambicie, pa frikë, pa turp, pa moral!
Vijojmë të konsiderojmë gratë pa vlerë, pronë, pa peshë e pa nevojë të kujdesemi apo mendohemi dy herë para se t’u marrim jetën, a thua se meshkujt e këtij vendi nuk kanë tjetër mision mbi tokë (ata që në mënyrë të përsëritur shtojnë numrat dhe e mbajnë bilancin të mbërthyer në 20-25 gra të vrara në vit).
Vrasim sepse jemi të ndëshkuar të jetojmë në një mjedis toksik, pa modele, pa të ardhura, pa të ardhme e për të gjitha këto gjendet zgjidhje te më i fundit akt i çmendurisë mashkullore: dora mbi jetën e femrës!
Kjo situatë ndryshon vetëm me ndryshimin e gjendjes ekonomike, me fuqinë e ligjit dhe me ngritjen e modeleve të reja të jetës e të punës në vend. Nëse jo, do të vijojmë të prodhojmë çmenduri! /Fjala.al