Çfarë po ndodh në vendin tonë, ku politika përfshihet në krim gjatë “rrugës” së pushtetit dhe kur krimi afrohet në politikë për t’u “pastruar” dhe pasuruar. Cilat janë proceset më të bujshme të politikanëve të nisura nga viti 1991 dhe deri ato të cilat janë mbyllur me pafajësi? Moda e re e krimit të rrugës për t’u angazhuar në politikë dhe “Ligji i dekriminalizimit” që po sfidohet. Flet për gazetën “Fjala” politologu Ilir Kamelaj dhe avokati Ledio Braho.
Nga Sebi Alla/ Korrik 1993, ende nuk ka dalë “qejfi” i britjes për demokraci, edhe pse pak e kuptonin çdo të thoshte kjo fjalë e madhe. Për herë të parë, zyrtarë të nivelit të lartë do të viheshin nën akuzë për korrupsion dhe shpërdorim detyre. Proces politik apo duke iu përmbajtur ligjit, kjo mbetet një pikëpyetje e madhe për shtjellim, por në pikun e vapës së 31 korrikut, në duart e liderit të opozitës, kryetarit të PS-së dhe ish-kryeministrit Fatos Nano, u vendosën prangat. Akuzat ishin për vjedhje dhe shpërdorim detyre me ndihmat humanitare në prag të viteve ‘90. Përveç dyshimeve për arrestim politik, ishte nisja e parë e një procesi që edhe politikanët me dhe pa imunitet do të ishin si “gjithë të tjerët”… Pas një hetimi dhe gjyqi të shpejtë, Nano do të dënohej me 12 vjet burgim, por në mars 1997, merr amnistinë presidenciale të Sali Berishës, pasi kishte kryer 1485 ditë burgim. Më vonë, Nano siguroi pafajësinë nga Gjykata dhe njëkohësisht mori një dëmshpërblim për burgim të padrejtë. Shenjat se politika nuk ishte e paprekshme ishin dhënë edhe një vit më parë, kur Prokuroria nisi hetimet për atë që njihet si skandalin “Arsidi” dhe arrestohet ish-kryeministri Vilson Ahmeti, i konsideruar përgjegjës për kambialin 1.6 milionë USD për të shlyer borxhin e jashtëm. Pas 2 vitesh në burg, nga këto, 8 muaj arrest shtëpie, Ahmeti merr pafajësinë në vitin 1995. Edhe brenda vetë kampit qeveritar të kohës, nisën procese hetimore, ku i bujshëm ishte ai që konsiderohet si “skandali i drurit të arrës”, ku ministri Financave, Genc Ruli, dhe ai i Bujqësisë, Rexhep Uka, kaluan në proces hetimi, por çështja u mbyll nga Prokuroria, pa shkuar në Gjykatë. Ishte ende kohë përplasjesh të forta politike, por edhe idealesh, ku fjala korrupsion i zyrtarëve të nivelit të lartë mbetej shumë e vogël. Politika eci, krimi gjithashtu, gati një hap me të. Lindi një tjetër klasë politike, pa shumë bosht ideologjik dhe programesh, por e lidhur me klientelizëm, grabitje të fondeve publike, allishverishe, të cilat jo vetëm shuan shpresën e idealistëve politikë, por i dhanë një hov një tjetër kategorie njerëzish, që përfshirjen në politikë dhe mbajtjen e posteve të larta shtetërore e shihnin si mundësi përfitimesh materiale. Shumë politikanë bënë “krime” rrugës, kryesisht me çështjet korruptive, por ndodh ajo që kurrsesi nuk pritej: “krimi i rrugës kapi elitën e pushtetit”. Akoma më rëndë, politikanë, duke nisur nga deputetë e më pas kryebashkiakë, anëtarë këshillash bashkiakë dhe drejtues të lartë të administratës politike, me të shkuar të errët kriminale, “hoqën” uniformën e burgut dhe veshën atë të zyrtarit. Nuk është më vetëm dyshimi se politika është e lidhur me krimin, por vetë krimi po bën politikën. Abuzimet me taksat qytetare, tjetërsimi i pronës dhe influencat që kanë mbytur konkurrencën e ndershme i kanë dhënë Shqipërisë “damkën e merituar” si vendi më i korruptuar në Evropë. Të gjitha shigjetat e sulmit janë përqendruar ndaj sistemit të drejtësisë, gjyqtarëve dhe prokurorëve, që nuk dënuan korrupsionin dhe zyrtarë të nivele të larta drejtuese, por pak ia kthejnë thikën vetes, që janë përgjegjës për afrimin e krimit në oazin e “parajsës” së paprekshme politike. Nga ana tjetër, shoqëria me të drejtë vote po bën “kompromisin e dhimbshëm”, duke marrë pjesë indirekte në këtë krim dhe duke votuar si përfaqësues të tyre të fortët, trafikantët apo grabitësit, edhe pse të shkuarën e tyre të hershme, por edhe të afërt e dinë mjaft mirë. Ndëshkimi i zyrtarëve të lartë u mbyll me kohën e largët të burgosjes së Fatos Nanos, ndërsa më pas, deri në rang zëvendësministrash ishin përballur me drejtësinë, por edhe ata në fund, pasi kryen disa kohë burgim, morën pafajësinë. Proces i bujshëm ishte ai i vitit 2001, ku zëvendësministri i Brendshëm Bujar Himçi dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Veli Myftari, u arrestuan dhe u proceduan penalisht për skandalin me tenderin e pasaportave. Pas disa muajsh burgim, ata morën pafajësi në Gjykatë. Po ashtu edhe ish-zëvendësministri i Transportit Nikolin Jaka u arrestua dhe u mbajt disa muaj në burg dhe në fund u shpall i pafajshëm. I vetmi person me status ministri që ka bërë burg dhe u fut në listën e “të ndëshkuarve” të nivelit të lartë është Spiro Ksera, që e ushtroi detyrën gjatë kohës së qeverisë “Berisha”, në mandatin e dytë të tij. Të gjithë emrat elitë të politikës me radhë kanë kaluar një herë nga dosjet e Prokurorisë, duke nisur nga Ilir Meta, Lulzim Basha, Edi Rama dhe ministra nga të gjitha kahet. Finalja për ta dukej ende pa nisur, ku dosjet ose janë mbyllur që në Prokurori, ose kishin “fundin e lumtur” me pafajësi në Gjykatë.
Dekriminalizimi, ligji “i fortë” që nuk pati vlerë
Rrotacioni politik pas tetë vitesh qeverisje të së djathtës, të kryesuar nga Sali Berisha, solli një tjetër pazëll në Parlament. Kjo lidhej edhe më një zhgënjim të madh popullor, nisur nga shumë skandale të dyshuara korruptive në nivele të larta drejtuese dhe një lloj arrogance e pushtetit. Partia Socialiste dhe LSI fituan shumicën, duke nisur koalicionin, i cili në vitet e para i ngjante një “dashurie të zjarrtë”, por në fundin e katër viteve kaloi në një “urrejtjeje pa fund”. Parlamenti i vitit 2013 do të mbahet mend jo vetëm për cilësinë e ulët intelektuale, por mbi të gjitha të personazheve të botës së krimit që ishin kthyer papritmas në ligjvënës dhe “përfaqësues të popullit”. Shpejt nisën të dilnin emrat e të dyshuarve për krime të rënda jashtë vendit, të cilët gjendeshin aty në Parlament. Përplasjet politike patën një të mirë edhe me nxitjen e faktorit ndërkombëtar për të hartuar dhe më pas miratuar me konsensus “Ligjin e dekriminalizimit”. Paradoksi ishte se vetë ata që miratuan ligjin do të prekeshin prej nismës së re. Gjashtë deputetë u detyruan të linin mandatin, pasi iu zbulua e kaluara e tyre kriminale. Më pas, me radhë, kryetarë bashkish, anëtarë të këshillave bashkiakë dhe drejtues të lartë të administratës publike mbetën në kthetrat e një ligji në dukje të ashpër. “Ligji i dekriminalizimit” vijon të tregojë se në politikën dhe administratën shqiptare ka ende persona të dënuar apo të hetuar për vepra të ndryshme penale. Nga marsi i vitit 2016 dhe deri më tani, janë mbi 400 zyrtarë të lartë publikë, të cilët janë larguar nga sistemi, pikërisht për të shkuarën kriminale. Një shifër e lartë në dukje, por frika nga ky ligj thuajse është shuar. Pas zgjedhjeve të 30 qershorit, janë zbuluar deri më tani gjashtë kryebashkiakë, të cilët dyshohet se kanë fshehur të kaluarën kriminale. Në proces verifikimi janë edhe disa të tjerë, të cilët me gjasë do t’i bashkohen shumicës “së damkosur”, por pasoja penale për ta ende nuk po shihen.
Politologu, Ilir Kalemaj: Dikur krimi financonte fushata politike, sot kandidon vetëKohët e fundit janë zbuluar një numër i madh zyrtarësh të lartë publik me të shkuar të errët kriminale. Përse persona me rekorde kriminale i afrohen politikës? Kujtojmë që “Ligji i dekriminalizimit” lindi si nevojë në vitin 2016 për të frenuar disi këtë fenomen, por sërish çdo ditë e më shumë rastet shtohen. A ka problem ligji apo çedon vetë politika?
Shqipëria, edhe si detyrim i përafrimit të legjislacionit me atë të Bashkimit Evropian, e ka për obligim të përshtasë acqui communitaire të BE-së dhe për këtë është dhënë asistencë ligjore dhe financiare në vazhdimësi nga Brukseli, edhe në kuadër të programeve CARDS (2001-2006), si dhe IPA I (2007-2013) dhe IPA II (2014-2020). Nuk ka qenë asnjëherë problem i mospasjes së ligjeve të mira, pasi edhe duke marrë parasysh se kemi qenë kuazisovran në vendimmarrje, ligjet i kemi adaptuar “Made in Europe”, por problemi ka qenë gjithnjë zbatimi. Kjo ka qenë thembra e Akilit. Qoftë për sa i përket vullnetit politik, qoftë për korrupsionin në gjyqësor apo për punën e mangët të organeve ligjzbatuese. Ajo që ka ardhur në progresion me kurbë të fortë rritëse ka qenë penetrimi i krimit në politikë, madje veshja me kostum zyrtar e krimit. Dikur kriminelët sponsorizonin ose mbështesnin fushata elektorale, sot guxojnë të kandidojnë dora vetë. Beteja e humbur me krimin sjell dhe atë që rëndom në literaturë njihet si “kapja e shtetit”. Asnjë ligj dekriminalizimi nuk mund ta zgjidhë me një të rënë të lapsit këtë punë, nëse nuk krijohen institucione të forta që kontrollojnë dhe balancojnë njëra-tjetrën.
Vende me demokraci hibride e kanë të zhvilluar këtë fenomen. Përse ndodh kjo që krimi dhe politika bëhen bashkë, aq sa sot është e vështirë të dallohet ku nis njëra dhe përfundon tjetra?
Ky fenomen ka qenë përgjithësisht i përhapur në Rusinë e Jelcinit në periudhën passovjetike, ku një pjesë e Dumës ishin kriminelë ose oligarkë me rekorde kriminale, të cilët arritën të hynin në organin më të lartë legjislativ të vendit. Natyrisht, i ndajmë në shkallë të ndryshme vende me demokraci hibride apo me tendenca të forta autokratike ku hyn edhe Shqipëria. Fakti që kemi rënë plot 23 vende në 3 vite në perceptimin e korrupsionit sipas Transparency International, duke u renditur tashmë krenarisht në vend të 106-të nga 180 vende, nuk duhet të na bëjë aspak krenarë. Një tjetër e dhënë e para dy ditëve nga Forumi Ekonomik Botëror na rendiste në vend të parafundit (të 87-ët nga 88) për sa i përket mobilitetit social që përfshinte faktorë si papunësia e të rinjve, mungesa e perspektivës etj. Natyrisht, në këto kushte, korrupsioni kapilar dhe martesa e krimit me politikën janë si vajisje për ingranazhet e ndryshkura të vendimmarrjes dhe ritheksoj se pa institucione të forta, pa rregulla loje të qarta ku “demokracia të jetë e vetmja lojë në qytet”, nuk mund të ketë luftë reale ndaj tendencave për “kapje shteti”.
Kemi edhe një shoqëri që ua njeh të shkuarën kriminale disa individëve, por përsëri i votojnë. Përse kjo prirje për të pasur në drejtim elementë të krimit që, të veshur nën petkun e biznesmenit, i futen politikës?
Fakti që dominojnë “të fortët”, “biznesmenët”, “oligarkët”, ata që kanë mundësinë financiare, mungesën e skrupujve, lidhjet e duhura me politikën të na imponohen edhe si ligjvënës, edhe si burokratë, në fund të dekadës së tretë të tranzicionit, është një fakt që duhet të na bëjë të reflektojmë, por edhe të reagojmë. Është koha që të ketë një pakt politik. Jo një pazar, por një pakt të vërtetë për të garantuar fillimisht gjërat thelbësore, të drejtën e gjithkujt për votë të lirë dhe të barabartë, të drejtën e fjalës të pakërcënuar nga petka censuruese, të drejtën e organizimit politik bazuar në demokracinë e brendshme partiake, të drejtën për të pasur rregulla loje të barabarta dhe akses në institucione të pavarura, që mandej të krijojmë edhe shtetin e mirëfilltë të së drejtës, kontroll dhe balancë mes institucionesh, një pushtet të tretë të vërtetë dhe të pakorruptuar, të pandikuar politikisht dhe që jep drejtësi të paanshme, por edhe një media kritike dhe një shoqëri civile vibrante. Në mënyrë që shqiptarët ta gjejnë shpresën këtu, në këtë vend, të besojnë që puna të vlerësohet, që djersa të shpërblehet, që ka një të ardhme për fëmijët e tyre në këtë vend.
Avokati Ledio Braho: Ligj i ashpër, por mund të forcohen masat administrative“Ligji i dekriminalizimit”, i hyrë në fuqi në vitin 2016, si nevojë e domosdoshme për të parandaluar përfshirjen e krimit në politikë, u konsiderua si ndër më të ashprit, që në thelb cenonte liritë dhe të drejtat e njeriut. Megjithatë, pas katër vitesh funksion, a mendoni se ka dështuar ky ligj?
Ky ligj është i ashpër dhe i miratuar në kushte in extremis, kur politika dhe institucionet u populluan me persona të dënuar për vepra nga më të rëndat. Qëllimi i këtij ligji ishte parandalimi i kriminalizimit të politikës dhe niveleve drejtuese të administratës qendrore dhe asaj vendore. Megjithatë, qëllimi nuk ishte vetëm parandalues, por edhe spastrues për të gjithë ata persona të inkriminuar që ishin pjesë e organeve që prekeshin nga ky ligj në momentin e hyrjes së tij në fuqi. Nuk mund të themi se ky ligj ka dështuar për faktin e vetëm se mbi 400 zyrtarë dhe të zgjedhur vendorë e qendrorë janë larguar ose janë penguar të kandidojnë për pozicione publike, çka tregon që zbatimi i tij jo në pritshmëritë e publikut nuk është çështje e vakumit ligjor, por e vullnetit për të zbatuar ligjin. Duke qenë se të gjitha subjektet që kanë pasur ndalime për kandidim në bazë të këtij ligji vijnë nga mazhoranca aktuale, është përgjegjësi e Partisë Socialiste që nuk ka përdorur një nga të drejtat që ky ligj u jep partive politike për verifikim paraprak të kandidaturave, kërkesa këto që mund të kryhen edhe jashtë periudhave zgjedhore duke marrë dhe pëlqimin e kandidatit. Për të gjitha rastet që ky ligj ka dhënë efekt sa i përket largimit nga pozicionet publike të të emëruarve apo të zgjedhurve, kanë qenë denoncimet publike të opozitës, të shoqëruara me kërkesa nga kjo e fundit, që kanë iniciuar verifikimin e këtyre subjekteve.
Kujtojmë se, pavarësisht klauzolave që përcakton, shumë individë kanë mundur ta kalojnë “filtrin”, ndonëse më vonë janë zbuluar se kanë të kaluar kriminale. A mendoni se duhen amenduar nene të veçanta dhe ashpërsuar edhe më shumë, që individët të cilët janë subjekt i këtij ligji, duhet t’i nënshtrohen verifikimit dy muaj para se të kandidohen?
Nuk është e nevojshme që të ketë parashikime të tilla ligjore, por duhet që partitë politike të kenë vullnetin politik që të kërkojnë verifikimin paraprak të kandidatëve potencialë që synojnë të përfshijnë në zgjedhjet vendore apo ato qendrore. Ajo se çka mund të sanksionohet në ligj për shmangien e këtij mosverifikimi paraprak është që në rast se të zgjedhur, subjekt ndalimi i këtij ligji, konstatohen në një moment të dytë se nuk duhet të kishin kandiduar për shkak të të shkuarës kriminale, partitë politike nën logon e të cilave kanë garuar, duhet të dënohen me dënime administrative me gjobë në vlera të konsiderueshme. Gjithsesi, ky ligj nuk i jep zgjidhje problematikës tjetër, që persona të inkriminuar nuk kandidojnë personalisht, por investohen për kandidimin dhe zgjedhjen e personave të tjerë që nuk kanë pasur probleme me ligjin, por janë totalisht të varur në vendimmarrjen e tyre nga grupe të caktuara kriminale. Dosja 339 tregoi fare qartë se si një grup kriminal u investua dhe arriti që të zgjidhte deputetë në Parlamentin e Shqipërisë si dhe të ndikonte në kandidimin për kryetar bashkie të personave të preferuar. /Fjala.al/