Virusi vdekjeprurës që erdhi nga tregu i shpendëve, ç’duhet të dimë për të

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Shpërthimi epidemik ndërkombëtar, i konsideruar si i sëmundjeve të frymëmarrjes, që thuhet se është shkaktuar nga një koronavirus i ri, iu ka marrë jetën të paktën 56 personave dhe ka infektuar mbi 600 të tjerë. Virusi që u lokalizua fillimisht në qytetin e Vuhan në Kinë, saktësisht në një treg që shet shpendë të gjallë, prodhime deti dhe kafshë të egra, tashmë ka marrë dhenë. Sipas të dhënave të NYT virusi  është përhapur në Japoni, Korenë e Jugut, Tajlandë, Singapor, Tajvan dhe Shtetet e Bashkuara.

Ekspertët në vende të tjera si Meksika dhe Arabia Saudite, po vlerësojnë rastet e mundshme. Zyrtarët në Kinë, kanë filluar mbylljen e linjave të transportit nga dhe për në Vuhan, dhe qyteteve të tjera të prekura. Kjo masë cilësohet drastike, në kushtet kur miliona kinezë kanë nisur pushimet e Vitit të Ri Hënor. Rasti i parë në SHBA u njoftua të martën, kur zyrtarët federalë konfirmuan se një burrë nga Uashingtoni që kishte udhëtuar së fundmi në Kinë, ishte shtruar i sëmurë në spital. Në fakt janë një sërë të dhënash që duhen të dihen mbi këtë virus që po çmend gjithë botën.

Ç`është një koronavirus?
Koronavirusi quhet kështu për shkak të qimeve që dalin rreth e rrotull membranës së tyre. Ato mund të infektojnë si kafshët ashtu edhe njerëzit, dhe mund të shkaktojnë sëmundje të traktit respirator, duke filluar nga të ftohurit e zakonshëm, deri në kushte të rënda si Sindromi i Frymëmarrjes së Rënduar ose SARS, që preku mijëra njerëz në gjithë botën në vitin 2003, duke i marrë jetën gati 800 prej tyre.

Zbulimi i  koronavirusit
Më 8 janar, “New York Times” raportoi se studiuesit kinezë kishin identifikuar një koronavirus të ri, si patogjenin e një sëmundjeje misterioze që kishte sëmurur 59 njerëz në Vuhan, një qytet me 11 milion banorë në Kinën Qendrore. Rastet lidheshin me punëtorët e një tregu ku shiten peshq, kafshë dhe zogj të gjallë. Më vonë, tregu u mbyll vonë dhe u dezinfektua.

Numri i të infektuarve
Të paktën 600 njerëz dihen zyrtarisht se janë infektuar, dhe të paktën 18 prej tyre kanë vdekur. Shumica e të infektuarve jetonin në Vuhan, ose kishin udhëtuar së fundmi atje. Nga ata që vdiqën, shumica ishin të moshuar me probleme shëndetësore kronike si diabeti dhe presioni i lartë i gjakut, çka që i bëri ata më të ndjeshëm ndaj komplikacioneve. Të paktën 17 nga ata që vdiqën ishin nga Hubei, provinca kineze kryeqyteti i të cilës është Vuhan.

Burimi
Burimi kryesor më i mundshëm i shpërthimit të kësaj epidemie janë kafshët. Edhe pse nuk është ende e qartë se cila. Përhapjet e sëmundjeve të ngjashme në të shkuarën, përfshirë SARS-in, besohet se kanë ndodhur nga tregjet e kafshëve të gjalla. Një koronavirus tjetër, që shkakton Sindromën e Frymëmarrjes së Rënduar të Lindjes së Mesme ose MERS, transmetohet tek njerëzit nga devetë. Edhe pse në fillim u mendua se pacientët e parë e kishin marrë sëmundjen në treg, autoritetet kineze thonë se sëmundja mund të transmetohet edhe nga një person tek tjetri. Një numër njerëzish në rritje, përfshirë stafin mjekësor që kujdeset për pacientët, janë infektuar. Kjo e bën më të vështirë kontrollin e këtij virusi.

Lexo edhe :  Pas gati një shekulli ndalim, lumi Sena në Paris rihapet për notarët

Vendet e prekura
Shumica e viktimave janë shënuar në Kinë. Por virusi është përhapur në disa vende të tjera, përfshirë në 5 vende aziatike:Tajvani, Tajlanda, Japonia, Koreja e Jugut dhe Singapori, si dhe në Shtetet e Bashkuara, një burrë në të 30-at. Ndërkohë, ekspertët në Meksikë janë duke shqyrtuar rastin e një burri të sëmurë që ishte kthyer kohët e fundit nga Vuhan.

Si transmetohet sëmundja?
Shkencëtarët nuk e dinë ende me saktësi se si përhapet ky virus. Por fakti që ai mund të transmetohet nga personi në person, e bën më të rrezikshëm sesa po të transmetohej vetëm nga kafshët tek njerëzit, thotë dr. Peter Rabinovic, drejtor i Qendrës për Përgatitjen ndaj Pandemive dhe Sigurinë Globale të Shëndetit në Universitetin e Uashingtonit.
Ndërkohë dr. Xhuli Vaishampajan, kryetare e Komitetit të Shëndetit Publik në Shoqatën Amerikane të Sëmundjeve Infektive, thotë se ka shumë gjasa që ai të transmetohet nëpërmjet kollitjes dhe teshtitjes, ashtu siç ndodh me gripin dhe viruset e tjera që prekin rrugët e frymëmarrjes.
Qendra Kineze për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, analizoi 198 raste të konfirmuara në Vuhan. Studiuesit zbuluan se 22 për qind e tyre, kishin pasur një ekspozim të drejtpërdrejtë në tregun e mishit, dhe 32 për qind kishin pasur kontakte me njerëz që ishin sëmurë me ethe ose sëmundje të frymëmarrjes. Por gati gjysma e tyre nuk kishin qenë as në treg, dhe as nuk kishin pasur kontakte me ndonjë të sëmurë. Nga 198 të infektuar, 25 janë shëruar, 3 kanë vdekur, dhe 170 të tjerë janë ende duke u kuruar. Nga këta të fundit, vetëm 9 ishin në gjendje kritike për jetën.

Mjekimi kundër këtij virusi

Për momentin, ndaj koronavirusit të Vuhanit nuk përdoret asnjë medikament. Trajtimi kryesor është kujdesi mbështetës, përfshirë sigurimin që pacienti të thithë mjaftueshëm oksigjen, dhe përdorimin e një ventilatori për të shtyrë ajrin në mushkëri nëse është e nevojshme, thotë dr. Vaishampajan. Pacientët duhet të pushojnë, dhe të pinë sa më shumë lëngje, “ndërsa sistemi imunitar bën punën e tij dhe shëron veten” tha ajo. Asnjë ilaç nuk është rekomanduar për t’u përdorur kundër ndonjë koronavirusi, edhe pse një ilaç antiviral i quajtur remdesivir, ka dhënë efekte pozitive tek kafshët.

Cilat janë simptomat?
Simptomat kryesore të infektimit nga ku virus përfshijnë ethet, kollën e fortë, dhe vështirësitë në frymëmarrje. Sëmundja shkakton dëmtim të indeve në mushkëri dhe pneumoni. Rastet më të lehta mund të ngjajnë me gripin ose një ftohje të rëndë, duke e bërë të vështirë zbulimin e virusit. Periudha e inkubacionit, koha nga ekspozimi tek fillimi i simptomave, besohet të jetë rreth 2 javë. Marrë me shkurtime nga “New York Times”/n.k/Fjala.al/

Të fundit

BE-ja i jep aprovimin Bullgarisë për anëtarësim në Eurozonë

Ministrat e Financave të Bashkimit Evropian i kanë miratuar hapat përfundimtarë që Bullgaria të bëhet anëtarja e 21-të e...

Dështoi në Bundesligë, ylli i Portugalisë pranon shitjen për hir të… Botërorit

Bayern ka vendosur ta shesë mesfushorin Palhinha. Portugezi ka dështuar në sezonin e tij të parë në Mynih dhe bavarezët nuk kanë durim për...

Evropa nuk ka pse të zgjedhë mes armëve dhe mirëqenies. Ka një rrugë tjetër

Po, shpenzimet për mbrojtjen duhet të rriten – por shkatërrimi i shtetit social për t’i financuar do të ishte një gabim i madh Shahin Vallée...

Serbia pengon sportistët të marrin pjesë në Evropianin e Esports në Kosovë

Nga 9 deri më 13 korrik, palestra “1 Tetori” në Prishtinë do të jetë qendra e sporteve elektronike në Evropë, teksa mikpret edicionin e...

“U bë kohë e gjatë me të njëjtët njerëz”, Rama sinjale të forta në Fier

Kryeministri Edi Rama sapo ka mbërritur në Bashkinë e Fierit, e drejtuar nga politikani dhe ish-deputeti socialist Armando Subashi. Ai ka paralajëmruar se edhe...

Lajme të tjera

Web TV