Arben Malaj tregon përplasjet në PS: Ja pse ika nga partia e Ramës!

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Ish-anëtar i Bordit të Bankës së Shqipërisë, Malaj ndjehet i keqardhur nga PS-ja, e cila ka mbështetur me votat e saj Ridvan Boden, ish-ministrin e Financave të PD-së dhe është shkarkuar nga vetë socialistët vetëm pse ka shprehur publikisht gabimet në qeverisjen e vendit.

Zoti Malaj, si u ndjetë që PS-ja mbështeti Ridvan Boden, ministrin e PD-së, i kohës së piramidave, në Bordin e Bankës së Shqipërisë dhe ju shkarkoi juve, ish-ministrin e saj të Financave?

Ndoshta është më mirë për publikun të pyesni Taulant Ballën, Arben Ahmetajn dhe Erion Braçen, sepse së bashku, gjatë opozitës 2005-2013, kanë kilometra faqe akuza kundër keqqeverisjes së financave publike gjatë 10 viteve që Bode ishte ministri i përhershëm i Financave të PD-së. Janë lehtësisht të aksesueshme për t’i studiuar apo ribotuar, gjenden në faqen zyrtare të Kuvendit të Shqipërisë. Personalisht, kisha kohë që e ndjeja sulmin mbrapa shpine të RABAVE-llave. Rama dhe manekinët e tij në PS dhe qeveri, tigrat prej letre dhe strucët, i kam i mëshiruar, sepse kemi pasur rrugë të ndara në përkushtimet tona ndaj vendit. Qeverisja Rama, siç provohet edhe nga indekset e fundit në përkeqësimin e demokracisë dhe të korrupsionit, do të jetë në të ardhmen e afërt, një rast studimor për shkaqet, për novatorizmin para-vjedhës dhe përmasat negative afatgjata të kapjes së shtetit.

Sa për qëndrimet e mia publike, po ndaj me lexuesit tuaj një model inspirues për të rinjtë. “Jam betuar t’i shërbej popullit të vendit tim, jo qeverive të tij”. Ky është mesazhi inspirues që vjen nga filmi “Sekretet shtetërore”, i vitit 2019, bazuar në një ngjarje të vërtetë. Një agjente e shërbimeve sekrete, e cila shkel ligjin dhe nxjerr një sekret shtetëror për luftën në Irak, doli e pafajshme me argumentin se “jam betuar t’i shërbej popullit të vendit tim, jo qeverive të tij”. Në Shqipërinë e sulltanit Rama dhe në Parlamentin e shokut Gramoz, të dënojnë pse i thua popullit tënd pasojat e rënda në të tashmen dhe të ardhmen e tij nga qeverisja e paditur, arrogante dhe e babëzitur e disa “rilindësve” të pangopur për pushtet abuziv absolut.

Ju vendosët t’i bashkoheni PAA-së. Përse ky vendim? Ishte propozim i zotit Duka apo afrimi juaj me këtë parti?

Dija është një e mirë publike, kur ajo përdoret vetëm pozitivisht. Pas një përvoje të gjatë në jetën aktive të vendit tim, jam ofruar të vë në shërbim të ambicieve elektorale, por edhe të misionit të saj fisnik, të Partisë Agrare Ambientaliste të Shqipërisë, të një partie progresiste e qendrës së majtë, njohuritë dhe eksperiencat e suksesshme si ekonomist, si profesor, si politikan, si studiues, pse jo edhe për partitë politike ku bashkohet më mirë dëshira për t’i shërbyer vendit tënd me njohuritë dhe eksperiencat konkrete. Me kolegun Duka kemi njohje të gjatë dhe respekt të ndërsjellët, kemi qenë bashkë në një periudhë kohë në qeveritë e socialistëve gjatë periudhës 1997-2005.

Vlerësoj shumë këmbënguljen e tij në ato vite për Ujësjellësin, rrugët deri edhe një fushë volejbolli për në Shijak. Ishte konkret, këmbëngulës dhe fjalëpakë. Ndihem shumë mirë që edhe sot nga vlerësimet publike, Goni ka një perceptim pozitiv si njeri i punës dhe burrë në kuptimin e korrektësisë njerëzore dhe politike me kolegët dhe njerëzit në tërësi. Ky është një aset i veçantë që u mungon shumë politikanëve shqiptarë. Shumë politikanë janë transformuar në të (vet) nënshtruar pa asnjë kontribut pozitiv dhe pa asnjë angazhim pozitiv, edhe pse paguhen nga taksat e shqiptarëve të varfër. Ata thjesht mbijetojnë si besnik të liderit të partisë, që i lë të Kapin Çfarë Duan të Kapin (KÇDK) në një qeverisje të paaftë, arrogante dhe të babëzitur.

Mendoni se Partia Agrare Ambientaliste qëndron më pranë spektrit të majtë dhe politikat e saj ekonomike qëndrojnë më afër filozofisë suaj?

Ndjej detyrim të qartësoj dy momente: E para, angazhimi im aktual është me statusin e këshilltarit për të punuar me kolegët e PAA-së për një strategji fitoreje. E dyta, aktualisht nuk jam anëtar i asnjë partie politike, PAA-ja mbetet një alternativë. Pas viti 2013, kur dola deputet i pavarur, në respekt mirënjohës të socialistëve të thjeshtë, aplikova tri herë për t’u anëtarësuar anëtar i thjeshtë në PS dhe tri herë nuk më pranuan. Kopjet e aplikimeve i disponoj të tria. U zhgënjeva dhe kam reaguar vazhdimisht për trendin negativ ku po futej PS-ja. Kam reaguar fort brenda strukturave të saj në vitet 2005-2013, si ish-anëtar i kryesisë se PS-së.

Por kam reaguar edhe publikisht, duke themeluar bashkë me disa kolegë “Lëvizjen për Mendimin Ndryshe/LMN”. Ne synonin modernizmin e PS-së, kërkonim që PS-ja të mos bllokonte procesin e integrimit, këmbëngulja që PS-ja duhet të organizohej me parimin e ndarjes së pushteteve brenda saj në nivel vendor dhe qendror, të eliminonte përqendrimet e të gjitha pushteteve në pak duar, ose më mirë në një dorë dhe të tjerët të ishin thjesht manekinë të kryetarit të PS-së. Kam qenë dhe jam kundër drejtimit neodiktatorial të PS-së, kulmuar ky model në kriminalizimin e saj në nivel vendor dhe qendror. Ndjej dhimbje që “Rilindësit” e paditur, arrogantë dhe të babëzitur e kanë dëmtuar aq rëndë një prej forcave politike më demokratike dhe më inspiruese deri në vitin 2005. Angazhimin në parti politike do ta bëj të ditur në kohën e duhur. Nuk kam asnjë ngutje, nuk synoj asnjë karrige.

Lexo edhe :  “Po krijoni një furtunë”/ Gogu: Doni apo s’doni anulimin e gjobave do ta bëjmë ligj

Dëshiroj vetëm t’i shërbej popullit të vendit tim. Garancinë më të madhe kam kontributet e mia si qytetar, si ekonomist me rreth 40 vite eksperiencë, si studiues, si politikbërës, si deputet me 16 vite eksperiencë, si ministër, rektor, anëtar i Bordit të Bankës së Shqipërisë. Të gjitha këto mandate publike e politike, në çdo hap të jetës sime kanë pasur të përbashkët tri elemente përcaktues: së pari, dashurinë për vendit tim, së dyti, integritetin njerëzor dhe së treti, kredibilititin profesional të certifikuar në mbylljen e piramidave ku gjatë qeverisjes së PD-së dhe Bodes ministër Finance, u vranë mbi 1500 shqiptarë, u plagosen mijëra individë, mbetem pa shtëpi rreth 6000 familje, ekonomia u shkatërrua, deficiti dhe borxhi publik u bënë një gur i rëndë edhe në qafën e bebeve të porsalindura.

A ka vend në Shqipëri për një riorganizim të së majtës, pasi nëse shohim politikat e partive politike në vend, nuk ka një qartësi mes politikave të majta dhe atyre të djathta…

Fatkeqësisht, PS-ja pasi është “mjelë” deri në palcë nga “rilindësit/majtistë”, rrezikohet shumë të ketë të njëjtin fat jo vetëm si PASOK-u, partia më e madhe e së majtës greke, qeverisëse për një periudhë të gjatë në historinë politike të Greqisë, por që u gërrye nga disa liderë të korruptuar. Korrupsioni e dëmtoi rëndë kredibilitetin e saj, sa jo vetëm ikën nga pushteti, por PASOK-u nuk arrin dot të ringrihet. Ka rënë aq poshtë në mbështetjen publike, aq sa rezultatet e saj elektorale edhe pse rreth 10 vite pasi ka ikur nga pushteti, luhaten nga 3-6% në zgjedhjet parlamentare.

Për të mos e dëmtuar të majtën progresiste si një domosdoshmëri historike dhe që shpreh raporte të forta me preferencat politike të votuesve shqiptarë, bazuar më shumë në besnikërinë fanatike të anëtarësisë se saj (kjo e kuptueshme dhe e respektueshme kur mban parasysh kulturën tonë të përgjithshme dhe atë politike në veçanti), se sa në qartësinë e dallimeve ideologjike apo programeve qeverisëse, si një detyrim mirënjohës ndaj socialistëve të thjeshtë që paralizohen nga të pangopurit për pushtet absolut, publikisht edhe kohë më parë, kam propozuar se lindja e një “SIRIZA” shqiptare mund të ndihmonte që përballë dështimit politik të PS-së, anëtarët, mbështetësit dhe personalitet të papërlyera nga korrupsioni, të PS-së, t’i bashkohen një partie të re të së majtës progresiste, me parime dhe funksionim sa më demokratik. Jo vetëm që e kam prezantuar idenë në publik, por e kam diskutuar në mënyrë informale edhe me disa figura të respektueshme të PS-së. Reagimi i tyre ndaj propozimit ka qenë pozitiv, por vullneti dhe hapat konkretë kanë munguar.

Vendi mbetet në një ngërç politik, si mund të vijë zgjidhja?

Një ngërç politik zgjidhet me ndërgjegjësim dhe angazhim publik të opinionit publik, që imponon një zgjidhje të re politike. Këtu vlen shumë për ne shqiptarët këshilla e ish-Presidentit amerikan, Jefferson, se “të vetmen gjë që duan tiranët, është heshtja e njerëzve me vetëdije të lartë”. Prandaj, ne shqiptarët duhet t’i pengojmë neodiktatorët të shndërrohen në tiranë që shtypin popujt e tyre. Ka disa hapa konkretë për të dalë nga ky ngërç, duke filluar me Reformën Zgjedhore. Anashkalimi i sistemit elektoral, spostimi i tij një kohë të dytë, mund të mirëkuptohet nga dëshira për të rivendosur ekuilibra të rinj politikë.

Kjo do të sjellë efekte vetëm afatshkurtra, pasi kriminalizimi i politikës shqiptare, fuqizimi i kryetarëve të partive politike me atributet e mbretërve me pushtet absolut dhe jo liderë vizionarë dhe inspirues, deficiti i madh demokratik, sa populli nuk voton në mënyrë të drejtpërdrejtë për asnjë përfaqësues të tij, kërkon reformim të sistemit politik dhe atij elektoral. Çdo anashkalim i këtij reformimi ofron ndoshta edhe zgjedhje të parakohshme, por jo hapa efektivë për një demokraci funksionale dhe me pjesëmarrje. Pra, pa reformim të sistemit politik dhe elektoral, çdo përpjekje është një kurim sipërfaqësor, çka e favorizon sëmundjen të avancojë, duke e bërë më të pasigurt shëndetin e demokracisë./ PANORAMA.al

Të fundit

Do të moderojë “Big Brother VIP Fan Club”/ Këshilla e Enxhi Nasufit për Heidi Bacin

Në emisionin e mëngjesit në “Top Albnia Radio” është folur për moderimin e “BIG BROTHER Fan Club” që do...

Belgjika do ndalojë cigaret elektronike nga Janari 2024

Nga janari i vitit 2024, Belgjika do të bëhet vendi i parë në Bashkimin Evropian që do të ndalojë shitjen e cigareve elektronike (vape-s)...

Kokëfortësia e dilemës evropiane

Dremush Shasha Dje liderët e Bashkimit Evropian takuan liderët e Ballkanit Perëndimor, ndërsa sot do të vazhdojnë samitin e BE-së me diskutimin rreth mbështetjes së...

Begaj: Sfida e medias, përballja me fake news! Përdorni pushtetin me përgjegjësi

Në pritjen e organizuzar me përfaqësuesit e medias me rastin e festave të fundvitit, Presidenti Bajram Begaj e cilësoi rolin e medias si kontributore dhe thelbësore...

SPAK, ditëlindje mes sfidash/Aktualisht ka 2 çështje të nxehta, po hetohen dhe biznesmenë

Eksperti i kriminalistikës Ervin Karamuço, i ftuar në një emision televiziv analizoi arritjet e SPAK, në 5-vjetorin e krijimit të tij. Ai tha se...

Lajme të tjera

Web TV