Nënkryetari i komisionit Hetimor për rrjedhjen e të dhënave të sistemit TIMS ka reaguar pasi u larguan nga mbledhja që po mbahej një ditë më parë. Në një postim të gjatë në rrjetet sociale, Toni Gogu tregon se përse bojkotuan mbledhjen, ndërsa sipas tij largimi ishte e vetmja mënyrë për të ndaluar shkeljen e ligjit.
Postimi i plotë i Toni Gogut
Dje u larguam me dhimbje nga Komisioni Hetimor për trajtimin e të dhënave TIMS. Në mbledhjen e djeshme ishim të shtrënguar që nga anëtarë të një Komisioni Hetimor, të bëheshim dëshmitarë sesi Ligji u shkel sistematikisht me injorancë si një gjë e pavlerë.
Ligji që duhet të respektonim për Organizimin dhe Funksionimin e Komisioneve Hetimore na ngarkon ne, ligjvënësve që: (cit.) të hetojnë përmes veprimeve procedurale për të sqaruar një çështje të veçantë (në rastin tonë, veprimtarinë e institucioneve të ngarkuara për mbrojtjen e sistemit TIMS), por pa marrë të pandehur dhe pa ngritur akuzë penale.
Ligji nuk na autorizon të akuzojmë, ndaj sa herë që akuzojmë në vend që të hetojmë, ligji shkelet. Ligji nuk na autorizon të shpallim fajtorë, ndaj sa herë që shpallim të tillë pa bërë ende asnjë pyetje, ligji shkelet.
Ne, ligjvënësit anëtarë të Komisionit Hetimor, në zbatim të ligjit për komisionet hetimore, ndihmohemi nga ekspertët ligjorë. Nga ata ekspertë ligjorë të Komisionit, që janë miratuar me shumicë të cilësuar. Ligji ngarkon ekspertët ligjorë për grumbullimin e informacionit dhe hartimin e Planit të Hetimit. Planin e Votimit ne e VOTOJMË, dhe më pas e zbatojmë me përpikmëri në thirrjen dhe pyetjen e dëshmitarëve dhe krerëve të institucioneve.
Sipas Ligjit!
Sa i paaftë apo në keqbesim duhet të jesh që të mos e kuptosh këtë?!
Ne ligjvënësit anëtarë të Komisionit hetimor Votojmë!
Votojmë çdo kërkesë për informacion! Votojmë planin e hetimit!
Votojmë çdo ndryshim apo plotësim të këtij pani!
VOTIMI është rregulli bazë në vendimmarrjen e një Komisioni (dhe jo vetëm).
Nuk ka mënyrë tjetër për të marrë vendim!
Ndaj kur kolegëve të Komisionit iu heq të drejtën për të VOTUAR, se bën sikur nuk i dëgjon, apo bën sikur nuk i sheh, jo vetëm që shkel ligjin, por i heq edhe Komisionit mundësinë që të marrë Vendime.
Sa i paaftë apo në keqdashje duhet të jesh që të mos e kuptosh këtë?!
Të shohësh Kryetarin e një Komisioni Hetimor, që injoron hapur jo vetëm ligjin e Komisioneve Hetimore, por edhe ligjet e logjikës së thjeshtë njerëzore, duke mos ja nënshtruar vendimmarrjen VOTIMIT, e tejkalon dhimbjen për Ligjin e shkelur.
Të shohësh dikë që nga karrikja e ligjvënësit REFUZON t’i nënshtrojë VENDIMMARRJEN VOTIMIT dhe beson se demagogjia mund të zëvendësojë procedurën më elementare nga e cila buron çdo vendimmarrje, të bën të ndjehesh i keqardhur edhe për demagogjinë e konsumuar më kot.
Komisioni është i detyruar nga Ligji që të votojë dhe miratojë me votë SECILËN KËRKESË PROCEDURIALE, të përgatitur nga ekspertët që i ka propozuar vetë.
Në një situatë si ajo e drejtimit të çartur të Komisionit Hetimor për TIMS-in, jo vetëm që bëhesh dëshmitar i një shkeljeje ligjore, por edhe i një sjelljeje në keqbesim dhe keqdashëse.
Më duhet të shpjegoj se kërkesat proceduriale për informacion që i dërgohen krerëve të institucioneve të rendit dhe sigurisë në republikën tonë, kanë nevojë të mbështeten me vendimmarrjen e deputetëve anëtarë te Komisionit. Për vendimmarrjen nevojitet Votim sipas Ligjit, sepse vendimet e Komisioneve Parlamentare, nuk janë si votimet e 5 mijë delegatëve, që votonin të ulur në 3 mijë karrige, e nga të cilat votime “merreshim vendime” të njoftuara e të zbardhura muaj të tërë përpara votimit.
Secila Kërkesë Proceduriale për informacion meriton vëmendjen dhe VOTËN E KOLEGËVE DEPUTETË. Dhe kur ia mohon këtë të drejtë të gjithë kolegëve, majtas e djathtas, jo vetëm që shkelet ligji, por nëpërkëmbet edhe inteligjenca e votuesve që presin të shohin rezultatet e hetimit parlamentar.
Për pak shoë politiko-mediatik, mund t’i qepesh edhe një batute të mjerë, thjesht sepse të ngjason me një shkop bejzbolli me të cilën mund t’u hakërrehesh kundërshtarëve politikë. Me batutë në gojë mund të shkelësh edhe Kodin e Eikës së Deputetit, por nuk zhbën dot procedurën parlamentare. Nuk zëvendëson dot VOTIMIN.
Nuk ka batutë që të shpëton nga procedura ligjore.
Komisioni hetimor, është i vetmi instrument që mund të na udheheqë drejt së të vërtetës objektive. Të paralizosh Komisionin Hetimor do të thotë minimumi të shkelmosh me arrogancë pritshmëritë e atyre që beson se të votojnë.
Shkelja haptazi e ligjit, Rregullores së Kuvendit dhe Kodit të Etikës, për më tepër me një arrogancë, që sa kohë nuk buron dot nga vota, me sa duket merr frymëzim nga padija, na e bënte të pamundur vijimin e mbledhjes.
Ndaj dhe u larguam, nga ajo skenë e shëmtuar, ku ligji shkelet dhe komisioni hetimor paralizohet me vetdije. Shpresojmë që Kryetari dhe kolegët opozitarë që kanë kërkuar të hetojnë, t’u kthehen pyetjeve dhe të lënë mënjanë deklaratat.
Të paktën deri në ditën që Komisioni mund të vendosë t’i thërrasë si dëshmitarë për aq shumë gjëra sa kanë deklaruar dhe pretendojnë se dinë. Atë ditë mund të DEKLAROJNË gjerë e gjatë!
Deri atë ditë është mirë të pyesin dhe të dëgjojnë, pra të hetojnë.
Dje u larguam, pasi me keqardhje konstatuam sesi ligji shkelej si të ishte bishti i një cigareje, që e ke ndezur sa për të kaluar mërzitjen apo sëkëlldinë e radhës. Shkelej me këmbë, me duar e me fjalë.
U larguam sepse largimi ishte e vetmja mënyrë për të ndalur shkeljen e ligjit.