Bunkerët, me punën e shqiptarëve dhe paratë e kinezëve. Flet Thoma Lakra

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Leonard Veizi

Në kasafortën sekrete të zyrës me një kod të pazbërthyeshëm, mbaheshin planet e punës për betonizimin e tuneleve të nëndheshme dhe montimin e kupolave gjysmë të çelikta. Mbi tavolinën në formë T-je, qëndronin dy telefona, një manual për lidhje ushtarake mes repartesh dhe tjetri 5-shifror për komunikimin me jetën civile. Pak më tej, në ballinën e murit, një hartë për stërvitje Shtabi. Asgjë tjetër në zyrën e komisarit të Divizionit nuk tregonte për “jetë komode”. Mbi krevatin e shërbimit 24-orësh mbuluar me batanije leshi, qëndronte helmeta dhe pantallonat kilota, ndërsa poshtë tij, çizmet e oficerit…

…Kjo ekspoze ka të bëjë me situatën e 40 viteve më parë. Atëherë kur çdo shkelje ajrore e territorit vijëzohej mbi planshetin prej peçiklasi, ndërsa mendohej se si popullsia 3-milionëshe, në rast bombardimesh masive, të strehohej e gjitha në tunelet dhe strehimet poshtë ndërtesave. Ndërsa sot nuk ka më gatishmëri, as helmetë e çizme për të veshur në 30 sekondat e para të marrjes së alarmit. Madje, sot ai s’ka nevojë as të japë urdhra me zë imponues. Është e thjeshtë: sepse ka dalë në pension. Në dokumente zyrtare ai mban gradën e kolonelit, por nëse spaletat do të konvertoheshin me rëndësinë e detyrës që ka pasur, ai pa dyshim do të ishte një gjeneral major. Sot, Thoma Lakra, një prej ish-drejtuesve të lartë të ushtrisë shqiptare, me detyrën e kryeinstruktorit për luftën me mina në Ministrinë e Mbrojtjes dhe më pas të komisarit të Divizionit të Xhenios, rrëfen për gazetën “Fjala” disa nga të fshehtat e punës në njësinë e fortifikimit, i vetmi dhe më i madhi në vend deri në vitin 1992.

Thoma Lakra gjatë një mbledhje

Si u lidhët me ushtrinë? Përse zgjodhët të vazhdonit Shkollën e Bashkuar?

Ç’është e vërteta, pas një pune 2-vjeçare si gjeometër në Berat, u gjenda atje ku kishte nevojë Partia, pra në Shkollën e Oficerëve në Tiranë. Ndonëse pa ndonjë pasion të veçantë për profesionin e ushtarakut, punova, mësova, u stërvita me seriozitet e përgjegjësi. Por e përsëris: ushtria dhe spaletat nuk ishin pasioni im.

Keni drejtuar sektorin e luftës me mina në Ministrinë e Mbrojtjes. Çfarë do të thoshte kjo për ushtrinë shqiptare?

Rasti e solli, pas përfundimit të studimeve në Akademinë Ushtarake në vitin 1972, të punoj në Aparatin e Ministrisë së Mbrojtjes si instruktor e më pas kryeinstruktor për luftën me mina, pranë korifenjve të armës së xhenios, gjeneralëve Mendu Backa e Alfred Moisiu. Ata ishin intelektualë të shkallës së parë, të formuar në zjarrin e Luftës Nacionalçlirimtare, me formim të plotë ushtarak jashtë vendit, me koncepte të plota për stërvitjen dhe përgatitjen e teatrit të luftës për mbrojtjen e vendit, të cilët dhanë një kontribut të pamohueshëm në zhvillimin e ushtrisë në tërësi, për formimin e gjithanshëm të korpusit të oficerëve të armës së xhenios, si dhe në pajisjen e njësive dhe reparteve më teknike e armatimeve të kohës në veçanti.

Në fakt, si ishte e organizuar sektori i luftës me mina në ushtrinë shqiptare?

Në luftën me minat, si pjesë dhe element i rëndësishëm i sigurimit të xhenios në lloje të ndryshme luftimi në njësi e reparte, bëheshin përpjekje për njohjen dhe përdorimin e municioneve të xhenios si këto, të mbetura si trofe lufte, minat kundërtanke e kundër këmbësorisë si dhe minave të bëra vetë të artilerisë shkëmbore, me synim rritjen e dendësisë së minimit dhe efekteve të tyre kundër kundërshtarëve. Përpjekje në atë kohë bëheshin sidomos për futjen në ushtri të përvojës së luftës në Vietnam, në aspektin e organizimit të drejtimit dhe të veprimit të luftës me mina në front e sidomos në prapavijë. Janë me dhjetëra mësimet treguese, stërvitjet për përdorimin e minave dhe të municioneve të adoptuara si mina. Natyrisht, sa më sipër, kanë vlerë në kuadrin e koncepteve politike, ideologjike e ushtarake të kohës.

Thoma Lakra

Cila ishte situata pas eliminimit të të ashtuquajturit “grupi puçist” në ushtri?

Pas “shpartallimit” të veprimtarisë armiqësore të grupit të puçistëve Beqir Balluku, Petrit Dume, Hito Çako, Rrahman Parllaku dhe gjithë “kasta” e gjeneralëve dhe ardhjen e Mehmet Shehut në krye të Ministrisë së Mbrojtjes, u bë riorganizimi i ushtrisë. U eliminua komandimi unik, u vendos roli i komiteteve të Partisë, që në shumicën e rasteve ishin njerëz të marrë nga terreni, me njohuri të cunguara ushtarake. Pra, u eliminua komandimi unik, pasi tanimë çdo vendim i komandës duhej kaluar nëpërmjet komiteteve të Partisë. Këtë lloj komande e kanë të gjitha ushtritë në botë me përvojë luftërash botërore. Shkurt, u dualizua me komisar e komitet partie. Megjithatë, ardhja e Kryeministrit Mehmet Shehu si ministër i Mbrojtjes, si një kuadër ushtarak me përvojë e me cilësi të larta teorike e organizative, shërbeu për eliminimin e tulatjes së oficerëve.

U cilësua si “bunkerizimi  i Shqipërisë”. Cilat ishin vitet ku u punua më shumë për ngritjen e qendrave të fortifikuara?

Filluan reforma të mëdha në ushtri si fortifikimi i brezave të mbrojtjes me qendra zjarri. Pozicione zjarr-artileri, fortifikimi i zonave të mundshme të desantimit ajror etj. Vlen të përmendet që tërë procesi i projektimit, prodhimit dhe i montimit të mbi 100 mijë qendrave të zjarrit u bë për afro 4-5 vjet (1975-1980). U bënë njëkohësisht qendrat e zjarrit të montuara me kërkesën e Mehmet Shehut, të cilat iu nënshtruan eksperimentimit me qitje direkte me të gjithë kalibrat e armëve, ku u nxorën konkluzionet dhe reflektime në projektimin dhe prodhimin e tyre.

Realisht, sa qendra zjarri u montuan në territorin shqiptar? A ishte i domosdoshëm apo i ekzagjeruar ky aksion dhe cilët ishin përgjegjësit e drejtpërdrejtë?

Në Shqipëri u prodhuan dhe u montuan rreth 100 mijë qendra zjarri. Vitet me intensitet më të lartë kanë qenë 1976-1980. Fortifikimi i vendit u krye sipas motos “Investimet në fortifikim janë më rentabilet”  ose “Sa më shumë djersë e fortifikim në kohë paqeje, aq më pak gjak në luftë”. Sipas koncepteve të kohës, fortifikimi ishte i nevojshëm, por në zbatimin praktik, u bënë edhe gabime, duke bërë vendosjen e qendrave të zjarrit në terren fushor ose në terrene të kalueshme nga teknika dhe mjetet e montimit.

Lexo edhe :  Studentja përplaset nga makina gjatë protestës në Beograd

A kanë pasur aksidente apo humbje jetësh njerëzore në dobi të fortifikimit?

Në procesin e ndërtimit të objekteve fortifikuese, edhe pse nga kuadri oficer bëhej kujdes për zbatimin e rregullave të sigurimit teknik, ka pasur edhe aksidente sporadike, të cilat në çdo rast analizoheshin me shumë seriozitet.

Cilat ishin sekretet e ndërtimit të objekteve, si ura, rrugë, diga?

Me porosi të Mehmet Shehut, që në fillim të vitit 1975 është bashkëpunuar midis ushtrisë dhe Ministrisë së Ndërtimit për të punuar që në fazën e projektimit për lënien e vendeve për minimin e urave në rast lufte. Po kështu, që në atë kohë ka studime në Ministrinë e Mbrojtjes për efektet negative nga përmbajtja, si rezultat i hapjes së portave të hidrocentraleve apo në rast të çarjes së digës së Vaut të Dejës, pasi në atë kohë ishte në shfrytëzim vetëm hidrocentrali i Vaut të Dejës.

Cilët ishin projektuesit e fortifikimeve madhore në Shqipëri, vendas apo të huaj?

Vlen të theksohet se të gjitha këto vepra fortifikuese u projektuan dhe u ndërtuan nga inxhinierët shqiptarë me fuqi punëtore kryesisht ushtarë. Ushtria u bë, me plot kuptimin e fjalës, shkollë edhe për përgatitjen e specialistëve të tillë, si muratorë, karpentierë, hekurkthyes, minatorë, zjarrmëtarë, saldatorë, mekanikë etj., të cilët mbas mbarimit të ushtrisë ushtruan në profesionet e mësuara në ushtri.

Baza ajrore Gjadër

Divizioni i Xhenios

U ndërtuan Gjadri, Porto Palermo e Poliçani

Por, cila ishte detyra kryesore e Divizionit të Xhenios? Në çfarë punimesh merrte pjesë efektivi i kësaj njësie gjigante? Një prej drejtuesve më të lartë të këtij Divizioni, ish-komisari Thoma Lakra, thotë për “Fjala”: “Divizioni i Xhenios u krijua në janar-shkurt 1983 dhe në përbërje të tij bënin pjesë dy brigada në Tiranë dhe Elbasan, katër reparte fortifikuese në Tiranë, Elbasan, Vlorë,  Berat; një brigadë urash në Kavajë; një Park i Teknikës së Rëndë në Tiranë. Të gjitha këto njësi e reparte kishin detyra konkrete të sigurimit xhenier në kohë lufte si dhe në interes dhe në dorë të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë si dhe detyra konkrete në kohë paqeje e në ndërtimin e objekteve fortifikuese. Ndër detyrat kryesore ishin:

-Përfundimi i Aerodromit të Gjadrit, i tunelizuar

-Baza e Shëngjinit të tunelizuar

-Vazhdimi dhe përfundimi i bazës në Porto Palermo

-Tunelizimi i Uzinës në Poliçan

-Ndërtimi i Uzinës së Lëndëve Plasëse në Elbasan

-Tunelizimi i Bazës Ajrore në Kuçovë

-Ndërtimi i depove të tunelizuar në Vermik Gjerbës, Qafë-Shtamë

-Ndërtimi i radiostacioneve për kohë lufte, në Bizë, Livadhe e Hamzit, Pukë, Teqe e Dushkut, Gramsh etj.”.

Baza e Porto Palermos

Dy bazat unike

Pse Mehmet Shehu ndryshoi urdhrin pas prishjes me kinezët

Por si u ndërtuan dy bazat më të mëdha në vend, baza ajrore e Gjadrit dhe baza detare e Porto Palermos? Thoma Lakra shpjegon: “Këto dy baza u ndërtuan sipas një marrëveshjeje të nënshkruar në fund të viteve 1960 me qeverinë kineze, me kushtin që me ndërtimin e objekteve të bëhej dhe lëvrimi i teknikës luftarake. Baza ajrore e Gjadrit mbaroi në fund të vitit 1975 dhe u bë lëvrimi i pjesshëm i avionëve luftarakë. Ndërsa baza e katerëve silurues në Porto Palermo nuk arriti të ndërtohej në kohë dhe me ndërprerjen e marrëdhënieve me kinezët, Mehmet Shehu dhe qeveria shqiptare ndryshuan destinacionin e saj, nga bazë për katerë silurues në bazë për nëndetëset. Vetëkuptohet që ndryshoi thellësia e detit në tunel nga 3 metra në 7 metra. Një punë shumë e vështirë inxhinierike dhe ekonomike që u realizua me shumë mund dhe sakrifica nga ushtarakët shqiptarë”.

Biografia në Divizion

Si bashkëjetuan njerëzit e besuar me armiqtë e regjimit

Në ato vite thuhej se Divizioni i Xhenios rekrutonte si ushtarë njerëz me probleme në biografi, të cilëve nuk u jepej armë në dorë. Por, si qëndronte realisht ky problem? Thoma Lakra, një prej drejtuesve kryesorë të kësaj njësie, sqaron: “Duke qenë se Divizioni i Xhenios kishte katër regjimente fortifikimi, të cilët kishin detyrë kryesore në kohë paqeje dhe kohë lufte, ndërtimin e objekteve fortifikuese, në ushtri mobilizoheshin ushtarë me probleme biografike (sipas kërkesave të asaj kohe) që asnjëherë nuk kalonin masën 25-30%. Bashkë me këtë kontigjent merreshin ushtarë edhe njerëz me probleme shëndetësore (aftësi të kufizuara si me probleme të dëgjimit, të shikimit, frymëmarrjes, zemrës, veshkave apo epilepsi e skizofreni). Ushtarët që kompletonin këto reparte bënin vetëm një ditë në javë stërvitje ushtarake. Zakonisht, nuk pajiseshin me automatik personal. Për sa i përket kuadrit ushtarak në tërësinë e tyre, janë karakterizuar nga dëshira për punë, nga ndjenja e përgjegjësisë dhe e seriozitetit, shpirtit dhe e sakrificës. Për vetë natyrën e punës, punimet fortifikuese kryheshin jashtë qendrave të banuara, me kushte modeste, kushte kantieri. Mund të them se oficerët e Xhenios punuan me devocion. Në emër të bindjeve se punonin për Atdheun, i falën gjithçka ushtrisë, rininë e tyre, rininë e grave të tyre, falën fëmijërinë e fëmijëve të tyre, sepse koha e qëndrimit pranë familjes ishte 3-4 ditë në muaj. Prandaj, është cinike, fyese dhe tallëse qëndrimi që mbahet nga qeveritarët ndaj statusit të ushtarakut. Trajtimi i tyre do të ishte shumë e ndershme të ishte si në të gjithë Evropën, ku në të aderojmë dhe shpresojmë të bëhemi pjesë.

Leonard Veizi/Fjala.al

 

Të fundit

Rama takohet me Zelenskyn: Nënshkruam një marrëveshje të rëndësishme në fushën e sigurisë

Kryeministri Edi Rama ndodhet në Davos, ku ka takuar presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky Në një postim në rrjetin e...

Për të gjithë “të bezdisurit” nga përkujtimi i 21 Janarit

Nga Mero Baze Të gjitha arsyetimet që ai përpiqet të japë për këto 14 vite – pse vrau – janë vulgare, të tipit “ata kaluan...

Çmimet e apartamenteve rritje me 15%, ja cilat janë zonat më të shtrenjta

Çmimet e apartamenteve do të vijojnë të rriten edhe për vitin 2025. Mungesa e fuqisë punëtore, rritja e kostove të ndërtimit, si dhe investimet...

Zhgënjim në tregun e kriptovalutave, monedha e Donald Trump në rënie të lirë

Kriptomonedha zyrtare e Donald Trump ka rënë me 32% gjatë 24 orëve të fundit. Kjo rënie vjen mes zhgënjimit për dështimin e presidentit për...

Pse shqiptarët blejnë rroba të përdorura?

Çmime më të lira, marka cilësore dhe origjinale, apo veshje ndryshe çfarë shiten në tregje apo dyqane, janë arsyet që vajzat e gratë kryesisht...

Lajme të tjera

Web TV