Me të drejtën që njeh ligji, unë kërkova dhe mbajta fjalën e fundit, drejtuar gjykatës, ku deklarova: “Zoti prokuror në pretencën e tij parashtroi të njëjtat akuza dhe konkluzione si në aktakuzë, sikur këtu, para kësaj gjykate, pothuajse gjatë njëzet ditëve, nuk iu bë një analizë e vërtetë akuzave, me shpjegime, përgjigje dhe ndërhyrje nga ana jonë. Të gjithë dëshmitarët, me përjashtim të njërit, që mu kundërvu për arsye personale, të thirrur nga prokurori dhe asnjë nga mbrojtja, provuan plotësisht deklarimet e mia.
Nga ana ime, u përmbahem shpjegimeve që kam dhënë në hetuesi dhe që kam paraqitur këtu para gjykatës, prandaj e quaj të kotë t’i përsëris. Por më falni të nënvizoj edhe një herë faktin evident që arrestimi im dhe ky proces penal janë bërë me qëllime politike.
Këtë fakt zoti Prokuror e ka vënë në evidencë që nga fillimi i pretencës së tij, kur ka përshkruar të kaluarën me fraza shumë të ashpra patetike, duke bërë edhe paralelizma letrare me ferrin e Dantes. Ato që ai ka thënë në fillim të pretencës nuk kanë të bëjnë fare me një proces ekonomik dhe financiar, siç pretendohet.
Është e qartë si drita e diellit se qëllimi i vërtetë i këtij procesi gjyqësor është diskreditimi politik i familjes së Enver Hoxhës para opinionit publik.
Mundesha lehtë t’u përgjigjesha këtyre akuzave që më janë bërë, por nuk dua ta përdor këtë tribunë për të shprehur opinionet, pikëpamjet e mia politike lidhur me të kaluarën dhe me transformimet që po bëhen në vendin tonë.
Çfarë ka bërë pushteti ynë popullor pas fitores mbi nazifashistët, kjo do të analizohet nga historia, që është gjykatësi më i drejtë në botë, për çdo vend dhe për çdo person. Edhe nëse ndokush në vendin tonë po përpiqet ta përmbysë historinë, një gjë do të shkruhet me shkronja të arta dhe kjo është: “Në 45 vjet që Enver Hoxha drejtoi Shqipërinë, ajo jo vetëm që u bë një vend i civilizuar, por ç’është më e rëndësishmja, ishte e lirë, e pavarur, nuk iu nënshtrua askujt dhe nuk lejoi të jetë e dominuar nga asnjë shtet, i madh apo i vogël qoftë”.Për të gjithë sot është e qartë se kush është përgjegjës për këtë varfëri të paparë të masave të gjera të popullit dhe se kush e shkatërroi Shqipërinë deri në këtë pikë, që nuk ka qenë as në fund të Luftës së Dytë Botërore. Ata që i projektuan këto shkatërrime me thirrjet “të arrijmë nivelin zero” dhe që sot kanë hequr maskat, sepse shumë nga ata janë trashëgimtarët e pronarëve të mëdhenj të atyre kohërave ose të kolaboracionistëve të nazifashistëve, me mentalitetin feudal, më kot kërkojnë arin e tyre nga familja Hoxha. Këta dhe kush të dojë le të venë e ta kërkojnë këtë ar tek riparimi i urave të shkatërruara nga lufta, në hekurudhat e para, në rrugët që i kanë lidhur qytetet deri në malësitë më të largëta, në moçalet që janë bonifikuar etj. Sot le të venë ta kërkojnë në gërmadhat e shkollave, kopshteve e çerdheve të fëmijëve, të poliklinikave dhe ambulancave, të furrave të bukës të fshatrave, që i kanë shkatërruar; në plantacionet e pyjeve, që i kanë djegur. Kështu, jo vetëm shkelën me këmbë djersën e popullit dhe të rinisë, por kanë shkatërruar dhe kapitalin e tyre, që pushteti popullor pas Çlirimit e përdori për të rindërtuar Shqipërinë e Re.
Për sa u përket ndryshimeve dhe përmbysjeve që kanë ndodhur në botën komuniste për arsye objektive dhe subjektive, Shqipëria jonë e vogël nuk mund të qëndronte jashtë këtij cikloni antikomunist. Në këto rrethana të brendshme dhe të jashtme, unë personalisht, si komuniste dhe anëtare e Komitetit Qendror të PPSH në fuqi dhe, për më tepër, si kryetare e Frontit Demokratik të Shqipërisë, kam mbështetur proceset demokratike, me shpresë dhe bindje se Shqipëria jonë do të ecë drejt progresit bashkëkohor, gjithmonë e lirë, që populli të rrojë më mirë. Kam mbështetur edhe pluralizmin e të menduarit dhe atë partiak, si hapa demokratikë, gjithnjë me shpresën që populli shqiptar do të jetë gjithmonë i bashkuar mbi baza solide dhe më të vetëdijshme, kam mbështetur pjesëmarrjen tonë në Komunitetin Europian, me bindjen që, përveç interesave jetike të shtetit tonë demokratik, në kuadrin e këtij Komuniteti, kombi ynë, i ndarë padrejtësisht nga Fuqitë e Mëdha, do të realizonte ëndrrën e tij shekullore të Bashkimit dhe të marrë në këtë Komunitet vendin që meriton si komb me histori dhe kulturë të lashtë.
Për aspektin ekonomik të pretencës dua të nënvizoj: Heqja e akuzës për shpërdorim të detyrës, është në favorin tim. Po kështu janë edhe uljet që janë bërë në tri- katër aktakuzat që më janë dhënë gjatë një viti burg. Por, nga ana tjetër, këto luhatje të masës së dënimit vënë në diskutim saktësinë e shifrave dhe vetë masën e dënimit, gati ekstrem, që propozoi prokurori. Ky propozim nuk merr parasysh as moshën time, as gjendjen shëndetësore të një gruaje, që 50 vjet të jetës së saj ua kushtoi popullit dhe Atdheut, në luftë dhe në punë. Dua të vë në dukje se në masën e dënimit nuk janë patur parasysh as konventat ndërkombëtare, ku, tashmë, Shqipëria merr pjesë ose i ka firmosur, për të mos folur për ndërhyrjet e shumë personaliteteve, të organizatave evropiane për mbrojtjen e të drejtave të njeriut etj., kopjet e të cilave më janë drejtuar edhe mua.
Për aspektin ligjor të shpenzimeve foli avokati im, Dhimitër Beshiri, me të cilin jam plotësisht dakord. Shpresoj që trupi gjykues do t’i marrë në konsideratë. Nuk pranoj kategorikisht fjalën poshtëruese që përdori prokurori, duke i quajtur këto shpenzime “vjedhje ose përvetësim me dashje”. Unë dhashë shpjegime pse janë bërë këto shpenzime, që janë reale, por nga ato, asnjë lek nuk ka hyrë në xhepin tim, nuk janë shpenzuar për interesa personale të miat apo të familjes sime. Ndërkohë, aty ka edhe shumë shifra që nuk janë të sakta, janë të manipuluara dhe për të cilat nuk kam asnjë përgjegjësi ligjore. Si në aktakuzë, edhe në pretencë theksohet mjaft fakti që unë jam mësuar të jetoj në “luks”. Nuk ia vlen të ndalem në këtë akuzë absurde. Kam vënë re se në pretencë për herë të parë është përdorur një ide e re, që unë para vitit 1985 paskam qenë “pasive”, ndërsa pas vitit 1985 qenkam bërë “aktive”, duke shtuar kërkesat për një jetë luksoze. Pse bëhet ky dallim dhe interpretim i ri, unë akoma nuk e kam kuptuar se çfarë synohet, kur nga persona të ndryshëm thuhen gjëra të fantazuara për rolin tim pranë Enver Hoxhës.
Është shumë e vështirë të flasësh për veten tënde, por e drejta e mbrojtjes sime para dënimit absurd që propozon prokurori, 14 vjet, që, në moshën time 73-vjeçare, do të thotë dënim me vdekje, sepse është shumë e vështirë të rezistosh në burg deri në moshën 88-vjeçare, më detyron të nënvizoj që unë nuk jetoj dhe nuk jam mësuar të jetoj në luks, sepse, sa për informimin tuaj, unë jam lindur në Manastir (Maqedoni) dhe serbët më kanë djegur shtëpi e katandi dhe pas shumë peripecive, po si ata që vuajnë akoma sot, shqiptarët e Kosovës dhe të trojeve të tjera shqiptare në ish-Jugosllavi, më 1927 kam ardhur me gjithë familjen në Tiranë, për të fituar bukën e gojës dhe për të ndjekur shkollën në gjuhën shqipe. Në moshën 20-vjeçare isha e vetmja delegate e grave të Shqipërisë në Konferencën historike të Pezës (16 shtator 1942) bashkë me figura të opinioneve të ndryshme, si Abaz Kupi, Ndoc Çoba, Myslim Peza etj., për të krijuar Frontin Antifashist Nacionalçlirimtar, për lirinë e Shqipërisë nga pushtuesit fashistë. Meqë merrja pjesë në të gjitha demonstratat e rinisë, atëherë më kanë dënuar me mbi 14 vjet burg, por kolaboracionistët dhe nazifashistët nuk mundën të më kapnin, sepse hyra në ilegalitet, këtu, në Tiranë, në mes të terrorit më të egër dhe, më vonë, dola partizane. Atëherë ata nuk mundën të më vënë prangat, por fati e solli që sot, pas 50 vjetësh, trashëgimtarët e kolaboracionistëve, që po hipin shkallët e pushtetit me revanshizëm, që hakmerren, më futën në burg, më vunë prangat dhe tani, nëpërmjet shtypit dhe mjeteve të informacionit të brendshëm dhe padronëve të tyre të jashtëm, dhe nëpërmjet rrugëve të tjera të errëta, kanë vendosur që vitet e jetës, që më kanë mbetur, t’i kaloj në burg.
Por në këto kohë të vështira që kalon Shqipëria, kur akoma jemi larg nga demokracia e vërtetë dhe nga funksionet me të drejta të plota të një shteti juridik, kur mohohet gjaku i 28 mijë dëshmorëve të Luftës, shumica e të cilëve ishin vetëm 20-25 vjeç, dhe kur mohohet 29 Nëntori, Dita e Çlirimit të Shqipërisë, arrestimi im, gjykimi dhe dënimi im nuk mund të ma ulin kokën, sepse nuk kam bërë asnjë faj, por kam punuar dhe luftuar për 50 vjet për emancipimin e grave dhe të shoqërisë shqiptare. Çfarëdo dënimi që do të më jepet, do ta pres me qetësi dhe me durim. E rëndësishme është që populli shqiptar është bërë më i vetëdijshëm për forcën e të drejtave demokratike që janë në duart e tij. Nga ai varen mirëqenia e tij dhe e ardhmja e Shqipërisë, si shtet, dhe, mbi të gjitha, si komb shqiptar.
Përfundoj, këtu para trupit gjykues, se jam plotësisht e ndërgjegjshme që nuk kam bërë asnjë akt penal të përvetësimit të pasurisë shtetërore, prandaj jam e pafajshme përpara ligjit”.
Më 27 janar 1993, gjykata e shkallës së parë më dha dënimin me 9 vjet. Kur çështja kaloi në Gjykatën e Apelit, unë nuk u paraqita, në vendin tim shkoi avokati. Kjo gjykatë më dënoi me 11 vjet burg, nga një gjykatëse grua, që ishte bërë edhe mike e familjes sonë.
SHËNIME PËR ILIRIN
Megjithëse në gjendje të rëndë shpirtërore, gjej forcë dhe po hedh në letër disa kujtime lidhur me burgosjen time dhe me ato ngjarje, që ranë veçanërisht mbi kokën e Ilirit.
Me t’u njoftuar familja, nga Saimiri (Xhuglini), për arrestimin tim – merret me mend goditja e rëndë dhe e dhimbshme që morën – menjëherë, Pranvera me Teutën futën në një valixhe të vogël disa ndërresa, ndonjë fanellë, triko, çorape leshi (ishte dhjetor) dhe të dy djemtë, Iliri me Sokolin, me vrap, u gjendën para derës së Burgut 313. Sigurisht, nuk i lanë të hyjnë.
Ndërkohë, mua më çuan në dhomën e kontrollit, ku ma shkundën çantën e dorës krejt. Nuk donin të më linin të mbaja as krehrin e flokëve. Prej aty, më futën në një qeli të ngushtë, sa gjatësia e një dysheku, më saktë, them, të një çilteje të hollë, shtruar përdhe.
Pas pak, hyri në qeli një funksionar i lartë, i veshur ushtarak, aq i bëshëm, sa mezi e nxuri dera dhe aq i gjatë, sa koka gati i prekte tavanin e qelisë. Siç mora vesh më vonë, ishte Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve. Ai kishte ardhur të më bindte të dorëzoja orën e Enverit, që e mbaja në dorë prej vitesh, si atëherë kur i matja rrahjet e pulsit, edhe më vonë, pasi zemra e tij pushoi së rrahuri.
Në dhomën e kontrollit insistuan fort për orën e dorës, por dhunë nuk përdorën. Kur erdhi drejtori i burgjeve, ky, me një fytyrë indiferente, m’u drejtua: “Zonjë, orën e dorës duhet ta dorëzoni, është rregull që duhet ta zbatoni”. Pas një debati të shkurtër refuzimi nga ana ime, e pashë që ishte e kotë të insistoja, ndaj i thashë e vendosur: “E dorëzoj, me kusht që ora t’i jepet menjëherë djalit tim, Ilirit, dhe të marr prej tij një konfirmim me shkrim”.
Drejtori më premtoi që kështu do të veprohej. Me një dhimbje të fortë në zemër, zbërtheva nga dora orën e dashur, ia dhashë drejtorit, i cili ia kaloi policit shoqërues, që kishte mbetur jashtë derës së hapur, pasi qelia nuk nxinte as tre veta. Pas disa minutash, polici u kthye me copën e letrës, ku Iliri më shkruante: “Mami, e mora orën e babit. Të përqafoj fort. Ilir”.
Polici zgjati përsëri dorën dhe lëshoi në qeli një valixhe të vogël, që ia kishte dorëzuar Iliri.
“Ç’ka aty?”, pyeti drejtori.
“Ndërresa”, i thashë.
“Hape!”, foli ai, gjithnjë serioz.
Përbrenda meje ziente zemërimi për këto që po më ndodhnin kaq papritur. Më shpërtheu inati, por unë, disi e përmbajtur, në heshtje dhe shumë serioze, hapa valixhen dhe, duke i marrë rrobat një nga një, ia shpalosja para fytyrës së tij, deri edhe të brendshmet ia tregova mu para fytyrës atij burri malësie (as vetë nuk e di si e bëra!).
Ai e kuptoi që po shfryja inatin tim dhe menjëherë iku, pa thënë asnjë fjalë. Pas shpinës së tij, kërciti dera e hekurt e qelisë. Mbeta vetëm.
U ula në çilten e hollë petë dhe, mbështetur te muri i lagësht, mendoja dhe përfytyroja sesi ndiheshin atje, në shtëpi, fëmijët e mi, të mëdhenjtë dhe të vegjlit, si dhe Sanoja e shkretë. Mendoja dhe reflektoja se ajo që po ndodhte me mua ishte pjesë e pandarë e asaj që po i ndodhte gjithë Shqipërisë dhe të ardhmes së saj.
Në ato kushte të paimagjinueshme, duke u dridhur nga të ftohtit e dhjetorit, nuk munda të fle dhe, gjithë natën, bisedova me Enverin. I tregova se ç’po ndodhte dhe sa e vetme kisha mbetur. Por iu përbetova:
“Do të qëndroj fort! Do të duroj çdo persekutim nga forcat e errëta të ashtuquajtur “demokratë”, me Sali Berishën në krye, i cili, personalisht, kërkoi me çdo kusht arrestimin tim. Do të mbroj me gjithë shpirt fitoret e Luftës Nacionalçlirimtare dhe të socializmit që ndërtuam. Do të mbroj me gjithë forcën e zemrës sime, përjetësisht të dashuruar me ty, i shtrenjti Enver, gjithë veprën tënde historike, që ua kushtove tërë jetën tënde Shqipërisë dhe të ardhmes së të gjithë shqiptarëve!
Enver! Do të rezistoj! Do të nderoj emrin tënd, si shoqja besnike e jetës!”.
Këto duken si shprehje patetike, por, kur je vetëm për vetëm dhe para të panjohurash të frikshme, kërcënuese, thuhen edhe gjëra që nuk shkruhen.
Në ato momente të padurueshme, i thosha vetes: “Jo, jo! Nuk do të turpëroj emrin që më ka lënë Enveri!”.
Nuk po kaloja tortura fizike, por tortura që të plagosin rëndë në dinjitetin dhe në personalitetin tënd, kur ishe e detyruar të viheshe në radhë me gra që kishin kryer krime dhe vrasje, kur ishe e detyruar të kaloje para qelive të kriminelëve recidivistë, në burgun e sigurisë së lartë, të jesh e vetmja grua mes tyre, të përdorësh të vetmen banjë që e përdornin edhe ata, dhe të jesh e detyruar ta lash me fshesë dhe t’i hysh me çizme, kur shpërthenin ujërat e zeza nga ËC-të e bllokuara. Të mos flas për dhjetëra privacione në shërbime të përditshme, si ngrohja e ambientit, uji i ngrohtë, banjë, të paktën, një herë në javë, ajrosje të përditshme, ambiente të përshtatshme e shumë të tjera si këto, që më mungonin.
Sa herë, kur revolta ime arrinte kulmin e vlimit, pata vendosur të bëja grevë urie! Por aty vendosja, aty hiqja dorë. Për dy arsye. E para, kisha frikë – jo nga vdekja, aspak – por sepse do të dobësohesha aq shumë, sa mund të mos zotëroja veten dhe vullnetin tim dhe nuk doja që bishat të gëzoheshin me gjendjen time dhe ta shfrytëzonin atë, duke e bërë objekt të fushatës së tyre diskredituese. A nuk menduan zotërinjtë demokratë se, duke e dhënë drejtpërdrejt në media gjithë procesin tim gjyqësor dhe, para akuzave të tyre “dërrmuese”, publiku do të shihte një grua të lëshuar dhe qaramane?! Por panë krejt të kundërtën.
Arsyeja e dytë që hoqa dorë nga greva e urisë ishin shqetësimet dhe dhimbja e madhe që do t’u shkaktoja fëmijëve të mi. Përveç dashurisë reciproke të pakufishme, unë për ta isha ende pika e referimit. Familja jonë, ato ditë, por edhe muaj e vite më vonë, ishte pa asnjë mbështetje. Pati dhe shokë, shoqe, miq të mi që nuk u bënë të gjallë, që u fshehën si minjtë, nga frika prej maçokëve të zinj, që kishin hipur në pushtet…
Nuk po flas këtu për procedurat e punës së burgut, sepse për to do të ndalem gjetkë, po shënoj vetëm disa momente të vështira, që i përjetova në burg personalisht dhe në kontakte me familjarët, veçanërisht ato me Ilirin, për të cilin po i shkruaj këto kujtime, nga qelia.