Shqipëria në hartën e rrezikut të tërmeteve. Katër zonat sizmike që po “thyejnë” shkencën. Sizmologët ende në dilemë për tërmetin e fundit 4.9 të shkallës rihter, nëse ishte pasgoditje e tërmetit të 26 nëntorit apo një vatër e re.
Paniku shkakton një tjetër viktimë mbrëmjen e së martës në Durrës. Çfarë po ndodh me vendin që ka nxjerrë faturën e rëndë 1 miliard euro nga dëmtimet e 26 nëntorit dhe shpresa te Konferenca e Donatorëve.
Nga Sebi Alla
Dhjetë sekonda tërmet, asnjë dëm serioz, por paniku shkaktoi viktimën e radhës mbrëmjen e së martës. Në tentativë për të zbritur nga pallati në ndërtim, roja i objektit, një 62-vjeçar, ra nga lartësia duke humbur jetën. Ndërsa tërmeti pushoi, një jetë njeriu iku nga frika që ka përfshirë qindra mijëra qytetarë në qarqet më të prekura në Durrës, Tiranë dhe Lezhë. Shumë banorë mbrëmjen e së martës e kaluan jashtë, nëpër makina, apo morën rrugën për në qytete të tjera për t’i shpëtuar jo rrezikut real, por anës psikologjike, e cila sot rëndon shumë në psikozën kolektive. Jemi zonë sizmike me rrezikshmëri të lartë, ku tërmeti tragjik i 26 nëntorit që mori jetën e 51 qytetarëve dhe shkatërroi mijëra banesa, e vërtetoi se Shqipëria përfshihet në hartën e zonave me risk serioz, të cilat lënë pas pasoja të rënda. Këtë herë tërmeti u regjistrua, pa pasur “drojën” e shkëputjes së energjisë elektrike, pasi është siguruar një UPS në kompjuterat e qendrave sizmologjike në Durrës dhe Tiranë. Por, duket se kaq është “investimi” në qendrat e sizmologjisë, edhe pse tërmeti i 26 nëntorit duhet të kishte dhënë alarmin për investime në këto qendra, si në bazë logjistike ashtu edhe burime njerëzore. Shpesh u referohemi sizmologëve grek, që herë pas here lëshojnë ndonjë deklaratë edhe të pabazuar shkencërisht, duke paralajmëruar tërmete të fuqishme në Shqipëri, por fakt është se sizmologët shqiptarë kanë kryer disa studime, por për mungesë fondesh kanë mbetur të skeduara nëpër arkiva. E martë 26 nëntor…, tërmet me magnitudë 6.4 shkalla rihter, 51 viktima, mijëra të lënduar dhe mijëra banesa të shkatërruara… E martë 28 janar, tërmet 4.9 e shkallës rihter, panik në Durrës dhe Tiranë! Ditët mund të jenë rastësi, tërmeti jo, pasi vendi ynë është zonë sizmike e theksuar dhe ndodhemi nën ndikimin e katër pllaka tektonike. Kemi një historik tërmetesh në vendin tonë, që vërtetojnë se një herë në 30-40 vite ka ndodhur lëkundje e fortë e tokës që shkakton dëme të shumta në njerëz dhe objekte. Ende nuk është përcaktuar nëse tërmeti i së martës me magnitudë 4.9 të shkallës rihter, i thellësisë 7 kilometra dhe epiqendër rreth 3 kilometra nga Fushë-Kruja, ishte pasgoditje e 26 nëntorit apo një vatër e re tërmeti. Sizmologu Llambro Duni tha se tërmeti i mbrëmjes së të martës ishte një paslëkundje në kuadër të tërmetit katastrofik të 26 nëntorit. “Tërmeti ka ndodhur në të njëjtin rajon që u përfshi më 26 nëntor, kështu që qartësisht është pasgoditje”, – tha Duni, ndërsa sizmologë të tjerë shprehen se është ende shpejt për ta përcaktuar qartësisht si paslëkundje apo një vatër e re.
Vetë shkenca është “çoroditur”, pasi më 21 shtator ra tërmet i fuqishëm me epiqendër në Durrës, i cili shkaktoi dëme të konsiderueshme materiale edhe në Tiranë. U mendua se ky kjo ishte vala më e fortë dhe të gjitha tërmetet e tjera që do të pasonin ishin paslëkundje, deri në qetësimin e zonave sizmike, por 26 nëntori 2019 përfundimisht vërtetoi se tërmetet jo vetëm janë të paparashikueshme, por edhe shpërndahen në zona të ndryshme të Shqipërisë. Sot i duhet besuar shkencës dhe reagimit shtetëror, ku ky i fundit ka për detyrë emergjente të ndryshojë ligjin mbi ndërtimet, të investojë në bazë materiale dhe njerëzore për ekipet e kërkim-shpëtimit dhe të ndërtojë banesat për mijëra të pastrehë. Nevojitet gjithashtu një kontroll i imtësishëm për të gjitha objektet e vjetra të ndërtuara para viteve ‘90. Më 17 shkurt, sytë e qeverisë janë kthyer nga Konferenca e Donatorëve, ku pritet të përcaktohet edhe shifra e ndihmës monetare që do të vijë nga vendet e BE-së, pasi të vetëm këtë kosto kaq të rëndë nuk mund ta përballojmë. Krejt ndryshe nga Turqia, e cila ndonëse u godit rëndë një javë me parë, duke shënuar 41 viktima nga tërmeti dhe mijëra banesa të shkatërruara, nuk pranoi asnjë ndihmë nga vendet e tjera, duke u shprehur se ishin në gjendje që ta përballonin vetë. Për të mos mbetur vetëm në “shpresën e shtetit”, kryesisht kompani private, por edhe individë po u drejtohen kompanive të sigurimit për të garantuar pronën pas çdo fatkeqësie të mundshme natyrore.
Fatura 1 miliard euro që rëndon shumë
Dy muaj pas tërmetit tragjik ende nuk ka një faturë të saktë mbi dëmet e tërmetit, por po flitet për një shifër rreth 1 miliard euro. Ishte Kryeministri Edi Rama, i cili pesë ditë më parë ia bëri të ditur ministrit të Jashtëm italian, i cili nga ana e tij rrudhi buzët për të treguar se është një shifër që rëndon shumë. Shpresat e qeverisë shqiptare në këto momente janë të varura nga data 17 shkurt, ku në Tiranë do të mbahet Konferenca e Donatorëve, ku vende BE-së, por edhe organizma të fuqishëm të biznesit ndërkombëtar pritet të japin kontributin në ndihmë të Shqipërisë. Nga burime konfidenciale të gazetës “Fjala” mësohet se fatura është ndarë në tri pjesë. Rreth 700 milionë euro përllogaritet dëmi i shkaktuar në banesat e qytetarëve në tri qarqet e prekura: Durrës, Tirana dhe Lezhë. Afërsisht 150 milionë euro është dëmi në bizneset private, kryesisht në Qarkun e Durrësit dhe pjesa tjetër po 150 milionë euro është shifra e dëmeve në objektet shtetërore, si shkolla, kopshte, çerdhe, spitale dhe qendra shëndetësore. Raporti paraprak është hartuar nga ekspertë të Bankës Botërore, Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Komisionit Evropian dhe qeverisë shqiptare. I njohur me emrin “Post disaster needs assesment” (vlerësimi i nevojave post fatkeqësisë), raporti nuk është final dhe mësohet se po bëhen ndryshimet e fundit, në mënyrë që të jetë i plotë pak para datës 17 shkurt, ku në Tiranë do të mbahet Konferenca e Donatorëve. Askush sot nuk është në gjendje që të premtojë se shifra një miliard euro do të merret përsipër si kosto e vendeve të BE-së në ndihmë për Shqipërinë, por ka ende dyshime se është një formë për të tërhequr sa më shumë para nga donacionet. Deri më tani janë akorduar nga KE 15 milionë euro si ndihmë paraprake për fazën e parë të pasojave të tërmetit. Gjithashtu, qeveria shqiptare ka premtuar se brenda vitit 2020 të gjitha banesat e shkatërruara në zonat rurale do të rindërtohen, por gjithsesi kjo varet nga donacionet.
Tërmeti rrit interesin për kontratat e sigurimit të pronës
Tërmeti i 26 nëntorit ka nxitur kompani të ndryshme private që t’i drejtohen tregut të sigurimeve për të siguruar pronën nga fatkeqësitë natyrore, përfshi edhe tërmetin. Sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, gjatë muajit dhjetor të vitit të kaluar ka një rritje të ndjeshme të numrit të kontratave për këtë klasë sigurimi dhe të primeve të shkruara bruto. Të dhënat zyrtare tregojnë se në dhjetor 2019 u nënshkruan 4362 kontrata për sigurimin nga zjarri dhe dëmtime të tjera në pronë, me një rritje prej 29.4% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Kompanitë private kryesisht, duke parë dëmet e shkaktuara nga tërmeti i 26 nëntorit u janë drejtuar kompanive të sigurimit, pa pritur dëmshpërblimin që mund të vijë nga shteti. Gjithashtu, po diskutohet që për një kategori të caktuar të biznesit sigurimi të jetë i detyruar, kjo për shkak të kostove mjaft të mëdha që mund të kenë për buxhetin e shtetit në raste të fatkeqësive natyrore. Primet e shkruara bruto për dhjetorin 2019 arritën në 325 milionë lekë, me rritje prej 77% në raport me të njëjtin muaj të një viti më parë. Kjo tendencë është krejt e kundërt me 11-mujorin, ku primet e kësaj kategorie sigurimi kishin rënë me 15%. Ritmet e larta të rritjes në dhjetor kanë bërë që për gjithë vitin 2019 rënia e primeve bruto të zbutet në rreth -7%. Sigurimet vullnetare për sigurimin nga zjarri dhe dëmtimet në pronë mbeten në një peshë mjaft të ulët ndaj totalit. Në 2019-ën, ato përbënin 7.4% të numrit të kontratave dhe 13% të totalit të primeve. Tashmë ka një tendencë në rritje, por ekspertët parashikojnë se pas fluksit të parë të kompanive, të cilat sigurojnë bizneset, mund të ketë sërish ulje në vijim sa më shumë kalon koha e tragjedisë së tërmetit.
Mbi 800 pasgoditje nga 26 nëntori
Mbi 800 tërmete kanë rënë që pas 26 nëntorit. Edhe ai i të martës, sipas sizmologut Rrapo Ormeni, është në vazhdën e pasgoditjeve të tij. Ai shton se tashmë njerëzit duhet të mësohen me këto lëkundje sizmike, pasi vendi tashmë ka kaluar në një periudhë me aktivitet sizmik më të lartë. “Tërmeti i 26 nëntorit tregoi që ishte i fortë. Duhet të mësohemi me tërmetet, sepse tani kemi kaluar në një periudhë me aktivitet sizmik më të lartë, siç e tregojnë edhe tërmetet në zonën e Durrësit. Tërmeti i Durrësit ishte me një magnitudë 6.4 të shkallës rihter, i cili zakonisht shoqërohet me pasgoditje të cilat vazhdojnë për një periudhë disa mujore. Përderisa tërmeti i djeshëm ishte afër epiqendrës së lëkundjeve sizmike të 26 nëntorit kuptohet që pasgoditjet e atij tërmeti nuk kanë përfunduar dhe janë në vijueshmëri dhe kjo arsye na çon të mendojmë që është një pasgoditje”, – u shpreh Rrapo Ormeni. Në një intervistë për “A2”, sizmologu Ormeni mohon së tërmeti i magnitudës 4.9, i së martës të ketë lidhje me atë të Turqisë. “Ky tërmet nuk ka lidhje me atë të Turqisë. Në Turqi kemi pllakën e Anadolias, e cila shtyhet me pllakën aziatike dhe aty janë regjistruar dy thyerje të mëdha që sjellin zhvendosje horizontale dhe në këtë zonë janë raportuar edhe tërmete më të mëdha që kanë arritur në 7.9 rihter”, – deklaroi Ormeni.
Alarmi për tërmet 7.5 ballë në Turqi, “qetësi” në Shqipëri
Bëri jo pak bujë deklarata e ministrit të Brendshëm të Turqisë se vendi duhet të përgatitet për një tërmet me magnitudë shkatërruese 7.5 të shkallës rihter. Shumë sizmologë dhe ekspertë të gjeologjisë e kundërshtuan këtë deklaratë, duke theksuar se tërmetet nuk mund të parashikohen, por thelbi i deklaratës së ministrit turk lidhej me masat që duhet të merrnin në rast të çdo rreziku. Paralajmërimi i ardhur nga Turqia për një tërmet 7.5 të shkallës rihter mund të prekë këtë vend pas atij të pak ditëve më parë, por për sizmologët shqiptarë nuk ka arsye për panik. “Është një tërmet me magnitudë 7.5 rihter, që i thonë mbi 10 ballë. Kjo do të thotë që shkakton dëmtime të mëdha. Vetëm godinat e ndërtuara fort i rezistojnë. Por, Shqipëria është rreth 2500 km larg, ai këtu do të vijë 5-6 ballë. Nuk shkakton asgjë te ne. Pragu kur fillojnë dëmtimet është 7 ballë. 6 ballë nuk ka efekt dëmtues, 5 ballë është vetëm i frikshëm që ndihet nga njerëzit. Që nga epiqendra që është në Turqi këtu vjen i ulët. Ai do të ketë efektin e ndjeshmërisë, por jo efekt dëmtues. Energjia do të shuhet”, – shprehen ekspertët shqiptarë. Gjithashtu, ata argumentojnë se Shqipëria dhe Turqia ndonëse me zonë të lartë sizmike, nuk ndodhen në të njëjtën pllakë tektonike. Në Turqi, përveç ministrit të Brendshëm, pati paralajmërim edhe nga Engin Er, president i Dhomës së Inxhinierëve Gjeologë, i cili u shpreh se një tërmet me fuqi 7.6 ballë pritet të godasë në Silivri, pranë detit Marmara. Sipas tij, lëkundja do të jetë kaq e fortë, sa do të ndihet deri në Itali dhe Austri.
Psikologjia e tërmetit, si të menaxhojmë frikën
Mbrëmjen e së martës, 28 janar 2020, një tërmet me magnitudë 4.9 i shkallës rihter zgjoi makthet e pësuara nga lëkundjet e dy muajve më parë. Tërmeti i së martës, pritej. Sipas sizmiologëve vendas, këto lëkundje cilësohen si pasgoditje të natyrshme sizmike, referuar të dhënave historike e shkencore. Psikologjikisht është e rëndësishme të vëzhgohet se çfarë ndodh në ato çaste në mendjen e individit. Gjithçka ndryshon, dhe sa hap e mbyll sytë, vlerat ndryshojnë në mënyrë thelbësore. “Të gjitha mendimet i nënshtrohen një mutacioni vendimtar dhe të dhunshëm. Kjo ndodh kur ekziston hipoteza e diçkaje që prish përpjekjet e tërë ekzistencës dhe rrëzon renditjen që ka për të gjitha gjërat”, thotë në një analizë të dy muajve më parë, Doktor Loris Pinzani, psikolog dhe psikoterapeut italian./Fjala.al