Plani i Duçes, ta kthente Tiranën nga orientale në qytet monumental

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

INTERVISTA/ Ariola Prifti, doktore e shkencave në trashëgimi kulturore, flet për studimin e saj më të ri

Nga Leonard Veizi

 Italianët erdhën si pushtues në Shqipërinë e vitit 1939, por nuk u sollën si armiq. Madje, ata, për qëllimet e tyre kolonialiste, u munduan t’u jepnin një fytyrë “alla romana” qyteteve më të mëdha të tipit orientalist në vend. Dhe, për të vënë në jetë planin e tyre ambicioz, Benito Musolini solli në Shqipëri arkitektët më të mirë të Romës.

Ariola Prifti, doktore e shkencave në trashëgimi kulturore, e cila është marrë gjatë me një studim të thelluar mbi profilin arkitekturor të Shqipërisë në vitet 1925-1943, na jep një panoramë më të qartë rreth investimeve italiane në periudhën e Zogut dhe të asaj që u drejtua nga Fasho. Në një intervistë për “Fjala” ajo thotë:

Në çfarë kushtesh ishte arkitektura shqiptare 13 vjet pas Pavarësisë?

Arkitektura shqiptare e viteve ‘20 ishte në kushtet e një arkitekture mesjetare. Në vitin 1920 Kongresi i Lushnjës vendosi që kryeqytet të bëhej Tirana dhe aty filloi kthesa. Filluan të bëheshin punime për rehabilitime rrugësh e ndërtesash. Ishte një rikualifikim i qytetit për ta kthyer Tiranën në një qendër urbane të vërtetë. Dhe jo vetëm Tiranën, por edhe qytetet e tjera kryesore të Shqipërisë. Lidhjet që u krijuan me Italinë, pasi Ahmet Zogu mori pushtetin, ishin shumë të favorshme sa u përket dhe ndryshimeve arkitekturore dhe inxhinierike që pësoi Shqipëria në ato vite. U çliruan fonde për zhvillim, të cilat u morën hua nga bankat italiane dhe u përdorën për rindërtimin e qyteteve.

Dr.Ariola Prifti

Përveç huave, a pati ndikim tjetër nga Italia?

Pati një kërkesë nga qeveria shqiptare, që italianët të merrnin në dorë planin rregullues të Tiranës. Qeveria fashiste do të dërgonte një nga eksponentët më aktivë të urbanistikës italiane të kohës, arkitektin Armando Brazini. Ai erdhi në Shqipëri në vitin 1925, me dëshirën për të projektuar një qytet monumental. Ai propozoi ndryshimin e Tiranës duke u frymëzuar nga stili barok. Pas analizës që Brazini bëri për kryeqytetin, në të cilin mbizotëronin tiparet orientale, mendoi të ndërhynte në mënyrë radikale në raport me indin urban të qytetit, duke krijuar një prerje të fortë me sensin e një bulevardi monumental. Orientimi i bulevardit do të ishte sipas aksit veri-jug, tipar ky i ndërhyrjeve urbanistike që kryenin romakët e lashtë në kolonitë e tyre, sipas aksit të ashtuquajtur në latinisht “cardo maximus”, duke krijuar në pjesën e ndërthurjes së akseve një “Forum”, që në latinisht është sheshi, pra “Piazza”. Brazini i dha një karakter të fortë gjysmërrethor sheshit të ministrive. Gjuha arkitektonike e propozuar prej tij ishte e tipit neoklasik-monumental, ku shpesh dalin në pah trajtat baroke.

Brazini pati bashkautorë të tjerë në kuadër të rikualifikimi urban të Tiranës?

Në planet rregulluese të Tiranës u përfshinë edhe arkitektët e talentuar të viteve ‘30, Florestano di Fausto dhe Gerardo Bozio. Këta i dhanë Tiranës frymën e një kryeqyteti perëndimor modern. Kontributi i arkitektëve italianë në ndërtimin e Tiranës pati një shtrirje kohore prej 20-vjetësh. Tirana moderne në konceptin e përgjithshëm ngjason më shumë me qytetet e reja të themeluara në Itali gjatë periudhës së pushtimit fashist dhe më pak me planet që u zbatuan në kolonitë e tjera italiane. Kjo arkitekturë italiane në Shqipëri u zbatua falë punës së teknikëve të rinj, të cilët i përkisnin shkollës romane dhe asaj fiorentine.

Ku do të përqendroheshin punimet?

U bënë një sërë projektesh të rëndësishme në të gjitha territoret e qyteteve më të mëdha të Shqipërisë. Vetë Musolini kishte një interes të veçantë për arkitekturën e Italisë dhe kërkonte që kjo të shtrihej edhe në vendet satelite, si në rastin e Shqipërisë, Etiopisë etj. Kështu, të njëjtën arkitekturë që është zhvilluar në Shqipëri, e gjejmë të zhvilluar edhe në disa vende të tjera dhe kanë disa pika të përbashkëta e pothuaj identike, sepse janë të njëjtët arkitektë që kanë punuar si në Afrikën e Veriut ashtu dhe në Shqipëri.

Cilat janë qytetet që përfituan nga fondi italian?

Përfituan Tirana, Durrësi, Vlora, Shkodra. Më pas u bënë projekte, por nuk u përfunduan në qytetet e Beratit, Sarandës dhe Elbasanit. Kemi projekte që ende ruhen në arkivat e shtetit të cilat shpesh janë riparë nga qeveritë e mëvonshme. Diku ato vihen në zbatim e diku bazohen në to. Në këtë periudhë u bë dhe një rregullim i qartë i gjithë këtyre qyteteve, pra qyteteve më të rëndësishme të Shqipërisë. Që nga kanalizimet, urat lidhëse, është bërë një punë kolosale edhe për sa i përket infrastrukturës rrugore.

Pse ndryshon koncepti arkitekturor i bllokut të ministrive me objektet te Politekniku?

Janë dy projekte të ndryshme. Arkitektëve Florestano di Fausto dhe Vitorio Balio Morpurgo iu besuan detyrat për projektimin e ndërtesave ministrore në Tiranë, në Durrës dhe qytete të tjera. Mbi bazat e këtij projekti në vitin 1939 vjen Gerardo Bozio. Në këtë kohë Florestano di Fausto ishte larguar me një detyrë tjetër, duke e lënë planin në mes. Bozio u ngarkua posaçërisht nga Musolini për të vazhduar projektin.

Lexo edhe :  Diaspora shpreh shqetësim për skadimin e dokumenteve, thirrje për ndërhyrjen e qeverisë

Në këtë kohë, problemi më urgjent që kërkonte zgjidhje ishte përcaktimi dhe organizimi i zonave të reja ku do pozicionoheshin lagjet e reja rezidenciale të destinuara për popullsinë italiane. Bozio filloi nga revizionimi i planit të vjetër dhe në vitin 1940 kompletoi planin e ri rregullues. Mund të them se arkitektët ishin më së shumti artistë, pra piktorë e skulptorë. Kjo është edhe arsyeja e ndryshimit të fasadave. Në bulevard pjesa e xhamisë është ruajtur gjithmonë, kjo ishte kryesore për arkitektët. Sepse, kishin si synim të ruanin tiparet e vendit ku punonin. Pra, nëse i referohemi ndërtesës së Politeknikut, shohim që është ruajtur tipari i kullës shqiptare. Ky lloj kulle përdorej gjerësisht në Veri, por edhe në Gjirokastër. Në këtë mënyrë u përshtat arkitektura moderne në kontekstin arkitekturën vendëse. Shumë prej këtyre autorëve edhe në shënimet e tyre që kanë bërë gjatë periudhës që ndërtonin, kanë lënë të shkruar këtë lloj përshtypjesh.

Diçka mbi ndërtimin e godinës që sot njihet si Pallati i Brigadave?

Fillimisht u njoh si Pallati i Mbretit, edhe pse mbreti u largua nga Shqipëria para se pallati të përfundonte së ndërtuari. Kjo ndërtesë është një muze më vete, por mund të konsiderohet edhe si një galeri e kryeveprave dhe arkitekturës botërore. Pallati Mbretëror nisi të ndërtohej në fund të periudhës së monarkisë së Mbretit Zog, në vitin 1938. Ai do të shërbente si pallat mbretëror dhe si seli zyrtare për mbretin. Projekti i Pallatit u realizua nga një grup prej tre arkitektësh italianë, Florestano di Fausto, Xhulio Berte dhe Gerardo Bozio. Ky projekt u realizua nga ekipi italian i sipërpërmendur, si edhe nga inxhinierë dhe arkitektë të njohur shqiptarë si Vasil Noçka e Kristo Sotiri. Basorelievet dhe skulpturat janë vepra të artistëve italianë, midis të cilëve Antonio Maraini, por edhe shqiptarë si Odhise Paskali.

Pallati është në stilin e racionalizmit monumental dhe sot ruan të njëjtin stil dhe dizajn, si në pamjen e jashtme ashtu dhe në arkitekturën e brendshme të interierëve, në mobilimin e ambienteve e deri në pajisjet më të vogla të jetës së përditshme. Më parë se kaq, në vitin 1928-‘30, Di Fausto kishte ndërtuar për Mbretin Zog Pallatin Mbretëror të Durrësit.

Godina e Bankës së Shqipërisë është cilësuar nga më të veçantat në këtë kompozim…

Kjo godinë i përket stilit arkitektonik të racionalizmit, rrymë e cila lulëzoi në gjysmën e parë të shekullit XX në Evropë. Ky stil shquhet për volumet e mëdha dhe linjat e forta në fasada. Kryesisht, ai është zbatuar në ndërtimet shtetërore me karakter zyrtar, me qëllim që të shprehte forcën e qeverive të asaj kohe dhe është përdorur në shumë vende të Evropës Perëndimore. Në këtë këndvështrim edhe godina e Bankës së Shqipërisë bën pjesë në ndërtimet më të spikatura të asaj kohe në llojin e vet, rrymës racionaliste.

Pse u ndal studimi juaj në vitin 1943?

Sepse këtu ndërpriten marrëdhëniet me Italinë, pikërisht pas rënies së regjimit fashist dhe kapitullimit të Fashos gjatë Luftës së Dytë Botërore.

A i qëndruan kohës ato çfarë ofruan arkitektët italianë të fillimshekullit të kaluar?

Këto ndërtesa të ndërtuara në njëzetvjeçarin fashist kanë lënë shenja të thella në të gjitha kolonitë italiane ku ato janë ndërtuar. Pas manisë së madhështisë së Benito Musolinit, fshihet një rrymë arkitektonike ndër më interesantet dhe inovativet. Ndërmjet neoklasicizmit të thjeshtëzuar, artit romak dhe funksionalizmit, fashizmi ka ridizenjuar qendrat drejtuese dhe pallatet publike me rezultatin për të mbajtur në kohë lagje të tëra dhe ndërtesa.

Qendra monumentale

Tirana, e ngjashme me sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan

“Brazini propozoi një plan që parashikonte një ndërhyrje në qendër të qytetit të Tiranës, që do të përbëhej nga një grup prej gjashtë ndërtesash për godinat e ministrive dhe në mes të tyre do të kishte një bulevard qendror. Ky plan në vazhdimësi do të kishte edhe variante të tjera, të cilat u thjeshtëzuan nga Florestano di Fausto. Projekti i Brazinit ishte madhështor, madje të krijohet përshtypja sikur ka ngjashmëri me sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan. Ai mendonte të krijonte një qendër monumentale gjatësore, pa u përzier me pjesën tjetër të qytetit ekzistues. Ky aks monumental duhet të ishte zinxhir linear i lidhjes ndërmjet qytetit të vjetër dhe atij të ri që do të ndërtohej. Në perspektivat që paraqisnin aksin, vihen re muret e qytetit të vjetër si një referim ndaj aktit të themelimit, që ndodh me një gjest sa ceremonial (laik apo fetar) që përkon me dallimin e kufijve, të asaj që qëndron brenda apo jashtë”, – shpjegon doktoresha e shkencave, Ariola Prifti.

 

 

Të fundit

Vaksinimi falas kundër gripit, Koçiu: Janë kryer 206 627 doza në grupet më të rrezikuara

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu tha sot se vaksinimi falas kundër gripit të stinës po vijon...

Moti i keq në SHBA, tre viktima dhe dhjetëra të lënduar nga ngricat

Mot i ftohtë dhe reshje të vazhdueshme dëbore kanë shkaktuar vështirësi të mëdha në SHBA duke rezultuar në të paktën 3 viktima dhe 31...

Përmbysje e jashtëzakonshme, Milan shpallet kampion i Superkupës së Italisë

Finale dramatike me plot 5 gola! Milani është fituesja e Superkupës së Italisë, teksa mposhti Interin me rezultatin 2-3, në njëduel të çmendur.  Edhe pse...

5 rreziqet që kërcënojnë rritjen ekonomike të Shqipërisë këtë vit

Banka Botërore parashikon se ekonomia e Shqipërisë do të rritet me 3.4 për qind këtë vit. Institucioni më i lartë monetar në botë vlerëson...

Virus i rrezikshëm përhapet në Whatsapp, në fokus punonjësit e Policisë së Shtetit

Një virus është përhapur në rrjetin e komunikimit Whatsapp dhe ka si target kryesisht punonjësit e Policisë së Shtetit. Mesazhi që në pamje te jep...

Lajme të tjera

Web TV