Plotësimi i formularëve i bën të ligjshme pasuritë e krimit. Rasti i Lul Berishës, kompania e të cilit furnizon me naftë peshkarexhat e gjithë vendit
Nga Nikoleta Kovaçi/Deklarimi i pasurisë nga ana e Lulzim Berishës, që për më shumë se dy dekada është konsideruar si një prej dy personave më të rrezikshëm në vend, i jep mundësinë atij të jetë jo vetëm i paprekshëm, por edhe i ligjshëm.
I akuzuar për një lumë vrasjesh, krimesh, trafiqesh, i dënuar me burgim të përjetshëm, ai mund të bëhet objekt i dy kauzave të rëndësishme propaganduar nga krerë qeverish. Fillimisht, ishte ish-kryeministri Berisha që propagandoi me të madhe faktin se nuk mund të gjykohet asnjë vendim gjykate, ndërsa pasuesi i tij, tashmë i legjitimon me pasurinë: Pas OFL-së këta njerëz nuk mund të gjykohen më për pasuri të paligjshme.
Lulzim Berisha, i liruar me vendim gjykate, pasi mundi të hiqte burgun e përjetshëm, i ka dhënë oficerit të policisë formularin që ai i ka dërguar në banesë. Ia ka plotësuar e madje me punim në kompjuter.
Në të vërehet se ai jo vetëm ka aktivitete të ligjshme, me nipt-e, të nevojshme për vendin, por madje edhe gëzon një aktivitet tregtar me përmasa kombëtare dhe ndërkombëtare.
Duke iu referuar deklaratës së tij të pasurisë, shihet se ai është zotërues i një kompanie nafte, me të cilën ai ka të drejtë të furnizojë të gjitha mjetet e peshkimit brenda vendit tonë.
Këtë të drejtë e ka fituar me ligj e madje në deklaratë thotë se për këtë aktivitet karburantin e siguron edhe nga kompanitë e njohura hidrakarbure siç përmendet ajo e “Kastrati Group”.
Në dokumentin e plotësimit të aktiviteteve të tij të biznesit dhe deklarimin e parave për një automjet BMW që është në pronësi të tij, ai ka treguar edhe burimet e të ardhurave duke iu referuar shoqërisë aksionere “Rajan”, në të cilën është bashkaksioner me Luljeta Berishën dhe Enkelejda Shoshin.
Furnizimi me naftë i të gjitha peshkarexhave në vend
Duke iu referuar aktit të themelimit të kësaj shoqërie, është fiksuar fakti që shoqëria aksionere “Rajan 2007” u themelua me 13 shkurt të një viti më parë me themelues Lulzim Berishën, Luljeta Berishën dhe Enkelejda Shoshin.
Në dokumentin e themelimit thuhet se objekt i kësaj shoqërie është “tregtimi brenda dhe jashtë territorit të Shqipërisë të hidrokarbureve, naftës, gazit, nënprodukteve të tyre, vajra lubrifikante, import-eksport dhe tregtia me shumicë e tyre, transport kombëtar dhe ndërkombëtar. Import, eksport dhe tregti me shumicë dhe pakicë të pjesëve të këmbimit të mjeteve dhe teknologji për ushtrimin e kësaj veprimtarie…”
Në formularin e plotësuar prej tij në lidhje me këtë aktivitet Lulzim Berisha shkruan: “Shoqëria aksionere ‘Rajan 2007’ ku jam në bashkëpronësi me znj. Luljeta Berisha dhe znj. Enkelejda Shoshi, ku unë zotëroj 40% të aksioneve (fitimi im vjen nga shitja e karburantit pasi furnizoj anijet e peshkimit që operojnë në të gjithë vijën bregdetare të Republikës së Shqipërisë, karburanti që unë furnizoj anijet e peshkimit e siguroi nga shoqëria ‘Kastrati Group’, ‘Eida Euro Petrol’, Durrës, ‘Gega Oil’ etj.
Dua të shtoj se burimet e mia financiare janë të ligjshme dhe se dokumentacionin përkatës ligjor për secilën pasuri dhe fitimin e të ardhurave prej bizneseve të mia e kam depozituar sot me datë 5.2.2020 në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit…”
Kështu, për rreth një vit kompania në të cilën ka përqindjen më të madhe të aksioneve i akuzuari për një mori vrasjesh, ka të drejtën ekskluzive të furnizojë me karburant të gjitha mjetet që dalin në det. E madje ky aktivitet është i ligjshëm e madje në bashkëpunim edhe me një prej kompanive më të mëdha të hidrokarbureve në vend. Për pasojë Lulzim Berisha gëzon një aktivitet biznesi që ia njeh gjithë shteti, porti dhe cilido individ që i duhet të dalë në det për peshkim dhe për punë të tjera që i njeh vetëm deti.
OFL në veprim
Startoi në Shijak, aty ku thuhet se është edhe pikënisja e dhunës dhe vrasjes së Dodë Prengës, pengut të rrëmbyer me 17 janar në mes të Kamzës, në sytë e dhjetëra kalimtarëve, nën vëzhgimin e të paktën tri kamerave. Njerëz të njohur, pa maska dhe me një makinë që mbante pengun, që është nisur në drejtim të Fushë-Krujës, tregoi që Policia nuk kishte ndërmend të gjurmonte një informacion të dhënë nga qytetarët.
Funksionoi formula kryeministrore: “Hëngshin kokat e njëri-tjetrit!” Por autoritetet britanike të hetimit të krimit nuk e mendojnë kështu prishjen e pazareve, as kur bëhet fjalë për shtetas të huaj, jo më qytetarë të vetët. Ata siguruan dëshminë e Astrit Prengës, vëllait të pengut, po ashtu u njohën me historinë e vëllait tjetër që gjendej në qeli, Ndrekë Prenga, për të marrë informacionet e duhura dhe për t`i kërkuar shtetit shqiptar rrethimin dhe bastisjen e kompleksit luksoz “Golden” në Shijak, atje ku pretendohej se mbahej trupi i pukjanit. Policia ka ndërhyrë më bujë të madhe, ndërkohë protagonistët e tmerrit kishin pasur gjithë kohën në dispozicion të largoheshin, të fshinin gjurmët e dhunës e vrasjes dhe të zhduknin edhe trupin e të ndjerit. Policia, që tashmë ka nxjerrë jashtë loje edhe Prokurorinë, duke pretenduar se gjithë operacionin t`ia besojë në vijimësi SPAK-ut, tregoi se po punon intensivisht për ta zbardhur ngjarjen, duke sjellë në pranga 5 njerëz që kanë refuzuar të pranojnë krimin. Të tjerët janë në kërkim. Policia u ka shkuar nëpër banesa po aty ka gjetur vetëm gratë derisa ditën e djeshme, në orët e pasdites ka mbërritur në duart e Policisë njëri nga djemtë e familjes Doçi, i cili ka ardhur për t’u vendosur përballë shtetit që e ka vënë në një akuzë të rëndë dhe njëherësh i ka cenuar të drejtën e pronës. Ai është ndaluar me dëshirë dhe tashmë hapet një kapitull i ri në rrëmbimin, vrasjen dhe zhdukjen e Dodë Prengës. Njëri nga ata që u konsiderua si rrëmbyesi i drejtpërdrejt është në duart e Policisë. Vijojnë oficerët e Policisë që me formularë në duar të trokasin edhe në porta të tjerë personash.
Dje kishin radhën Arben Isufaj në Fier, një person i akuzuar dhe dënuar nga Italia dhe Indrit Taullau, një eksponent mjaft i lakuar i botës së krimit. Nga të gjithë pritet i njëjti reagim ashtu siç ka bërë edhe Lulzim Berisha, që priten të bëjnë burrat e fisit Çapja në Elbasan, Hajri në Shijak, Bahri në Shkodër, Çela në Elbasan e emra të tjerë që do të dalin rrugës si kapo të krimit në vend dhe jashtë tij që nuk gëzojnë asnjë pasuri të paligjshme, pasi shteti këto kohë ua ka sekuestruar pasuritë e krimit. Kështu dhe mbi këtë filozofi nisi edhe “Forca e Ligjit” tri vite më parë, por në fakt, ishin agjencitë partnere që kryen një sërë operacionesh ndërkombëtare ku edhe kërkuan të gjurmoheshin paratë e krimit. Janë tri operacione të bujshme të asaj kohe të cilat dëshmojnë se “Forca e Ligjit” nuk ishte beteja e Policisë sonë, por e homologëve të Evropës, që kërkon të plotësoheshin ca kushte për çelje negociatash.
Operacionet e task-forcës që organizoi bota
“One if by Land” ishte operacioni me numrin më të madh të të arrestuarve. U mbyll më 30 shtator 2018. Solli në pranga në cilësinë e të ndaluarve 39 persona, të cilët ishin të dyshuar si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal. Në këtë kuadër hetimesh u shpallën në kërkim 12 persona të tjerë. 51 personat u akuzuan për kontrabandimin e personave për qëllim emigrimi drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kanadasë dhe Anglisë ose vendeve të Mbretërisë së Bashkuar. Operacioni u tha se u udhëhoq nga Prokuroria për Krime të Rënda dhe Policia e Shtetit, por ky operacion u organizua në bashkëpunim me agjentë specialë të Shërbimit Diplomatik të Sigurisë së Departamentit të Shtetit në SHBA, Agjencisë së Shërbimeve Kufitare të Kanadasë, SELEC, EUROPOL, INTERPOL, Policia e Kosovës, Policia e Spanjës, ajo franceze dhe italiane.
“Precizioni” ishte një tjetër operacion i rëndësishëm i kësaj task-force. U zhvillua më 15 mars 2019 në partneritet të plotë me autoritetet policore të Turqisë dhe Greqisë. Solli ndalimin e 18 anëtarëve, pjesë e një grupi kriminal të përfshirë në trafikun ndërkombëtar të lëndëve narkotike. 4 nga të dyshuarit – përfshirë dhe kreu i organizatës Met Kananin, u arrestuan në Turqi, ndërkohë pjesëtarë të kësaj organizate ishin arrestuar më parë në Greqi dhe një tjetër ndodhet edhe aktualisht në burg në Maqedoni.
Gjithashtu i rëndësishëm ka qenë edhe operacioni “Oaz” i organizuar më 22 shtator 2018 nga “Forca e Ligjit’ në bashkëpunim me autoritetet kroate, gjermane dhe holandeze kundër grupit kriminal “Bajri”, i cili solli 11 të arrestuar si të dyshuar si anëtarë të organizatës kriminale dhe shpalljen e 2 të tjerëve në kërkim. Dy prej të dyshuarve u ndaluan në qytetin e Roterdamit në Holandë, ndërsa të tjerët në Shkodër dhe Tiranë. U quajt “Oaz”, për shkak të kompleksit luksoz që pretendohej se ishte pronë e tyre dhe që gjendej në Velipojë. Tashmë ata janë rikthyer në vëmendjen e këtij operacioni sërish, por nuk ka emra konkretë, ndonëse djemtë e familjes Doçi janë etiketuar si ushtarë të këtij grupi kriminal./Fjala.al/