Funksionimi i plotë i sistemit të drejtësisë duket për momentin si një “ëndërr e pafund” për shkak se reforma është miratuar që në 2016-ën, por institucionet e reja akoma nuk kanë nisur punën.
I tillë është edhe rasti i SPAK. Për dy vendet vakante për të cilat u hap së fundmi gara nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP), nuk është paraqitur asnjë kandidaturë. Që prej datës 27 janar dhe deri më sot, kur ishte afati i fundit, asnjë prokuror nuk aplikoi për t’u bërë pjesë e SPAK-ut.
Ky institucion funksionon aktualisht me 10 prokurorë, dy prej tyre të komanduar: Arben Kraja, Elida Kaçkini, Enkeleda Millonaj, Edvin Kondili, Behar Dibra, Klodian Braho, Ened Nakuçi, Altin Dumani, Dritan Prençi dhe Vladimir Mara.
Por që SPAK të jetë funksional dhe të arrije rezultate duhet të pritet edhe ngritja e Byrosë Kombëtare të Hetimit. 4 vite pas miratimit të reformës, përzgjedhja e kryetarit të BKH nisi këtë muaj.