Paratë që i sekuestrohen krimit, do të shkojnë për të forcuar luftën kundër tij. Rreth 60 % të fondeve që do të sekuestrohen do ti kalojnë Policisë së Shtetit. Kjo është nisma më e fundit e qeverisë, e cila përmes së projektligji shton në listën e institucioneve përfituese për administrimin e pasurive edhe Ministrinë e Brendshme, me qëllim përmirësimin e funksionimit të drejtësisë penale. Këto të ardhura, sipas nismës, do të përdoren nga Policia e Shtetit në funksion të parandalimit të kryerjes së veprave penale.
“Sanksionimi i përfitimit nga Policia e Shtetit, në masën jo më pak se 60% të të ardhurave të përgjithshme nga zbatimi i këtij ligji, do të ketë një impakt të drejtpërdrejtë në motivimin dhe rritjen e proaktivitetit të këtij institucioni për zbatimin e këtij ligji, prej të cilave priten rezultate të prekshme menjëherë nga hyrja në fuqi e këtyre ndryshimeve. Gjithashtu, kalimi i një pjese të konsiderueshme të të ardhurave nga zbatimi i këtij ligji për Policinë e Shtetit do të sigurojë fuqizimin e kapaciteteve profesionale e logjistike të kësaj të fundit, me qëllim forcimin e sofistikimin e luftës kundër krimit të organizuar, trafikimit dhe korrupsionit” thuhet në relacion.
Sipas relacionit mësohet se projektaktit synon të përcaktojë Agjencinë e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara si institucionin përgjegjës për administrimin edhe të provave materiale, përveç pasurive të sekuestruara e të konfiskuara nga organet e drejtësisë apo me urdhra administrativë, si dhe rregullat e procedurat për administrimin e tyre. Nëpërmjet këtij projektligji do të bëhet i mundur miradministrimi i pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara nga institucioni i posaçëm dhe organi kolegjial administrativ si dhe do të administrohen e kalohen në pronësi të shtetit provat materiale, sipas përcaktimeve të parashikuara.
Ky projektligj nuk është i parashikuar në programin analitik të projektakteve për Ministrinë e Brendshme por është në harmoni me programin e qeverisë. Miratimi i këtij projektligji është diktuar nga nevoja për miradministrim më eficent dhe kalimin e të gjitha kompetencave të administrimit te Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara, e cila kalon në varësi të ministrit të Brendshëm, krijon Komitetin Ndërinstitucional për Masat kundër Krimit të Organizuar, i cili do të ketë kompetenca mbikëqyrëse për administrimin dhe vendimmarrëse për kalimin e të drejtave reale, mënyrën e përdorimit dhe vendimin e destinacionit të pasurive të sekuestruara e të konfiskuara, jo vetëm sipas ligjit nr.10192/2009, por edhe sipas legjislacionit në fuqi për masat për parandalimin, identifikimin, zbulimin, dokumentimin dhe forcimin e luftës kundër krimit të organizuar, krimeve të rënda dhe terrorizmit.
Gjithashtu, me ndryshimet që propozon ky projektligj, pasuritë që do të jenë objekt i administrimit dhe i vendimmarrjes nga Agjencia dhe Komiteti nuk do të përcaktohen vetëm me vendim gjykate por edhe me urdhra administrativë nga institucionet e përcaktuara me ligj. Në këtë mënyrë, për të gjitha kategoritë e pasurive të sekuestruara e të konfiskuara, pavarësisht vendimit gjyqësor apo administrativ, do të sigurohet administrim dhe menaxhim i posaçëm nga i njëjti institucion shtetëror administrativ, Agjencia.
Përparësitë dhe efektiviteti i këtij projektligji konsistojnë në fuqizimin e kompetencave dhe rritjen e proaktivitetit të institucioneve administrative për administrimin dhe vendimmarrjen më efikase dhe efiçente për përdorimin dhe destinimin e aseteve e të pasurive të sekuestruara si dhe për administrimin, tjetërsimin dhe asgjësimin e provave materiale. Përqendrimi i administrimit dhe i menaxhimit të pasurive të sekuestruara e të konfiskuara si dhe i provave materiale, në një institucion administrativ, propozimet e të cilit, për destinimin, përdorimin apo kalimin e të drejtave reale, do të miratohen nga një organ kolegjial, do të sigurojë një vendimmarrje shumë më të shpejtë në kohë, pa cenuar vazhdueshmërinë normale të aktiviteteve apo menaxhimin e tyre në kohë reale, duke siguruar të ardhurat apo rritjen e tyre, kur është e mundur, njëlloj si të ishin në administrim normal.
Vendimmarrja në fjalë do të sigurohet me asistencën e ekspertizës së teknikëve dhe të specialistëve të fushës, të cilët, në çdo rast, do të sigurohen nga Agjencia në njërën nga format e parashikuara në ligj, pa qenë nevoja t’i nënshtrohen vendimmarrjes gjyqësore. Gjithashtu, administrimi nga Agjencia i provave materiale, për të cilat nuk ka një vendim disponimi në kuadër të proceseve penale, do t’i japë zgjidhje një problemi të kahershëm mbi përcaktimin e institucionit përgjegjës administrues për këtë kategori dhe kalimin e pronësisë së tyre për llogari të shtetit, sipas parashikimeve dhe afateve të parashikuara në ligj.
Projektligji parashikon përqendrimin e kompetencave për administrimin e pasurive të sekuestruara, të konfiskuara dhe të provave materiale te Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara. Vendimmarrja për kalimin e të drejtave reale, mënyrën e përdorimit dhe destinacionit të pasurive kalojnë në kompetenca të Komitetit, për pasuritë e sekuestruara e të konfiskuara nga organet e drejtësisë dhe ato administrative të parashikuara në ligj./Fjala.al/