Rritja vjetore e pagës mesatare në ekonomi rezultoi rreth 4.3% në tre tremujorët e parë të vitit 2019. E deflatuar për inflacionin, paga mesatare u rrit me 2.9%. Rritja e pagës minimale dhe rritja e pagave për punonjësit në segmente të caktuara të sektorit publik ndikuan në ecurinë e pagës në kahun rritës, veçanërisht, gjatë gjysmës së parë të vitit 2019. Kostot e punës për njësi u rritën me 1.5% në terma vjetorë në tremujorin e tretë të vitit 2019 nga 1.2% në tremujorin e dytë.
Kjo, kryesisht për shkak të prirjes lehtësisht në rritje të treguesit të pagës mesatare reale për aktivitetet e mbuluara nga statistikat afatshkurtra. Produktiviteti i punës mbetet i ulët, pothuajse i pandryshuar nga një vit më parë. Të dhënat janë bërë të ditura nga Këshilli i Ministrave në programin për reformat ekonomike për vitet 2020-2022.
Në raport thuhet se inflacioni vjetor rezultoi mesatarisht 1.4% gjatë vitit 2019, me rënie nga norma prej 2% e shënuarvitin e kaluar. Treguesit e tregut të punës vazhdojnë të shfaqin zhvillime pozitive gjatë tre tremujorëve të parë të vitit 2019. Shkalla e papunësisë ra në 11.4% në tremujorin e tretë të vitit 2019, që përfaqëson edhe nivelin e saj më të ulët historik. Kjo prirje u drejtua në një masë të madhe nga rritja e punësimit. Sipas të dhënave të Anketës së Forcave të Punës, punësimi u rrit mesatarisht me 2.7% në terma vjetorë në tre tremujorët e parë të vitit 2019. Kontributi më i lartë në rritjen e punësimit i atribuohet sektorit të shërbimeve.
Dinamika tremujore e inflacionit total erdhi në rënie nga 1.6% në tremujorin e parë, 1.4% në tremujorin e dytë dhe të tretë dhe 1.3% në tremujorin e fundit të vitit. Pavarësisht prirjes rënëse të inflacionit total, komponenti i inflacionit bazë ka ardhur në rritje gjatë vitit 2019, nga 0.4% në tremujorin e parë në 0.8% në tremujorin e fundit të vitit 2019. Gjithsesi, inflacioni bazë mbetet poshtë prirjes historike dhe më poshtë se niveli i vitit 2018. Normat e ulëta të inflacioni reflektojnë presionet e dobëta të gjeneruara nga hendeku negativ i prodhimit dhe rritjen e ngadaltë të kostove në ekonomi. Gjithashtu, presionet nga inflacioni i importuar mbeten ende të dobëta, të ndikuara, si nga rritja modeste e çmimeve të huaja, ashtu dhe nga efekti i mbiçmimit të kursit të këmbimit. Megjithatë, ndikimi rënës nga mbiçmimi i kursit të këmbimit ishte më i zbutur, duke reflektuar stabilizimin e tij gjatë vitit 2019.