Ulcera dhe gastriti në stomak, këshilla për ushqimin dhe ilaçet

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Flet Valdete Malaj, gastrohepatologe: Cilat janë shenjat që duhet të na shqetësojnë, problemet te fëmijët dhe gratë shtatzëna dhe disa këshilla për personat që vuajnë nga gastriti dhe ulcera.

Problemet gastrointestinale prekin një përqindje relativisht të lartë të popullatës, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në botë. Për sa u përket sëmundjeve të aparatit tretës, kryesisht stomakut, përqindjen më të lartë e zënë gastritet, më pas vijnë ulcera e stomakut, ulcera e duodenit, refluksi gastroezofagial dhe tumoret e stomakut.

Si shkak kryesor për këto sëmundje mund të përmendim teorinë acido–peptike. Vetë stomaku prodhon acid klorhidrik, pepsinë, njëkohësisht prodhon dhe mukus për ta mbrojtur mukozën e stomakut nga acidi klorhidrik dhe pepsina. Balancimi i prodhimit të mukusit dhe prodhimit të acidit klorhidrik e pepsinës ruan një pehash dhe mukozë normale të stomakut. Por në rrethana të caktuara ndodh prishja e kësaj balance, me mbizotërim të faktorëve agresivë siç janë: acidi klorhidrik dhe pepsina që çon deri në krijimin e gastriteve dhe ulcerës. Faktor tjetër është helikobakter pilori, që është një bakter që rritet në stomak dhe është shkaktar për gastritin, ulcerën e deri dhe në kancer të stomakut. Ndër shkaqe të tjera për krijimin e problemeve të stomakut është dhe përdorimi i aspirinës dhe antiinflamatorëve josteroidë ose siç quhen ndryshe preparate antireumatizmale. Këto mund të krijojnë probleme gastrit-erozive, ulceracione e deri në hemorragji vdekjeprurëse, sidomos në moshën e tretë.

Doktoreshë, cilat shenja duhet të na shqetësojnë në mënyrë që të paraqitemi te mjeku gastrohepatolog?

Simptomat mund të jenë nga më të thjeshtat, si për shembull një ndjenjë parehatie në stomak pas të ngrënit apo fryrje barku e deri te simptomat më të rënda si dhimbja. Në përgjithësi, në eksperiencën tonë si mjekë, është pikërisht dhimbja që i detyron pacientët që të vijnë të vizitohen. Shenjat e tjera më të lehta mendohen si diçka që do kalojnë dhe neglizhohen. Por, është mirë që pacienti të paraqitet te mjeku që me shenjat e para sepse si të gjitha sëmundjet e tjera edhe ato të stomakut, duke u kapur sa më herët, mund të trajtohen më mirë.

Po fëmijët e vegjël, mund të kenë probleme me stomakun?

Po, që në periudhën e paslindjes mund të vihen re anomali të lindura të stomakut. Problematika më e shpeshtë që vihet re është refluksi gastroezofagial. Kjo kuptohet nëse direkt pas ushqyerjes fëmija ka të vjella. Në këto raste nënat duhet të konsultohen tek mjekët përkatës për të marrë këshillat e duhura. Zakonisht me kalimin e moshës, këto probleme edhe zhduken.

Po gratë shtatzëna a mund të vuajnë nga shqetësimet me stomakun? Çfarë duhet të bëjnë kujdes?

Nëse këto gra kanë pasur probleme me stomakun para shtatzënisë, ato probleme rishfaqen në një intensitet akoma më të lartë. Kjo për shkak të shtimit të acidit klorhidrik. Gjithashtu tipike te gratë shtatzëna, është dhe shfaqja e shenjave të refluksit. Vetë rritja e përmasave të abdomenit ngre lart diafragmën dhe stomakun, gjë që shkakton refluksin. Pas lindje çdo gjë normalizohet.

Duke qenë dhe në këtë periudhën e ndërrimit të stinëve, temperaturat ndryshojnë, ulen, a mund të kemi probleme me stomakun, çfarë mund të bëjmë për ta evituar këtë?

Në periudhën e vjeshtës dhe atë të dimrit pacientëve që kanë probleme me aparatin gastrointestinal ju fillojnë shqetësimet apo riakutizimet. Kjo ndodh për shkak të faktorëve klimaterikë: ndryshimit të temperaturave dhe shtimit të lagështirës. Aparati tretës është shumë i ndjeshëm ndaj ndryshimit të temperaturave, të ftohtit. Gjithashtu në periudhën e dimrit njerëzit bëjnë një jetë më sedentare, më pasive dhe konsumojnë më shumë ushqime. Këto sjellje ndikojnë negativisht në aparatin tretës.

Lexo edhe :  I ftohti dhe acari ‘mbërthejnë’ Shqipërinë, meteorologia zbulon kur nis kthesa e motit

Si mund ta bëjmë diferencimin mes gastritit dhe ulcerës, ka shenja dalluese?

Zakonisht gastriti ka shenja të një diskomforti, fryrje epigastrike pas ushqimit, disa ushqime nuk i pranon, ka dhe gromësitje. Ajo që e diferencon nga ulcera, por jo gjithmonë, është prania e dhimbjes. Dhimbja është karakteristike për ulcerën dhe ndodh zakonisht pas ushqimit. Kohëzgjatja e dhimbjes ka të bëjë me lokalizimin e ulcerës sepse ulcera mund të jetë në stomak apo në bulbin e duodenit. Dhimbjet e ulcerës së lokalizuar në stomak fillojnë rreth gjysmë ore pas ushqyerjes, ndërsa ato të ulcerës së bulbit të duodenit 1-2 orë pas konsumimit të ushqimit. Gjithashtu personat me ulcerë kanë dhimbje edhe natën, rreth orës 4-5 të mëngjesit i zgjon nga gjumi. Në këto raste ne dyshojmë që pacienti ka ulcerë. Ne bëjmë ekzaminimin për helikobakter pilorin dhe ekzaminimin gastroskopik apo siç njihet ndryshe sonda e stomakut. Pas këtyre ekzaminimeve vendoset diagnoza dhe mënyra e mjekimit.

Disa këshilla për personat që vuajnë nga gastriti dhe ulcera?

Te pacientët që kanë gastrite ose ulcerë është me shumë rëndësi ekzaminimi i saktë, korrekt dhe trajtimi në varësi të llojit të sëmundjes. Krahas trajtimit me medikamente, për të cilin ka protokolle të caktuara kur këto gastrite ose ulcera kanë të pranishëm dhe helikobakter pilorin, e rëndësishme është kufizimi apo dhe mospërdorimi i i aspirinës, medikamenteve antiinflamatore.

Gjithashtu duhet të tregohet kujdes me të ftohtin. Nëse qëndrohet në të ftohtë aparati tretës reagon me tkurrje dhe shtim të aciditetit, që çojnë në dhimbje.

Kujdes duhet të tregohet dhe me ushqimet. Ushqimet pikante, të skuqura, turshi mund të bëhen shkaktarë për riakutizim, ndikojnë në mukozën e stomakut dhe mund të sjellin shfaqjen shenjave të gastritit dhe ulcerës. Por duhet të kemi parasysh që ushqimet ndikojnë në mënyra të ndryshme në njerëz të ndryshëm, prandaj secili prej nesh duhet të kuptojë se cilat ushqime i bëjnë mirë dhe cilat e dëmtojnë.

Ngrënie ngadalë, nga pak dhe shpesh. Ngrënia e shpejtë e ushqimit dhe përtypja jo e mirë e tij i shton punën stomakut, duke sjellë probleme në sistemin tretës. Përveç ngrënies së mëngjesit, drekës dhe darkës rekomandohet dhe ngrënia e ndonjë ushqimi mes këtyre vakteve për të absorbuar lëngjet që prodhon stomaku.

Diçka tjetër që këshillohet është dhe lënia e duhanit tek personat që e pinë atë. Duhani nxit në mënyrë të jashtëzakonshme prodhimin e acidit të stomakut, që futet tek faktorët dëmtues të stomakut, duke krijuar një habitat të përshtatshëm për shumëzimin e helikobakter pilorit

Mjekimi i stresit është shumë i rëndësishëm. Në ditët e sotme vihet re një tendencë goxha e madhe e shtimit të stresit, që ndikon në krijimin e gastritit dhe ulcerës. Kështu konsultimi me psikologun, psikiatrin dhe trajtimi i stresit ndihmon në uljen e mundësisë për të zhvilluar gastritin dhe ulcerën.

Ata që kanë prindër apo të afërm me probleme të aparatit tretës duhet të paraqiten te mjeku që në momentin e parë që u shfaqen shenja dhe simptoma të gastritit apo ulcerës. Qofshin këto shenja të lehta si fryrje, gazra, gromësitje apo dhimbje e lehtë ose më të rënda si mostretje, të përziera dhe të vjella, parregullsi në jashtëqitje, me gjak dhe me ngjyrë të errët etj.

Tek personat që përdorin ilaçe të ndryshme, sidomos ata në moshën e tretë duhet të marrin ilaçe mbrojtëse të stomakut. Kjo sepse ka raste kur këto ilaçet të shumta mund të çojnë deri në hemorragji, sidomos aspirina dhe holluesit e gjakut./Shëndeti

Të fundit

A duhet të pini qumështi kur jeni të ftohur, çfarë i ndodh organizmit?

Mjekët janë të mendimit se shumica e simptomave të të ftohurës janë si rezultat i reagimit të fortë të...

Kush do të jetë Papa i ardhshëm? Debati hapet pas zërave për dorëheqjen e Papatit

Gjendja shëndetësore e Papa Françeskut , përditësimet zyrtare të Vatikanit për këtë çështje dhe botimet përkatëse kanë hapur diskutimin përkatës për mundësinë e dorëheqjes...

10 fakte interesante për njerëzit që kanë lindur në muajin shkurt!

Bebet e lindura në muajin shkurt rriten për të qenë njerëz kreativë dhe aventurierë. Profesioni që do i përshtatej mësë miri do të ishte...

“Paketa e Maleve”: KAS rrëzon Celibashin, e rikthen në Kuvend për miratim

Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve në KQZ vendosi ditën e sotme që t’I hapi rrugë miratimit në Kuvend të nismës qeveritare “Paketa e Maleve”. Për...

Brenda qelisë/ Veliaj thirrje qytetarëve: Aplikoni për kreditë e buta

Nga qelia kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, u ka bërë thirrje qytetarëve që të aplikojnë për kredi të buta. Veliaj në një postim...

Lajme të tjera

Web TV