Nga Roland Qafoku
Nga Christopher Hill te Yuri Kim, cilët janë kryediplomatët e Ambasadës Amerikane në Tiranë pas rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike (pjesa e dytë)
CHRISTOPHER HILL
GJENERALITETET: Lindi më 10 gusht 1952
STATUSI DIPLOMATIK: I ngarkuar me punë i SHBA në Shqipëri
QËNDRIMI NË KRYE TË AMBASADËS: 15 mars 1991 – 1 tetor 1991
DETYRA PARAARDHËSE: Diplomat në Departamentin e Shtetit
DETYRA PASARDHËSE: Drejtor i Zyrës së Ballkanit në Departamentin e Shtetit
PËR T’U MBAJTUR MEND: Menaxhoi rivendosjen e marrëdhënieve mes SHBA-së dhe Shqipërisë pas 52 vjetësh dhe vizitën në Tiranë e Sekretarit të Shtetit, James Baker, në qershor 1991
Ato ditë pranvere në Tiranë, Christopher Hill kishte zellin të sistemonte sa më shpejt godinën e Ambasadës në Rrugën e Elbasanit. Kishte vetëm disa javë që SHBA dhe Shqipëria kishin rivendosur marrëdhëniet pas 52 vjetësh dhe koha e gjatë nuk priste. Për pak kohë si seli shërbeu dhoma 205 dhe 206 te hotel “Dajti”, por tani SHBA kishte hyrë në godinën e saj. Një mëngjes përveshi mëngët dhe po pastronte vetë oborrin nga barërat dhe këtu ndodhi diçka që do t’i mbeste shumë në mendje, të cilën e tregon shpesh në ambiente të ndryshme: “Sapo u futëm më godinë e re të Ambasadës, nisëm ta rregullonim. Që ditën e parë u angazhova edhe vetë me pastrimin e oborrit. Papritur nga porta kryesore një burrë i vjetër ma bën me shenjë të shkoja drejt atij. Shkova. Më pyeti se kush isha dhe çfarë bënim aty. I thashë se isha diplomat dhe se po vinim në punë Ambasadën Amerikane në Tiranë. Ai ma ktheu: ‘Ju lutem, mos na braktisni më!’ Është e paharrueshme për mua ajo lutje”. Dhe Christopher Hill është diplomati më këmbëmbarë që SHBA ka dërguar në Shqipëri. Jo vetëm që hodhi bazat e rilindjes së marrëdhënieve mes dy vendeve, por arriti të menaxhonte vizitën e James Baker, Sekretarit të Shtetit më 22 qershor 1991, për të cilin Hill tregon: “Ajo ishte një nga ngjarjet më të jashtëzakonshme që unë kam parë në karrierën time në shërbimin e jashtëm. Ishte pikërisht këtu, në sheshin ‘Skënderbej’ dhe ishin 500 000 njerëz”. Por detajet e asaj vizite janë edhe më të jashtëzakonshme. Hill gati ekzaltohet kur tregon se disa njerëz, sapo u afrua në sheshin “Skënderbej”, ngritën makinën ku ishte Baker. Komunizmi në Shqipëri po binte i fundit në Evropë, pothuajse si një bisht i pjesës lindore. Dhe Hill ishte dhe mbetet jo vetëm një nga diplomatët, por edhe amerikani që i ka bërë vetëm të mira Shqipërisë. Vetëm në gjashtë muaj e gjysmë ka bërë aq shumë sa askush tjetër. Po a mund të shkruash për këtë moment pa përmendur radion “Zëri i Amerikës”? Kurrsesi jo. Radioja e Departamentit të Shtetit që sapo kishte nisur transmetimet në gjuhën shqipe, u bë oksigjen për lirinë e shqiptarëve. Drejtori i seksionit shqip, Elez Biberaj, u shndërrua në një ikonë dhe një njeri aq të dashur për shqiptarët. Në një intervistë që i mora para pak kohësh tregoi: “Një nga ditët më fatlume profesionale të jetës sime ka qenë maji 1990, kur u vendos lidhja telefonike mes Shqipërisë dhe SHBA-së. Kjo na dha mundësi që të vinim kontakte me njerëzit. Nuk kishim burime. Nuk kishim numra telefoni. Ishte e rrezikshme të vinim kontakte me ndonjë profesor. E filluam duke telefonuar redaksitë e gazetave”.
WILLIAM RYERSON
GJENERALITETET: Lindi më 21 maj 1936
PROFESIONI: Diplomat, inxhinier
STATUSI DIPLOMATIK: Ambasador i jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë
QËNDRIMI NË KRYE TË AMBASADËS: 2 dhjetor 1991 – 13 tetor 1994
DETYRA PARAARDHËSE: Diplomat dhe konsull i përgjithshëm në Ambasadën Amerikane në Beograd
DETYRA PASARDHËSE: Në Departamentin e Shtetit
PËR T’U MBAJTUR MEND: Rënia nga pushteti e komunistëve dhe marrja e pushtetit nga e para forcë opozitare në historinë e Shqipërisë
Askush nuk e ka përshkruar Shqipërinë më saktë, më qartë, më realisht për pasojat që kishte lënë komunizmi sesa William Ryerson. Në një intervistë në gazetën “Illylira” me gazetarin Ruben Avxhiu, ai tregoi për një vend më shumë kufomë sesa për një vend normal: “Mbeta i tronditur nga pamja e njerëzve në rrugët e Tiranës. Njerëzit dukeshin të kequshqyer dhe shumë prej tyre ishin të veshur në mënyrë të mjerueshme. Në veçanti më kujtohet që pashë një ushtar të ri, palltoja e të cilit ishte gjithë vrima dhe dukej që ishte prerë në mënyrë amatore vetëm që të shkurtohej sipas trupit të tij. Gjendja e mjerueshme e shtëpive dhe ndërtesave ishte dëshpëruese”.
Por kjo ishte ajo që pa, sepse ajo që dëgjoi ishte edhe më e rëndë. Sapo vuri këmbën, përballja e parë ishte me Sigurimin e Shtetit, arma që për 50 vjet e kishte cilësuar Amerikën armikun numër një të shqiptarëve. Me biçikleta, motorë dhe makina pothuajse çdo ditë Dega e dytë e Drejtorisë së Parë në Ministrinë e Punëve të Brendshme hartonte raport se ku shkonte Ryerson, kë takonte dhe ku lëvizte. Por, përveç tyre, edhe përgjimi i linjës telefonike. Në një raport të Sigurimit shkruhej: “William Ryerson, përfaqësues i Ambasadë Amerikane në Tiranë, i cili ndiqet nga ana jonë si kundërzbulues më datën 5.6.1991 së bashku me shoqëruesen shqiptare Kestrina Budina, nga ora 12:25 deri më 13:30 ka frekuentuar banesën e familjes Xhafa në rrugën “Bajram Curri”, pallati 247, shkalla 1, Tiranë. Sa më sipër sqaroni se ç’përfaqëson familja Xhafa dhe na njoftoni nëse do të vlerësohet e evidencohet si lidhje e Ambasadës Amerikane ose jo”. Por ekzistojnë raporte deri qesharake që tregojnë shqepjen e tegelave të komunizmit. Sipas agjentëve të Sigurimit, më 20, 22, 23, 24 maj 1991, në orën 10-10:45, 08:50-09:40, 8:45-09:00 dhe 10:45-11:10, “në rrugën ‘Konferenca e Pezës’ ka takuar dhe biseduar për 5 minuta Napoleon Roshin”. Por jo vetëm për Sigurimin, po edhe për Partinë e Punës dhe më pas Socialiste ajo që ishte më shumë problem kishte të bënte me mbështetjen e hapur që Ryerson i bënte Partisë Demokratike, e para forcë opozitare në Shqipëri. Në një raport shkruhej: “Në 27 maj 1991 nga ora 19:35 deri më 19:45 ka frekuentuar selinë e Partisë Demokratike”. Por kjo nuk ishte një gjë e fshehtë. Ryerson kishte marrë pjesë deri në disa mitingje të PD-së në krah të Sali Berishës, kryetar i saj deri në 22 mars 1992, kur PD fitoi zgjedhjet dhe mori pushtetin. Vetë Ryerson ka mohuar të ketë ndikuar apo nxitur tek opozita e asaj kohe. Por tashmë që kanë kaluar kaq kohë gjërat kuptohen edhe më mirë.
JOSEPH LAKE
GJENERALITETET: Lindi më 18 tetor 1941
PROFESIONI: Diplomat
STATUSI DIPLOMATIK: Ambasador i SHBA në Shqipëri
QËNDRIMI NË KRYE TË AMBASADËS: 5 korrik 1994-15 mars 1996
DETYRA PARAARDHËSE: Ambasador rezident në Mongoli
DETYRA PASARDHËSE: Zëvendësndihmëssekretar i shtetit për Çështjet e Informacionit
PËR T’U MBAJTUR MEND: Dha dorëheqjen nga detyra
Ndryshe nga paraardhësi i tij, Joseph Lake ishte i ftohtë dhe krejt i paanshëm. Ishte koha kur qeverisja e Partisë Demokratike dhe Presidenti i asaj kohe, Sali Berisha, kishin filluar mosmarrëveshjet me SHBA-në dhe i takonte këtij ambasadori për t’u rikthyer atyre normalitetin. Megjithatë, ishte koha kur Lake drejtonte Ambasadën Amerikane në Tiranë, kur një përfaqësues i lartë i shtetit shqiptar realizon vizitën e parë më të rëndësishme në histori: Presidenti Sali Berisha pritet në takim më 12 shtator 1995 në Shtëpinë e Bardhë me Presidentin Bill Clintoin. Sipas analistëve amerikanë që ishin të pranishëm gjatë takimit, ky ishte takimi më i suksesshëm i një presidenti të një shteti lindor në Shtëpinë e Bardhë. Por duket se kjo vizitë dhe pushteti e kishin dehur pushtetin e PD-së dhe vetë Berishën. Marrëdhëniet mes tij dhe PD morën tatëpjetën. Edhe pse zyrtarisht dorëheqja nuk ka pa pasur arsye që lidheshin me situatën në Shqipëri, nuk kanë qenë të paktë ata që e kanë lidhur atë me përplasjet e tij direkte me Berishën. Sipas tyre, marrëveshja e Joseph Lake, vizita e Berishës në SHBA, përkundrejt mosshkarkimit të kryetarit të Gjykatës së Kasacionit, Zef Brozi, cilësohej si një dështim. Më parë Joseph Lake kishte kundërshtuar Kushtetutën që pritej ta miratonte Berisha në vitin 1994, si dhe kërkoi lirimin e 5 minoritarëve dhe kundërshtoi Presidentin Berisha. Kulmin e arriti kur Richard Shifter, ndihmës special i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të SHBA në administratën e Presidentit Clinton pas Athinës mbërriti në Tiranë vetëm disa orë para fillimit të gjyqit të të pestëve në Shkallën e Parë. Por kërkesa e tij për lirimin e tyre mori përgjigje të fortë të Presidentit shqiptar. Berisha e cilësoi staliniste kërkesën për lirimin e të pestëve dhe tha se do të respektonte institucionet e shtetit të tij. Por edhe këto nuk i arriti. Kështu, i ndodhur në këtë situatë, më 15 mars të vitit 1996, Lake dha dorëheqjen dhe më pas u largua. Megjithatë, as Lake e as diplomatët e tjerë amerikanë nuk e kanë lidhur largimin e tij me këtë fakt.
MARISA LINO
GJENERALITETET: Lindi 12 gusht 1950.
PROFESIONI: Diplomate, pedagoge
STATUSI DIPLOMATIK: Ambasadore e SHBA në Shqipëri
QËNDRIMI NË KRYE TË AMBASADËS: 2 korrik 1996-20 maj 1999
DETYRA PARAARDHËSE: Diplomate në Departamentin e Shtetit
DETYRA PASARDHËSE: Pedagoge në Universitetin e Bolonjës, Itali
PËR T’U MBAJTUR MEND: Menaxhimi i ngjarjeve të vitit 1997
E mbërritur në Tiranë në gusht të vitit 1996, ambasadorja Marisa Lino mbahet mend për vendimin e parë që shkaktoi habi në opinionin shqiptar. Ajo i refuzoi vizën ish-bosit të firmës “Vefa”, Vehbi Alimuçaj, njeriut që në atë kohë cilësohej si shtet brenda shtetit. Ndonëse ky veprim nuk është komentuar shumë, ai ishte një paralajmërim amerikan për firmat piramidale, fundi i të cilave u pa vetëm pak muaj më vonë. Lino do të mbahet mend për kalimin e krizës së marsit të vitit 1997, në të cilën u evakuua i gjithë personeli i Ambasadës si dhe për 14 shtatorin e vitit 1998. Madje, kryetari i SHIK, Bashkim Gazidede, akuzoi në Parlament SHBA-në si autore e trazirave dhe rënien e shtetit. Kulmi i reagimit të SHBA ishte deklarimi i ambasadores Mariso Lino sipas të cilës nuk do të merrte pjesë në seancën parlamente në të cilën do të zgjidhej President Sali Berisha për një mandat të dytë. Deri në atë kohë, momenti më i keq diplomatik në marrëdhëniet e Shqipërisë me SHBA cilësohej kur më 19 korrik 1996 Presidenti Sali Berisha refuzoi të takonte nënsekretarin e Shtetit Timothy Wirth që kishte mbërritur në Tiranë. Në fakt, duke i krahasuar të dyja situatat, duket se publikisht Lino ka qenë më aktive për ngjarjen e dytë, kur disa herë ajo ka bërë thirrje për qetësi pas vrasjes së deputetit demokrat, Azem Hajdari. Megjithatë, në opinion Lino vlerësohej si një njeri që kishte shumë peshë në politikën shqiptare. E mprehtë, autoritare dhe me ndikim në politikën shqiptare, e para femër në krye të Ambasadës Amerikanë në Tiranë kishte vetëm një cilësi: e suksesshme. Kjo ishte Marisa Lino, një grua e lindur në Trieste, me baba italian dhe nënë kroate. Nuk ka pasur çështje të koklavitur në politikën e Tiranës, që kjo grua, e cila në 12 gusht mbush 70 vjeç, të mos ketë dhënë mendimin e saj. Me një kurrikulum mjaft të pasur, ku më të rëndësishëm janë: specializimi për politikë ndërkombëtare, eksperte për vendet ballkanike, njohëse e pesë gjuhëve, pjesëmarrëse në një show televiziv, Lino arriti të punonte deri në stafin e afërt të Sekretarit të Shtetit. Lino përballoi gjithashtu edhe rrezikun islamik ndaj Ambasadës Amerikane. Grupet terroriste të “Xhihadit” kishin arritur të përgjonin Linon në zyrën e saj duke e shoqëruar këtë me një plan për hedhjen në erë të Ambasadës. Këtë e konfirmoi edhe Presidenti Clinton, i cili në kujtimet e tij shkruan se vetëm 1 javë pas shpërthimeve në Najrobi dhe Dar-es-Salam u informua nga CIA se Al-Kaeda kishte planifikuar të njëjtën gjë edhe për Ambasadën Amerikane në Tiranë: “Unë mora një raport nga shërbimi sekret që Al-Kaeda kishte planifikuar të sulmonte një tjetër ambasadë, këtë herë në Tiranë, Shqipëri, dhe që armiqtë tanë mendonin se Amerika ishte vulnerabël për shkak se ne duhet të shkatërroheshim nga polemika mbi sjelljet e mia personale. Ne e mbyllëm Ambasadën tonë në Tiranë dhe dërguam një numër të madh marinsash për ta ruajtur, ndërkohë që me qeverinë e Shqipërisë bashkëpunuam për të shkatërruar celulën e Al-Kaedës atje”.
Por, stafi i saj i sigurimit mënjanoi me mjaft profesionalizëm të gjitha planet terroriste. I gjithë operacioni është shoqëruar gjithashtu me arrestimin e një shqiptari dhe të disa anëtarëve të organizatës “Xhihad” duke i dhënë fund njëherë e mirë frikës së atentateve. Ndërkaq, në skenën politike shqiptare Lino ka pasur shumë peshë. Megjithatë, vlen të përmenden përplasjet e saj me kreun demokrat Sali Berisha, i cili e ka akuzuar atë të njëanshme, njëanshmëri që buronte nga pozita arbitrare e Berishës në këtë kohë. Por, a mund të quhet e njëanshme Lino se dënoi dhunën ndaj institucioneve në 14 shtator? Ndoshta Berisha priste marrjen e pushtetit, gjë që për SHBA-në nuk është kurrë e papranueshme një gjë e tillë me dhunë.
ROBERT FROWICK
GJENERALITETET: Lindi më 12 dhjetor 1929, vdiq më 17 janar 2007
PROFESIONI: Diplomat, politikan
STATUSI DIPLOMATIK NË SHQIPËRI: I dërguar i posaçëm
QËNDRIMI NË KRYE TË AMBASADËS: 20 maj 1999 – 15 korrik 1999
DETYRA PARAARDHËSE: Drejtuesi i Misionit Amerikan në Bosnjë-Hercegovinë të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë
DETYRA PASARDHËSE: Nuk pati.
PËR T’U MBAJTUR MEND: Menaxhoi futjen e Partisë Demokratike në Kuvend pas braktisjes për një periudhë të gjatë që nga vrasja e deputetit Azem Hajdari
Ndonëse mbante titullin ambasador, por me detyrën e të dërguarit të posaçëm në Shqipëri, Robert Frowick njihet si diplomati që arriti të fuste Partine Demokratike në Parlament. Ishte koha e bojkotit të madh të kësaj partie pas plagosjes së deputetit Azem Hajdari dhe më pas të vrasjes së tij. Vetëm në pak muaj në drejtim të Ambasadës, Robert Frowick bëri atë që nuk e bënë shumë përfaqësues të organizmave ndërkombëtarë për muaj të tërë: të fuste Partinë Demokratike në Parlament. Ishte koha e bojkotit të madh të kësaj partie pas plagosjes së deputetit Azem Hajdari dhe më pas vrasjes së tij. Në një takim kokë për kokë me Berishën në fillim të vitit 1999, ai arriti ta bindte atë për t’u futur në Parlament, duke treguar qartë talent të diplomacinë e tij. Ai u përfshi shumë edhe në ngjarjet në Kosovë dhe Maqedoni me protagonistë shqiptarët. Dy studiuesit britanikë James Pettifer dhe Miranda Vicker kanë shkruar: “I dërguari diplomatik amerikan Bob Frowick u takua me udhëheqësit shqiptarë në Prizren, në Kosovë, me qëllim që të përpunohej një platformë e përbashkët, pjesa më e madhe e së cilës i ngjante planit ‘Ahrens’ të vitit 1993, duke u përpjekur për ta shkëputur Maqedoninë nga dogmat nacionaliste dhe ta fuste atë në rrugën e standardeve evropiane për pakicat. Kjo përpjekje e diplomacisë amerikane për të imponuar arsyen mbi situatën u pa me tmerr nga qeveria e Shkupit, e cila menjëherë e deklaroi Frowick-un person non grata në Maqedoni”. Megjithatë, periudha e shkurtër në dispozicion e këtij diplomati nuk i la kohë për veprimtari të të tjera të këtij lloji. Ai u largua në gusht të vitit 1999, për t’i lënë vendin diplomatit tjetër, Joseph Limprecht.
JOSEPH LIMPRECHT
GJENERALITETET: Lindi më 22 korrik 1946, vdiq më 19 maj 2002 në Lurë, kur ishte ende në detyrë
PROFESIONI: Diplomat
STATUSI DIPLOMATIK: Ambasador i SHBA në Shqipëri
QËNDRIMI NË KRYE TË AMBASADËS: 5 korrik 1999 – 19 maj 2002 (vdiq në detyrë)
DETYRA PARAARDHËSE: Zëvendësambasador në Uzbekistan
PËR T’U MBAJTUR MEND: Menaxhimi i ngjarjeve në Kosovë
Joseph Limprecht ka qenë ai që Shqipërinë në këtë periudhë e ka cilësuar si një vend normal me njerëz normalë. Ky konkluzion nuk është pak, kur vendi ynë dilte nga një mars ‘97 dhe një 14 shtator i ‘8-ës me një imazh se ky vend nuk bëhej. Aktiviteti i këtij ambasadori mund të quhet me plot gojën si më i ngjeshuri nga të gjithë kolegët e tij pas rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike. Dhe kjo lidhet edhe me ndërtimin e shumë veprave dhe investimet amerikane në Shqipëri. Një nga sukseset e mëdha të këtij ambasadori është se ai pas këtyre viteve, Ambasada Amerikane arriti të organizonte aktivitete kulturore, gjë që më parë, falë situatës kaotike, as që bëhej fjalë. Limprecht ka nxitur mjaft që nga SHBA të vinin në Shqipëri ajo pjesë e panjohur kulturore. E ndërsa në vitet ‘20 Hart solli disqe dhe hapi ballot e para, Limprecht mundësoi organizimin e javës së filmit amerikan dhe koncerte të instrumentistëve më të njohur që më parë ishin ëndrra. Nga ana tjetër, Limprecht, i njohur si një diplomat tepër i ekuilibruar, e ka thënë fjalën e tij në shumë momente deçizive të politikën shqiptare. Ai pati një kontribut të jashtëzakonshëm në shkatërrimin e mbetjeve terroriste islamike në atë kohë në Shqipëri duke marrë vendime deri në dëbimin e tyre. Një zyrtar shqiptar i Ambasadës Amerikane e shpreh shpesh afeksionin e Limprecht për Shqipërinë, duke thënë se është diplomati që e ka dashur më shumë se çdokush tjetër vendin tonë. Si për ironi dhe fat të keq, pikërisht në Shqipëri ai ndërroi jetë. Ishte 19 maji i vitit 2002, kur gjatë një vizite në Lurë pësoi atak kardiak, gjë që i solli ndarjen nga jeta.
JAMES JEFFREY
GJENERALITETET: Lindi më 8 shkurt 1946
PROFESIONI: Diplomat
STATUSI DIPLOMATIK: Ambasador i SHBA në Shqipëri
QËNDRIMI NË KRYE TË AMBASADËS: 3 tetor 2002 – 2 maj 2004
DETYRA PARAARDHËSE: Zëvendëskëshilltar i Sigurisë Kombëtare i Presidentit George W. Bush.
DETYRA PASARDHËSE: Zëvendësambasador i SHBA në Irak.
PËR T’U MBAJTUR MEND:
Që James Jeffry ishte diplomati më serioz dhe nga më të vlerësuarit që Departamenti i Shtetit ka dërguar në Shqipëri u mësua më shumë kur ai iku nga Shqipëria. U emërua numri dy i Ambasadës Amerikane në Irak në maj 2004, në shërbimin më të rëndësishëm diplomatik që Departamenti i Shtetit kishte në atë kohë nëpër botë. Ishte në kulmin e konfliktit dhe kontributi i tij ishte i jashtëzakonshëm. Pak fjalë, shumë mendim dhe veprim gjithashtu, James Jeffry do të mbahet mend për një frazë që e tha troç. Madje, në gjuhën shqipe, që kishte fuqinë e një tërmeti 7 ballë: “Ne i njohim baronët e drogës në Shqipëri!” Deklarata më e bujshme e bërë ndonjëherë nga një ambasador amerikan në Tiranë deri në atë kohë.
MARCIE RIES
GJENERALITETET: Lindi më 25 gusht 1950
PROFESIONI: Diplomate
STATUSI DIPLOMATIK: Ambasadore e jashtëzakonshme dhe fuqiplotë
QËNDRIMI NË KRYE TË AMBASADËS: 10 tetor 2004 – 20 gusht 2007
DETYRA PARAARDHËSE: Shefe e Misionit të Zyrës Amerikane në Prishtinë, Kosovë
PËR T’U MBAJTUR MEND: 10 qershor 2007, George W. Bush bëhet Presidenti i parë i SHBA-së që viziton Shqipërinë
Në konferencën e parë për shtyp që ishte edhe një prezantim, Marcie Ries deklaroi se do të vijonte atje ku e la ambasadori Jeffrey. Me kostum të zi, flokët bionde të lehtë, sy me ngjyrë dhe me tualet të lehtë, e qeshura e Ries ishte ajo që u bëri më shumë përshtypje gazetarëve në hotelin “Sheraton”. Fraza që mbeti më shumë në mendje ishte: “Opinioni për Shqipërinë ishte më i mirë se çdo vend tjetër”. Ishte vërtet gruaja e dytë në krye të Ambasadës, por nuk ngjante shumë me të parën. Shqipëria ishte në një kohë normale, marrëdhëniet me SHBA ishin të shkëlqyera dhe vetë Ries ishte shumë e kujdesshme dhe e tërhequr nga modeli i kudondodhur publik. Kontributi i saj ishte në forcimin e institucioneve, por kulmi i të gjithë angazhimit të saj ishte vizita e George W. Bush më 10 qershor 2007. Një vizitë historike edhe për faktin se nga Tirana Presidenti amerikan deklaroi pavarësinë e Kosovës. Dhe Marcie Ries i mjafton kjo për t’u vlerësuar në historikun e marrëdhënieve diplomatike.
JOHN WITHERS
GJENERALITETET: Lindi më 30 mars 1948
PROFESIONI: Diplomat
STATUSI DIPLOMATIK: Ambasador i SHBA në Shqipëri
QËNDRIMI NË KRYE TË AMBASADËS: 25 gusht 2007 – 10 nëntor 2010
DETYRA PARAARDHËSE: Diplomat në Ambasadën e SHBA në Irlandë
PËR T’U MBAJTUR MEND:
I pari ambasador afroamerikan në Tiranë, John Withers tregoi po aq dashuri dhe impenjim sa çdo diplomat tjetër që drejtoi Ambasadën Amerikane në Tiranë. Këtë e tregoi që më 25 shkurt, vetëm 1 javë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, në forumin “Kosova, sfidat pas pavarësisë”, ku ambasadori amerikan John Withers zgjodhi një poezi të shkrimtarit Ismail Kadare, botuar në vitin 1966, për të bërë krahasimin. Një mjeshtër i artit, Withers recitoi në shqip duke u ndalur te vargu: vetëm shqiponjat fluturojnë lart. Withers vijoi: “Më 17 shkurt shqiponja shqiptare fluturoi lart. Vetëm shqiponjat ngrihen në furtunë”. Por Withers ka një kontribut jo të vogël në mbështetjen ndaj institucioneve të drejtësisë. Ai cilësohet si një nga mbështetësit më të fortë të kryeprokurores Ina Rama, e zgjedhur në nëntor të vitit 2007. Dhe si një njohës shumë i mirë i historisë, Withers e shoqëroi mbështetjen ndaj drejtësisë kur më 8 mars 2010 gjatë një vizite në Prokurorinë e Tiranës, do të citonte fjalët e Presidentit të dytë të SHBA, John Adams, i cili në vitin 1776 tha: “Dinjiteti dhe qëndrueshmëria e qeverisë në të gjitha degët e saj, morali i popullit dhe çdo bekim i shoqërisë varet nga administrimi i drejtë dhe i aftë i drejtësisë”. Kishte filluar interesimi amerikan për të reformuar drejtësinë shqiptare.
ALEXANDER ARVIZU
GJENERALITETET: Lindi më 1958
PROFESIONI: Diplomat
STATUSI DIPLOMATIK: Ambasador i SHBA në Shqipëri.
QËNDRIMI NË KRYE TË AMBASADËS: 9 korrik 2010 – 10 janar 2015
DETYRA PARAARDHËSE: Drejtor në Byronë e Burimeve Njerëzore në Departamentin e Shtetit
PËR T’U MBAJTUR MEND: Menaxhimi i ngjarjes së 21 janarit 2011, ku mbetën të vrarë 4 protestues dhe 100-vjetori i pavarësisë së Shqipërisë
21 janar 2011 dhe 28 nëntor 2012 janë dy data që për ambasadorin Alexander Arvizu nuk do harrohen lehtë në jetën e tij. Të dyja lidhen me Shqipërinë dhe të dyja lidhen me kohën që ka qenë ambasador dhe për to ka pasur ndikim jo të vogël. Njëra ngjarje mbahet mend për keq dhe tjetra për mirë. Më 21 janar 2011, 4 protestues të opozitës së PS u vranë në bulevard dhe ambasadorit Arvizu i duhej të menaxhonte në cilësinë e diplomatit këtë ngjarje nga më të rëndat që ka ndodhur në Shqipëri. Ishin të shpeshta thirrjet e Ambasadës dhe të tij personalisht për të mos pasur dhunë, por kjo nuk u shmang. Vetëm pas pak ditëve Arvizu deklaroi se Kryeministri Sali Berisha ishte burrë shteti. Kjo irritoi opozitën dhe qëndrimin i saj ndaj tij dhe SHBA-së nisi të bëhej refraktar. Madje, kjo mbërriti edhe te media që mbështeste Partinë Socialiste. Ka shkaktuar habi në opinionin publik një njoftim i Ambasadës Amerikane më 14 prill 2011, teksa informohej publikisht kjo Ambasadë ndërpriste marrëdhëniet me gazetën “Shekulli”, një nga më të rëndësishmet në vend. Nuk kishte ndodhur më parë në asnjë rrethanë që një media të bëhej e padëshiruar për diplomatët amerikanë. Por qëndrimi i kësaj gazete ndërmerrej për shkak se, sipas saj, Arvizu dukej sikur kishte mbajtur anësi për ngjarjen e 21 janarit. Një pjesë e gazetarëve u pozicionuan kundër gazetës në fjalë dhe të tjerë në mbrojtje. Ngjarja e dytë, më 28 nëntor 2012, ka një panoramë tjetër. Në fakt, më 1 nëntor 2012, Tiranën e vizitoi Hillary Clinton, Sekretare e Shtetit dhe një mike e rrallë e Shqipërisë. Ajo vizitë 3-orëshe në Tiranë ishte arritja më e madhe në veprimtarinë diplomatike e Alexander Arvizu. Sekretarja Clinton mbërriti në Tiranë në orën 11:00. të 1 nëntorit të vitit 2012 e shoqëruar nga 13 truproja vajza të gjitha beqare. Por më shumë se ruajtja, vëmendja e publikut u përqendrua tek ajo që u tha në Parlament: “Ne kemi qenë me ju për 100 vjet dhe do të jemi edhe 100 vjet të tjera”. Po si ishin marrëdhëniet mes SHBA dhe Shqipërisë gjatë kohës që Ambasadën e drejtonte Arvizu? Kjo pasqyrohet më mirë në një deklarim të tij më 5 mars 2012 në “AS” të gazetarit Janush Bugajski: “Është e qartë që nga pikëpamja e politikës së SHBA që është rëndësia e integrimit në strukturën e gjerë euroatlantike të vazhdojë dhe këtë mund ta thuash për gjithë Ballkanin Perëndimor, Malin e Zi, Serbinë, Maqedoninë, Kosovën. Vendi i Shqipërisë është në Evropë. Nuk ka për t’u bërë shtet i 51-të i Shteteve të Bashkuara”.
DONALD LU
GJENERALITETET: Lindi më 1966
PROFESIONI: Diplomat
STATUSI DIPLOMATIK: Ambasador i SHBA në Shqipëri
QËNDRIMI NË KRYE TË AMBASADËS: 13 janar 2015 – 24 korrik 2018
DETYRA PARAARDHËSE: Zëvendësshef i Misionit të SHBA në Indi
DETYRA PASARDHËSE: Ambasador i SHBA në Kirgistan
PËR T’U MBAJTUR MEND:
Reforma në drejtësi, zgjedhjet e vitit 2017, kriza mes qeverisë socialiste dhe opozitës demokrate si dhe përhapja e fenomenit të kultivimit të kanabisit kanë qenë sfidat që ka menaxhuar ambasadori i SHBA në Tiranë Donald Lu. Një personazh shumë i dashur publik, energjik dhe aktiv për çdo ngjarje, Lu u kthye shumë shpejt në qendrën e rëndesës për qëndrimin e drejtë politik në Shqipëri. Dhe qershia mbi tortë e gjithë punës së tij ishte reforma në drejtësi që pati si iniciatore dhe mbështetëse diplomacinë amerikane. Miratimi në Kuvend në vitin 2016 të paketës së reformës në drejtësi me 140 vota ishte impenjim maksimal i ambasadorit Lu dhe ky është edhe kulmi i suksesit të punës së tij. Por ajo që bëri që të ndryshojë politikën shqiptare ishte çështja e kultivimit të kanabisit. Sipas një raporti për institucionet e sigurisë vetëm në vitin 2016 në Shqipëri ishin futur 21 tonë farë kanabisi. Kjo do të thoshte që Shqipëria ishte bërë në 2017 hambari i Evropës për kanabisin. Për herë të parë politikanë të veçantë arritën të shigjetonin një ambasador për faktin përse ai nuk akuzonte qeverinë. Kjo nisi nga një dialog në Kuvend mes ish-kryetares së Parlamentit, Jozefina Topalli, dhe Kryeministrit Edi Rama. Kur Topalli publikoi disa shifra për kanabisin, Kryeministri Rama iu përgjigj: “Atë letër tundja ambasadorit amerikan dhe jo mua”. Kjo frazë shërbeu si një shkëndijë që përfaqësues të opozitës të shikonin me dyshim ambasadorin amerikan përse ai nuk kishte reaguar ndaj këtij fenomeni. Aq sa përfaqësues të PD bojkotuan darkën zyrtare të largimit të tij nga detyra. Po a ishte kjo një e vërtetë apo justifikim i PD për humbjen në zgjedhjet e vitit 2017? Një nga bashkëpunëtorët e ngushtë të kryetarit Basha, Kreshnik Spahiu, deklaroi pak ditë më parë se ky ishte vetëm një justifikim i Bashës për të mbuluar gabimet e tij në humbjen e zgjedhjeve.
YURI KIM
GJENERALITETET: Lindi më 1971
STATUSI DIPLOMATIK: Ambasadore e SHBA në Tiranë
QËNDRIMI NË KRYE TË AMBASADËS: Nga 10 janari 2020
DETYRA PARAARDHËSE: Drejtore e Zyrës së Çështjeve të Evropës Jugore në Byronë e Departamentit të Shtetit për Euroazinë
PËR T’U MBAJTUR MEND: Merr detyrën në një moment kur Shqipëria është përfshirë nga një krizë e thellë politike
Pasi Ambasada Amerikane u drejtua nga e ngarkuara me punë Leyla Moses Ones nga 19 shtatori 2018-10 janar 2020, në krye erdhi ambasadorja e re Yuri Kim. Kishte një simbolikë të veçantë që teksa betohej më 9 janar si ambasadore e SHBA-së, Kim kishte edhe dy të ftuar specialë: Chris Hill, diplomatin e parë amerikan në vitin 1990 pas më shumë se gjysmë shekulli mungesë marrëdhëniesh diplomatike si dhe Elez Biberajn, drejtorin e “VOA” për Euroazinë. Të dy miqtë specialë ia thanë pothuajse në një zë diplomates Kim: Mikpritja shqiptare është një legjendë. Dhe sapo vuri këmbë në Tiranë, ajo e pa me sytë e saj këtë legjendë. Aq sa në takimin me politikanë dhe gazetarë vetë Kim tha: “Tani e kuptoj që legjenda për mikpritjen shqiptare është thjesht pohim i një fakti”. Por mikpritja shqiptare është pjesa romantike e ndjesisë shqiptare në punën e ambasadores. Për tri vite në krye të Ambasadës Amerikane Kim ka disa sfida për të kaluar. Por mes të gjithave ka një bast mbi bastet, teksa ka marrë detyrën në Shqipëri. Dhe kjo është reforma në drejtësi, prej afro 4 vitesh nga miratimi në Parlament. Skeptikët janë shtuar shumë, ndërsa kritikët më të ashpër të saj thonë se kjo reformë po fut shumë ujë. Sipas opozitës, institucionet e saj që po ngrihen janë bërë si shtojcë e qeverisë, ndërsa kreu i shtetit e përkufizon vetëm me një emër, Ramaformë. Por, ndërkohë, përgjatë këtyre katër viteve nuk ka munguar asnjëherë mbështetja që Ambasada Amerikane i ka bërë kësaj reforme. Një reformë që, duke u cilësuar si ekskluzive e SHBA, për diplomaten Kim merr një rëndësi të veçantë. Për shkak të pandëshkueshmërisë ndaj abuzuesve në këta 30 vjet tranzicion, pyetja e madhe e opinionit publik është: A do të arrestohen ata politikanë që kanë vjedhur paratë publike? Nëse kjo do të arrihet dhe politika shqiptare do të tronditet, pa dyshim që Kim do të quhet një histori suksesi.