Nga Lorenc Vangjeli ekskluzivisht për Fjala.al
Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, premton se VAR-i, sistemi i famshëm që revolucionarizoi futbollin, do të mbërrijë në Shqipëri. Teknologjia me shumë sy, por pa emocione, do të ndihmojë që arbitrat shqiptarë të jenë më të saktë në vendimet që marrin në fushën e lojës. Gol apo jo, penallti apo rivënie fundore, pozicion i rregullt apo jashtë loje, goditje dënimi apo dënim për simulim dhe dhjetëra e dhjetëra dilema të tilla të diskutueshme, do të ketë një shans më shumë zgjidhjeje, dhe shumë më pak ndikim nga gjykimi e gabimi njerëzor.
Presidenti i Republikës Ilir Meta premton se dy marsi do të jetë një takim me historinë, në një datë që është historike për Shqipërinë. Se do të jetë një mundësi që i jepet popullit të marrë në dorë fatin e tij në një referendum çlirimtar prej “otomanëve” të Tiranës që i kanë rrethuar presidencën kështjellë. Ftesa për kryengritje kundër grushtit të shtetit, për riinterpretim të kushtetutës në frymë dhe në germë dhe me gjasë, edhe dekreti për shpërndarje të parakohshme të parlamentit, nuk ka asgjë të keqe në thelb. Tenton që të afrojë një lloj VAR-i me sy të mbyllur nga emocionet, në lojën politike të vendit, një shans më shumë për rregullat që t’i shmangen ndikimit nga gjykimi e gabimi njerëzor.
Fakti sipërfaqësor se njeriu që duhet të jetë mbi palët, bëhet edhe vetë palë dhe thelbi që beteja antigrusht shteti bëhet në një bulevard që e ka provuar realisht se çfarë është grushti i shtetit, as nuk ka dhe as nuk merr rëndësi. Por nëse në futboll, loja mund të rifillojë aty ku është lënë dhe vendimet prapësohen, në politikë dhe në jetën e një shoqërie, kjo nuk mund të ndodhë. Arsyeja e vërtetë që i ka nxjerrë palët në rrugë është reforma në drejtësi, e cila për ironi të fatit, ka mbetur dhe vetë në rrugë. Por mbasi ka mbërritur në pikën, nga e cila, kthimi mbrapsht është shumë herë më i dëmshëm, më i rrezikshëm dhe më i gabuar sesa ecja përpara!
Edi Rama e Ilir Meta, Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi, Doktori i zemrës dhe shumë nallbanë mushkash lokale, të huaj që ishin bërë si të shtëpisë në Tiranë dhe të huaj që u shqiptarizuan me hilet e Tiranës, e kuptojnë shumë më mirë se gjithë të tjerët, ngërçin ku ka hyrë reforma. Të gjithë janë aksionerë që ngrehina e vizatuar mirë në letër, në praktikë po premton të bëhet një lëmsh përfundimtar që nuk mund të zgjidhet. Dikush duke e përshpejtuar e dikush duke e frenuar, për paradoks kanë mbërritur në pikën që nëse vetë sistemi gjyqësor nuk vritet, nesër do të bëhet më i fuqishëm. Ndoshta edhe më i pakontrolluar dhe i paekuilibruar në raport me pushtetet e tjera. Sipas parimit të enëve komunikuese, rriten në mënyrë eksponenciale mundësitë që drejtësia të marrë pushtet edhe mbi ato pushtete: mund të imagjinohet një pushtet drejtësie edhe me një axhendë gjysmë të fshehtë politike? Shembulli i tmerrshëm i asaj që ndodhi me Italinë demokratike të viteve ‘90, kur dihej se çfarë iku, por çfarë e zëvendësoi ishte tmerr, në Shqipëri mund të shkojë në ekstreme të tjera. Shtetarët e mëdhenj të vendit fqinjë, ata që e patën politikën profesion, u zëvendësuan nga ata që e kthyen profesionin e politikës në një zeje ku kushdo mund të fuste duart e hundët. Në Shqipëri mund të largohet Saliu, por ardhja e Salianjit është më shumë se fat i keq.
Në Shqipëri nuk bëhet fjalë për një parti që duhet të ikë, për një klasë politike që duhet të transformohet totalisht, por për një sistem të tërë që duhet të ndryshojë. Ky është thelbi i asaj që duhet realisht të ndodhë. Shqipëria ka nevojë për një reformë të gjerë kushtetuese. Çfarë është votuar me referendum në nëntorin e vitit 1998, tashmë është denatyruar plotësisht. Kostumi i dikurshëm ligjor i Republikës është arnuar kaq herë sa askush nuk i dallon më ngjyrën origjinale. Ndryshimet kanë reflektuar humorin e çastit, emocionet e çastit dhe mbi të gjitha, interesat e çastit të një grushti shumë të vogël njerëzisht që kanë imponuar vullnetin e tyre mbi dokumentin themelor të shtetit duke ndryshuar vetë natyrën Republikës. Shqipëria nuk është më një Republikë parlamentare, siç shkruhet në kushtetutë, por një republikë presidenciale, siç është realisht në praktikë. Si në SHBA. Madje ndryshe nga ana tjetër e Atlantikut që ka kufizim deri në dy mandate për presidentin, kryeministri në Tiranë mund të jetë i përjetshëm dhe i gjithëpushtetshëm. Si tani që quhet Edi Rama, si atëherë kur quhej Sali Berisha. Parlamenti dhe parlamentarët, prodhim i partitokracisë, i ngjajnë rezervatit të peshqve, që i jep liri notit deri në kufijtë e rrjetës. Deri në momentin kur peshku i radhës i nevojitet grepit të kryetarit të përhershëm të partisë. Reforma kushtetuese duhet të ripërcaktojë qartë ndarjet e pushteteve dhe ekuilibrin mes tyre, si kusht i parë, i vetëm dhe i panegocieushëm dhe si i vetmi shans për të funksionuar ndryshe.
Zgjidhja për krizën ciklike në Tiranë, mitrën e të gjitha krizave që i kanë marrë frymën Shqipërisë, fillon nga rishkrimi pa hipokrizi i rregullave të lojës. Nuk ka të bëjë as me VAR-in e ri që propozon presidenti Meta, as me emocione bulevardi, as me vetësiguri zyrash pushteti. Sado keq të luajnë skuadrat në futboll, zgjidhja nuk vjen nga hyrja e tifozëve në fushë. Ajo qëndron në vullnetin për të gjetur arsye edhe në qëndrimin e kundërshtarit, me shpresë se edhe kundërshtari do të bëjë të njëjtën gjë. Zgjidhja është e dukshme dhe fare e thjeshtë. Të gjithë i vijnë rrotull, por askush nuk e kërkon. Njëlloj si ato kabinat e vjetra të telefonave me monedha që gjenden ende nëpër rrugët e Tiranës. Të gjithë i shohin ku janë, por askush nuk i përdor më. Sepse nuk ju interesojnë! VAR-i, në futboll dhe në politikë, është loja për të vazhduar lojën!