Çfarë është 8 marsi i Bajame Ballës, nënës së 12 fëmijëve

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Gruaja shqiptare që i kushton jetën fëmijëve dhe familjes, gruaja e fortë që e vlerëson mbështetjen e burrit në krah, e zakonshme me një jetë të jashtëzakonshme. 73-vjeçarja Bajame Balla, nga fshati Mangull, në një rrëfim për gazetën “Fjala” për 8 Marsin e grave

Nga Alessia Selimi

Dje ishte në mbarë botën dita përkujtuese e lëvizjes për të drejtat e grave, e cila shërben jo vetëm për bashkimin e grave pa dallim feje, race, kulture, gjuhe dhe prejardhjeje, por edhe për të kujtuar përpjekjet për barazi, paqe, drejtësi dhe ndërtim në më shumë se dhjetë dekada.

Bajame Balla i ka idetë e qarta për 8 Marsin. E di më mirë se kushdo se ç’do të thotë të jesh grua dhe nënë. Ashtu sikurse ia njeh mirë karakterin vuajtjeve dhe luftës së përditshme. “Fjala” ka vendosur të sjellë pikërisht historinë plot andralla dhe frymëzuese të kësaj gruaje, nënës së dymbëdhjetë fëmijëve. Një jetë e brumosur jo shumë larg kryeqytetit, në njësinë administrative Petrelë, fshati Mangull.

Ajo jeton sot në një shtëpi komode, dy katëshe, ngjyrë vjolë, që gëzon tjetër fytyrë nga e strehëzës së dikurshme, së vogël, në të cilën lindën dhe u rritën 8 vajzat dhe 4 djemtë e saj. E megjithatë, kjo 73-vjeçare, që pikaset prej së largu nga lëverja e saj e bardhë, mbart gjurmë pikëllimi në sy. Ajo rrëfen se ka përshkuar rrugë të gjatë, plot dredhira. “Isha veçse 22 vjeçe kur solla në jetë fëmijën e parë. Ndërkohë, punoja në kooperativë, për të siguruar të ardhura”-tregon fillimisht Bajamia. “Së bashku me tim shoq, arrija të siguroja në muaj vetëm 6 mijë lekë të vjetra. Dhe, me këtë shumë parash më duhej të siguroja ushqimin, veshmbathjen, si dhe çdo nevojë tjetër”-vijon ajo.

Fatkeqësisht, Bajamja gëzon gjendje të rënduar shëndetësore. Kësisoj, fjalitë e saj shoqërohen nga ndalesa të gjata, si dhe nga një frymëmarrje e rëndë, e zhurmshme. Megjithatë, nuk heq dorë së rrëfyeri. Duket qartë se ka mbartur shumë mbi supe. “Në kushte të atilla, isha e detyruar të trokisja në dyert e fqinjëve. Kur rikthehem pas në kohë, shoh një vajzë të re, të skuqur nga koka tek këmbët. Tepër e zorshme!”-thotë Bajamja, teksa struket në një karrige të vjetër, të drunjtë.

Ndër të tjera, tregon se ka patur mjaft raste kur i është dashur t’i lërë fëmijët vetëm, brenda katër mureve të shtëpisë, pa mbikqyrjen e një të rrituri. Ishte e detyruar të punonte, t’i siguronte një jetë më të mirë. “Fëmijët e mi kanë rritur njëri-tjetrin. Kjo është e vërteta, ndonëse me lëndon. Ajo çka më ngushëllon është se ata kanë vite që po njohin një tjetër fytyrë të realitetit, më të butë, më pak të dhimbshme. Sepse arrita t’i shkolloja, pavarësisht borxheve, vështirësisë për t’i ushqyer dhe mbathur”-shprehet Bajamja, e përlotur.

Lexo edhe :  Kërcet grushti në zyrën e kryebashkiakut të Pukës

Njërën vajzë e sheh gjithnjë të veshur me uniformën e policisë, që duhet thënë se nuk është thjesht rrobë, dizajn. Ndërsa një tjetër vajzë i mbart përparësen e bardhë të edukatores. Nuk e artikulon krenarinë që ndjen karshi tyre. Por, i lexohet dukshëm në mimikë.

Në shtëpinë komode, dy katëshe, ngjyrë vjolë, Bajamja jeton prej disa vitesh me familjen e vogël të njërit prej katër djemve të saj. Jo në sajë të dëshirës, sesa të mungesës së një pensioni të plotë. Ajo tregon se nuk është e largët ajo ditë kur shpenzoi 100 mijë lekë të vjetra për ilaçe. Dhe shton se nuk i ka munguar ndihma e fëmijëve, ashtu sikurse thotë se nuk kërkon t’i bëhet barrë.

Me një krenari për t’u admiruar, Bajamja rrëfen se pavarësisht gjendjes së rënduar shëndetësore përpiqet t’u vijë në ndihmë, duke u kujdesur për nipërit dhe mbesat. Madje, dy prej tyre pohon se i ka rritur vetë, duke u zhvendosur në Tiranë për plot tre vite, vetëm e vetëm që e bija të mos shkëputej nga puna.

Bajames nuk i pëlqen të flasë për veten, edhe pse bashkëbisedimi me të vjen në kuadër të 8 marsit. Sepse beson fort se një grua e fortë ka pas një burrë që e respekton, për mënyrën e të menduarit, sjellurit dhe vepruarit. I tillë ishte dhe i shoqi. Të paktën, kështu e përshkruan ajo. Bajram Balla ka ndërruar jetë prej disa vitesh, por ndihet i gjallë, i ulur pranë Bajames, teksa ajo hedh vështrimin tutje, fushave të gjelbërta dhe shtëpive dy-tre katëshe.

“Ka qenë tepër e vështirë të ishe nënë e 12 fëmijëve, por do të ishte shkatërruese nëse nuk do të kisha në krah një njeri të mrekullueshëm. Im shoq, i cili ka ndërruar jetë në moshën 75-vjeçare, punonte ditën në ujësjellës dhe natën si roje, vetëm e vetëm që fëmijët tanë të mos njihnin skamjen. Kam mall për të. Ikja e tij më ka rënduar”-shprehet Bajamja.

Të fundit

FOTO/ Çfarë ka ndodhur? Jetmir Salaj në zi, humb personin e afërm

"Zoti merr pranë vetes gjithmonë më të mirët"– kështu shkruan Jetmir Salaj në ‘instastory’ bashkangjitur me një foto me...

Shkencëtarët thonë se kanë zbuluar ‘vendbanimin e parë’ të gjithë racës njerëzore

Ata publikuan zbulimet e tyre pasi studiuan ADN njerëzore, por studiues të tjerë ende nuk janë të bindur. Shkencëtarë në Australi kanë hapur një debat...

Kryeqyteti më i mirë i Evropës për të qenë turist në 2024

Kryeqyteti më i mirë evropian i vitit 2024 për t'u vizituar si turist është Lisbona. Kryeqyteti i Portugalisë ka qenë një destinacion magjepsës prej kohësh,...

Shumë pranë nesh, cili është qyteti i shpallur me aromën më të mirë në botë

Mund të tingëllojë pak e çuditshme, por nëse keni pyetur ndonjëherë se cili qytet ka aromë më të mirë, ne kemi përgjigjen. Kompania britanike HAIPP ka...

Precedenti Benet Beci, si lakmus për sondazhet politike

Nga Ylli Pata Ka shumë pikëpyetje, por ajo që vjen si e dhënë nga territor, është se mjaft nga qytetarët që votuan Benet Becin ishin...

Lajme të tjera

Web TV