Mikel Hoxha dhe Saimir Petova janë dy të dënuarit e radhës që marrin formularin e pasurisë nga Operacioni Forca e Ligjit. Ata kanë qenë të dënuar në Shqipëri dhe Itali për pjesëmarrjen në organizata kriminale, shfrytëzim prostitucioni dhe trafikim të narkotikëve.
Njoftimi i OFL-së
Në këtë kuadër, OFL u ka dërguar kërkesat për vetëdeklarim të pasurisë shtetasve:
Mikel Hoxha, banues në Berat, dënuar nga Gjykata e Torinos, Itali, për veprat penale “Organizatë kriminale” dhe “Shfrytëzim prostitucioni”;
Saimir Petova, banues në Berat, dënuar nga Gjykata për Krimet e Rënda Tiranë, për veprën penale “Trafikim i narkotikëve”;
Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së.
Më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.
OFL është në veprim të pandërprerë dhe në kryerje të veprimeve komplekse, për të evidentuar dhe dërguar në SPAK, të gjithë personat që janë subjekt i Ligjit Special.
OFL do të informojë publikun në vijimësi për të gjitha nismat procedurale dhe operacionet ekzekutive që do të kryejë.