Nga Bardhi Quku/Zhvillimi i teknologjisë dhe fuqizimi i mediave sociale do të nxirrte në sipërfaqe atë që deri dje kishte vepruar nëpër institucione fetare, në terrene të ndryshme; propagandën e ekstremizmit fetar, qoftë ai islam apo i krishterë. Shekulli 21 shënon një shpërthim të vendeve të margjinalizuara të cilat përmes një armë të fuqishme siç janë mediat sociale kanë arritur të imponojnë propagandën e ekstremizmit të tyre fetar.
Dalja në skenë e Shtetit Islamik përgjatë 10-vjeçarit të fundit i ka dhënë një tjetër formë ekstremizmit të dhunshëm fetar, jo vetëm në formë por edhe në përmbajtje. Shteti Islamik arriti të asimilojë konceptin perëndimor të propagandës duke përdorur pikërisht mjetet e komunikimit online që shpiku Perëndimi. Ai jo vetëm kryente akte të tmerrshme, vrasje, prerje kokash, por përpiqej që mesazhin ta përçonte në një mënyrë të tillë që të gjente hapësirën edhe në mediat më të mëdha të perëndimit, si New York Times, The Guardian, CNN, BBC etj.
Në këtë mënyrë, Shteti Islamik po institucionalizonte dhe mediatizonte dhunën, që ushtrohej kryesisht mbi jo besimtarët myslimanë. Mediatizimi i dhunës së Shtetit Islamik shënon një revolucion në formën dhe përmbajtjen që kishte marrë ekstremizmi i dhunshëm fetar dhe vetë terrorizmi. Terrorizmi po shndërrohej në institucion, duke iu kundërvënë konceptit të shtetit, qytetërimit të Lindjes dhe atij të Perëndimit. Kjo formë e terrorizmit po depërtonte tek shumë ithtarë, veçanërisht kur ajo gjente vend në mediat më të mëdha botërore, edhe pse në formën e denoncimit.
Propaganda e Shtetit Islamik do të brumosej edhe tek shumë shqiptarë. Shumë prej tyre iu bashkuan kësaj strukture ekstremiste dhe terroriste. Përmes një videoje online të shpërndarë gjithandej në rrjetet sociale dhe në faqe të ndryshme interneti, ata paralajmëronin shqiptarët e Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë se i prisnin ditë të zeza nëse nuk bashkoheshin me Shtetin Islamik.
Thirrjet e ekstremistëve me orgjinë shqiptare, që ishin pjesë e Shtetit Islamik patën efektin e tyre. Rreth 144 shqiptarë nën ethet e propagandës së Shtetit Islamik iu bashkuan kësaj strukture terroriste për të luftuar në Siri, veçanërisht në vitin 2012, dhe në 2014-n, vit kur shënohet edhe kulmi i përqafimit të ISS-it, dhe ku nuk bënë përjashtim as gratë dhe fëmijët.
Rasti më domethënës i fuqisë së jashtëzakonshme të propagandës së Shtetit Islamik është ai i Alvin Berishës, konkretisht nënës së tij, Valbona Berisha. Historia e kësaj të fundit tregon forcën depërtuese të propagandës së ISIS-it, duke bërë që Valbona Berisha, si edhe shumë gra të tjera të indoktrinoheshin përmes videove online duke u lidhur me imamë në Shkup dhe Prishtinë dhe më pas t’i bashkohej Shtetit Islamik në vitin 2014, së bashku me djalin e saj, Alvin Berisha.
Historia u bë publike kur emisioni investigativ ‘Le Iene’ denoncoi rastin përmes të atit të Alvin Berishës, i cili kërkonte rikthimin e djalit. Në këtë rast, media, ai ajo italiane dhe ato shqiptare, nuk trajtuan në plan të parë indoktrinimin e së ëmës dhe bashkimin e saj me ISIS, por historinë e vetë Alvin Berishës, ku ai ishte midis shumë fëmijëve të tjerë nga Ballkani që ishin marrë nga prindërit e tyre në Siri.
Mënyra e raportimit në mediat kryesore të historisë së Alvin Berishës dhe thirrjes së atit për ta rikthyer në atë në shtëpi, ishte një mjet i fuqishëm në denoncimin e të gjithë atyre prindërve, e familjarëve, që kishin rënë pre e propagandës së Shtetit Islamik apo i ishin bashkuar kësaj strukture terroriste. Ky është një shembull se si media mund t’i kundërvihet ekstremizmit dhe terrorizmit të dhunshëm fetar, përmes historive njerëzore, duke mos transmetuar vetëm dhunën që ushtrojnë grupet ekstremiste por edhe pasojat që ato shkaktojnë.
Në rastet e raportimit të historive të tilla njerëzore, por edhe të aktivitetit të grupeve ekstremiste të dhunshme, media duhet të ketë parasysh të mos rrëshqasë në pikën ekstreme. Por, të gjejë atë ekuilibër që thekson edhe eksperti i medieve mbi qasjen e informacionit ekstremist, Donald Holbrook.
Sipas Holbrook, janë tre kategori të informacionit me natyrë ekstremiste, e moderuar, kur nuk transmetojnë dhunë apo urrejtjeje; në zgrip kur informacioni i transmetuar është radikal dhe në kategorinë e ekstremes përfshihen rastet kur justifikohet dhuna, urrejtja dhe aktet terroriste. Fatmirësisht mediat shqiptare, veçanërisht mediat kombëtare nuk rënë në kategorinë ekstremes, me përjashtim të disa prej medieve online që transmetojnë informacione të ekstremizmit fetar pa asnjë kontroll të standardeve dhe etikës gazetareske.
Megjithatë, është për t’u evidentuar fakti se diskursi ekstremist qoftë ai i Islam apo i Krishterë, është i denoncuar nga media. Përveç rasteve në denoncimin e ekstremistëve fetarë të botës islame, ka raste edhe të denoncimit nga media të ekstremistëve të krishterë.
Një rast i tillë është edhe denoncimi i medias së Kosovës, ‘Insajderi’ e cila publikoi në vitin 2019, videot e dy radikalëve katolikë nga veriu i Shqipërisë që kërcënonin me vrasje myslimanët shqiptarë që shkonin për pushime në bregdetin shqiptar. Denoncimi që bënte media e Kosovës kishte edhe shkarje nga etika gazetareske, pasi kishte publikuar bruto të dyja videot, të cilat përmbanin fjalë ofenduese, urrejtje, kërcënime për vrasje të shoqëruar me fjalë të tilla si “ka q*** turku, ju q*** familjen, do t’ju rrjep për së gjalli”. Megjithatë, media ndodhet përballë dilemës që të publikojë informacionin ashtu siç është për ta transmetuar gjithë historinë apo të mbajë qëndrim etik që mund ta çojë deri në vetë-censurë.
Grupe të tilla radikale veprojnë kryesisht jashtë kontrollit të institucioneve fetare. Ashtu siç ishte edhe në rastin e grupeve radikale islame, të cilat kryenin ligjërime propaganduese ekstreme dhe dërgonin njerëz në luftën e Sirisë. Këto grupe ndodheshin jashtë kontrollit të Komunitetit Mysliman Shqiptar. Imamët që vepronin jashtë KMSH-s, tashmë të dënuar nga gjykata shqiptare, përveç kulteve të tyre fetare kishin gjetur mënyrat më efektive për të manipuluar besimtarët. Për ta nuk ishte e nevojshme që të shkonin në zona të ndryshme të vendit dhe të propagandonin ligjërimet e tyre ekstremiste me prezencën e tyre fizike, por mjaftonte përhapja e medias sociale si Facebook, Yotube etj.
Platformat e tilla të komunikimit online në gjuhën shqipe rezultojnë të jenë në një numër shumë të madh në raport me numrin e popullsisë. Gjithsesi, media shqiptare në trajtimin e këtij rasti mbajti një pozicion të qartë denoncues aq më tepër kur pikëpamjet e këtyre grupeve ekstremiste binin ndesh me konceptin e shtetit dhe shoqërisë në tërësi. Por, përdorimi i terminologjisë fetare mbetet një problem në përmbajtjen e informacionit që transmetojnë mediat shqiptare.
Qasja e gazetarëve ndaj ekstremizmit fetar është trajtuar gjerësisht edhe në trajnimet e Institutit Shqiptar të Medias nga gazetarë, ekspertë të komunikimit dhe religjioneve fetare, veçanërisht mbi përdorimin jo në mënyrën e duhur të terminologjisë fetare dhe kontekstin në të cilin transmetohet një ngjarje e caktuar. Për shembull, në shumë raportime kërkohen të ravijëzohen ‘përplasje’ të fryra brenda komuniteteve të caktuara fetare, kryesisht atij Islam. Apo kur media krijon idenë e gabuar se ekstremizmi lidhet direkt me fenë islame.
Qasja ndaj Islamit ka një konotacion negativ edhe në mediat perëndimore që pas sulmeve të 11 shtatorit 2001. Kur ndodh një sulm masiv me armë, ngjarja do të etiketohet terroriste vetëm në bazë të përkatësisë fetare të autorit. Nëse ai është mysliman, atëherë akti do të quhet ‘terrorist’, ndryshe do të marrë etiketimin si ‘vrasje masive’.
Megjithatë, edhe qasja e mediave perëndimore ka filluar të ndryshojë në mënyrën e raportimeve të akteve terroriste, duke pasur parasysh edhe përkufizimin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara e cila e riafirmon terrorizmin “si një fenomen i cili nuk mund lidhet me asnjë fe, komb, civilizim apo grup etnik.”
Pavarësisht këtij akti të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, qasja e medias ndaj propagandës së ekstremizmit të dhunshëm fetar dhe propagandimit të terrorizmit, mbetet një sfidë e përditshme. Media tradicionale duke respektuar standardet etike të gazetarisë mund të shërbejë si një barrierë e fortë përballë fuqizimit të grupeve ekstremiste që propagandojnë dhunën dhe aktet terroriste përmes mediave sociale. Në këtë rast gazetarët dhe vetë mediat, duhet luajnë rolin ‘qenit-roje’ ndaj pushtetit të grupeve ekstremiste radikale për të qenë denoncues dhe jo viktimë e tyre./Fjala.al/